Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Gazeta e mbrëmjes, “Informatori”

9 qershor 1993

Shqipëria do ta shtrojë çështjen e Kosovës në KS të OKB-së

Në emisionin e mbrëmshëm shqip të Bi-Bi-Si-së, korrespondenti i këtij emisioni nga Tirana, Ilir Kadia, njoftoi për një takim të Ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Në raport thuhej: “Ministri Serreçi u parashtroi atyre gjendjen e vështirë të cilën po e jetojnë shqiptarët e Kosovës dhe mbi rrezikun e mundshëm të shtrirjes së konfliktit në këtë zonë. Ai u deklaroi atyre se Shqipëria do të kërkojë që çështja e Kosovës të diskutohet në një nga mbledhjet e posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serreçi vlerësoi në këtë takim se komuniteti ndërkombëtar ka humbur shumë kohë duke mos marrë masa konkrete për parandalimin e luftës në Kosovë… Shtrirja e konfliktit në Kosovë mund të çojë te një gjakderdhje e paguar nga populli i paarmatosur shqiptar, por që do të përfshijë edhe vendet të tjera, duan apo s’duan ato. Serreçi tha se në takimet e punës shpesh ballafaqohet shumë shpesh me pyetjen: Ç’do të bëjë Qeveria Shqiptare nëse lufta do të zbresë deri në Kosovë? Serreçi tha se ka gjetur mënyrën për t’iu shmangur përgjigjes, duke pyetur i pari: Ç’do të bëjnë vendet Tuaja nëse masakra zhvillohet në Kosovë? Duke mos e mohuar rolin e vëzhguesve të KSBE-së, Serreçi e quajti praninë e tyre në Kosovë si një masë të pamjaftueshme parandalimi. Ai tha që Kosova të jetë nën një mbrojtje ndërkombëtare duhet mbështetur në masat e Planit prej gjashtë pikash të presidentit Berisha”.

Serreçi, në vazhdim, sipas Bi-Bi-Si-së, tha se bazë për realizimin e këtij Plani mund të gjendet në interpretimin e denjë të kapitullit të VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, nëse ekziston një vullnet i mirë politik, mund të gjenden mjetet dhe mundësitë. “Duke u përgjigjur në një pyetje, Serreçi tha se Shqipëria do të kërkojë diskutimin e çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

 

9 qershor 1994

“Bujku”: Me kë do të bisedojë pala serbe

Në një koment të botuar sot në gazetën “Bujku”, thuhet se sa herë që presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova bënë ndonjë turne të suksesshme në Evropën Perëndimore, pushteti i Beogradit e intensifikon dhunën policore ndaj shqiptarëve. Krahas shkopit, ky pushtet ofron edhe marrjen e karotës, por me kushtin e parë dhe të vetmin, që shqiptarët ta pranojnë si akt të kryer okupimin.

Në koment thuhet më tutje se pozita dhe opozita serbe, asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk janë të gatshëm për një dialog të mirëfilltë dhe për një koncept a platformë të qartë bisedimesh. Pozita dhe opozita serbe përpiqen për të legjitimuar nënshtrimin e shqiptarëve të Kosovës.

Më tutje tërhiqet vërejtja se në lojën e tyre dinake e të tejdukshme është gjetur ndonjë shqiptarë që e ka pranuar këtë lojë të Beogradit, ndonëse ata janë të vetëdijshëm se njerëzit me të cilët bëjnë biseda, jo vetëm që nuk përfaqësojnë shqiptarët në Kosovë, por shpesh nuk përfaqësojnë as opinionin e familjeve dhe të farefisit të ngushtë.

Autori i komentit Gani Mehmetaj nënvizon deklaratat e kërtyre ditëve të zyrtarëve serbë se nuk ka biseda me dr.Ibrahim Rugovën dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ato deklarata vlerëson autori nuk janë inkurajuese, pasir mbyllin çdo shteg për dialog të mundshëm midis Prishtinës e Beogradit.

“Nëse deklarata e R.Bogdanoviqit se nuk ka bisedime me Rugovën, është fjala e fundit e Qeverisë së Beogradit, atëherë palës serbe nuk i mbetet gjë tjetër pos të bëjë dialog me fantazma.

Dr.Ibrahim Rugova është përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës dhe i zgjedhur me vota të shumicës, president i Republikës. Ndërkaq, LDK-ja është partia më e madhe shqiptare,nga radhët e së cilës u zgjodhën pjesa dërmuese e deputetëve në Parlament. Pala serbe në çdo rrethanë duhet ta respektojë vullnetin politik të shqiptarëve për pavarësi nga Serbia. Përpjekje për t’iu shmangur këtij vullneti është zvarritje e ballafaqimit me problemin më të madh në Ballkan – çështjen shqiptare”, thuhet midis tjerash në komentin e sotëm të gazetës “Bujku”.

 

9 qershor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Suharekë: – Më 7 qershor, policia hyri në shtëpinë e Hamdi A.Morinës nga fshati Peçan të Suharekës, nga i cili morën një revole.

Prizren: – Tre ditë, të shtunën e kaluar, të hënën dhe dje, nën pretekst të kërkimit të armëve u morën në pyetje babë e bir, Dalip e Hydajet Berisha nga Dushanova e Prizrenit. Nga personat e lartshënuar policia kërkoi që të dorëzojnë dy revole, të cilat sipas policisë kinse i paska blerë djali tjetër i Dalipit, Ymer Gashi.

Mitrovicë: – Më 7 qershor, tre policë shkuan në fshatin Zhabar i Poshtëm i Mitrovicës në shtëpinë e Beqir A. Beqirit dhe i lanë thirrjen për t’u paraqitur të nesërmen bashkë me djalin e tij Ramadanin në polici. Të nesërmen ata mbajtën gjysëm ore në stacion ku nga ata kërkohej një revole.

Më 8 qershor, rreth orës 11:00 tre nëpunës të instaluar serbë në administratën komunale të Mitrovicës, Marko Radulloviq – sekretar për arsim, Zoran Vukosavleviq – sekretar i KK të Mitrovicës dhe një tjetër, shkuan në shkollën fillore “Fazli Gajçevci” në Shipol të Mitrovicës dhe kërkuan nga drejtori i kësaj shkolle të dilte në oborr dhe të bisedonte me ta.

Drejtori nuk pranoi të dilte në oborr, ndërsa nëpunësit e instaluar serbë nuk pranuan të hynin për bisedë në zyrën e drejtorit.

Administata serbe në Mitrovicë ka shfaqur interesim për marrjen e lokalit shkollor, me qëllim që në të të hapë një ambulancë, një zyrë të vendit dhe një zyrë policie.

Më 9 qershor, po këta tre persona shkuan në këtë shkollë dhe e njoftuan drejtorin e kësaj shkolle, Shaqir Berisha se që nga 12 qershori do të fillojë adaptimi i lokalit të kësaj shkolle.

Vushtrri: – Prej 6 deri më 9 qershor në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, policia serbe me pretekst të armës bastisi 12 famije, ndërsa në stacion të plicisë u morën vëllezërit Isak, Ilmi e Hysen Maxhuni me dy të bijtë Samiun e Ismetin, pastaj vëllezërit Rexhep e Sabit Maxhuni, Naser Rexha, Kadri Maxhuni, vëllezërit Hysen e Sherif Maxhuni, si edhe Gani dhe Xhevat Maxhuni.

Janë keqtrajtuar Isak, Ilmi, Hysen e Gani Maxhuni. Disa prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve.

Ganiu dhe vëllezërit Tahir e Isak Maxhuni janë urdhëruar për t’u paraqitur sërish në stacionin e policisë serbe.

Më 9 qershor, rreth orës 11:00, policia kërkoi në shtëpinë e tij Isak Maxhunin – deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK në Vushtrri. Policia iu kërcënua familjes që Isaku duhet të paraqitet menjëherë në stacion të policisë në Vushtrri.

Istog: – Për shkak se janë ndarë ndihma humanitare në shtëpinë e tij, më 5 qershor u arrestua dhe u mbajt disa orë në polici Metë Myrtaj me të birin Shemsedinin (19) nga Dubrava e Istogut.

Po atë ditë, policia mori sërish Ramë Kelmendin – sekretar i Aktivit të LDK-së në Dubravë. Ai është rrahur më parë nga një inspektor serb nën pretekst se është pjesëtar i shtabit komunal të Mbrojtjes territoriale në Istog.

Më 5 dhe 6 qershor në stacionin e policisë në Istog u mor Rrahman Igrishtaj – drejtor i shkollës fillore “Ndre Mjedja” në Rakosh, Policia u përpoq ta detyronte atë që të nënshkruante një deklaratë me të cilën do të dëshmohej se gjoja ai vetë dhe individë të tjerë ishin anëtarë të kinse shtabit komunal të mbrojtjes territoriale në Istog.

Më 5 qeshor, në punktin e shkollës së mesme në Vrellë, policia serbe hyri në një klasë, e mori ditarin dhe e mori në pyetje profesor, Qerim Rexhajn.

Për 10 qershor, me pretekst të kërkimit të armës, u thirr në stacionin e policisë në Rakosh, Hajzer Tahiraj, kryetar i Aktivit të LDK-së në Kërrninë. Ai ishte rrahur para disa ditësh nga policia, ndërsa në polici është thirrur edhe vëllau i tij, Alush Tahiraj.

 

9 qershor 1997

Në Shtutgard u hap “Java e kulturës së Kosovës në Gjermani”

Dje, në sallën kryesore të Qendrës kulturore në Shtutgard u hap Java e Kulturës së Kosovës në Gjermani.

Këtë manifestim e shpallën të hapur me nga një fjalë rasti Winfried Hermann, përgjegjës i sektorit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe interkulturore në Volkshochschule Stutgad dhe Hafiz Gagica, kryetar i Degëve të LDK-së në Diasporë.

Jemi të nderuar dhe të gëzuar që në mesin tonë ka artistë kaq të njohur shqiptarë. Shqiptarët e Kosovës për Gjermaninë nuk janë vetëm barrë, por edhe pasurim kulturor. Kjo do të dëshmohet me paraqitjen e vlerave të ndryshme të kulturës së tyre gjatë një jave të plotë në Shtutgard, tha z. Hermann.

Kryetari i Degëve të LDK-së në Diasporë, Hafiz Gagica, duke folur në cilësinë e bashkorganizatorit, në emër të Fondacionit “Kosova” të themeluar para disa kohësh, shfaqi kënaqësinë që edhe popullit gjerman i shpaloset një faqe e fuqishme e identetit shqiptar të Kosovës, që duket më së thelli nëpërmjet veprave të artit. Ai theksoi se kjo dëshmon për një identitet të veçantë të shqiptarëve dhe të Kosovës, i cili mund të dëshmohet edhe para të tjerëve dhe para miqve gjermanë, madje pikërisht tash kur jeta në Kosovë është e rrezikuar nga regjimi i Beogradit.

Kjo javë e kulturës së Kosovës në Shtutgard do të jetë vetëm fillimi i njohjes së organizuar të kulturës së Kosovës edhe në qytete të tjera të Gjermanisë, tha Gagica.

Në hapjen e këtij manifestimi u lexua edhe telegrami i kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me përgëzimet e tij për këtë veprimtari kulturore kombëtare.

Në çelje të këtij manifestimi, në një program të shkurtër muzikor, ekzekutuan Lejla Pula, Sihana Badivuku dhe Xhelal Bakraçi.

Në programin e mbrëmjes, u shfaqën dy drama: “Duke pritur Godonë” në regji të Fadil Hysajt dhe “Shqiptari me duar në xhepa”, në regji të Isa Qosjes, të cilat u mirëpritën nga publiku.

Sonte është në program hapja e eskpozitës së artistëve figurativë të Kosovës dhe shfaqja e filmit “Rojet e mjegullës” të I. Qosjes.

Java e kulturës së Kosovës në Gjermani do të vazhdojë deri më 13 qershor me paraqitjen e letërsisë shqipe të Kosovës, të muzikës së lehtë, muzikës serioze, me një pasqyrim përmes fotografive të ambienteve të Kosovës, si dhe me një tribunë të hapur për aktualitetet politike dhe shoqërore të Kosovës, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjermani.

 

9 qershor

Forcat serbe vazhdojnë me sulme kundër fshatrave të Gjakovës

Mbrëmë gjatë gjithë natës dhe sot po vazhdon granatimi i ushtrisë serbe mbi fshatrat e Rekës së Keqe në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri. KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se si pasojë e këtyre sulmeve fshati Popoc është rrafshuar me tokë.

Forcat serbe kanë shtënë gjatë gjithë natës nga pozicionet e në Babaj i Bokës, Pllanikut, Kodrës së Çabratit, Bokës së Zhdrellës, Sykës së Biteshit me artileri të rëndë në drejtim të fshatrave të Rekës së Keqe dhe fshatrave të komunës së Deçanit.

Forcat e rezistencës shqiptare po i bëjnë ballë këtij sulmi. Thuhet se ka të plagosur, ndërsa në anën e armikut humbjet janë shumë më të mëdha si në njerëz ashtu edhe në material ushtarak.

Në orët e mëngjesit fronti i luftës është hapur edhe në fshatin e Skivjanit të komunës së Gjakovës. Të shtënat me armë në qendër të këtij fshati kanë shkaktuar zhvendosjen e popullatës.

Për shkak të bllokimit të hekurt në qytet dhe rrethinë nuk ka njoftime më të hollësishme. Por, është e sigurtë se konfrontimi i djeshëm në mes të ushtrisë serbe dhe formacioneve të forcave shqiptare të rezistencës ka qenë me intensitetin më të madh qysh prej fillimit të sulmeve serbe në fshatrat Morinë e Smolicë.

 

Në Strellc të Epërm policia serbe granatoi një kullë që ruhej si monument kulturor

Dje rreth orës 13:00, forcat serbe filluan sërish që ta granatojnë fshatin Strellc i Epërm të Deçanit.

Një qytetar shqiptar përmes telefonit i deklaroi QIK-it se forcat serbe në këtë fshat gjatë ditës së djeshme e kanë granatuar edhe një kullë katër katëshe, e cila është shumë e vjetër dhe e veçantë për llojin e vet dhe që në këto anë konsiderohej si monumet kulturor.

Njoftohet se menjëherë pas granatimit, në objektet e kësaj kulle janë vendosur forcat e policisë serbe, pasi kulla e granatuar gjendet buzë rrugës Pejë-Deçan.

Të përkujtojmë se në komunën e Deçanit, forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe përveç objekteve të ndryshme kulturore, kanë granatuar edhe objekte fetare.

 

Sot u botua numri i dytë i gazetës së mbrëmjes “Informatori”

Sot në orën 17:30 filloi shpërndarja e gazetës së mbrëmjes “Informatori”. Dje doli numri i parë, ndërsa sot doli numri i dytë i gazetës së parë të mbrëmjes në botën shqiptare.

Gazeta përmbledh lajmet kryesore të ditës, të mbledhura dhe të përpunuara nga Qendra për Informim e Kosovës.

Botimi i gazetës u nxit drejtpërdrejt nga nevoja e madhe e njerëzve tanë, sidomos këtu në Prishtinë, për lajme të shpejta e të sakta. Pas forcimit të agresionit serb në Drenicë e Dukagjin, qindra individë kërkojnë ditën dhe natën informacione në QIK për zhvillimet dhe ndodhitë në Kosovë dhe në viset e sulmuara. Ndërsa siç dihet, në Kosovë informimi i vetëm i shpejtë është ai që bëhet përmes dy gazetave të përditshme.

Gazeta e mbrëmjes ka për qëllim informimin e shpejtë, përkatësisht shkurtimin e kohës në mes të ngjarjeve dhe lajmit të dhënë për to.

“Informatori” del për çdo ditë, me përjashtim ditën e diel. Në fillim, gazeta botohet me pak faqe, kryesisht në Prishtinë dhe fillon të shpërndahet në kiosk para orës 18:00. Çmimi i gazetës është një dinar.

Së shpejti do të shtohen vëllimi, tirazhi edhe shtrirja e shpërndarjes së “Informatorit”.

 

Në Suhogerllë u vranë tre shqiptarë

Gjatë sulmit me granata të forcave ushtarako-policore serbe, në fshatin Suhogerllë të komunës së Skënderajt u vranë tre shqiptarë. Burimet e LDK-së në Skënderaj i kanë deklaruar korrespondentes së radios “Dojçe vele” në Prishtinë se në mbrojtje të familjeve e pronës së tyre në këtë fshat janë vrarë: Isuf Rushiti (47), Ujkan Uka (55) dhe Muhamet Rushiti (55), por dyshohet se numri i të vrarëve mund të jetë edhe më i madh.

Sipas këtij burimi, sulmet e forcave serbe kanë qenë shumë të fuqishme, ndërsa granatat që janë hedhur mbi këtë fshat nga disa pozicione janë shkatërruar 34 shtëpi dhe është dëmtuar objekti i shkollës së fshatit.

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar në operacionin “White Star”, sekuestrohen armë, drogë dhe pasuri e madhe

Published

on

Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i zhvilluar në disa qytete të vendit nën emrin “White Star”.

Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore.

Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe përfshirje në pastrim parash.

Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë sekuestruar:

  • 6 armë zjarri
  • 5 karikatorë dhe 239 fishekë
  • Lëndë narkotike (kokainë dhe fara marihuane)
  • 25 telefona mobilë
  • 7,595 euro para të gatshme
  • 10 automjete dhe 1 motoçikletë
  • 10 kompjuterë
  • 13 USB dhe 1 DVR
  • 16 ora dore

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës, të cilat kanë qenë të pranishme dhe kanë monitoruar zhvillimin e aksionit në terren së bashku me prokurorin e rastit.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se ky operacion paraqet goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe se veprimet hetimore do të vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shefi i OSBE-së bën thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve

Published

on

By

Shefi i Misionit të OSBE në Kosovë, Gerard McGurk, ka përgëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve, si dhe liderin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhje e fundit.

Përmes një reagimi ne rrjetin X, McGurk theksoi se qytetarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre dhe se përgjegjësia kalon te përfaqësuesit e zgjedhur.

“I përgëzoj KQZ-në për zhvillimin e një tjetër procesi të suksesshëm zgjedhor dhe Albin Kurtin për rezultatin e partisë së tij. Votuesit kanë folur, përgjegjësia tani u takon të zgjedhurve”, deklaroi ai.

Shefi i OSBE-së bëri thirrje për formimin në kohë të institucioneve të reja dhe për zgjedhjen e presidentit përmes dialogut dhe kompromisit politik.

“OSBE-ja nxit formimin në kohë të institucioneve, si dhe zgjedhjen e presidentit përmes dialogut dhe kompromisit”, thuhet në mesazhin e McGurk.

Deklarata vjen në një kohë kur vendi po pret përfundimin e të gjitha procedurave zgjedhore dhe nisjen e procesit për konstituimin e institucioneve të reja. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa rekomandon Prishtinën, zbulon vendet e saj të preferuara në kryeqytet

Published

on

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa ka ndarë listën e vendeve të saj të preferuara në qytete të ndryshme të botës në bashkëpunim me Google Maps dhe Service95, ku pjesë e rekomandimeve është edhe Prishtina.

Mes vendeve që ajo sugjeron të vizitohen në kryeqytet janë Galeria Kombëtare e Kosovës, Tregu i Gjelbër dhe Muzeu Etnologjik i Kosovës, të cilat sipas saj ofrojnë një pasqyrë të kulturës, historisë dhe jetës së përditshme në qytet.

Sa i përket gastronomisë dhe kafeneve, Dua rekomandon vende të njohura si Tiffany, Soma Slow Food, Churchill dhe Basilico, ndërsa në listën e saj nuk mungon as Sunny Hill Festival, festivali muzikor që organizohet nga vetë ajo dhe babai i saj Dukagjin Lipa.

Si adhuruese e librave, artistja rekomandon gjithashtu edhe Librarinë Dukagjini, një nga libraritë më të njohura në Prishtinë për dashamirët e leximit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Peja Outdoor Festival rikthehet me mbi 40 aktivitete në natyrë

Published

on

Peja do të jetë qendër e aktiviteteve outdoor nga 11 deri më 14 qershor, me organizimin e edicionit të tretë të “Peja Outdoor Festival”, festivalit të parë në Kosovë të dedikuar turizmit aktiv, rekreacionit dhe mirëqenies në natyrë.

Gjatë katër ditëve të festivalit, në Pejë dhe Rugovë do të zhvillohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, punëtori tradicionale dhe programe për fëmijë e të rinj.

Organizatorët theksojnë se festivali synon promovimin e Pejës dhe Rugovës si destinacione të turizmit aktiv, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë natyrën, kulturën lokale dhe aktivitetin fizik në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është gara “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 garues nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës në kategoritë 10 dhe 23 kilometra.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor, nga ora 20:30, te Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara