Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Esad Mekuli

 7 gusht 1993

Vdiq dhe u varros Esad Mekuli

Dje, në Prishtinë, në moshën 76 vjeçare, vdiq poeti shqiptar Esad Mekuli, varrimi i të cilit, në praninë e shumë qytetarëve të Prishtinës dhe të viseve tjera shqiptare, u bë sot në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Esad Mekuli u lind më 17 dhjetor 1916 në Plavë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Pejë, ndërsa Fakultetin e Veterinarisë në Beograd, ku edhe u doktorua më 1955.

Poeti Esad Mekuli në kulturën shqiptare mbeti në radhë të parë si poet e përkthyes letrar. Ai gjatë jetës së tij u mor edhe me veprimtari botuese e shkencore.

Esad Mekuli filloi të shkruante poezi që në vitet ’30. Vëllimin e parë dhe më të rëndësishmin, Për ty, e botoi pas një krijimtarie njëzetvjeçare, më 1955. Më 1966 botoi përmbledhjen Dita e re, më 1971 Avsha Ada, më 1973 Vjersha. Redaksia e Botimeve “Rilindja, më 1981, ia botoi poezitë e përmbledhura me titullin Brigjet.

Poezia e Esad Mekulit u botua edhe në gjuhë serbokroate, turke, e gjuhë të tjera të huaja.

Poeti Esad Mekuli ka meritën e madhe në themelimin e revistës së parë letrare në Kosovë, Jeta e Re, të cilën e redaktoi që nga fillimet më 1949 deri më 1974. Ai ishte përkthyes i zellshëm i letërsisë shqipe në gjuhë serbokroate dhe i letërsive të popujve të ish-Jugosllavisë në gjuhën shqipe.

Poeti Esad Mekuli ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovë, një kohë kryetar i saj. Poashtu, ai një kohë ishte kryetar i Klubit të Punëtorëve Letrarë (më vonë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës). Akademik Esad Mekuli ishte kryeredaktor i Redaksisë së Enciklopedisë së Jugosllavisë për Kosovën.

Trupi i Esad Mekulit sot për herë të fundit doli nga shtëpia e tij në orën 12,30 dhe u vendos në lokalet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Prej orës 14 deri në 15 kufomës së të ndjerit iu bënë homazhe.

Pas ceremonisë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, që u mbajt me kërkesën e Esadit, Esad Mekuli u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës në orën 16,30. Në përcjelljen e fundit të Esad Mekulit morën pjesë shumë shkrimtarë e punëtorë publikë të Kosovës dhe qytetarë të Prishtinës dhe të viseve të tjera shqiptare. Në ceremoninë e varrimit folën akademik Idriz Ajeti dhe Adem Demaçi.

 

 

7 gusht 1995

Forcat kroate asgjësuan republikën e vetëshpallur serbe në Krainë

Zyrtarët e Kroacisë deklaruan sot se u asgjësua e ashtuquajtura republikë serbe në Krainë në Kroaci.

Mediumet e huaja njoftuan se sot në mëngjes u çlirua edhe Glina, vendi i fundit që kishte mbetur në duart e kryengritësve serbë në Kroaci.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman vizitoi mes tjerash edhe Kninin, ish-kryeqendrën e serbëve kryengritës.

Në kështjellën e Kninit, që kishte qenë moti seli e mbretit kroat, tash sërish valon flamuri i Kroacisë.

Tugjman tha dje se me këtë fitore, si edhe me fitoren e para disa ditëve në Grahovë të Bosnjës, Kroacisë i hapen mundësitë për “rregullimin e kufinjve” të saj.

Edhe në qytetet tjera të çliruara dje qëndruan zyrtarë të lartë kroatë.

Zagrebi duket i përgatitur që pas fitores ushtarake të vendos shpejtë dhe në mënyrë efikase pushtetin në viset që ishin mbajtur nën okupimin serb katër vjet.

Gjatë ditës së djeshme në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë u takuan të dy ushtritë, ajo kroate dhe ushtria boshnjake që çau rrethimin pas mbi 1.200 ditësh në Bihaq.

Gjerenali musliman Dudakoviq tha për Televizionin Kroat se këto dy ushtri e kanë edhe planin për veprim në të ardhmen. Ai la të nënkuptohej se ekziston plani për çlirimin definitiv dhe të tërësishëm të Bosnjë-Hercegovinës.

Populli kroat po e feston këtë fitore të shkëlqyer mbi kryengritësit serbë, mirëpo në pamjet që u transmetuan mbrëmë në televizionin kroat, megjithatë nuk shiheshin gjurmë të ndonjë lufte të ashpër.

Në emisionin e sotëm të radios “Dojçe Veles” u citua një lajm në një gazetë angleze, e cila, siç thuhej në njoftim, e posedon një shkresë të kryetarit Tugjman për ndarjen e Bosnjës në mes të Kroacisë dhe të Serbisë.

Thuhet se shkresa ishte e majit të këtij viti dhe kishte lindur gjatë një ceremonisë së kremtimit të përvjetorit të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas asaj shkrese, edhe Banja Lluka do t’i takonte Kroacisë, ndërsa disa qytete boshnjake lindore do t’i takonin Serbisë.

Edhe mediumet tjera të huaja ditëve të fundit e kanë ilustruar shpesh luftën kroate me pamje nga takimi i kryetarit Tugjman me kryetarin serb Millosheviq në Karagjorgjevë më 1991.

Pavarësisht prej kësaj, drejt Bosnjës, përkatësisht Banja Llukës po ecin mengadale dhjetëra mijëra refugjatë serbë.

Operohet me shifrën prej 50 mijë deri në 150 mijë refugjatë.

Autoritetet e Kroacisë kanë kërkuar që refugjatët serbë të dorëzojnë armatimin, ndërsa deri sot në mëngjes nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë.

Në një njpoftim thuhej se një aeroplan ushtarak kroatë ka shti me armë në kolonën e refugjatëve, por ky lajm nuk është vërtetuar.

Lidhur me këtë çështje mbrëmë me zyrtarët kroatë bisedoi edhe Jasushi Akashi.

Ndërsa ministri i jashtëm kroat Graniq, lidhur me situatën më të re dhe me pikëpamjet e palës kroate e njoftoi dje në Bruksel ministrin e jashtëm spanjoll Solana dhe funksionarët e lartë të Bashkimit Evropian.

Ndërsa sekretari shtetëror amerikan Kristofer tha dje se ofensiva kroate lehtëson zgjidhjen e çështjeve në rajon. Pas fitores kroate, është shtuar presioni në palën serbe për të kërkuar dhe gjetur zgjidhje me bisedime.

Supozohet se refugjatët serbë do të vendosen në Banja Llukë dhe se atyre nuk do t’u lejohet hyrja në Serbi.

Në një njoftim nga Zagrebi thuhej se Millosheviqi do t’i frikësohet zemërimit të refugjatëve serbë, të cilët e ndjejnë veten të tradhëtuar, prandaj nuk do t’i lejojë të depërtojnë në Serbi.

Ndërsa në Bosnjë vazhdon konlikti në mes udhëheqjes politike të së ashtuquajturës Republikë serbe e Bosnjës, me në krye Karaxhiqin dhe të shtabit ushtarak me në krye gjenerelin Mlladiq.

Ushtarakët e kanë përkrahur deri më tash gjeneralin Mlladiq, ndërsa kuvendi serb në Bosnjë e përkrahu mbrëmë Karaxhiqin.

Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë puçi ushtarak, pasi Mlladiqi ka përkrahjen e Millosheviqit.

Kurse për fatin e kryetarit të Republikës së Krainës, Millan Martiq ende nuk dihet asgjë e sigurtë. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë plagosur ose vrarë.

Në këtë mënyrë, fati i tre serbëve të akuzuar për krime kundër njerëzimit është krejtësisht i zymtë.

Ndërsa gazetat dhe politikanët, duke mos mshehur gëzimin për disfatën e ekstremistëve serbë dhe të politikës agresive serbe regjistrojnë se ra përfundimisht miti mbi ushtrinë e pathyeshme serbe.

 

 

7 gusht 1997

U zbulua përmendorja e Hasan Ramadanit në Shajkofc të Podujevës

Me rastin e trevjetorit të vrasjes së Hasan Ramadanit, në varrezat e Shajkofcit të Podujevës u zbulua përmendorja e këtij dëshmori të vrarë në shtëpinë e vet gjatë një sulmi të forcave okupuese serbe.

Ishin të pranishëm anëtarët e familjes së dëshmorit, banorë të fshatit Shajkofc dhe të fshatrave për rreth, prindërit e të afërmit e dëshmorëve të komunës së Podujevës, përfaqësuesit e Kryesisë së Degës së LDK-së, përfaqësues të Degës së PPK-së dhe përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të Podujevës dhe të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, Beqir Mulolli, sekretar i Aktivit të LDK-së në Shajkofc përkujtoi se Hasan Ramadani sakrifikoi jetën për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të mbrojtur nderin e kësaj toke. Lindjet e dëshmorëve janë të dhembshme, por krenare. Andaj ne këtu në këtë përvjetor edhe njëherë po i bëjmë nderime veprës së madhe të këtij dëshmori. Veprat e këtilla nuk mund të përshkruhen me fjalë, por vetë e dhëna se jemi tubuar këtu tregon se populli nuk i harron dëshmorët që kanë rënë për liri. Veprat e Hasan Ramadanit, Ali Ajetit, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e të tjerëve, janë amaneti për të gjithë ne që më me vendosmëri të luftojmë në jetësimin e idealit të tyre për të cilin ata sakrifikuan atë më të çmueshmen, jetën.

Zbulimin e përmendores, për të cilën dhanë ndihma financiare mërgimtarët tanë në Gjermani e Austri, e bëri dr. Rexhep Gjergji, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Dr. Rexhep Gjergji përkujtoi përshtypjet e tij nga pamjet rrënqethëse këtu e tri vjet më parë në shtëpinë e oborrin e të ndjerit Hasan Ramadanit. Ai tha se fjalët janë të pafuqishme para veprës, rezistencës dhe rënies heroike.

Dr. Gjergji tha mes tjerash se politika e Kosovës ka punuar dhe do të punojë që të ketë sa më pak vrasje të shqiptarëve. Mirëpo, tërhoqi ai vërejtjen, në emër të ruajtjes së qetësisë së rrejshme politike nuk bën të hiqet dorë nga rezistenca e vendosur kundër dominimit serb në Kosovë.

Të pranishmit e shumtë pastaj bënë homazhe pranë varrit të Hasan Ramadanit.

Të përkujtojmë se për shkak të djegies së shtëpisë së mëparshme dhe gjendjes së rëndë të familjes që mbeti pa kulm mbi krye pas sulmit të forcave serbe, në organizimin e LDK-së, me kontributin vendësve të Hasan Ramadanit, të qytetarëve të Kosovës e mërgimtarëve tanë dhe të pronarëve të disa ndërmarrjeve, për familjen e të ndjerit është ngritur një shtëpi dykatëshe.

 

 

7 gusht 1998

Gjakovë: 27 fshatra të pastruara etnikisht

Duke cituar dëshmitarë nga terreni, KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se, ndonëse me një intensitet të ulët, luftimet kanë vazhduar në fshatrat e Rekës së Keqe dhe në anën e Dushkajës të komunës së Gjakovës, ndërkohë që vërehet një ripozicionim i forcave të rezistencës vendore dhe njësive të UÇK-së.

Në njoftim thuhet se që nga fillimi i sulmeve të forcave serbe popullata është shpërngulur tërësisht nga fshatrat: Koshare, Batushë, Molliq, Brovinë, Popoc, Morinë, Ponoshec, Shishman, Nec, Smolicë, Stubëll, Berjah, Nivokaz, Dobrosh, Sheremet, Ramoc, Cërmjan, Gërgoc, Zhabel, Bardhaniq, Jabllanicë, Krelan, Rakovinë, Meqe, Zylfaj, Pnish, Goden.

Zhvendojse të popullatës ka edhe nga fshatra të tjera, prej nga janë shpërngulur një pjesë e madhe e popullatës, kryesisht gra, fëmijë e pleq.

Shumë fshatra të këtyre anëve, si në Dushkajë ashtu edhe në Rekë të Keqe, shtëpive dhe pronave të shqiptarëve po iu del edhe më tutje tymi dhe flaka dhe kjo pjesë mund të llogaritet tanimë si “tokë e djegur”. Vetëm nga këto fshatra, rreth 40. 000 banorë janë zhvendosur në qytet, në fshatra pak më të sigurta ose ende lëvizin në malet dhe luginat përreth, ku tash dhjetë ditë jetojnë në kushte tepër të rënda dhe rrezikohen nga katastrofa humanitare.

Përkundër përpjekjes së popullatës tjetër dhe subjekteve politike, në Gjakovë situata po keqësohet gjithnjë, sepse hyrjet dhe daljet në qytet janë të bllokuara dhe forcat serbe po ushtrojnë një kontroll të rreptë.

 

 

7 gusht 1998

Deçan: Janë boshatisur krejtësisht 12 katunde

Në Deçan shtëpitë e padjegura në fillim të luftës, po digjen me radhë. Brenda këtyre ditëve janë djegë shtëpitë e Sylë Kuçit, Smajl Ibërhysajt, Ukë Iberhysajt, Ramë A. Cacajt dhe Nezir Gramocajt.

Djegiet e tilla qesin në shesh demagogjinë dhe cinizmin serb mbi gadishmërinë e tyre për lejimin e kthimit të të ikurve.

Në komunën e Deçani janë 12 fshatra të boshatisura tërësisht dhe 4 të tjera pjesërisht. Këto fshatra para luftimeve kishin 2400 shtëpi. Sipas të dhënave, më se 60 për qind e tyre janë të djegura dhe të demoluara rëndë, ndërsa 30 për qind më lehtë.

Ka të dhëna për 42 persona të vrarë që s’janë varrosur. Dyshohet se ata janë varrosur në një varrezë masive. Në komunën e Deçanit konsiderohen të zhdukur 92 persona.

Në mesin e të vrarëve, 19 janë femra dhe 5 fëmijë.

 

Dje në malet e Radishevës u varrosën shtatë shqiptarë

Dje në malet e Radishevës, me nderime e dhembje të mëdha u varrosën shtatë shqiptarë nga fshatrat Radishevë e Kotorr të Skënderajt, të cilët para 13 ditësh u vranë duke luftuar me ushtarë e civilë të armatosur serbë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se dje janë varrosur Beqir Mujë Hajrizi (65) dhe djemtë e tij Azem Hajrizi (32) e Faik Hajrizi (28) nga Kotorri, pastaj Shyqri Azem Ahmeti (56), Haxhi Imer Ahmeti (56), Sabit Sadri Ahmeti (27) dhe Alban Muhamet Ahmeti (17) nga Radisheva.

Të përkujtojmë se këta shqiptarë janë vrarë me armë në dorë, duke i mbrojtur trojet e tyre gjatë një mësymje të forcave serbe në këtë anë.

 5 të vrarë gjatë sulmeve të forcave serbe në fshatrat e Drenicës

Gjatë sulmeve njëjavore kundër Rezallës e disa fshatrave tjera të Drenicës forcat serbe qëlluan me artileri të rëndë dhe me raketa tokë-tokë, por forcat e Ushtrisë Çlirimtare i përballuan këto sulme. Pas përpjekjeve të shumta, forcat serbe depërtuan deri në fshatin Likoc, por pas disa orësh u detyruan të tërhiqen në drejtim të fshatit Morinë, njofton kryetari i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Skënderaj, Murat Musliu.

  1. Musliu tha se gjatë sulmeve të forcave serbe u vranë në shtëpitë e tyre: Ilmi (Veli) Kadriu (51) nga Likoci, i cili ishte me të meta psikike, Sokol Aruqi (60) nga Rezalla, një grua e sëmurë nga lagja Zabelaj e Rezallës dhe dy të rinjë nga Abria e Epërme, të cilët nuk janë identifikuar ende për shkak se trupat e tyre janë karbonizuar nga zjarri i shkaktuar nga raketa.

Gjatë këtyre aksioneve forcat serbe kanë djegur pothuaj në tërësi fshatrat: Polac, Kryshec, Morinë, Rezallë, Açarevë, Ticë e Pllozhinë, ndërsa në Likoc kanë djegur lagjet Zymeraj, Veselaj e Topallaj, të cilat gjenden në qendrën e fshatit, duke përfshirë edhe shkollën, Shtëpinë e Kulturës, ambulancën e SHHB “Nëna Terezë” dhe të gjitha dyçanet tregtare e punëtoritë zejtare.

  1. Musliu njofton se dhjetarë mijëra banorë të fshatrave të sulmuara nga forcat serbe kanë shkuar në drejtim të Mitrovicës e të Vushtrrisë, ndërsa shumica e tyre gjenden nën qiellin e hapur. Vetëm në livadhet afër fshatit Vërbovc gjenden mbi 30. 000 banorë të zhvendosur nga kjo anë, kryesisht fëmijë, gra e pleq, ndërsa se banorët e fshatrave përreth po bëjnë të pamundurën për sigurimin e ushqimit e të ujit të pijshëm për ta.

 

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Live

Dështojnë bisedimet për buxhetin: Kryeministri i Belgjikës De Wever ofron dorëheqjen

Published

on

By

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka ofruar dorëheqjen Mbretit Philippe pas dështimit të negociatave për buxhetin brenda koalicionit të tij pesëpartiak.

Nacionalisti konservator flamand, i cili mori detyrën në shkurt të vitit 2025 për të trajtuar borxhin e lartë të vendit, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partnerëve të qeverisë për buxhetin e vitit 2027.

Pallati Mbretëror konfirmoi dorëheqjen, ndërsa Mbreti Philippe e ka shtyrë vendimin për pranimin e saj duke shprehur keqardhje për mungesën e marrëveshjes. Monarku belgjik do të nisë konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të martën, përpara se ta presë sërish De Weverin në takimin e së premtes. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës për dhunë në familje, gjykata e lë në arrest shtëpiak

Published

on

By

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.

Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/

Continue Reading

Të kërkuara