“Erhard Busek” është emërtuar sheshi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, i cili u inaugurua të enjten nga Komuna e Prishtinës. Busek është ish-politikan austriak, për të cilin u tha se ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare ndërlidhet me edukimin dhe se Erhard Busek ka qenë mik i madh i Kosovës.
“Doktor Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës, gjatë kohës kur edhe qytetarët tanë, studentët e asaj kohe nuk kanë pasur mundësi të studiojnë ka qenë pikërisht doktor Erhard Busek që i ka hapur mundësi me qindra apo mijëra studentë nga Kosova që të mësojnë, që të studiojnë, që të avancohen, të bëhen profesionistë dhe tashmë edhe t’i ndihmojnë vendit tonë në hapat e radhës për të ardhmen e ndritshme të vendit tonë. Si rezultat edhe si një nevojë për ta nderuar e falënderojë presidentin e shoqatës të miqësisë Kosovo-Austriake që kanë ardhur tek ne në kryeqytet me një propozim që ta nderojmë figurën e doktor e Erhard Busek me emërimin e një sheshi, pikërisht këtij sheshi këtu që qëndron përballë Bibliotekës Kombëtare”, u shpreh ai.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer foli për kontributin e shtetit austriak, ku tha se ishte vendi i parë që njohu diplomat dhe dokumentet nga sistemet paralele shqiptare.
“Është një ditë historike, sot është përvjetori i 3-të i vdekjes së Erhard Busek. Jam i sigurt se ai do të ishte shumë i nderuar, shumë krenar që ky shesh afër Bibliotekës Kombëtare, shumë afër me Rektoratin e Universitetin si dhe afër bibliotekës së vogël austriake që është brenda në këtë ndërtesë, po emërohet pas tij. Erhard Busek ishte një vizionar, për dekada ai punoi pa pushim për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në BE, para rënies së ‘perdes së hekurt’. Ishte ai, që në vitet e 80-ta kontrabandoi libra nga Austria në shtete prapa perdes së hekurt, pra është një vend shumë i mirë që të emërohet pas tij. Ai ishte zëvendës kancelar i Austrisë dhe Ministër i Shkencës dhe Kërkimeve. Austria u bë shteti i parë që njohu diplomat dhe dokumentet nga sistemet paralele shqiptare, nga sistemi nëntokësor, universitetet dhe shkollat në kohën kur ishte e ndaluar të mësohej në gjuhën shqipe. Ai luajti një rol kyç që studentët shqiptar të kishin mundësinë të vazhdonin studimet në Austri si shteti i parë që njohu diplomat”, theksoi ai.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës është miratuar propozimi i kryetarit Përparim Rama, që sheshi përballë Bibliotekës Kombëtarë ta mbajë emrin e ish-politikanit austriak, Erhard Busek.