Lajmet

DnV: Numërimi i votave për kandidatë duhej të fillonte dje, vonesat janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor

Published

on

Demokracia në Veprim ka thënë se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe sipas tyre kështu dëmtohet besimi në procesin zgjedhor.

DnV shton se procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte dje.

“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.”

DnV ka kërkuar nga KQZ të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit dhe pranimit të fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.

“Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN  dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.”

Lajmet

Drita e Prishtina përballen sot në Gjilan për majën e tabelës

Published

on

By

Kampioni në fuqi, Drita, dhe klubi më i trofeshëm në futbollin kosovar, Prishtina, do të përballen sot në Gjilan në kuadër të ndeshjes së mbetur nga xhiroja e dytë e Albi Mall Superligës. Sfidë kjo ku tri pikët mbajnë një peshë të jashtëzakonshme në luftën për kreun e tabelës.

Ballafaqimi i dy gjigantëve të futbollit vendor do të zhvillohet në stadiumin ndihmës me bari artificial në Gjilan, ku ambalazhohet një përplasje e fortë taktike. Për skuadrën e Dritës, ky takim përfaqëson shansin ideal për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për t’u barazuar me Prishtinën në pozitën e dytë me 26 pikë. Në krahun tjetër, bardhekaltërit nga kryeqyteti synojnë një fitore që do t’i ngjiste në kuotën e 29 pikëve, duke parakaluar lideren aktuale, Malishevën, që udhëheq me 27 pikë.

Format e të dyja ekipeve paralajmërojnë një duel mjaft interesant. Drita hyn në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, përfshirë edhe një triumf bindës 0-3 të arritur pikërisht ndaj Prishtinës në kryeqytet. Ndërkaq, Prishtina – e cila e e nisi këtë edicion me shtatë fitore rresht – ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë dulet e fundit, duke kërkuar kësisoj këndelljen në një nga transfertat më të vështira të sezonit.

Peshën e takimit e rrit edhe bilanci i historikut mes tyre. Në dhjetë përballjet e fundit, Drita dominon me pesë fitore kundrejt dy të Prishtinës, ndërsa tri sfida janë mbyllur me barazim. Sidoqoftë, Prishtina mbetet skuadra më e dekoruar në vend me 11 tituj kampioni, nëntë Kupa dhe 11 Superkupa pas pavarësimit të futbollit kosovar. Nga ana tjetër, Drita ka konsoliduar suksesin në futbollin e pasluftës me pesë tituj kampioni, dy prej të cilëve radhazi në edicionet e fundit, duke i dhënë këtij derbi të gjitha përbërësit e një përplasjeje të madhe sportive. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Galatasaray triumfon ndaj Stuttgartit: Batrakov dypikësh dhe vendimtar në Stamboll

Published

on

By

Galatasaray ka arkëtuar tri pikë me mjaft peshë në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Stuttgartin me rezultatin 2-0 në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës.

Skuadra turke e nisi sfidën me një ritëm të lartë dhe arriti të krijojë epërsi të dyfishtë që në 15 minutat e para. Protagonist i padiskutueshëm i takimit ishte Alexey Batrakov, i cili realizoi të dy golat e vendasve. Fillimisht, ai shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës për të zhbllokuar shifrat, ndërsa tri minuta më vonë çoi peshë tifozët duke dërguar topin në rrjetë pas asistimit të Davinson Sanchez.

Gjermanët provuan të reagonin që në minutat e para, por Jamie Leweling goditi shtyllën. Në vijim, Stuttgarti rriti presionin përmes tentimeve të Chris Fuhrich dhe Deniz Undav, mirëpo portieri i vendasve, Ugurcan Cakir, u shfaq në formë të shkëlqyer duke ndalur çdo rrezik. Në pjesën e dytë, Fuhrich realizoi një gol të bukur nga distanca, mirëpo pas rishikimit në sistemin VAR, realizimi u anulua për pozitë jashtë loje.

Përbaljka u karakterizua nga një atmosferë mjaft e tensionuar në fushë, ku gjyqtari shpërndau tetë kartonë të verdhë, ndërsa në një moment shpërtheu edhe një përplasje e ashpër mes Deniz Undav dhe Baris Alper Yilmaz.

Pavarësisht trysnisë së mysafirëve, Galatasaray ruajti epërsinë deri në bilbilin e fundit. Me këtë fitore, gjiganti turk ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në pozitën e 14-të të tabelës, ndërsa Stuttgarti mbetet në vendin e tetë me shtatë pikë të grumbulluara. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Barcelona shkëlqen ndaj Aston Villas: Katalunasit triumfojnë bindshëm 3-0

Published

on

By

Barcelona ka regjistruar një fitore të madhe dhe mjaft bindëse para tifozëve të vet, duke mposhtur Aston Villan me rezultatin e pastër 3-0, në kuadër të xhiros së katërt në fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.

Skuadra katalunase diktoi ritmin që nga fillimi i takimit. Talenti Lamine Yamal i dha avantazhin e hershëm vendasve, duke zhbllokuar shifrat pas vetëm shtatë minutave lojë. Ndonëse Aston Villa provoi të kundërpërgjigjej dhe pati një mundësi të mirë përmes Johan Manzambit, i cili dështoi nga afërsia, mysafirët nuk arritën të konkretizojnë.

Dominimi i Barcelonës u konfirmua edhe në pjesën e dytë. Raphinha u përkujdes për golin e dytë në minutën e 52-të pas një bashkëpunimi të bukur me Ferminin, ndërsa po i njëjti lojtar vulosi triumfin me një tjetër realizim spektakolar në minutën e 64-t.

Me këtë fitore të merituar, Barcelona ngjitet në kuotën e nëntë pikëve në tabelë, duke barazuar pikërisht me Aston Villan pas katër ndeshjeve të para në këtë fazë të kompeticionit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bayern Munich triumfon në Madrid: Bavarezët mposhtin Atleticon dhe ngjiten në tetë pike

Published

on

By

Bayern Munich ka korrur një fitore të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Atletico Madridin si mysafir me rezultatin e pastër 2-0. Me këtë sukses, skuadra bavareze arrin në kuotën e tetë pikëve, duke vazhduar ngjitjen në renditjen e përgjithshme.

Pjesa e parë e takimit u karakterizua nga një lojë e fortë taktike dhe u mbyll pa gola të shënuar. Megjithatë, bavarezët arritën të zhbllokojnë shifrat në fillimin e pjesës së dytë, kur Lennart Karl shfrytëzoi mjaft mirë një mundësi brenda zonës për të kaluar mysafirët në epërsi.

Pavarësisht përpjekjeve të Atletico Madridit dhe lëvizjeve taktike nga trajneri Diego Simeone për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, Bayerni mbeti rrezikues. Mbrojtësi Dayot Upamecano ishte afër golit të dytë me një goditje që u devijua në traversë nga portieri Jan Oblak, por trysnia e gjermanëve u shpërblye sërish. Pas një krosimi të saktë nga Harry Kane, Konrad Laimer goditi fuqishëm duke e dërguar topin në rrjetë për të dyfishuar avantazhin.

Bavarezët realizuan edhe një herë në fundin e ndeshjes, por goli u anulua nga gjyqtari për shkak të një faulli paraprak. Me këtë triumf, Bayern Munich regjistron fitoren e dytë krahas dy barazimeve në këtë fazë të garave, ndërsa spanjollët mbeten pa pikë nga ky duel i vështirë në shtëpi. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara