Kulturë

Doli nga shtypi libri “Modaliteti në gjuhësi” – Një kontribut i ri shkencor i Vjosa Hamitit në fushën e gjuhësisë shqiptare

Published

on

Këto ditë ka dalë nga shtypi libri më i ri me titull “Modaliteti në gjuhësi”, me autore Vjosa Hamiti, botuar nga Botimet XHAD në Prishtinë. Vepra është produkt i një pune shumëvjeçare kërkimore dhe përfaqëson një trajtesë të thelluar për një nga nocionet më komplekse dhe më pak të eksploruara në gjuhësinë shqiptare: modalitetin.
Ky është libri i dytë i autores, pas botimit në vitin 2019 të disertacionit të saj në gjuhën gjermane: “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen” – (Modaliteti epistemik – Mundësitë e shprehjes në gjermanisht dhe ekuivalentet e tyre në shqip), publikuar nga shtëpia prestigjioze Harrassowitz Verlag në Gjermani.
Në qendër të librit më të ri qëndron modaliteti – një koncept i cili, në shkencat gjuhësore, lidhet me mënyrën se si folësi shpreh qëndrimin e tij ndaj përmbajtjes së një thënieje. Por për Vjosa Hamitin, modaliteti është shumë më tepër sesa një kategori gramatikore: ai është një dritare drejt mënyrës se si njeriu koncepton botën, një pasqyrë e të mundshmes dhe të pamundshmes, e domosdoshmes dhe e rastësishmes.
Një vështrim ndërdisiplinor
Libri nuk kufizohet vetëm në analizën gramatikore të modalitetit, por ofron një trajtim të gjerë ndërdisiplinor, që përfshin aspekte semantike, pragmatike, filozofike dhe diskursive. Ky përqasje e bën librin një ndër kontribuesit më origjinalë në fushën e gjuhësisë shqipe, duke bashkuar gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, në një tekst të qartë dhe të kuptueshëm për lexuesin e interesuar.
Përmbajtja dhe struktura e librit
Struktura e librit përfshin pesë kapituj që pasqyrojnë zhvillimin logjik dhe tematik të çështjes:
Kapitulli I – Hyrje në teorinë e modalitetit, me lidhje të ngushta me filozofinë dhe logjikën modale.
Kapitulli II – Modaliteti në komunikimin e përditshëm dhe në kontekste mësimore apo përkthimore.
Kapitulli III – Analizë krahasimtare e mënyrave të shprehjes së modalitetit në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Kapitulli IV – Roli i foljeve modale në ndërtimin morfosintaksor dhe semantik të dy gjuhëve.
Kapitulli V – Aplikim i analizës në një korpus letrar, duke e konkretizuar qasjen teorike në përmbajtje artistike.
Libri vlerëson foljet modale si elementë kyç që ndërtojnë kuptimin, përçojnë qëndrime, dhe hapin rrugë drejt botëve të mundshme.
Nga magjistratura në Prishtinë, te doktorata në Vjenë
Rrugëtimi akademik i autores në këtë fushë nisi me studimet e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës, për të vijuar me studimet doktorale në Universitetin e Vjenës, nën udhëheqjen e prof. Peter Ernst. Disertacioni i saj u vlerësua me notën më të lartë, “summa cum laude”, dhe mori vlerësime të posaçme nga figura të njohura akademike, si prof. Peter Bartl, i cili e përshkroi punimin si “një dorëshkrim i jashtëzakonshëm për nga pastërtia gjuhësore dhe trajtimi shkencor”.
Një ndihmesë origjinale në shqip
Në një fushë ku mungojnë botime të specializuara në gjuhën shqipe, “Modaliteti në gjuhësi” vjen si një ndihmesë origjinale dhe e domosdoshme për studiuesit, studentët, përkthyesit, mësuesit e gjuhës dhe të gjithë ata që interesohen për ndërlidhjen mes gjuhës dhe mendimit.
Duke konsideruar modalitetin si “zërin e brendshëm të folësit”, Vjosa Hamiti na udhëheq në një analizë të thelluar ku ndërthuren gramatika, filozofia e gjuhës dhe diskursi. Vepra përfaqëson një pikë referimi të rëndësishme në gjuhësinë shqiptare bashkëkohore, dhe një gur themeli për studimet e mëtejme në këtë fushë komplekse.
Libri “Modaliteti në gjuhësi” i Vjosa Hamitit është tashmë i qasshëm në libraritë në Kosovë dhe pritet së shpejti të jetë në dispozicion edhe online për lexuesit shqiptarë në diasporë.

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara