Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor “Mesnata”.
Shërbimet e Policisë, në fshatin Sllovë, kanë ndaluar automjetin tip “Peugeot”, që drejtohej nga shtetasi E. K. 26-vjeç, banues në Blliçë, dhe pasagjerin A. T., (22) banues në fshatin Fushë-Alie.
Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjet e fshehur në trup një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje.
Po në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesat e këtyre dy shtetasve, ku, në banesën e shtetasit A. T., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe 25 copë fishekë, të cilët i mbante pa leje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i E. K. për veprën penale prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike dhe A. T., për veprën penale mbajtja pa leje e armëve luftarake.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./D.B/KP