Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Hasan Ramadani

8 gusht 1994

Aksion terroristik i forcave serbe kundër familjes së Hasan Ramadanit në Shajkofc

Forcat serbe, pas rrethimit që filloi menjëherë pas mesnatës, vranë dje në shtëpinë e tij Hasan Ramadanin (1948) në fshatin Shajkofc i Podujevës.

Dëshmitarët rrëfyen për një aksion dhe ekspeditë terroristike të forcave serbe kundër integritetit familjar.

Ata thanë se policia rrethoi në orën 04:00 të mëngjesit dy shtëpi të Ramadanajve, të cilat gjenden të veçuara nga fshati dhe krejtësisht afër malit.

Anëtarët e familjes së Hasan Ramadanit thanë se policia kishte filluar me të shtëna nga armët në orën 6:00 të mëngjesit, ndërsa forca të shumta, me autoblinda, një helikopter e automjete të tjera policore, kishin arritur rreth orës tetë. Së paku pesëdhjetë policë serbë gjendeshin në oborr dhe rreth tij, ndërsa brenda në shtëpi gjendej Hasani me fëmijët e tij.

Ata thanë se krahas të shtënave me armë zjarri, policët kanë hedhur bomba lotsjellës. Nga këto është shkaktuar zjarri. Djali njëzet e gjashtëvjeçar i Hasanit tha se anëtarët e familjes ishin përpjekur të shuanin zjarrin me enët që u kishin qëlluar, por bombat që hidheshin brenda në shtëpi shkaktonin zjarre të reja.

Nga zjarri dhe pas urdhërit të babait, të katër fëmijët e Hasanit kishin dalë jashtë, por brenda me të kishte mbetur vajza e madhe e tij. Ajo tha se shtëpia qëllohej gjithë kohën me armë.

Ndërsa fëmijët që dolën nga shtëpia i shndërroi në pengje, policia lidhi për një kumbull djalin e madh të Hasanit.

I sigurt se do ta vrisnin, Hasani herë pas herësh shtinte me një pushkë të vjetër, me shpresë të paktë se fati mund të rrotullohej.

Vajza e madhe, që qëndroi e fundit me babain, tregoi se rreth orës tetë Hasani ishte goditur me plumb në gjoks. I plagosur për vdekje, ai e kishte urdhëruar të bijën të dilte jashtë shtëpisë që po digjej.

Dëshmitarët rrëfyen për çastet e fundit prekëse të jetës së tij. Ata thanë se Hasani kishte brohoritur me zë të lartë: Rroftë Republika e Kosovës! Rroftë Ibrahim Rugova!, e të tjera.

Dr. Rexhep Gjergji, anëtar i Kryesisë së LDK-së që shkoi dje në familjen e Hasanit menjëherë pas tërheqjes së policisë, tha se policia i kishte urdhëruar anëtarët e familjes ta nxirrnin kufomën jashtë, nga droja se do të digjej ajo dhe se pastaj nuk do të mund të kryhej i plotë konstruksioni propagandistik serb.

Anëtarët e familjes së të ndjerit rrëfyen për lojëra mizore të forcave serbe. Gjatë tri orëve sa e mbajtën kufomën përballë fëmijëve të tij, ata i vinin kufomës armët e policisë e bombat, sipas një skenari të njohur serb.

Dr. Gjergji tha se situata në oborrin e Hasan Ramadanit ishte një tmerr i vërtetë. Fëmijët ishin në gjendje shoku e paniku nga aksioni terroristik i forcave serbe dhe lojërat e tyre mizore me fëmijët e kufomën e prindit të tyre, ndërsa shtëpia digjej bashkë me shtallat, ushqimin e kafshëve dhe kafshët që kishin mbetur brenda.

Ky ishte një aksion terroristik i forcave serbe kundër integritetit njerëzor e familjar. Hasan Ramadani dhe fëmijët e tij ishin mbajtur për disa orë në një situatë të pashtegdalje të breshërive të armëve nga jashtë dhe të rrethuar e të kërcënuar nga zjarri i shkaktuar qëllimshëm brenda në shtëpi, vlerësoi dr. Gjergji.

 

 

8 gusht 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Hani i Elezit: – Më 4 gusht, në orët e pasditës, policia serbe thirri për herë të tretë, Hakik Qajanin me pretekst të armës.

Njoftohet se në polici gati për çdo ditë thirret edhe babai i tij, Mejdiu.

Po këtë ditë, me të njëjtin pretekst, në pyetje u mor edhe Ramadan Thaçi.

Në polici janë thirrë edhe Musli Humeli, Musli e Hazbi Loku dhe disa qytetarë të tjerë.

Më 1 gusht në orët e hershme të mëngjesit, policia mori të riun Hajrullah Kalisin dhe e dërgoi atë menjëherë në vuajtje të dënimit 15 ditë burg.

Mitrovicë:- Më 6 gusht, tre policë shkuan në shtëpinë e Qerim Ahmetit (66) në fshatin Mazhiq të Mitrovicës, nga i cili kërkuan që të dorëzojë një pushkë dhe një revole. Me këtë rast ai dorëzoi një pushkë të vjetër të tipit M-48.

Po këtë ditë, në afërsi tregut të pemëve në Mitrovicë, dy policë ndalën kolonën e dasmorëve të Dibran B. Tahirit nga lagjja Tavnik e Mitrovicës dhe nga dasmori që mbante flamurin kombëtar kërkuan që ta shmangë atë dhe ta fusë në veturë. Meqë dasmorët refuzuan ta heqin flamurin, policët nuk këmbëngulën dhe i lejuan ata të vazhdojnë rrugën e tyre.

Një rast i tillë i pengimit të dasmorëve ndodhi edhe më 30 korrik, kur dasmorët e Musa J.Beranit, në udhëkryqin e Komoranit u mbajtën më shumë se një orë e gjysmë.

Ditë më parë, policia për herë të pestë ishin në shtëpinë e Lirie M.Shalës, nënë e katër fëmijëve, e cila që katër vite gjindet në Zvicër. Preteksti nuk dihet. Para dy muajve të njejtit policë, patën kërkuar edhe djalin e saj, Fadilin (21).

Skënderaj: – Më 3 gusht, në fshatin Makërmal të Skënderajt, me pretekst të kërkimit të armëve, policia kërkoi Halil, Muhamet dhe Ismet Gjinofcin. Policët pyetën edhe për Halim Goxhulin, tashmë më të ndjerë.

 

8 gusht 1998

Në Vraniq të Dushkajës forcat serbe vranë dy shqiptarë

Dje në orët e pasditës, forca të mëdha ushtarake e policore serbe sulmuan fshatin Vraniq të Dushkajës, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Njoftohet se banorët e këtij fshati i bënë rezistencë këtyre forcave dhe me një luftë të pabarabartë, ranë në mbrojtje të fshatit Mark Tunë Lleshaj (73) dhe Kolë Gjon Lleshaj (30).

Sipas njoftimeve nga terreni u shkatërruan dhe u dogjën disa shtëpi dhe prona të shqiptarëve, në mesin e të cilave edhe shtëpitë e familjes së të ndjerit Mark Tun Lleshaj, Gjon Lleshaj dhe Zef Lleshaj. Kufomat e dy të rënëve, janë sjellë mbrëmë nga policia serbe në morgun e spitalit të Gjakovës, ku ende po qëndrojnë.

Bëhet e ditur se pas dy orë luftimesh të rrepta, popullata e këtij fshati u zhvendos nga shtëpitë e tyre, ndërsa njoftohet se forcat serbe kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Edhe në fshatrat e Rekës së Keqe, mbrëmë janë zhvilluar luftime, sidomos në brezin e ngushtë kufitar nga fshati Koshare deri në rrethin e Junikut.

Njoftohet se forcat vendore të rezistencës dhe njësitet e UÇK-së janë rivendosur në pozicione të tjera, ndërsa një pjesë e popullatës së zhvendosur nga fshatrat Sheremet e Ramoc pasi ishin kthyer në shtëpitë e tyre, dje pasdite forcat ushtarake serbe shtinë me raketa në drejtim të këtyre fshatrave dhe popullatën e këtushme e detyruan që të zhvendoset sërish.

Edhe sot në Gjakovë, po vazhdon ardhja e të zhvendosurve nga shumë fshatra, që janë goditur nga flakët e luftës. Edhe paralagjet e qytetit janë nën presion të fluksit të madh të të ikurve. Përkundër përpjekjeve, gjendja humanitare është shkallëzuar tepër, si në aspektin e strehimit, po ashtu edhe në atë të ushqimit dhe kujdesit mjekësor.

Continue Reading

Vendi

Studentja e UBT-së shpallet fituese e vendit të dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Riciklo – Kreativ 2026”

Published

on

By

Studentja e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Erika Hoti, është shpallur fituese e vendit të dytë në edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar Studentor “Riciklo – Kreativ 2026”.

Ky konkurs rajonal, që bëri bashkë studentë të arkitekturës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vlerësoi projektet më të mira që ndërthurin kreativitetin, qëndrueshmërinë mjedisore dhe vizionin arkitektonik.

Suksesi i studentes së UBT-së u arrit pas vlerësimit të kujdesshëm nga një juri profesionale ndërkombëtare, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, TEG dhe programit B4Students, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e lartë të studentëve të këtij institucioni në skenën mbarëshqiptare dhe rajonale.

Continue Reading

lajme

United Hospital avancon kujdesin për shëndetin e fëmijëve me shërbime të specializuara të kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon përkushtim të veçantë, vlerësim të kujdesshëm mjekësor dhe trajtim të përshtatur për çdo moshë. United Hospital ofron shërbime të specializuara në kirurgjinë dhe urologjinë pediatrike, duke u fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve shëndetësore që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.

Një nga fushat e trajtimit përfshin vlerësimin e problemeve të rënda të zorrëve dhe konstipacionit kronik, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit të zakonshëm. Në rastet e përzgjedhura, procedurat diagnostikuese dhe ndërhyrjet e specializuara mund të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm. Kur dyshohet për sëmundje të lindura të zorrës, analizat histopatologjike mund të jenë të nevojshme për konfirmimin e diagnozës, ndërsa trajtimi përcaktohet nga ekipi mjekësor në bazë të gjendjes individuale të fëmijës.

Për ta bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për prindërit, United Hospital ofron vizita specialistike në kirurgji dhe urologji pediatrike edhe të shtunave, nga ora 10:00 deri në 16:00, me një ekip profesionistësh të përkushtuar ndaj shëndetit të pacientëve të vegjël.

Prindërit që vërejnë te fëmijët e tyre konstipacion të vazhdueshëm, dhimbje të përsëritura të barkut, fryrje apo shqetësime të tjera duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor, në mënyrë që shkaku të identifikohet dhe trajtimi të planifikohet në kohë.

United Hospital – kujdes profesional, vëmendje e veçantë dhe përkushtim për shëndetin e fëmijëve.

📅 Terminet: Çdo të shtunë, 10:00–16:00

📞 Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

📍 Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë, Kosovë

Për informata mbi përshtatshmërinë e procedurave për fëmijën tuaj, konsultohuni me specialistët e kirurgjisë pediatrike./rajonipress/

 

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Të kërkuara