NEWBORN Monument ka marrë një pamje të re për 18-vjetorin e pavarësisë, duke u shndërruar në një vepër që flet për plagët, sfidat dhe forcën e një shteti të ri. Në zemër të Prishtinës, simboli i pavarësisë këtë vit vjen me konceptin “NEWBORN 18”, i frymëzuar nga arti japonez Kintsugi – teknika që i kthen thyerjet në vlerë përmes arit.
Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, thekson se ideja pas transformimit lidhet me rrugëtimin e Kosovës ndër vite. Ashtu si në Kintsugi, ku plasaritjet nuk fshihen por theksohen me ar, edhe sfidat e një shoqërie mund të shndërrohen në forcë dhe identitet.
Monumenti aktualisht është ende në proces përfundimi, i rrethuar me skelet mbështetëse, ndërsa ngjyrat dhe motivet artistike i kanë dhënë një dimension të ri vizual. Veçanërisht bie në sy shkronja “R”, ku çarjet e arta simbolizojnë “ngjitjen” e plagëve – një metaforë e qartë se përvoja dhe sakrifica e bëjnë një komb më të fortë.
Që nga zbulimi më 17 shkurt 2008, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NEWBORN është rilyer çdo vit, duke reflektuar tema që lidhen me njohjet ndërkombëtare, migrimin dhe integrimin evropian. Nga e verdha e ndezur e fillimit, deri te konceptet më të thelluara sociale e politike, ai ka mbetur një pasqyrë artistike e realitetit të vendit.
Me “NEWBORN 18”, mesazhi është i fuqishëm dhe i qartë: plagët nuk fshihen- ato ndriçohen. Dhe nëpërmjet tyre, Kosova vazhdon të ndërtojë identitetin e saj, duke e kthyer çdo sfidë në vlerë.