Lajmet
Doli nga shtypi libri i profesorit Musa Sabedini, “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”
Published
3 months agoon
By
ubtnewsProfesori, gazetari, publicisti dhe studiuesi i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të katërt universitar, të titulluar “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionistë, si dhe gazetarëve dhe profesionistëve të sinqertë, të përkushtuar dhe të guximshëm në të gjitha kohërat e vështira.
Duke qenë për një kohë të gjatë pjesë e gazetarisë hulumtuese dhe hulumtues i shumë temave që kanë pasur peshë në Kosovën e pasluftës, autori ka thënë se ky libër, që mban një titull profesional “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, erdhi si përmbyllje dhe kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare në fushën e gazetarisë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.
Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.
“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.
Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.

“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.
“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur; është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke i hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesori Zejnullahu.
Libri, sipas tij, do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë si një burim shumë i mirë për të mësuar bazat e gazetarisë hulumtuese, sidomos në një kohë sfiduese për gjithë gazetarinë, të ndikuar nga ndryshimet e imponuara nga përparimet tepër të shpejta teknologjike.
“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.
Ndryshe, në parathënien e librit është dhënë edhe struktura e tij, e cila përbëhet nga tre kapituj kryesorë, secili me tematikë dhe thellësi të veçantë.
Kapitulli i parë trajton përkufizimet, misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese. Ai përfshin reflektime mbi etikën, moralin, neutralitetin dhe pavarësinë e gazetarit hetues, si dhe analizon raste konkrete të aferave më të njohura ndërkombëtare dhe vendore, duke nxjerrë mësime për qasjen profesionale dhe njerëzore që kërkon ky profesion.
Kapitulli i dytë fokusohet në epokën digjitale dhe ndikimin e saj në gazetarinë hulumtuese. Diskutohet transformimi i profesionit në epokën e teknologjisë, kufijtë e rinj të raportimit, roli i insajderëve, sfidat etike dhe rreziqet që paraqet mungesa e mbrojtjes ligjore për gazetarët.
Kapitulli i tretë ndalet te teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat online, roli i multimedias, inteligjencës artificiale dhe mediave sociale në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore. Ai analizon gjithashtu aspektet ligjore dhe etike të përdorimit të kamerave të fshehta dhe raportimit digjital, duke sjellë një panoramë të plotë të evolucionit të gazetarisë hulumtuese në kohën moderne.
Profesori Sabedini ka theksuar në parathënie se e veçanta dhe më e rëndësishmja e librit mbeten 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të hartuara me zemër, duke e ditur se sa i vështirë mund të jetë një hulumtim fillestar për një gazetar të ri, por edhe sa të vlefshme janë ato për gazetarët me përvojë, redaktorët përgjegjës dhe profesorët universitarë.
“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”, ka potencuar Sabedini.
Ai ka falënderuar Rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe profesional.
Sipas Sabedinit, ky libër është më shumë se një botim profesional; është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit ndaj gazetarisë si mision jetësor.
“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, e cila sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”, ka vlerësuar ai.
Ndryshe, Musa Sabedini, si gazetar hulumtues dhe profesor universitar, është autor i mbi 14 punimeve shkencore, të mbrojtura dhe prezantuara ndër vite në konferenca ndërkombëtare të UBT-së.
Ai ka të botuara punime studimore në revista amerikane dhe në SCOPUS, ndërsa që nga viti 2011 është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku ligjëron katër lëndë kryesore mbi gazetarinë dhe etikën mediatike.
Profesori Sabedini është tash e 14 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa po aq vite drejton edhe një portal online.
Për kontributin e tij profesional, profesori Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime në kategorinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.
Libri ka 718 faqe, ndërsa botues është UBT.

You may like
-
Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria
-
Studentët e Mekatronikës në UBT përfitojnë përvojë praktike në teknologjitë më të avancuara në ITP Prizren
-
Studentet e masterit në Psikologji në UBT, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi mbajnë ligjëratë mbi autizmin
Vendi
Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria
Published
11 hours agoon
April 2, 2026By
ubtnews
Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.
Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.
Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.
Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.
Lajmet
Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës
Published
15 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.
Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.
Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.
Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.
Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.
Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.
Lajmet
Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit
Published
16 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.
Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.
“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.
“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.
Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/
Lajmet
Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së
Published
16 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Misioni i Fakultetit të Turizmit në UBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.
Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.
UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.
Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.
Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.
Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.
Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.
Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.
Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
Lively dhe Baldoni: Shumica e padisë hidhet, tri akuza në gjyq
Trashëgimia e Michael Jackson gjeneron mbi 3.5 miliardë dollarë pas vdekjes
Kinematografia kosovare me projekt të ri ambicioz: “KARMA”
Ekspozita “Dritë në heshtje” në kuadër të Ditës së Autizmit
Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria
Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës
Nora Gjakova nis karrierën si trajnere në Belgjikë
Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit
Dorëhiqet Gabriele Gravina, Italia mbetet jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
