Lajmet

DW: Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet

Published

on

Pas përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë deputetëve që të konstituonin Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025.

Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë afat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.

Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.

Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.

Edhe dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan.

“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Akuza për Vetëvendosjen

Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.

“Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, e akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.

Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve

Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.

“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.

“Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.

Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani iu drejtua më 22 korrik Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW

Lajmet

Tre zyrtarë nga Kosova diplomojnë në Akademinë e FBI-së, vlerësohet partneriteti me SHBA-në

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se tre zyrtarë të zbatimit të ligjit nga Kosova kanë diplomuar së fundmi në Akademinë Kombëtare të FBI-së.

Në njoftimin e ambasadës theksohet se Kosova është një partnere e fortë e SHBA-së në fushën e zbatimit të ligjit dhe ka një nga rrjetet më të mëdha të të diplomuarve të Akademisë Kombëtare të FBI-së në nivel global.

“Krenarë të festojmë diplomimin e tre zyrtarëve kosovarë nga Akademia Kombëtare e FBI-së! Kosova është një partnere e fortë e SHBA-së në zbatimin e ligjit, me një nga rrjetet më të mëdha të alumni-t të Akademisë Kombëtare të FBI-së në botë. Jemi të entuziazmuar të punojmë së bashku për të luftuar krimin e organizuar transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.

Me dy të tretat e votave, deputetët miratuan Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja Gjyqësore në Çështjet Civile ose Tregtare.

Kjo marrëveshje mori miratimin në tentimin e tretë, pasi u sigurua se Serbia nuk është pjesë e kësaj konvente.

Po ashtu, Kuvendi miratoi Protokollin për ndryshimin e Marrëveshjes mbi Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Në mesin e marrëveshjeve të miratuara ishte edhe Konventa për Zgjedhjen e Gjykatës. /KosovaPress/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Javën e ardhshme pritet drafti i parë i strategjisë për Apelin dhe Ligjit për Specialen

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të pranohen drafti i parë i strategjisë shtetërore për procesin e Apelit në Hagë dhe drafti i ri i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Duke folur në Kuvend për Ligjin për Specialen, Kurti ka thënë se ai është hartuar pas pakënaqësisë me aktgjykimin e 16 shtatorit, por ka theksuar se që nga fillimi kishte shprehur rezerva për këtë nismë.

“Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se në grupin punues për strategjinë janë të përfshirë përfaqësues të ndryshëm, ndërsa drafti i ri i ligjit pritet të përgatitet nga një ekip ekspertësh.

Kurti ka përsëritur se nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Dhomat e Specializuara që nga viti 2015, duke e cilësuar këtë gjykatë si të pazakontë.

Ai ka përmendur edhe raportin e vitit 2008 për pretendimet lidhur me “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, duke thënë se hulumtimet e zhvilluara nuk kishin gjetur dëshmi për këto pretendime.

Sipas Kurtit, çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mbetet ndër pikat që duhet të trajtohen në procesin e Apelit. Ai ka shprehur bindjen se vendimi i 16 shtatorit duhet të korrigjohet në Apel, proces për të cilin ka thënë se pritet të zhvillohet gjatë vitit 2027./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pas më shumë se dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në SHBA

Published

on

By

Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për t’i përfaqësuar interesat e saj në Uashington.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka lidhur kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, sipas një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.

Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, apo gjithsej 600.000 dollarë për një vit. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.

Pagesat do të bëhen në këste tremujore prej 150.000 dollarësh.

Të njëjtën kompani e pati angazhuar edhe zyra e Presidencës në vitin 2017, kur postin e presidentit e mbante Hashim Thaçi.

Në kontratë, të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard, thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën lidhur me çështje që i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane.

Dokumenti i regjistruar në FARA përmend lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Megjithatë, kontrata nuk specifikon objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për më shumë informacione, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Kjo Ministri, kishte lidhur kontratat e fundit të lobimit në SHBA në vitin 2023, kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla, tani ministre e Drejtësisë.

Kosova pa kontrata lobimi që nga viti 2024

Në qershor të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, në pronësi të Avni Mustafajt.

Sipas kontratave të nënshkruara më 26 qershor 2023, të dyja kompanitë u angazhuan për nga një vit, me synimin e deklaruar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”. Secila parashihej të paguhej nga 147 mijë euro, pra gjithsej 294 mijë euro.

Përveç pagesave të kontratës, ata kishin deklaruar edhe shpenzime shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime. Një pjesë e madhe e takimeve të deklaruara ishin zhvilluar në restorante në Prishtinë, ndonëse kontrata parashihte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.

Të dhënat e publikuara në FARA tregonin se, nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafaj katër. Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë në të njëjtën datë.

Kontratat përfunduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u vazhduan. Që nga atëherë, Kosova nuk ka pasur asnjë lobist në SHBA, ndërkohë që vendet e rajonit kanë nënshkruar disa të tilla.

 

Angazhimi i rajonit për lobim në SHBA

Kontratat e vendeve të rajonit tregojnë se ato po përpiqen të avancojnë interesat e tyre nëë Uashington përmes lobimit.

Në vitet e fundit, Serbia ka zgjeruar angazhimin e saj në Uashington, përmes disa kontratave aktive me kompani amerikane:

  • me KARV Communications, për komunikim strategjik dhe marrëdhënie me mediat, me pagesë prej rreth 60 mijë dollarësh në muaj;
  • me Valcour LLC, për promovimin e Serbisë si nikoqire e EXPO 2027, me 65 mijë dollarë në muaj;
  • dhe me CRB Global LLC, për këshillim strategjik, me 10 mijë dollarë në muaj.

Përveç qeverisë, në regjistrin amerikan figurojnë edhe kontrata të Odës Ekonomike të Serbisë dhe dy kompanive private serbe.

Edhe Republika Sërpska, entitet i Bosnje e Hercegovinës, ka rritur ndjeshëm shpenzimet për lobim në SHBA në vitet e fundit. Në 16 kontratat aktive, një nga objektivat kryesore del të ketë qenë heqja e sanksioneve amerikane ndaj udhëheqësit të atëhershëm të entitetit, Milorad Dodik, dhe personave të lidhur me të.

Ndërkohë, Mali i Zi figuron me dy kontrata aktive, të dyja të nënshkruara në muajt e fundit të këtij viti. Njëra u lidh nga Organizata Kombëtare e Turizmit dhe tjera nga Partia Demokratike Popullore.

Nga institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk figuron asnjë kontratë aktive lobimi, por vetëm një nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të tjera nga individë dhe kompani private.

Ngjashëm, edhe Maqedonia e Veriut figuron në regjistrin FARA vetëm përmes angazhimeve të një kompanie private, ATS Group, dhe një partie politike, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Teksa vendet e rajonit përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre në Uashington, lobimi në SHBA ka rëndësi të veçantë për Kosovën për shkak të rolit amerikan në sigurinë e vendit dhe në proceset ndërkombëtare që e prekin.

Vitin e kaluar, kur Kosova s’kishte asnjë kontratë lobimi aktive, analistja politike Donika Emini kishte vlerësuar për REL-in se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në diplomacinë konvencionale, përmes ambasadave dhe konsullatave. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara