Lajmet

“DOKUDAILY” mbyll edicionin e fundit me zërat e grave që i dhanë shpirt DokuFest-it

Published

on

Me mbylljen e edicionit të 25-të të DokuFest-it, mbyllet edhe një kapitull i “DOKUDAILY”, publikimit që gjatë festivalit ka sjellë në vëmendje njerëzit, historitë dhe përjetimet që qëndrojnë pas ekranit. Për numrin e nëntë dhe të fundit të këtij botimi, DokuFest ka zgjedhur të ndalet te zërat e disa prej grave që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të festivalit, duke e përshkruar këtë përvojë përmes kujtimeve, ndryshimit dhe pasionit për dokumentarin.

“Dhe kështu, po shënojmë numrin e fundit të DOKUDAILY [9]”, shkruan DokuFest në një postim në Facebook, duke e mbyllur këtë cikël me rrëfimet e grave që e kanë bërë këtë edicion “më të mirë, të prekshëm dhe të fuqishëm”.

Një prej këtyre zërave është Alba, e cila prej 13 vitesh është pjesë e prodhimit të DokuFest-it. Për të, një nga gjërat më të rëndësishme që festivali nuk duhet të humbasë me kalimin e viteve është pikërisht guximi. Kur pyetet se çfarë shpreson të mos humbasë DokuFest-i, pavarësisht se sa shumë rritet, përgjigjja e saj është e prerë: “Guximin”.

Sipas Albës, edhe nëse festivali një ditë do të kishte vetëm 10 njerëz, një kinema dhe 30 filma, apo do të zhvillohej vetëm një herë në tre vjet, ai nuk duhet të ketë frikë. “Duhet gjithmonë të guxojë”, shprehet ajo, duke e kthyer guximin në një nga vlerat themelore të identitetit të DokuFest-it.

Në rrëfimet e publikuara në numrin e fundit shfaqet edhe Linda Lulla, drejtoreshë e festivalit, e cila e sheh rrugëtimin e saj paralel me atë të DokuFest-it. Për të, veçantia e këtyre viteve qëndron te mundësia për ta parë festivalin nga afër, për të qenë pjesë e ndryshimeve dhe e momenteve të rëndësishme që kanë shënuar zhvillimin e tij.

“Çdo hap përpara për festivalin ka qenë, në një mënyrë, edhe një hap përpara për mua”, rrëfen Lulla. Ajo thotë se ajo që ka mbetur e pandryshuar gjatë gjithë këtyre viteve është pasioni për DokuFest-in dhe bindja se ajo që bëjnë ka rëndësi.

Në një tjetër rrëfim, Vanesa e sheh festivalin përmes fotografisë dhe fytyrave të njerëzve. Përmes kamerës, ajo thotë se ka parë emocione të ndryshme ndaj DokuFest-it, nga njerëz që i njihte dhe me të cilët kishte afërsi, deri te fytyrat e të panjohurve. Te këta të fundit, ajo ka dalluar një nostalgji që e ka shtyrë të imagjinojë se si duhet të ketë qenë fillimi i DokuFest-it, një fillim që, siç e përshkruan ajo, është “më i vjetër se unë”.

Ndërsa Romina ndalet te marrëdhënia gjithnjë e më e paqartë mes përjetimit dhe dokumentimit. Në një kohë kur telefoni dhe kamera janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, ajo vëren se njerëzit shpesh e kapin menjëherë një moment të bukur për ta ruajtur. Dallimi, në rastin e saj, është se ajo që dokumenton përfundon përpara syve të rreth 25 mijë ndjekësve në Instagram.

Këto rrëfime e bëjnë numrin e fundit të “DOKUDAILY” më shumë sesa një publikim përmbyllës. Ai bëhet një lloj albumi i vogël kujtimesh për një festival që për 25 edicione ka ndryshuar bashkë me njerëzit që e kanë ndërtuar dhe me publikun që është rritur përkrah tij.

DokuFest, i cili këtë vit po shënon edicionin e 25-të nga 7 deri më 15 gusht, e mbyll kështu edhe “DOKUDAILY” me një mesazh të thjeshtë: “Deri herën tjetër: Fuqi dokumentarit!”. Një përshëndetje që nuk tingëllon si fund, por si premtim për një tjetër kapitull, në një festival që, siç kujton Alba, duhet të vazhdojë të guxojë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Podujevë

Published

on

By

Në fshatin Livadicë të Komunës së Podujevës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Parkut Industrial, një projekt i financuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në vlerë prej 3.1 milionë eurosh.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi përkushtimin për transformimin e ekonomisë dhe fuqizimin e sipërmarrjes vendore.

“Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër ‘Made in Kosova’, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se parqet industriale u shërbejnë bizneseve për zgjerim, diasporës për investim të kapitalit dhe investitorëve të huaj për zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, duke hapur më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë.

Nga ana tjetër, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të infrastrukturës industriale për t’i bërë ballë deficitit tregtar.

“Është fakt i fortë se ekonomia e Kosovës që nga viti 2019 është dyfishuar, shërbimet tona kanë arritur eksportin deri në 4 miliardë euro, ndërsa ende kemi sfidë me deficitin tregtar të produkteve. Prandaj, për ne është tepër e rëndësishme që infrastrukturën industriale ta zhvillojmë, të ofrojmë mundësi të punës dhe prodhimit në Republikën e Kosovës dhe aktualisht ministria është duke u angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale”.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e cilësoi këtë nismë si projektin ekonomik më të rëndësishëm për komunën, duke theksuar se realizimi i tij mbyll një mungesë shumëvjeçare të hapësirave të tilla për komunitetin e bizneseve në rajonin e Llapit. /E.A/

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

12 armë të konfiskuara dhe 15 të arrestuar gjatë një jave në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut ka zhvilluar gjatë javës së fundit aktivitete të shtuara operative dhe parandaluese për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 12 armë zjarri dhe janë arrestuar 15 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në kuadër të aktiviteteve në trafik, Policia ka shqiptuar gjithsej 1,390 gjoba, ndërsa janë vendosur edhe 9 masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjeteve motorike, për kundërvajtje të ndryshme.

Policia e Mitrovicës së Jugut ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet operative dhe parandaluese, me synim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zhduket një person në Mitorvicën e Veriut

Published

on

By

Sipas raportit 24 orësh të policisë, në Mitrovicën e Veriut në orët e vona të mbrëmjes është raportuar për zhdukjen e një burri.

Rastin e ka paraqitur gruaja e tij, duke thënë se ishte larguar nga shtëpia disa dit më parë dhe nuk është kthyer më.

Sipas policisë rasti është duke u hetuar. /A.M/

Continue Reading

Lajmet

OpenAI raportoi në FBI 25-vjeçarin që kërcënoi ish-të dashurën me vrasje

Published

on

OpenAI ka raportuar në FBI një 25-vjeçar nga Florida, pasi ai dyshohet se përdori ChatGPT për të shkruar plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës së tij.

Sipas hetuesve, Darren Zhou kishte nisur të përdorte ChatGPT në mars për të diskutuar ndarjen nga partnerja e tij, por bisedat më vonë u shndërruan në kërcënime serioze. Ai dyshohet se shprehu xhelozi ndaj personave që rrethonin ish-të dashurën dhe shkroi se do ta vriste atë deri në fund të muajit.

Kërcënimet dyshohet se u zgjeruan edhe ndaj familjes së 21-vjeçares. Ish-partnerja e Zhou kishte deklaruar se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së tij të çrregullt, xheloze dhe kontrolluese. Pas ndarjes, ajo tha se ai e kishte përndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe komunikimeve kërcënuese në rrjetet sociale.

OpenAI u dha autoriteteve informacionin për bisedat, pasi kompania lejon shqyrtimin e komunikimeve dhe njoftimin e institucioneve kur identifikohet një rrezik serioz ndaj personave të tjerë. Në maj, FBI-ja ia dorëzoi Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach bisedat e Zhou-s për një periudhë prej dy muajsh.

Një efektiv i përfshirë në rast vlerësoi se mesazhet nuk përbënin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model të planifikimit.

Zhou u arrestua në maj dhe u lirua dy ditë më vonë kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh. Ai u akuzua për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.

Më 13 gusht, Zhou u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe arriti një marrëveshje që e shmangu burgimin. Gjykata e dënoi me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës, si dhe i vendosi një sërë kufizimesh./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara