Sport
Drita mbyll aventurën evropiane
Published
4 weeks agoon
By
UBTNewsRrugëtimi evropian i FC Drita ka marrë fund, por krenaria për paraqitjen historike mbetet e madhe. Pas një gare dinjitoze dhe me karakter deri në minutat e fundit, skuadra gjilanase u eliminua në plejofin e fazës nokaut të UEFA Europa Conference League, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Drita shënoi dy gola edhe në ndeshjen kthyese ndaj NK Celje, por humbja 3:2 në Slloveni, e njëjta si në Prishtinë një javë më parë, nuk i mjaftoi për të siguruar kualifikimin në një të tetën e finales.
Skuadra vendase kaloi në epërsi në minutën e 18-të me golin e Svit Seshlar, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Darko Hrka realizoi për 2:0. Drita reagoi shpejt: Blerim Krasniqi ngushtoi shifrat në 2:1 në minutën e 26-të, duke rikthyer shpresat për mysafirët. Megjithatë, në momentet më të mira të tyre, gjilanasit pësuan sërish, me Seshlar që realizoi nga penalltia për 3:1.
Në pjesën e dytë, Drita u hodh në sulm dhe Albert Dabiqaj shënoi për 3:2 në minutën e 52-të. Pavarësisht përpjekjeve dhe rasteve të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Ky eliminim i jep fund një rruge të gjatë evropiane për Dritën, e cila u bë skuadra e parë nga Kosova që arriti në fazën e plejofit të kësaj gare. Në fazën e ligës, Drita përfundoi e 20-ta me tetë pikë, duke siguruar fitore të rëndësishme dhe barazime që i mundësuan avancimin historik.
Ramadani: “Jam krenar për këta futbollistë”
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, pas ndeshjes e cilësoi takimin si “të çmendur” dhe shprehu krenarinë për skuadrën e tij.
“Jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve me karakter kampioni. Me punë, angazhim dhe besim kemi arritur deri këtu. Futbollistët janë më meritorët për historinë që kemi shkruar në futbollin kosovar”, deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se rrugëtimi që nisi në korrik ka qenë maratonik, me pak pushim dhe shumë emocione, ndërsa përvojën e kundërshtarit e cilësoi si faktor vendimtar në eliminim. Sipas tij, elementet e forta të Celjes, veçanërisht goditjet standarde, u shfrytëzuan maksimalisht në të dyja ndeshjet.
Ramadani e bëri të qartë se ambicia e klubit mbetet e madhe: synimi është rikthimi në këtë fazë, por në UEFA Europa League.
“Ky sukses nuk duhet të mbahet mend gjatë, por të na shërbejë si motiv për të arritur edhe më shumë. Nëse vijmë sërish deri këtu, synimi është të jemi në Ligën e Evropës”, theksoi ai.
Tashmë, fokusi i Dritës rikthehet në garat vendore, me synimin për titullin kampion. Evropa mbyllet për këtë edicion, por emri i Dritës tashmë është shkruar me respekt në arenën ndërkombëtare.
You may like
Lajmet
Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë
Published
6 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet në tokën amtare para njërës prej ndeshjeve më përcaktuese në historinë e saj të deritashme. Nën dritat e kampit stërvitor, “Dardanët” kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara udhëtimit drejt Bratisllavës, ku nesër mbrëma do të kërkojnë biletën për finalen e madhe të “play-off”-it për Botërorin 2026.
Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar këtë seancë për të analizuar detajet e fundit taktike. Burime brenda kampit bëjnë me dije se vëmendja kryesore i është kushtuar disiplinës në mbrojtje dhe tranzicionit të shpejtë, duke analizuar me kujdes pikat e forta të Sllovakisë. Foda është parë mjaft kërkues ndaj lojtarëve, duke insistuar në përqendrim maksimal për çdo fazë të lojës.
Përtej aspektit teknik, ajo që bie në sy është harmonia e plotë brenda grupit. Atmosfera në kampin e Dardanëve përshkruhet si jashtëzakonisht pozitive. Lojtarët reflektojnë një unitet të fortë dhe një motiv të lartë, duke e parë këtë sfidë jo vetëm si një ndeshje futbolli, por si mundësinë e artë për të realizuar ëndrrën e madhe të një populli: kualifikimin në Kupën e Botës.

Përballja e nesërme në gjysmëfinalen e “play-off”-it vlerësohet si vendimtare. Një rezultat pozitiv në Bratisllavë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt finales që do të përcaktonte fatin e tyre për verën e vitit 2026.

Lajmet
Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni
Published
10 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.
Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.
“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.
Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.
Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.
Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.
Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.
Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.
Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.
Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.
Lajmet
Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit
Published
1 day agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar përmes faqes zyrtare se janë shitur tashmë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës që do të luhet më 31 mars.
Megjithëse kundërshtari dhe rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të përcaktohen vetëm pas sfidës së kësaj të enjteje kundër Sllovakisë, tifozët kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm duke zbrazur sportelet virtuale.
Biletat u shitën me çmime që varionin nga 10 deri në 30 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi i një bilete arriti në 100 euro.
Ky entuziazëm i madh lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e Kosovës drejt ëndrrës botërore.
Nëse ekipi ynë arrin të shënojë fitore në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atëherë data 31 mars do të shënojë finalen e madhe të plejofit për kualifikim në Botëror, ku kundërshtar i mundshëm do të jetë Turqia ose Rumania.
Në rast të një rezultati negativ të enjten, kjo ndeshje do të marrë karakter miqësor, por kjo nuk i ka ndaluar aspak mbështetësit besnikë që të sigurojnë praninë e tyre në shkallët e stadiumit për të përkrahur përfaqësuesen në çdo skenar.
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit
Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës
Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale
Ministrja Bogujevci priti arkivat rajonale për 75-vjetorin e Arkivit të Kosovës
Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT
Hannah Montana feston 20 vjet
REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave
Koncerti i rikthimit të BTS në Netflix tërheq 18.4 milionë shikues globalë
Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
