Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Universiteti i Prishtinës

 8 qershor 1993

“Le Monde”: Programi i Uashingtonit rrezikon të shpërthejë konflikti në Kosovë

Historiani serb dr.Ivan Gjuriqi, i cili para shumë muajve iku nga Beogradi dhe u vendos në Paris, boton një vështrim në gazetën “Le Mond” lidhur me planin Vens-Oven dhe vendimin e pesëshes në Uashington përkitazi me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

“Vendimi i Uashingtonit, thotë Gjuriqi, në vend që të qetësojë, nuk do të bëj gjë tjetër veçse do ta acarojë konfliktin në Bosnjë-Hercegovinë”.

Lidhur me Kosovën, dr.Ivan Gjuriqi shkruan:”Milosheviqi, pasi vendosi në Kosovë një gjendje të jashtëzakonshme, të shoqëruar me një represion sistematik, preferoi ruajtjen e një status-quoje në këtë krahinë ish-autonome.Ndryshe nga sa pretendohej, lufta nuk përputhej me interesat e tij. Nga ana tjetër, pikërisht atje ai sfidoi të vetmën fantazëm kombëtare, gjithmonë në fuqi, të serbëve të Serbisë, përderisa ajo nuk i është përgjigjur dëshirës së tyre për riserbizimin e Kosovës. Pikërisht tani, me ndarjen e kartave nga Uashingtoni, ne rrezikojmë të shohim atje një konflikt të vertetë me të gjitha pasojat ndërkombëtare”, thotë dr.Ivan Gjuriqi, në gazetën “Le monde”.

 

8 qershor 1994

Konkurs i Universitetit të Prishtinës për pranimin e 5.875 studentëve të rinj

Sot gazeta “Bujku”, boton konkursin e Universitetit të Prishtinës, për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin e parë të studimeve për vitin shkollor 1994-95.

Në vitin e parë të studimeve, në vitin shkollor 1994-95, Universiteti i Prishtinës do të regjistrojë 5.875 studentë, nga të cilët 4.317 të rregulltë dhe 1.558 me korrespodencë. Në fakultete do të regjistrohen 4.060 studentë, nga të cilët 3.012 të rregulltë dhe 1.048 me korrespodencë, ndërkaq në shkolla të larta të Kosovës, do të regjistrohen 1.815 studentë prej të cilëve 1.305 të rregulltë e 510 me korrespodencë.

Fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit të Prishtinës, në të gjitha degët mund të regjistrojnë studentë, shtetas të huaj numri i të cilëve mund të jetë deri në 5 për qind nga numri i studentëve të fakultetit, përkatësisht shkollës së lartë.

Në konkurs, jipen edhe kushtet e përbashkëta dhe ato të veçanta për secilin fakultet apo shkollë të lartë, bashkë më numrin konkret të studentëve të rinj.

 

8 qershor 1995

Në Gjilan 17 vjet burg për 16 shqiptarët e akuzuar

Serbët e instaluar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan shpallën sot aktgjykimin e procesit të montuar politik ndaj 28 personave, shumica ish-policë të Kosovës si edhe disa funksionarëve politikë lokalë.

Këta, si edhe shumë ish-policë të tjerë anë mbanë Kosovës u nxorrën në procese të montuara politike nën akuzë të rrejshme se gjoja kanë formuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Në procesin në Gjilan, 16 ish-policë u dënuan në kohëzgjatje 17 vjet burg.

Siç dihet 8 të akuzuar ishin në arrati, Shyqeri Salihu ishte liruar para pak ditësh, ndërsa Asllan Bislimi, Xhemajl Rrustemi e Baki Qerimi u liruan sot nga akuza.

Enver Ramizi u dënua me 3 vjet burg, Esat Marovci me 2.5 vjet, Halit Rexhepi e Sinan Rexhepi me 1.5 vjet burg, me 1 nga 1 vit burg u dënuan: Mujadin Keka, Isuf Zuka, Ymer Rrudhani, Ruzhdi Lipovica e Halil Kqiku. Me nga 6 muaj u dënuan: Fazli Berisha, Hasan Mahmutim Muhamet Maksuti, Isak Hërtica, Isa Thaçi e Enver Tahiri, ndërsa Vebi Ramadani u dënua me 6 muaj burg me kusht për një vit.

Njoftohet se të gjithë të akuzuarit u liruan nga paraburgimi, derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

Siç dihet në procesin e montuar politik kundër ish-policëve të Kosovës janë akuzuar 160 ish-policë të Kosovës.

Ata janë arrestuar gjatë nëntorit të vitit të kaluar dhe janë torturuar në mënyrën më të egër nga policët serbë me qëllim të nxjerrjes së deklaratave të rrejshme.

Propoganda serbe ka trumbetuar se policia serbe gjoja ka zbuluar Ministrinë e Brendshme të Republikës së Kosovës, ndërsa arrestimin e ish-policëve të Kosovës, politika serbe e ka cilësuar si një sukses të saj në fushatën e rrënimit të institucioneve kosovare.

Kundër torturimit të ish-policëve të Kosovës kanë reaguar shumë asociacione e institucione ndërkombëtare, duke përfshirë edhe proetstat publike të AI-së.

Gjatë muajit të kaluar në dy procese të montuara në Pejë 16 ish-policë të Kosovës u dënuan 59 vjet burg.

Pas atij procesi, filluan proceset e montuara në Gjilan, në Prizren dhe në Prishtinë.

Në të gjitha këto procese nuk është dëshmuar me asnjë provë aktpadia serbe.

Të akuzuarit si edhe dëshmitarët kanë hedhur poshtë aktakuzën në tërësi si të rrejshme.

Subjektet shqiptare në Kosovë i kanë cilësuar këto procese si përpjekje të Serbisë për asgjësimin e subjekteve politike dhe të organizatave shqiptare.

Ndërsa procesi i montuar në Prishtinë është konsideruar si një provokim i hapur për shkak të masovitetit të tij dhe mbajtjes në sallën solemne të ndërtesës së Parlamentit të Kosovës.

 

8 qershor 1997

U themelua Shoqata e Afaristëve të Kosovës

Sot në Prishtinë u mbajt mbledhja e Kuvendit Themelues të Shoqatës së Afaristëve të Kosovës (SHAK). Në mbledhje merrnin pjesë delegatët për këtë kuvend nga të gjitha komunat e Kosovës, pastaj Naip Zeka, anëtar i Kryesisë së LDK-së, dr. Nuri Bashota, kryetar i Shoqatës së Ekonomistëve të Kosovës dhe mysafirë të shumtë.

Kuvendi zgjodhi kryetar të SHAK-ut Fatmir Rexhepin, afarist dhe veprimtar i shquar nga Gjilani.

Më parë janë formuar degët e shoqatës së afaristëve nëpër rajonet dhe disa komuna të Kosovës.

Në statutin e SHAK-ut dhe diskutimet e shumta u theksua nevoja e formimit të këtij asociacioni. Planifikohet që përmes tij të krijohen mundësi të integrimit të afaristëve të Kosovës dhe të mbrojtjes së interesave të tyre.

 

8 qershor 1998

Në mëngjes nisi granatimi i fshatrave të Rekës së Keqe e të Deçanit

Forcat serbe kanë nisur që nga ora 5 e mëngjesit një sulm me granata kundër fshatrave të Rekës së Keqe, në brezin kufitar me Shqipërinë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Në njoftim thuhet se granatimet po dëgjohen edhe nga drejtimi i fshatrave të Deçanit.

 

Gjakovë: Vazhdojnë sulmet në brezin kufitar – shkolla e Morinës e rrënuar për tokë

Sot që nga orët e hershme të mëngjesit forcat ushtarako-policore serbe kanë sulmuar fshatrat e Rekës së Keqe të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri. Që nga fshati Nec, Smolicë, Popoc, Ponoshec, Morinë, Brovinë, Stubëll, e të tjera, artileria e rëndë ushtarake po sulmon e përcjellë edhe me helikopterë ushtarakë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Në njoftim thuhet se fronti më i ashpër i luftës është në Morinë dhe Smolicë. Detonimet e armëve të rënda që nga mëngjesi po dëgjohen edhe në qytetin e Gjakovës

Forcat serbe po sulmojnë nga pozicionet e tyre në kodrën e Çabratit, në Babaj Bokës dhe në Kodrën e Pllanikut dhe pozicione të tjera lëvizëse.

Njoftimet nga terreni bëjnë të ditur se forcat e rezistencës iu kanë kundërvënë me vendosmëri këtij sulmi dhe i kanë sjellë mjaft dëme si në njerëz ashtu edhe në armatim forcave ushtarake dhe paramilitare serbe. Sot më tepër se kurrë kjo rezistencë bëhet me qëllim të mbrojtjes së popullatës së pambrojtur e cila ka vendosur të mbetet në shtëpitë dhe pronat e veta dhe të mos zhvendoset në Shqipëri dhe në drejtim të Gjakovës.

Dëshmitarë kanë thënë se ndërtesa e shkollës fillore në fshatin Morinë është rrafshuar me tokë.

Njoftohet gjithashtu se që nga dita e djeshme është rrethuar nga forcat policore serbe edhe fshati Dujakë.

Forcat serbe janë vendosur edhe në ndërtesën e shkollës fillore “Fan Noli” në Dujakë dhe po qëllojnë me snajperë në drejtim të këtij fshati dhe fshatarave tjera përreth.

 

Gjakovë: Sulme me granata dhe helikopterë

Gjendje dramatike sundon sot në fshatrat e brezit kufitar Smolicë, Popoc, Stubëll, Berjah, Brovinë, Mulliq e Morinë. Fshatrat po sulmohen me granata dhe me helikopterë. Disa fshatra po digjen flakë.

Sulmi ka filluar herët në mëngjes, ndërsa për viktima e të plagosur nuk dihet ende.

 

Në Carrabreg të Epërm gjashtë të vrarë e 15 të plagosur

Osman Cacaj i tha sot pasdreke QIK-ut se tepër ngadalë po zbulohen pasojat e operacioneve serbe ditëve të fundit në Deçan e rrethinë.

Ai tha se në Carrabreg i Epërm u konstatua sot se janë vrarë:

Hamdi Jakup Dautaj, Murat Selim Dautaj, Ajshe Rexhe Loshi, Idriz Bardh Lataj, Sadik Sylë Lataj e Sylejman Ukë Zekaj.

  1. Cacaj tha se druhet për shumë të vrarë e të plagosur të tjerë, sidomos në fshatrat Drenoc, Pobërxhë, Carrabreg i Epërm, Lloçan e Hulaj. Dëshmitarët që janë larguar të fundit nga shtëpitë e këtyre fshatrave kanë rrëfyer për sulme të tmerrshme të forcave serbe.

Në këto fshatra nuk ka mundur të hyjë ende askush.

  1. Cacaj tha se pos gjashtë të vrarëve në Carrabregun e Epërm, sot u mor vesh se janë plagosur gjatë ditëve të kaluara 15 shqiptarë: Isuf Tahiraj, Ramë Tahiraj, Ahmet Loshaj, Haxhi Loshaj, Driton Balaj, Sadik Gjonaj, Ajshe Rreh Dobraj, Ajshe Nezir Dobraj, Ajmane Dobraj, fëmijët Jeton Ali Dobraj e Mone Ali Dobraj, Rrustem M. Zekaj, Arsim Q. Dautaj, Hatmane Loshaj, Dyke Dautaj, Xhejrane Gani Loshaj (3), Ilir Gani Loshaj (6), Sevdije Dautaj, Arlinda M. Dobraj e Dinë Balaj.

Kurse në Deçan janë plagosur Nagip M. Cacaj, Mustafë C. Kuqi, Zejnie Kuqi. Islam Cacaj, Ismet Kuqi, Mehmet Osaj, Lush Demukaj, Imer R. Ibërhysaj, Rexhë Osaj, Gani Osaj, Halit Cacaj dhe Bekë I. Demukaj.

Gjendja të plagosurve është shumë e vështirë.

Në mëngjes sot ka pasur të shtëna. Në qytet shihen dhe në Strellc shiheshin në orën 16:00 dy shtëpi duke u kallur.

  1. Cacaj tha se me sa di Dega e LDK-së në Deçan, në këtë qytet dhe në rrethinë deri më tash nuk ka ka arritur asnjë ndihmë.

Continue Reading

Vendi

Kroos mbështet Ronaldon për refuzimin e ndeshjes lamtumirëse: Një legjendë meriton respekt, Portugalia duhet t’i jetë mirënjohëse

Published

on

By

Ish-mesfushori i njohur gjerman, Toni Kroos, ka dalë hapur në mbështetje të Cristiano Ronaldos pas vendimit të kyçit portugez për të refuzuar një ndeshje lamtumirëse të propozuar nga Federata e Futbollit e Portugalisë.

Kroos ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nga rrethi i kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa nga bashkëlojtarët.

“Jam i lumtur me vendimin e Cristiano Ronaldos. Sinqerisht, pas gjithçkaje që ka arritur për Portugalinë, nuk mendoj se ai i detyrohet dikujt një ndeshje lamtumirëse. Ajo që më zhgënjen është se si dikush që i ka dhënë kaq shumë vendit të tij mund të përfundojë duke u ndier i parespektuar nga njerëzit që duhet ta vlerësojnë”, deklaroi Kroos.

Gjermani nënvizoi se sakrificat dhe arritjet historike të Ronaldos me përfaqësuesen portugeze, duke rikujtuar trofetë e fituar dhe ndikimin e tij te brezat e rinj.

“Cristiano ka bërë sakrifica gjatë karrierës së tij, ka thyer rekorde dhe e ka udhëhequr Portugalinë në momente të vështira. Nuk mund t’i fshish të gjitha ato kontribute për shkak të një mosmarrëveshjeje apo sepse disa njerëz në dhomat e zhveshjes nuk e shohin më në të njëjtën mënyrë. Ajo që e kam të vështirë ta kuptoj është qëndrimi i disa njerëzve rreth kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa lojtarë. Respekti nuk duhet të varet kurrë nga fakti nëse je titullar apo qëndron në stol”, shtoi tutje ai.

Sipas Kroos, refuzimi i ceremonisë festive është një mesazh i fuqishëm nga ana e sulmuesit portugez.

“Mendoj se refuzimi i ndeshjes lamtumirëse dërgon një mesazh të fuqishëm. Cristiano nuk ka nevojë për një ceremoni nga njerëzit që e kanë bërë të ndihet i padëshiruar. Po të isha në vendin e tij, ndoshta do të merrja të njëjtin vendim. Portugalia duhet të jetë mirënjohëse për gjithçkaje që ai ka bërë, në vend që ta bëjë të ndihet sikur duhet të lutet për t’iu njohur meritat”, përmbylli Kroos. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Stërvitje e përbashkët në Prevallë: FSK-ja dhe Ushtria e Shqipërisë forcojnë kapacitetet për kërkim-shpëtim malor

Published

on

By

Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë realizuar një stërvitje të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor.

Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stërvitja është zhvilluar në Prevallë të Prizrenit.

Sipas ministrit Nufi, ky aktivitet shërbeu për shkëmbimin e përvojave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të avancuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë evakuimin e personave të dëmtuar në terrene të vështira malore.

“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka shkruar Nufi në rrjetin social Facebook. /E.A/

 

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

6 nëntor 1992

Shqiptarët trajtohen si “skllevër”

Revista franceze “Le monde diplomatique” pardje botoi një analizë të gjerë të procesev historike dhe aktuale në hapësirën e ishJugosllavisë. Një vëmendje të veçantë në këtë analizë autorja Ketrin Lutard ia kushton Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ndër të tjera autorja thekson:  Qysh prej kohësh gjendja vlerësohet si shkatërruese dhe udhëheqësi i komunitetit shqiptar Ibrahim Rugova, pohon se bashkatdhetarët e tij janë trajtuar “si skllevër”. Represioni vazhdon të rritet. Kështu, sipas gazetës zyrtare të 25 korrikut 1992, Parlamenti serb i Beogradit vendosi të pezullojë drejtorët shqiptarë të uzinave Planinka, Rilindja, Ringos Ciglana, Buduqnost, Sutjeska, Energoinvest, Sharr dhe Proleter, të gjitha të vendosura në Kosovë, dhe për t’i zëvendësuar me serbë apo malazezë.

 

6 nëntor 1993

Spastrimet etnike serbe – në tekstet shkollore franceze e gjermane

Prej këtij viti shkollor në Francë dhe në Gjermani, janë paraqitur tekstet shkollore dhe materialet didaktike ku gjoja “në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar janë paraqitur disa pjesë nga historia serbe, Serbisë e Jugosllavisë,” shkruan “Politika” e sotme.

Përse janë zemëruar aq shumë në të ashtuquajturën ministri federale të arsimit dhe të kulturës ndaj këtyre teksteve dhe përse ambasadës së tyre në Paris iu urdhërua të kërkojë procedurë gjyqësore për ndalimin e librit të historisë për klasën e katërt të gjimnazit? Për çka është fjala në të vërtetë?

Në librin e historisë në kaptinën “Kthimi i nacionalizmit”, siç thotë gazeta, shkruan: “Qëllimi ishte që të krijohet Serbia e madhe nëpërmjet ‘spastrimit etnik’ të territoreve ku gjenden serbët. Me terror dëbohet popullsia tjetër”.

Në kaptinën ku shpjegohen terminet nga libri, për spastrimin etnik shkruan se kjo “është teori të cilën e kanë krijuar anëtarët e Akademisë së shkencave në Beograd dhe nënkupton homogjenizimin etnik të territoreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë të banuar me serbë, të cilat duhet me anë të terrorit mbi popullsinë tjetër të realizojnë aneksimin definitiv të atyre territoreve nga ana e Serbisë”.

Përmbajtje të ngjashme, sipas gazetës, gjenden edhe në materialin didaktiko-informativ, që gjendet në programin shkollor në Gjermani.

 

6 nëntor 1995

U përkujtua ngjarja tragjike e Bit Pazarit

Me rastin e ngjarjeve të 6 e 7 nëntorit të vitit 1992, kur në Bit Pazar të Shkupit humbën jetën tragjikisht Sylejman Memishi, Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Viktorija Geshovska, në lokalet e bashkësisë okale, që mban emrin e kësaj date tragjike “6 Nëntori” në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor për këtë ngjarje të hidhur në jetën pluraliste të Maqedonisë.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, qytetarë dhe personalitete të jetës politike dhe publike, në mesin e të cilëve edhe deputeti i kësaj njësie zgjedhore Mevlan Tahiri.

Lidhur me këtë rast tragjik u nënvizua se edhe pas tri vjetësh nuk u zbuluan vrasësit e viktimave të pafajshme, të cilat padyshim u vranë nga policia maqedonase në pragun e shtëpive të tyre.

Pasi Komisioni parlamentar, i themeluar për hulumtimin e këtij rasti, nuk dha përgjegje për autorët e krimit në Bit Pazar, në këtë mbledhje u theksua se familjet e të vrarëve duhet të ngrisin aktpadi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

 

6 nëntor 1996

Bill Klinton u rizgjodh president i SHBA-ve

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA, presidenti i tanishëm amerikan Bill Klinton u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat katërvjeçar.

Ambasada amerikane në Beograd na përcolli njoftimin e agjencisë gazetare amerikane UPI ku thuhej se Klintoni triumfoi mbi rivalin e tij kryesor Bob Dol. Sipas këtij njoftimi Klinton fitoi me 50 kundrejt 42 për qind të votave, sa fitoi kundërshtari i tij republikan, ndërsa kandidati tjetër Ros Perot fitoi fare pak vota.

Pas Frenklin Ruzveltit, Bill Klinton është presidenti i dytë amerikan nga radhët e demokratëve që triumfoi për të dytën herë në postin e presidentit të SHBA-ve.

 

6 nëntor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Obiliq: – Dje, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në familjen e Ferat Mjekiqit (65) në Graboc të Epërm.

Njoftohet se Ferati është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq, së bashku me djalin e tij Nasuf Mjekiqin, kryetar i Aktivit të LDK-së në Graboc të Epërm.

Ferat Mjekiqi para gjashtë muajve ka dorëzuar një armë dhe për këtë ai ka edhe vërtetimin për armën e dorëzuar.

Po ashtu mbrëmë rreth orës 17:00, dy policë serbë ndërhynë në një mbledhje të një Aktivi të LDK-së në Obiliq. Bëhet e ditur se policët serbë kanë legjitimuar të pranishmit. Disa aktivistëve u janë marrë edhe shënimet personale.

Istog: – Më 31 tetor, dy inspektorë të sigurimit serb të stacionit të policisë në Pejë, bastisën familjen e Ali S. Mahajt në Dubovë të Vogël. Njoftohet se inspektorët serbë kërkuan djalin e tij Naim Mahajn (24), të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes, inspektorët serbë thyen e demoluan shumë orendi.

Sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grup huliganësh serbë i përbërë prej rreth 15 vetash, sulmuan pa kurrfarë shkaku Arben Boletinin, nxënës i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog. Gjatë kohës sa Arbeni është keqtrajtuar, huliganët serbë e kanë kërcënuar atë se “kurrë nuk do të mësoni në shkollën shqipe, ndërsa atë kërkojeni në Shqipëri!”.

 

6 nëntor 1998

Suharekë: Të shtëna midis Samadraxhës e Opterushës – flitet edhe për të vrarë e të plagosur

Gjendja në komunën e Suharekës edhe më tej vazhdon të jetë shumë e tensionuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Sot rreth orës 12:00, në mes të fshatrave Samadraxhë e Opterushë janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët okularë kanë theksuar se ka të vrarë e të plagosur.

Ndërkaq dje, policia serbe është vendosur në lagjen Luboci në Grejçec. Policët serbë ia hoqën kulmin një shtëpie të këtij fshati dhe materialin e dërguan në një vend tjetër. Të njëjtit policë rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë në drejtim të Grejçecit.

Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe edhe më tej po qëndrojnë në fshatrat Duhël, Grejçec, Mohlan e Reshtan, ndërsa forcat e ushtrisë serbe edhe më tej janë të stacionuara në Qafë të Duhlës dhe në malet e Biraçit mbi Suharekë.

 

Continue Reading

Të kërkuara