Lajmet

“Drejtësi për Arbnorin”, protestohet në Prishtinë për ish-policin që po mbahet në Serbi

Published

on

Familjarët e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili tash e katër muaj po mbahet në paraburgim në Serbi, kërkuan drejtësi dhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Në protestën e organizuar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku morën pjesë familjarë, miq dhe qytetarë, u bë thirrje që institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të ngrisin zërin kundër asaj që u quajt padrejtësi dhe të mbështesin familjen Spahiu.

Organizatorja e protestës, Erza Zeqiri tha se Arbnori është një ish-polic i ndershëm që po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi dhe se prania e qytetarëve në protestë është dëshmi kundër padrejtësisë. Ajo i bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e tij.

Arbnori, një ish-polic i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj shërbimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, sot ndodhet padrejtësisht në burg në Serbi, i privuar nga liria dhe i ndarë nga familja e tij. Prania jonë këtu është më shumë se një mbështetje simbolike. Ajo është dëshmi se padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje. Ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk duhet të mbahet peng i padrejtësisë. I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të angazhohen pa ndërprerje për lirimin e tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur”, tha Zeqiri.

Babai i Arbnorit, Fatmir Spahiu u shpreh se djali i tij është mirë me shëndet fizik, por emocionalisht është i lodhur e i mërzitur nga padrejtësia. Ai shtoi se dokumentacioni është dorëzuar në prokurori dhe se kërkon angazhim më të madh nga institucionet.

Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur e i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet, ndërsa me u malltretu nuk është malltretuar (keqtrajtuar), sjellja ka qenë korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi që është duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë. Policinë e Kosovës e ka lënë me 1 nëntor në 2022, ndërsa ky akuzohet për rastin që ka ndodhur më 24 shtator 2023… ka udhëtuar më herët nuk është ndalë, dokumentacionet i kemi dorëzua avokatit dhe avokati i ka dorëzua në prokurori, institucionet janë angazhuar, mirëpo ne kërkojmë qe të angazhohen më tepër”, Tha Spahiu.

E një familjare tjetër e tij, Donjeta Spahiu shtoi se këta katër muaj paraburgim kanë qenë një periudhë e rëndë për familjen dhe për Arbnorin, duke e cilësuar si “një plagë shpirtërore”. Ajo kritikoi heshtjen e institucioneve, duke thënë se kjo është një padrejtësi e dyfishtë dhe se shteti ka detyrim të mbrojë qytetarët e vet.

Sot jemi në muajin e katërt të kësaj padrejtësie. Katër muaj janë shumë, janë të përjetuar si një përjetësi për familjen që zgjohet çdo ditë me ankth, me lot dhe me shpresën se kjo padrejtësi do të marrë fund. Janë katër muaj të rëndë edhe për Arbnorin, i cili dikur, me dinjitet dhe përkushtim, i shërbente këtij vendi, dhe sot është i mbajtur larg lirisë së tij. Ky nuk është vetëm një burg fizik, por edhe një plagë e thellë shpirtërore për familjen dhe për gjithë shoqërinë tonë. Ne i bëjmë thirrje institucioneve tona shtetërore që të mos heshtin, të mos vonojnë dhe të mos e neglizhojnë këtë rast. Heshtja e shtetit nuk është thjesht dështim, është një padrejtësi e dyfishtë. Është detyrë e shtetit të mbrojë çdo qytetar të tij, pavarësisht se ku gjendet ai”, u shpreh ajo.

Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025 në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po udhëtonte nga Austria drejt Kosovës së bashku me familjen e tij.

Më 9 qershor 2025, Gjykata e Suboticës i caktoi Spahiut masën e paraburgimit për 30 ditë nga akuzat që Serbia i mbështet si “vrasje e rëndë” në lidhje me Banjskën./D.B/KP

Lajmet

Prishtina organizon ngjarje për 250-vjetorin e SHBA-së, theksohet partneriteti Kosovë–SHBA

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar organizimin e një ngjarjeje të veçantë nën patronatin e Kryeqytetit me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngjarja, me titull “America and Kosova – A Freedom Story for the Next 250 Years”, do të mbahet më 2 korrik, duke filluar nga ora 10:00, në Emerald në Prishtinë.

Sipas Ramës, aktiviteti synon të vërë në pah partneritetin e veçantë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe të trajtojë historinë e lirisë dhe miqësisë mes dy vendeve.

Ai ka theksuar se kjo ngjarje do të fokusohet në bashkëpunimin e vazhdueshëm që, sipas tij, ka kontribuar në ndërtimin e së ardhmes dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

NASA: Dhjetëra mijëra ndërtesa të dëmtuara pas tërmeteve në Venezuelë

Published

on

NASA ka vlerësuar se rreth 58,870 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar si pasojë e tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën javën e kaluar, sipas një analize satelitore.

Vlerësimi bazohet në imazhe radar nga satelitët Sentinel-1 të Agjencisë Hapësinore Evropiane, të cilët përdoren për të identifikuar ndryshime në sipërfaqe dhe infrastrukturë pas fatkeqësive natyrore.

Sipas një deklarate, bëhet fjalë për një vlerësim paraprak të prodhuar brenda pak ditësh nga ngjarja dhe që tregon “ndryshim të menjëhershëm të sipërfaqes në përputhje me dëmet”.

Analiza është realizuar nga studiuesit Corey Scher dhe Jamon Van Den Hoek nga Universiteti i Oregonit. Autoritetet theksojnë se të dhënat ende nuk janë verifikuar në terren dhe duhet të konsiderohen vetëm si tregues fillestar.

Ndërkohë, Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, ka deklaruar se numri zyrtar i ndërtesave të dëmtuara ose të shembura është rreth 855, duke treguar një dallim të madh mes vlerësimeve satelitore dhe atyre të konfirmuara nga terreni./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shefi i OBSH-së për Evropën: Nxehtësia ekstreme të trajtohet si një krizë shëndetësore

Published

on

Një valë e fortë të nxehti që ka prekur Evropën dhe ka marrë mijëra jetë ka ngritur shqetësime serioze për gatishmërinë e sistemeve shëndetësore përballë temperaturave ekstreme.

Temperaturat në disa pjesë të kontinentit kanë arritur deri në 40°C, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të thirrjeve emergjente dhe shtim të pacientëve me probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë, përfshirë goditjen nga nxehtësia, dehidratimin dhe komplikime të tjera, veçanërisht te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, ka bërë thirrje që nxehtësia ekstreme të trajtohet si krizë shëndetësore dhe që masat parandaluese të merren para arritjes së kulmit të temperaturave.

“Gatishmëria për nxehtësinë duhet të jetë funksionale: lirimi i shtretërve, mbrojtja e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimi i ftohjes, kontrollimi i energjisë rezervë dhe mbështetja e punonjësve të shëndetësisë”, ka deklaruar ai në një postim në rrjetin social X.

Në Francë, spitalet kanë raportuar rritje katërfish të rasteve të lidhura me nxehtësinë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar shërbimet emergjente kanë regjistruar numrin më të lartë të thirrjeve ndonjëherë, me mbi 8,800 intervenime brenda një dite.

Disa spitale të NHS-së janë detyruar të shpallin gjendje kritike për shkak të problemeve me sistemet e ftohjes, gjë që ka ndikuar në funksionimin e pajisjeve mjekësore dhe reparteve spitalore, duke rritur më tej presionin mbi shërbimet shëndetësore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vritet një person pas një rrahjeje në Dragash, i dyshuari në arrati

Published

on

Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë pas një rrahjeje që ka ndodhur në fshatin Zlipotok të Dragashit.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ndodhi pasi disa persona u përfshinë në një përleshje, ku viktima, mashkull kosovar, dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë.

I lënduari u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, por mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e tij.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari për rastin është identifikuar, por ndodhet në arrati. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për kapjen e të dyshuarit janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara