Lajmet

Duda Balje thotë se do të votojë “pro” tërheqjes së Trustit

Ditën e enjte në Kuvendin e Kosovës do të shqyrtohet tërheqja e një pjese të kursimeve personale nga Trusti.

Published

on

Deputetja Duda Balje deklaron se do të votojë sërish pro tërheqjes së mjeteve financiare nga Trusti për qytetarët, derisa shton se duhet përkrahje më e madhe nga të gjithë, pasi sipas saj qytetarët e kanë parë të nevojshme duke nënshkruar në peticion.

Balje tha se herën e parë deputetët kanë qenë kundër kësaj mase me arsyetimin se nuk është në të mirën e qytetarëve, porse tash siç thotë ai qytetarët kanë vendosur për vetën e tyre dhe duhet të përkrahet më shumë.

“Unë kam përkrahur edhe herën e parë votimin e Trustit, do e përkrah edhe tash, por tash shumë më shumë sepse herën e parë shumica e deputetëve, të cilët nuk kanë votuar për Trustin, kanë pas një arsyetim që nuk është në të mirë të qytetarëve, është mirë të kursehet për pleqëri dhe arsyeje të tjera. Por, tash Trusti ka ardhur në Kuvend në mënyra të ndryshme, me peticion dhe nënshkrime të qytetarëve, me të cilët ata kanë dhënë shenjë se ata duan. A është apo nuk është mirë, kanë vendosur ata për vete, dhe unë dua ta përkrah edhe më shumë dhe do të votojë “pro”, theksoi Balje.

Mes tjerash, ajo tha se edhe shumica e deputeteve të grupit parlamentar multietnik do të votojnë pro tërheqjes se Trustit. Derisa ka deklaruar se qytetarët kanë kaluar kohë të vështirë nga inflacioni dhe me nënshkrime kanë vërtetuar nevojën që kanë për atë shumë të parave.

“Kam edhe deputetë prej grupit parlamentar multietnik në të cilin unë jam pjesë, dhe jam në dijeni se shumica prej këtij grupi do të votojë për Trustin… Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe tash është dimër, dhe në fakt ata vetë kanë vendosur me nënshkrime, dhe kjo është shenjë se ata po duan, kanë nevojë shumë për shkak të inflacionit dhe komplet gjendja financiare të shtetit”, shton Balje.

Edhe qytetarët vlerësojnë se votimi i 30 përqindëshit të Trustit do t’u ndihmonte sado pak në këtë kohë krize, pasi xhepat e tyre janë zmbrapsur për shkak të inflacionit. Ata kërkojnë nga deputetët që ta votojnë këtë masë, ndryshe sipas tyre qeveria po e mohon të drejtën e qytetarëve.

Syl Arifi, emigrant politik në Zvicër është shprehur pro tërheqjes së një pjesë të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti). Sipas tij kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk po i mban premtimet e dhëna karshi qytetarëve.

“Jam pro që të votohet, dhe sa më shpejt që munden të ofrojnë mundësinë me pas pare populli që të mos ketë nevojë për askënd, pra ta nxjerrë kontributin e vet kur të dëshiron…Ftoj edhe qeverinë, Albin Kurtin ta zbut zemrën dhe t’i flet këtij populli që ja ka dhënë votën dhe t’i plotësojë premtimet që ia ka bërë popullit… sepse përndryshe nuk është duke shkuar në vijë siç ka premtuar”, tha Arifi.

Bajram Kastrati, qytetar, tha se nuk po arrin t’i mbulojë shpenzimet me pensionin që ka, sipas tij është më së e nevojshme që kjo masë të votohet në Kuvend.

“Askund në botë nuk ndalet parja e personit, pse mos të lejohet. Ka dhënë kontribut disa vite dhe mos me ia dhënë paratë e veta është anomali e shekullit e që ndodhë vetëm te ne… Ka familje sot që nuk i ka dy metra dru në shtëpi, unë i kam pension 100 euro, 5 kg miell i kam në shtëpi dhe çfarë të bëj me 100 euro, unë i sëmurë, bashkëshortja njëjtë, e zbut situatën, kanë njerëzit nevojë për lek”, tha Kastrati.

Edhe qytetari Sabri Rexha konsideron se tërheqja e 30 për qindëshit nga Trusti, do ju ndihmonte për ta tejkaluar krizën me inflacion.

“Duhet të votohet dhe më pengon qasja e qeveritareve kur po thonë fond pensionale, për mendimin tim nuk ka fare lidhje me fondin pensionale, është fond që i ndal paratë tonat, mendoj se në këtë krizë është dashtë”, tha Rexha.

Qytetari Ilaz Shala ka kërkuar nga deputet po ashtu që ta votojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Jam pro… Sado pak kishte me dhënë impuls ekonomisë, besoj se kish me qenë mirë sidomos për familjet e varfra… Mendoj se është neglizhencë e qeverisë t’ia mohojë të drejtën e popullatës”, tha Shala.

Tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) do të shqyrtohet sërish në Kuvendin e Kosovës ditën e enjte si pikë e parë e rendit të ditës. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka caktuar dy seanca për këtë javë. Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, vijon ta kundërshtojë këtë iniciativë.

Kujtojmë se para disa muajve organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura. Ata janë shprehur me shpresë që Kuvendi do ta votojë projektligjin.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara