Lajmet

Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

“Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci pret zyrtaren e NATO-s: Diskutohet për sigurinë në rajon

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj.

Fokus i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, situata aktuale, si dhe rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.

Gjatë bisedës, ministri Maqedonci vlerësoi lart bashkëpunimin dypalësh dhe rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e më gjerë.

Ai ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe për të dhënë kontributin e saj me kapacitetet ekzistuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktgjykimi ndaj Sveçlës për gazin lotsjellës shpallet më 2 shtator

Published

on

Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.

Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.

Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.

Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Diplomatët e SHBA-së dhe BE-së ndjekin nga afër zhvillimet në Kuvend, Dehari nuk thërret seancën

Published

on

By

Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë përcjellë sot nga afër zhvillimet brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Aty u mblodhën deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas kërkesës së sërishme për vazhdimin e seancës konstituive.

Pavarësisht pronisë së diplomatisë ndërkombëtare dhe deputetëve opozitarë, përpjekja mbeti pa rezultat. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u paraqitën në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e thirri vazhdimin e saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përvjetori i lindjes së Ali Podrimjes, një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqiptare

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe gjatë karrierës së tij letrare ndërtoi një prej opuseve më të rëndësishme të poezisë shqiptare.

Ndër veprat më të njohura të tij është “Lum Lumi”, një vepër e fuqishme dhe e ndjeshme që është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letërsisë shqipe.

Poezia e Podrimjes u dallua për gjuhën e veçantë, figuracionin e pasur dhe temat që lidhen me jetën, humbjen, dashurinë, atdheun dhe identitetin.

Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2012, por vargjet dhe krijimtaria e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen nga breza të ndryshëm.

Emri i Ali Podrimjes mbetet i lidhur ngushtë me poezinë moderne shqiptare dhe me një trashëgimi letrare që vazhdon të ketë ndikim edhe sot./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara