Lajmet

Dugolli shprehet i habitur: Pse më keni ftuar në Komision Hetimor për Energji?

Sipas tij, pozita e tij në atë kohë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë nuk ka të bëjë asgjë me sektorin e energjisë.

Published

on

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli është shprehur i habitur për ftesën për të dëshmuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Dugolli tha se pozita e tij në atë kohë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë nuk ka të bëjë asgjë me sektorin e energjisë.

“Më keni ftuar për sektorin e energjisë, ndërsa unë kam udhëhequr një sektor komplet tjetër. Pra, pse më keni ftuar? Dua ta di se çka lidhet sektori im me energjinë… Kam qenë ministër i Tregtisë dhe Industrisë që s’ka pasur të bëjë asgjë me energjetikën”, tha Dugolli.

Por, kryetari i Komisionit, Hajdar Beqa dha arsyet për ftesën e tij për Dugollin.

“Ne kemi bërë ftesa në bazë të inicimit nga 41 deputetë për periudhën 2006-2022. Në bazë të dokumenteve ju kemi ftuar zotëri Dugolli, të cilat i kemi marrë nga akterët, ka qenë edhe emri i juaj, për arsye se në kohën për të cilën flasim, në bazë të informatave që i kemi ne, keni qenë anëtar i Bordit të AKM-së në cilësinë e ministrit”, tha Beqa.

Megjithatë, ai tha se kontributi i tij në atë kohë si ministër për këtë fushë ka qenë mbështetja e strategjisë për energjinë.

Por, anëtari i Komisionit Armend Muja ka pyetur Dugollin për procesin e privatizimit dhe statusin e privilegjuar me tarifa të energjisë elektrike për kompaninë “Alferon”.

“Më datën 16 mars 2006 është mbajtur mbledhja e qeverisë, dhe është diskutuar çështja e privatizimit të “Alferon” dhe statusi i privilegjuar për energji elektrike dhe në atë mbledhje keni diskutuar edhe ju, po ju citoj: “Është me rëndësi që në kontratën bazë për shitblerje të “Alferon” dihet privatizimi i saj si ka ndodhur, edhe kur është marrë vendimi në AKM ka pasur mbështetje paraprake të Qeverisë së Kosovës”, ky është diskutimi që është bërë. A ju kujtohet kjo bisedë”, pyeti Muja.

Dugolli u përgjigj se “Alferon” i shpallur si konsumator i privilegjuar për tarifa më të lira se amvisëritë, ka pasur arsyetime se në çdo vend favorizohet industria dhe investitorët.

“Ti a po më pyet për privatizim a për energji? Për privatizim e kam sqaruar në një komision tjetër. Nëse doni flas prapë. Tash e kam të qartë, diskutimet që janë bërë në opinion duke përfshirë edhe mediat, e kanë shfaqur këtë problem se si ka mundësi një kompani të furnizohet me energji elektrike kaq lirë në raport me amvisëritë. Për këtë i kam bërë pyetje edhe Shtyllës IV të UNMIK-ut, të cilët kanë qenë përgjegjës lidhur me këtë proces. Është thënë që konsumator i privilegjuar për faktin se kompania ka qenë në gjendje të paguajë para kohe atë vlerën që ka pasur interes KEK-u të merr para. Është thënë po ashtu se askund në botë konsumatorët e amvisërisë dhe industrisë nuk janë të njëjtë dhe çdo vend industria favorizohet me çmime”, tha ai.

Në këtë Komision, sot ka dëshmuar edhe ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri. 

Continue Reading

Lajmet

​Beogradi dhe Moska nënshkruajnë memorandum për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Zyrtarët e Beogradit dhe Moskës e kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për thellimin e marrëdhënieve midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë.

Dokumenti u nënshkrua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Moskës në Beograd”. Serbia, e cila thotë se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një nga partnerët e paktë evropianë të Kremlinit edhe pothuajse katër vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua nga presidenti i Asamblesë së Beogradit, Nikolla Nikodijeviq, dhe ministri i Qeverisë së Moskës dhe shefi i Departamentit për Ekonomi të Jashtme dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sergey Cheryomin, shkruan REL.

Nikodijeviq deklaroi se memorandumi duhet të mundësojë bashkëpunim të mëtejshëm në fushat e transportit, kulturës, arsimit dhe sportit.

“Është shumë e rëndësishme për ne që një qytet kaq i madh si Moska, një nga qytetet më të mëdha evropiane, dëshiron të ketë bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Beogradit”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Unë besoj se memorandumi që nënshkruam sot do të jetë njëfarë ‘bilete hyrëse’ në tregun rus për shumë nga biznesmenët tanë, por edhe se Beogradi dhe Serbia do të sigurojnë kështu investime të reja nga Rusia”, tha Nikodijeviq.

Nikodijeviq vlerësoi se memorandumi i mëparshëm dhjetëvjeçar i bashkëpunimit kishte përmirësuar marrëdhëniet midis dy kryeqyteteve.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve u nënshkrua në 81-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Qyteti u çlirua bashkërisht nga forcat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Rrëmbyen një person në Veternik, arrestohen katër të dyshuar, i përfshirë edhe një polic

Published

on

Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga hetuesit policor dhe identifikimit të personave të dyshuar lidhur me rastin e rrëmbimit të raportuar më 19 shtator 2025, në lagjen Veternik të Prishtinës, ka rezultuar se në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor.

Sipas njoftimit, menjëherë pas kësaj është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të cilët në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë arrritur të sigurojnë prezencën e personave të dyshuar.

“Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër (imitim i armës AK-47). Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin për zyrtarin policor”, thuhet në njoftim.

Hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore, po vazhdojnë veprimet e mëtejme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.

Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë rast arrin në tetë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Trump: Nëse Hamasi e thyen armëpushimin do të shkatërrohet

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka përsëritur qëndrimin e tij se nëse Hamasi e thyen armëpushimin, ai do të shkatërrohet dhe se nuk do të ketë asnjë ushtri amerikane në Gaza.

“Nëse Hamasi e thyen armëpushimin, ai do të shkatërrohet.”, tha Trump.

Trump u thotë gazetarëve se beson që Ukraina mund ta fitojë ende luftën me Rusinë, por nuk mendon se do ta bëjë.

“Çdo gjë mund të ndodhë. Lufta është një gjë shumë e çuditshme.”, thotë ai.

Pastaj ai shton se SHBA-të ndoshta nuk do të kishin arritur marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit nëse nuk do të kishin vendosur të sulmonin objektet bërthamore të Iranit. Ai e quan atë një nga manovrat më të mëdha ushtarake të të gjitha kohërave.

Trump është pyetur se çfarë hapash po ndërmerr SHBA-ja për të ruajtur armëpushimin, i cili u shkel për pak kohë të dielën pasi Izraeli goditi Gazën jugore për atë që e quajti shkelje flagrante të marrëveshjes nga Hamasi.

Trump përgjigjet duke thënë se SHBA-të po ndërmarrin shumë hapa për të ruajtur paqen.

Ai shton se Hamasi duhet të sillet mirë dhe nëse jo, do të na duhet t’i zhdukim ata nëse duhet./S.K/KP/

 

Continue Reading

Lajmet

Konservatorja Sanae Takaichi zgjidhet kryeministrja e parë grua në Japoni

Published

on

Konservatorja Sanae Takaichi u zgjodh kryeministrja e parë grua e Japonisë nga parlamenti i vendit duke shënuar një moment historik për vendin patriarkal ku si politika ashtu edhe vendet e punës dominohen nga burra të moshuar.

Takaichi mori këtë rol derisa Japonia po përballet me vështirësi ekonomike në rritje dhe një politikë të përçarë dhe të bllokuar dhe vetëm disa ditë para se presidenti i SHBA-së Donald Trump të vizitojë vendin.

Pikëpamjet e saj thellësisht konservatore kanë alarmuar disa anëtarë të partisë së qendrës. Për shembull, ajo mbështet rishikimin e kushtetutës pacifiste të Japonisë dhe shpesh viziton një faltore lufte të diskutueshme që përfshin emrat e të dënuarve për krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajo gjithashtu kundërshton martesat e të njëjtave gjini dhe një lëvizje në rritje për të lejuar çiftet e martuara të përdorin mbiemra të veçantë.

Disa nga këto qëndrime, të tilla si pikëpamjet e saj agresive ndaj Kinës, mund të ndërlikojnë marrëdhëniet rajonale të Japonisë.

Brenda Japonisë disa shqetësohen për propozimet e saj ekonomike për të shpenzuar shumë dhe për të ulur taksat, ndërsa vendi përballet me inflacion dhe kosto jetese shumë të larta.

Ajo u zgjodh kryetare e Partisë Liberale Demokratike në pushtet (e cila, pavarësisht emrit të saj, është konservatore) në fillim të tetorit, duke mposhtur kandidatë më të moderuar.

Kjo sugjeroi një kthesë djathtas për LDP-në e goditur nga skandali, e cila pësoi humbje të mëdha në dy zgjedhjet e fundit parlamentare pasi votuesit e pakënaqur kaluan në parti të reja të ekstremit të djathtë.

Ajo u zgjodh kryeministre nga të dy dhomat e parlamentit por tani, ajo do të duhet t’i përgjigjet popullsisë prej 120 milionë japonezësh. Përballimi i çmimit të lartë të mallrave do të jetë një nga sfidat e saj të para; për shembull, çmimi i orizit, një ushqim bazë në Japoni, është pothuajse dyfishuar nga viti i kaluar./S.K/EO/CNN/

Continue Reading

Të kërkuara