Lajmet

DW: Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet

Published

on

Pas përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë deputetëve që të konstituonin Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025.

Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë afat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.

Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.

Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.

Edhe dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan.

Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.

Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Akuza për Vetëvendosjen

Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.

Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, e akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.

Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve

Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.

Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.

Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.

Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani iu drejtua më 22 korrik Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara