Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Ilustrim: Deçani

 

 

9 shtator 1993

 

Ushtria serbe vrau Banush Sadikun nga Firaja e Shtërrpcës

 

Ushtria serbe, dje rreth mesditës, siç kemi informuar, qëlloi me armë zjarri në Banush (Selim) Sadikun (20) dhe Fakir Fejzën (19) nga fshati Firajë i komunës së Shtërrpcës.

Në një njoftim të nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Shtërpcës, të cilin e boton gazeta e sotme “Bujku”, thuhet se nga plagët e rënda vdiq në vend Banush (Selim) Sadiku, kurse Fekir Fejza gjendet në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës, ku iu nënshtrua trajtimit intensiv mjekësor.

 

 

9 shtator 1994

 

 

Në Deçan policia serbe vrau Violetë Dervishajn

 

Siç kemi informuar, dje, në Deçan, gjatë një ndërhyrjeje masive të policisë serbe, një polic serb vrau Violetë Kastrati –   Dervishajn (23), nënë e dy fëmijëve, e cila po qëndronte në     teracën e shtëpisë së vet.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së vërteoi sot faktin se disa shqiptarë të tjerë janë arrestuar dhe se vrasës i zonjës Dervishaj mund të jetë komandanti i policisë serbe në Deçan, Zoran Nekiq. Dëshmitarët thonë se ai ka shtënë me automatik.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së sot njoftoi se forcat serbe e kishin tensionuar situiatën në Deçan që nga mëngjesi i ditës së djeshme që është ditë tregu.

Në mëngjes pati lëvizje të mëdha të forcave serbe. Forca të mëdha patrolonin nëpër qytet dhe në treg.

Në orën 11;30  në tregun e Deçanit një grup refugjatësh me prejardhje serebe nga Shqipëria që janë vendosur me dhunë në pushimoret e Deçanit, rrahën rëndë vëllezërit Ukë dhe Xheladin Ferizajin nga fshati Kodrali.

Ndërsa në orën 13:30 dy policë serbë, njëri i quajtur Fakiq, afër kafeterisë “Malësori”, pasi provokoi rëndë, rrahu Bashkim Shalën, Zymer Gashin nga fshati Broliq dhe Halil Shalën nga fshati Prapaçan. Të fyer e të revoltuar ata në përleshje e sipër e çarmatosën njërin polic serb, por tjetri e mbajti njërin para tytës derisa në vendin e ngjarjes arritën forca të mëdha të policisë, të udhëhequra në fillim nga polici famëkeq Zharko Millosheviq. Ata filluan të godasin me grushta, shufra gome e tyta armësh të tre të rinjët shqiptarë deri sa i rrëzuan dhe i lanë në gjendje të alivanosur. Në ndërkohë aty aritën edhe forca të tjera, të cilat bllokuan rugën kryesore të Deçanit. Policia shtinte me armë pa shkas e pa cak, ndërsa nga një predhë e automatikut të komandantit të policisë, u qëllua për vdekje zonja Violetë Dervishaj në teracën e shtëpisë së saj.

Thuhet se në mesin e qytetarëve shqiptarë ka shumë të rrahur e të arrestuar, ndër ta edhe të rinjt Bashkim e Halil Shala dhje Zymer Gashi. Buk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të plagosur.

Nga Deçani dje pati njoftime të vështirësuara për shkak se policia serbe bllokoi lidhjet telefonike.

Njoftohet se gjendja dje dhe sot në Deçan është shumë e tensionuar.

 

 

9 shtator 1995

 

Vendosja e kolonëve serbë në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit provokim gjithëkombëtar

 

Urdhëresa ultimative e drejtoreshës së dhunshme Natasha Shutakoviq-Andriq, që të tërhiqen të gjitha pikturat, eksponatet dhe dokumentacioni tjetër nga lokalet e kompleksit memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit filloi të realizohet dje në orën 13.

Një grup punues e filloi tërheqjen e të gjitha materialeve nga lokalet përkatëse të kompleksit duke i grumbulluar në një depo të papërshtatshme dhe të pasigurtë.

Ndërsa lokalet ku deri tash ishin këto eksponate dhe këto dokumente me rëndësi të madhe për historinë dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve, do të rregullohen dhe do të shërbejnë për vendosjen e disa kolonëve serbë.

Uzurpimi i objekteve të këtij kompleksi memorial nga ana e pushtetmbajtësve serbë e indinjoi popullatën shqiptare të kësaj ane dhe më gjerë. Mirëpo, në pamundësi që këto objekte të mbrohen ndryshe pakënaqësia e popullatës po shprehet përmes indinjatës dhe protestave të heshtura që po bëhen në kuadër të partive politike dhe të subjekteve tjera shqiptare, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.

Në reagimin e FR të LDK-së – Dega në Prizren dënohet ky akt barbar i pushtetmbajtësve serbë dhë kërkohet nga institucionet ndërkomëtare që të bëjnë presion mbi këtë pushtet okupues në Kosovë për ndalimin e një veprimi të tillë skandaloz dhe që paraqet provokim direkt të popullit shqiptar.

Kundër veprimit të pushtetit serb për vendosjen e kolonëve serbë në ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit, reagoi edhe Kryesia e Degës së LDK-së në Viti.

 

9 shtator 1997

 

Nëna Tereze do të varroset në “Shtëpinë e Nënës”

 

Varrimi i Nënës Tereze, i parashikuar për të shtunën, do të ketë një karaker shumëbesimesh, – theksoi një zyrtar i Bashkisë. Qyteti i Kalkutës dhe përgjegjësit e Urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, filluan dje përgatitjet për organizimin e varrimit, i cili do të bëhet në një stadium me një kapacitet prej 15. 000 vendesh.

Trupi i nënës Tereze, i cili ndodhet prej së dielës në kishën Shën Thoma të Kalkutës, do të largohet nga kisha në orën 9:00 mbi shtratin e një topi, – theksoi Bemvinda Pereira, përgjegjëse e kësaj ngjarjeje në Bashki. Kortezhi do të përshkojë një rrugë 7,5 km.

Ceremonia funebre do të zhvillohet në stadiumin e qytetit, e cila do të zgjasë 2 orë. Do të lexohen tri tekste: testamenti i vjetër dhe i ri, si dhe një psalm. “Në ceremoni do të marrin pjesë nga të gjitha fetë dhe do të bëhen lutje në të gjitha fetë”, – theksoi Pereira. Nëna Terezë do të varroset pastaj në “Shtëpinë e Nënës”, të cilën ajo e ka themeluar në vitin 1950.

40000 veta i bënë homazhe Nënës Tereze gjatë uikendit. Homazhet do të vazhdojnë nga ora 10:00-19:00 në kishën Shën Thoma deri në ditën që do të varroset, njofton ATSH, duke iu referuar agjencisë AFP.

 

9 shtator 1998

 

Deçan: Rreth 70 mijë banorë natën e kaluan nën qiellin e hapur

 

Mbrëmë në fshatrat Isniq e Strellc, mbi 70 mijë qytetarë nga 40 fshatra të komunës së Deçanit, të Rekës së Keqe e Dushkajës së Gjakovës, Lugut të Baranit dhe të disa fshatrave të komunës së Klinës, e kaluan natën nën qiell të hapur, të përcjellë vazhdimisht me rrebeshe shiu, njofton Osman Cacaj, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Deçan.

Rreth 10 mijë banorë shqiptarë, kryesisht gra, fëmijë dhe pleqë kanë mësyre bjeshkën e Strellcit. Për fatin e tyre ende nuk dihet asgjë.

Popullata shqiptare e komunës së Deçanit i bën edhe një herë apel Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, që t’i dalin në ndihmë këtij populli, i cili po përjeton katastrofë.

 

 

Në Kodrali u gjet trupi i masakruar i Halil H. Alisë

 

Dje pasdite se në afërsi të fshatit Kodrali, u gjet trupi i pajetë dhe i masakruar i të riut Halil Haxhi Alija (23) i vrarë nga forcat serbe më 3 shtator të këtij viti, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Bëhet e ditur se të njëjtën ditë kur është masakruar i ndjeri Halil Alija, forcat serbe kanë keqtrajtuar brutalisht edhe babain e tij Haxhi Alinëa (73), i cili nga torturat e policisë serbe ka vdekur të nesërmen më 4 shtator.

I nbjëjti burim bën të ditur se forcat serbe kanë arrestuar edhe 12 shqiptarë të të njëjtit fshat, të cilët janë dërguar të zhveshur lakuriq në stacionin e policisë serbe në Gjakovë dhe ata janë: Zenel Alija (29), Hajdin Alija (24), Riza Alija (18), Isa Alija (28), Agron Alija (14), Bekim Kalimashi (17), Naser Kalimashi (25), Arben Alija (20), Ismail Taraku (30), Enver Taraku (15), Gani Çeku (48) dhe Selim Çeku (18). Ata janë torturuar plot pesë ditë në organet e policisë serbe dhe më pas janë dërguar në burgun e Pejës.

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara