Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Spitali i Gjakovës

8 korrik 1993

Në Deçan e rrethinë valë e re e represionit policor serb

Dje, një ekspeditë e policisë serbe që nga orët e hershme të mëngjesit, filloi një valë e re represioni ndaj popullatës shqiptare në Deçan dhe disa fshatra përreth.

Me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe vetëm në ditën e djeshme, bastisi, plaçkiti dhe keqtrajtoi 64 familje, u rrahën shumë qytetarë, ndërsa karakteristikë e këtyre bastisjeve ishin thyerjet dhe demolimet e orendive tek të gjitha shtëpitë që u bastisën. Bastisje masive pati në fshatrat Broliq, Papiq, Prapaqan, Dubovik, Isniq, Pobergjë, Voksh, Lumbargj dhe Lloçan.

Kjo ekspeditë policore në fshatin Dubovik, bastisi shtëpinë e Muharrem Rr.Berishës, me ç’rast thyen të gjitha orenditë në këtë shtëpi. Ekspedita policore serbe pasdite shkoi edhe në fshatin Isniq, e cila bastisi shtëpinë e Maxhun Tishukut, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Deçan. Në Isniq u bastisën edhe disa familje të tjera, tek të cilat policët serbë u sollën me vandalizëm të paparë.

Po ashtu dje pasdite, rreth orës 4.30 minuta, kjo ekspeditë policore serbe, ishte edhe në fshatin Pobergjë ku u bastisën familjet e disa veprimtarëve të LDK-së, si ajo e Isa A.Tolajt, kryetar i Nëndegës së LDK-së së këtij fshati, pastaj e Sami, Jashar, Hasan, Fadil dhe Ali R.Tolajt. Pas Pobergjës, ekspedita policore serbe, vazhdoi aksionin e saj në fshatin Voksh ku u bastisën shtëpitë e vëllezërve Ali dhe Beqir Mazrekajt. Në prani të familjes u rrah djali i Aliut, kurse Beqirit i plaçkitën një kamerë dhe një pasaportë.

Ekspedita policore serbe, ishte edhe në fshatin Lumbardh, e cila bastisi shtëpinë e Maxhun N.Lekajt, kryetar i Nëndegës së LDK-së dhe demoloi dhe thyejti të gjitha orenditë në këtë shtëpi. Në Lumbardh, policia serbe bastisi dhe plaçkiti edhe disa familje si ato të Dervish U.Lekajt, të cilit policët serbë ia plaçkitën 500 marka gjermane. Ekspedita policore serbe ishte edhe në fshatin Lloçan, e cila bastisi familjet e Brahim, Osman, Hysen, Murat dhe Shaban Kasumajt, ky i fundit ish-punëtor i sigurimit.

Nga Deçani, merret vesh se pos ditës së djeshme edhe sot situata në këtë komunë është ende e tensionuar.

 

8 korrik 1994

Represioni në Kosovë

Gjilan: –  Më 5 korrik, inspektorët serbë morën në pyetje Shemsedin Mustafën, nga Kmetovci i Gjilanit, anëtar i Kryesisë së Degës së FR të LDK-së në Gjilan, Xheladin Ibrahimin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Myqybabë dhe Ali Sylën, inkasant i Këshillit për Financim nga Bresalci i Gjilanit.

Nga Shemsedin Mustafa, inspektorët serbë u interesuan të dinë rreth aktivitetit të Degës së FR të LDK-së në Gjilan, si dhe rreth manifestimit “Vullneti ’94”, i cili u mbajt këto ditë.

Edhe nga aktivistët e tjerë të lartëshënuar, policia u interesua të dijë rreth aktivitetit të institucioneve ku ata janë të angazhauar.

Prishtinë – Dje, prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00, një ekspeditë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtatë shtëpi në fshatin Grashticë të Prishtinës. Policia bastisi shtëpitë e Ibrahim, Zeqir, Shaban, Rexhep, Nazif, Jahir e Jetullah Krasniqit. Njoftohet se gjatë bastisjes, policia keqtrajtoi fizikisht Jahir Krasniqin, punëtor i “Rilindjes”.

Personave të lartëshënuar policia iu kërcënua se do të kthehen sërish për t’i bastisur.

Pardje rreth orës 9:00, policia ishte në shtëpinë e Bajram Çokut në Koliq të Prishtinës dhe kërkoi djalin e Bajramit, Selatin Çokun. Kur Selatin Çoku doli para tyre, ata i thanë se nuk na duheni ju, por vëllai juaj Agim Çoku.

Njoftohet se Agim Çoku është arrestuar, ndërsa familja e tij ka tri ditë që nuk di asgjë për të.

Dje rreth orës 8:00, policia ishte në shtëpinë e Idriz Gubetinit në rr.”Drenica” në Prishtinë, të cilin e urdhëroi që të paraqitet në stacionin e policisë. Njoftohet se Idriz Gubetini dorëzoi një revole.

Vlenë të theksohet se Idriz Gubetini në gjashtë muajt e fundit është marrë në pyetje katër herë nga ana e inspektorëve serbë.

Vushtrri: – Sot rreth orës 9:00, një ekspeditë e policisë hyri në fshatin Stanovc i Poshtëm të Vushtrrisë dhe kërkoi kryetarin e Nëndegës së LDK-së së këtij fshati, Tahir Tahirin.

Meqë Tahir Tahiri nuk gjendej në shtëpi, policia më pas shkoi në një familje tjetër të këtij fshati ku para pak ditësh vdiq një i ri 25 vjeç, me ç’rast trazuan të pranishmit që pritnin miqtë për shprehje ngushëllimesh.

Policia u kthye sërish në shtëpinë e Tahir Tahirit dhe arrestuan djalin e tij Ilir Tahirin, i cili u mor peng dhe u dërgua në postkomandën e policisë në Prilluzhë.

Ekspedita e policisë në të njëjtin fshat kërkoi edhe Sherif Musliun. Meqë edhe Sherif Musliu nuk gjendej në shtëpi, policia ia mori peng bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët u mbajtën deri në mesnatë. Pasi i liruan bashkëshorten dhe fëmijët e Sherifit, atyre u thanë se do vijnë sërish.

Ferizaj: KMDLNJ i Ferizajt, njofton se më 30 qershor, rreth orës 22:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Adem Tershanit në fshatin Koshare të Ferizajt. Pas bastisjes, policia mori me Ademin, i cili në stacionin e policisë në Ferizaj u keqtrajtua fizikisht. Adem Tershani u lirua rreth orës 24:00, me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në polici.

Më 5 korrik, inspektorët serbë morën në pyetje Isuf Malokun, nën pretekst të kërkimit të armëve.

Dje, policia ishte në shtëpinë e Danush Tërshanës në Ferizaj për të kërkuar djalin e tij Ekrem Tërshanën, i cili nuyk gjendej në shtëpi. Të nesërmen policia Danush Tërshanën e kërkoi edhe në vendin e punës. Kur Danushi u lajmërua në polici, inspektori serb i quajtur Dejan, nga Danushi kërkon që të dorëzojë një revole.

Të nesërmen, sipas urdhërave të policisë, Ekrem Tërshana u lajmërua në polici me ç’rast u mbajt rreth pesë orë dhe u keqtrajtua fizikisht.

Pardje, inspektorët serbë morën në pyetje edhe Hamdi Nezirin, kryetar i Nënkëshillit për Financim në fshatin Gackë. Inspektorët u interesuan të dinë nga Hamdiu rreth mënyrës së grumbullimit të mjeteve e tj.

Pardje, u mor në pyetje Hamdi Neziri, kryetar i Këshillit për Financim në fshatin Gaçkë të Ferizajt. Hamdi Neziri në stacionin e policisë qëndroi rreth dy orë, nga i cili inspektorët serbë u interesuan të dinë rreth aktivitetit tij në LDK, për Nëndegën V-të, anëtarët e Kryesisë së kësaj Nëndege e tj.

Dje, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Naser Ibrahimit në fshatin Tern. Pas bastisjes, policia ia la thirrjen Naser Ibrahimit që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Ferizaj.

Dje, në stacionin e policisë në Ferizaj, nën pretekst të kërkimit të armëve u mor në pyetje Musli Rexhepi, anëtar i Kryesisë së Aktivit I të Nëndegës XI të LDK-së. Musli Rexhepi u lirua me kusht që të paraqitet sërish sot në orën 8:00,  në stacionin e policisë në Ferizaj.

Bëhet me dije se Musli Rexhepi është keqtrajtuar fizikisht.

Dje, rreth orës 12:00, policia mdori në shtëpitë e tyre Nijazi Veselin dhe Sylë Mehmetin, aktivistë të LDK-së në fshatin Gërlicë. Njoftohet se Nijazi Veseli është keqtrajtuar deri në alivanosje, me ç’rast u detyrua që të bëjë intervenim mjekësor në Prishtinë.

Rahovec: – Pardje, rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpitë e tyre Jahir Kastratin, Kadri Berishën dhe Abdullah Krasniqin, të cilët në stacionin e policisë u mbajtën rreth tetë orë.

Njoftohet se Kadri Berishën e urdhëruan që të paraqitet sërish të nesërmen në polici.

Malishevë: – Dje në mëngjes, policia e postkomandës së Kijevës, shkoi në shtëpitë e Jonuz, Azem, Mustafë e Ramadan Gashit dhe Halil Toplanës nga Kijeva, të cilët i urdhëroi që sot në mëngjes të paraqiten në stacionin e policisë në Klinë. Njoftohet se edhe pse të thirrurit kishin kërkuar dëshmi me shkrim, policia atyre u tha se nuk ka nevojë për dëshmi me shkrim dhe nuk iu dha kurrfarë arsyetimi se për çfar ftohen në polici.

Dje rreth orës 5:00 të mëngjesit, policia e Rahovecit, nën pretekst të kërkimit të armëve, për herë të dytë bastisi shtëpinë e Hamit Morinës në fshatin Lubizhdë të Malishevës. Gjatë bastisjes, policia keqtrajtoi fizikisht anëtarët e familjes, si dhe mori me vete të rinjtë Tafil e Sali Morinën, të cilët në stacionin e policisë në Rahovec u mbajtën rreth katër orë me ç’rast u keqtrajtuan rëndë.  Tafil Morina u lirua me kusht që në stacionin e policisë në Rahovec të paraqitet axha i tij, Hasan H.Morina.

Sot, rreth orës 7:00 të mëngjesit, në fshatin Shkozë të Malishevës, policia e Rahovecit arrestoi në shtëpinë e tij, Sadri Rr.Bytyçin, i cili ende po mbahet në polici.

Nga Malisheva bëhet me dije se tash tetë ditë po mbahet në arrest i riu Afrim H.Bytyçi, ndërsa shkaku i arrestimit të tij tash për tash nuk dihet.

Gllogovc: – Më 1 korrik rreth orës 14:00, policia serbe ndërhyri në lokalet e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Dobroshevc, me ç’rast pyetën domarin e kësaj shkolle, se ç’po përgatitet me rastin e 2 Korrikut. Edhe të nesërmen policia ndërhyri në lokalet e kësaj shkolle dhe bastisi atë. Policia konfiskoi dy fotografi të figurave tona kombëtare, si dhe u kërcënuan që emri i kësaj shkolle të shkkruhet në cirilicë.

Ndërkaq, pardje policia mori në pyetje në stacionin e policisë në Prishtinë, të miturit Bujar A.Kiçinën (11) dhe Afrim R.Vrellakun (9). Ky i fundit u mor në pyetje për herë të tretë. Policia mori në pyetje të miturit me rastin e vrasjes së një qytetari më 29 qershor në fshatin Baicë të Gllogovcit, prej nga janë edhe dy të miturit.

 

8 korrik 1997

Mitrovicë: – Gjatë gjashtë muajve të kaluar u bastisën 26 familje

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, raportin për dhunën e ushtruar kundër banorëve të kësaj komune gjatë gjashtë muajve të kaluar të këtij viti, thekson se gjatë kësaj periudhe janë ndaluar arbitrarisht 48 veta, janë marrë në arrest 57, në biseda informative 32, janë keqtrajtuar fizikisht 24, për vepër penale është dënuar 1, për kundërvajtje 2, ndërsa në procedurë hetimore janë 5 veta.

Po gjatë kësaj periudhe policia ka bastisur 26 familje shqiptare ka kërcënuar 8 veta, i ka dërguar në vuajtje të dënimit 8, ka keqtrajtuar për armë 35, i ka fyer 18, ka shkuar në 70 familje shqiptare, ka shpërndarë 72 thirrje për paraqitje në polici dhe ka legjitimuar 25 veta.

Po gjatë kësaj periudhe janë keqrajtuar 8 veprimtarë politikë, 10 punëtorë të arsimit, 11 veprimtarë humanitarë dhe 1 veprimtar sindikal, janë keqtrajtuar edhe 4 ish të burgosur politikë dhe 1 femër. Është shënuar një ndërhyrje në institucionet arsmore, tri ndërhyrje në institucionet humanitare, dy familje janë larguar me dhunë nga banesa ndërsa një personi i është konfiskuar pasaporta.

Për rekrutim në armatën serbe janë thirrur 4 të rinjë shqiptarë, ndërsa 3 shqiptarë të punësuar në botën e jashtme janë keqtrajtuar gjatë kthimit, ndërsa 3 të tjerëve nuk u është lejuar kthimi.

Po gjatë kësaj periudhe janë plaçkitur 23 persona.

 

8 korrik 1998

Pesë trupa të pajetë në morgun e spitalit të Gjakovës

Sot, në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe ka sjellë trupat e pajetë të pesë shqiptarëve.

Nuk dihet identiteti i të vrarëve, por supozohet se ata janë sjellë nga zona e luftimeve në Rekë të Keqe.

Morgu i spitalit të Gjakovës po mbahet nën kontroll të rreptë të policisë serbe.

 

Suharekë: U vra Sadri Arif Kryeziu

Sot në orën 8. 30, në qendër të Suharekës, u vra në vendin e tij të punës, në kiosk, Sadri Arif Kryeziu (41), shitës i gazetave.

Rrethanat e vrasjes së tij nuk dihen, por në momentin e vrasjes aty u vërejtën forca të mëdha policore me automjete të blinduara.

Vendi i ngjarjes po mbahet i rrethuar nga forca të mëdha policore.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Konjufca priti në takim zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë: Diskutohet për integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim zyrtar Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Edmondo Cirielli.

Gjatë këtij takimi, fokus i veçantë iu kushtua marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimit në NATO, si dhe zhvillimeve aktuale politike në vend, përfshirë këtu edhe procesin e formimit të qeverisë së re.

Në kuadër të partneritetit mes dy vendeve, palët diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin ekonomik. U theksua nevoja e menjëhershme për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të thellonin më tej lidhjet mes Kosovës dhe Italisë.

Ministri në detyrë, Konjufca, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar zëvendësministrin Cirielli për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës, duke rikonfirmuar se Roma zyrtare mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Takimi, i cili rrodhi në një frymë plotësisht miqësore dhe konstruktive, dëshmoi edhe një herë marrëdhëniet e afërta mes dy popujve, me Kosovën që mbetet e përkushtuar për të fuqizuar bashkëpunimin në çdo fushë me interes të përbashkët. /E.A/

Continue Reading

lajme

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë solli praktikën laboratorike në fokus të ditës së tretë

Published

on

By

Në kuadër të Global UBT Fest, Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë vazhdoi aktivitetet e saj me ditën e tretë, e cila u karakterizua nga puna praktike dhe përvoja e drejtpërdrejtë në mjedise moderne laboratorike dhe klinike.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin dhe funksionimin e laboratorëve klinikë, menaxhimin dhe ruajtjen e mostrave biologjike, përdorimin e analizatorëve bashkëkohorë, teknikat e pipetimit dhe mikroskopisë, si dhe proceset e diagnostikimit laboratorik dhe imazherik.

Përmes demonstrimeve praktike dhe punës në laborator, studentët dhe pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre mbi standardet profesionale që udhëheqin praktikën laboratorike moderne. Vëmendje e veçantë iu kushtua saktësisë analitike, biosigurisë, kontrollit të cilësisë dhe etikës profesionale, si elemente kyçe për garantimin e rezultateve të besueshme dhe mbrojtjen e shëndetit të pacientëve.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë qasjen bashkëkohore të Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, i cili ndërton një model arsimimi të bazuar në integrimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, duke krijuar një ekosistem ku universiteti, laboratori dhe institucionet shëndetësore bashkëpunojnë për zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Përmes Akademisë Verore, UBT vazhdon të krijojë mundësi për zhvillimin profesional të studentëve dhe profesionistëve të rinj, duke i pajisur ata me kompetenca praktike dhe njohuri të avancuara, në përputhje me standardet bashkëkohore të diagnostikës laboratorike dhe shkencave biomjekësore.

Continue Reading

Lajmet

UBT në Ferizaj hap regjistrimet në tri drejtimet më të kërkuara: Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë dhe Biznes

Published

on

By

Qendra e UBT-së në Ferizaj, ka nisur zyrtarisht fushatën e regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik. Përmes një oferte akademike të ndërtuar mbi kërkesat e tregut modern të punës, kjo qendër po shndërrohet në destinacionin kryesor për të gjithë të rinjtë e rajonit të Ferizajt që duan të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në fushën e teknologjisë, planifikimit hapësinor dhe ekonomisë.

Në kuadër të shënimit të një çerekshekulli ekselencë akademike nga UBT, Qendra në Ferizaj ofron tri nga drejtimet më të kërkuara: Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, si dhe Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi. Ky model studimi kombinon anën teorike me praktikat më moderne, duke u dhënë studentëve mundësinë të pajisen me aftësi ndërkombëtare pa pasur nevojë të largohen nga qyteti i tyre.

Mbi rëndësinë e këtij afati dhe vizionin e kampusit, drejtoresha e qendrës, Fatime Tahiri, ka theksuar se Ferizaji po e përqafon çdo ditë e më shumë inovacionin, duke shtuar se përmes këtij kampusi të rinjtë po përfitojnë standarde të larta akademike dhe infrastrukturë moderne për një të ardhme të sigurt profesionale.

“Ferizaji po dëshmon çdo ditë e më shumë se është një qytet që e përqafon inovacionin dhe zhvillimin. Përmes kampusit tonë, ne po u ofrojmë të rinjve të këtij rajoni standardet më të larta akademike dhe infrastrukturën më moderne. Zgjedhja e UBT-së është një hap i sigurt drejt një të ardhmeje të ndritur profesionale, prandaj i ftojmë të gjithë maturantët që të bëhen pjesë e rrjetit tonë të ekselencës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë tani duke vizituar uebfaqen zyrtare të institucionit në www.ubt-uni.net.

Për informata shtesë rreth procesit të regjistrimit, UBT ka vënë në dispozicion numrin e telefonit +383 38 541 400 si dhe adresën elektronike [email protected].

 

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Përmbyllen punimet e Akademisë Verore të Inxhinierisë Ndërtimore në UBT: Fokus te ndërtimi i gjelbër dhe licencimi i inxhinierëve të rinj

Published

on

By

Në kampusin e UBT-së në Emshir, sot u përmbyllën me sukses punimet katërditore të Akademisë Verore të Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, e cila këtë vit u mbajt në kuadër të “Global UBT Fest 2026” nën moton “Green Buildings and Green Infrastructure”.

Ky edicion, i cili u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit, Prof. Visar Krelani, pas aktiviteteve të shumta të ditëve të kaluara – ku përfshiheshin vizita studimore në fabrikën “Sharrcem” dhe sesione mbi efiçiencën e energjisë e menaxhimin e mbetjeve – në ditën e sotme përmbyllëse solli në fokus diskutimet mbi Ndërtimin e Gjelbër dhe Performancën Termike të Ndërtesave. Profesorë, studentë dhe përfaqësues të industrisë shkëmbyen njohuri mbi metodat më të reja të izolimit ekologjik dhe ndërtimit të qëndrueshëm.

Krejt në fund, akademia u përmbyll me ligjëratën mjaft praktike e frymëzuese “Nga Student deri te Inxhinier i Licencuar”. Ky sesion shërbeu si një udhërrëfyes i qartë për studentët e rregullt dhe ata të rinj, duke u treguar hapat konkretë dhe procedurat që duhet të ndjekin për t’u integruar me sukses dhe për t’u licencuar në tregun e punës.

Continue Reading

Të kërkuara