Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Një i vrarë, tre të plagosur dhe së paku pesë shtëpi të djegura (Loxha e Pejës)

6 korrik 1993

Policia ndërmori aksion kundër ish-punëtorëve të Sigurimit të Kosovës

Incidenti që ndodhi të shtunën rreth mesnatës, pas shpërthimit të një bombe në një postbllok të policisë serbe në afërsi të Pejës, dje dhe sot u mor si pretekst nga ana e regjimit të tashëm policor serb në Kosovë, për të shtuar trysninë e represionit në popullatën shqiptare e veçanërisht kjo po ndodh me ish-punëtorët e sigurimit të Kosovës, të cilët janë duke u ftuar në të ashtuquajturat biseda informative dhe njëkohësisht edhe duke u keqtrajtuar në stacionet e policisë.

Merret vesh se vetëm në komunën e Istogut, policia serbe bastisi familjet e 29-të ish-punëtorëve shqiptarë të sigurimit. Nga të gjithë këta ish-milicë shqiptarë, kërkohen uniformat (megjithëse të gjithë me kohë i kanë dorëzuar) dhe po merren në pyetje e keqtrajtohen secili nga inspektorët e sigurimit serb, se ku ishin të shtunën rreth orës 12.30 min., pas mesnate.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, policia serbe bastisi familjet e këtyre ish-milicëve shqiptarë në komunën e Istogut. Në fshatin Kaliqan, u bastisën familjet e Dervish Ukajt, Xhemë Selmanajt, Ramë Metajt, Isa Metajt dhe Zymber Metajt. Në fshatin Vrellë, u bastisën familjet e Faik Marajt e Sadik Blakajt, ndërsa në Istog familjet e Ramë Blakajt dhe Isuf Bujupit. Në fshatin Tomoc, u bastisën familjet e Riza Gjocit, Hajdar Gjocit dhe Izet Halitajt, si dhe në Dubravë, familja e Sadik Hasanajt. Gjithashtu dje, u bastisën edhe shtëpitë e Sylë Alihajdarajt dhe Afrim Alihajdarajt nga Istogu i Poshtëm, pastaj shtëpitë e Islam Berishës dhe Rrustem Berishës nga fshati Saradran. Policia serbe, bastisi edhe familjen e ish-milicit nga Istogu, i cili gjendet përkohësisht i punësuar në Gjermani. Në Istog, u bastis edhe Familja e Kemal Bytyçit, i cili gjithashtu është i punësuar në Zvicër. U bastis po ashtu edhe shtëpia e Musa Fetahut nga fshati Padalishtë. Hysen Berishën, ish-punëtor i Shërbimit të Sigurimit në Istog, policia serbe e urdhëroi që të lajmërohet në stacionin e policisë në Gjurakovc, mbrëmë në ora 24.00. Hyseni, shkoi sot në stacionin e policisë në ora 8, ndërsa merret vesh se ai nuk është liruar ende dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë.

Nga fshati Cerrcë i Istogut, policia serbe ftoi edhe këta ish-milicë; Zhuk Rugovajn, Selman Rugovajn dhe Binak Rugovajn. Policia serbe, në Banjë të Pejës, bastisi edhe familjet e këtyre ish-milicëve shqiptarë, ato të Xajë Gorqajt, Xhevdet Muriqit, Muhamet Loxhajt, Januz Maksutajt dhe të Ismet Imerajt.

Një aksion i këtillë i policisë serbe ndaj ish-milicëve shqiptarë dhe bastisjes së familjeve të tyre, është ndërmarr edhe në Junik. Merret vesh se në Junik, deri tash u bastisën 9 familje, siç janë ato të Hysen Gjotës, Bashkim Gjotës, Beqir Shehut, Hasan Goçit, Nevruz Hasanit, Nimon Tofës, Mehmet Gacaferit dhe atë të Isa Tofës. Policia serbe gjatë bastisjes së shtëpive të këtyre ish-milicëve shqiptarë u soll me vandalizëm, të cilët siç merret vesh thyen dhe demoluan të gjitha orenditë e këtyre shtëpive.

Me këtë pretekst, policia serbe, rrahu edhe disa qytetarë, të cilët ishin duke udhëtuar për në Pejë. Nga këta qytetarë pësuan, Gëzim Blakaj dhe Verim Blakaj nga Vrella, Refki Maksutaj, Isa Zeqiraj, Azem Sefaj, Shaban Belaj dhe Muhamet Gorqaj nga Studenica. Të gjithë këta persona, janë rrahur të njëjtën ditë, afër Shkollës

Ekonomike në Pejë.

Një ekspeditë të këtillë, policia serbe ndërmorri edhe kundër familjeve të ish-milicëve nëpër disa fshatra të Klinës. Në fshatin Rudicë të Klinës, policët hynë në shtëpinë e Avdi Ahmetgjekajt dhe kërkuan Fadil Ahmetgjekajn, ish-polic. Meqë nuk e gjetën në shtëpi, policia serbe thyejti orenditë në këtë shtëpi.

Në fshatin Budisalc të kësaj komune, policia keqtraktoi fizikisht në oborrin e shtëpisë së tyre vëllezërit Nikolla. Tomë Nikollën, ish-polic në pension, vëllain e tij, Lushin e Tushin, djemtë e vëllait të Tomës, Mikelin dhe Antonin, Robertin 13 vjeçar dhe Engjëll Nikollë Gojanin, policia i keqtrajtoi fizikisht. Policia po ashtu bastisi shtëpitë e tyre me pretekst të kërkimit të armëve. Në këtë ekspeditë më së keqi e pësuan, Tomë Nikolla, vëllezërit Lushi, Mikel Antoni dhe Engjëll Gojani, të cilëve iu shkaktuan edhe lëndime të rënda trupore.

Policia serbe, bastisi edhe shtëpinë e Fran Dushit në Budisalc dhe lanë porosinë që Pjetri, ish-polic, të lajmërohet në stacionin e policisë në Klinë.

Pasdite, policia serbe, bastisi edhe shtëpinë e Pren Berishës në fshatin Jagodë dhe kërkuan Palush Berishën, po ashtu ish-polic. Edhe në këtë familje, policia serbe thyejti mobilet.

Rreth orës 20, policia rrethoi shtëpinë e Mark Pren Tanushit, ish-polic në pension, u fut me dhunë në shtëpinë e tij dhe shkatërroi orendi të ndryshme shtëpiake. Me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi edhe shtëpinë e Llesh Tanushit, ngase, siç thanë këta policë, djali i tij, Nikolla, ish-polic, gjoja poseduaka armë.

Gjatë tërë ditës së djeshme, policia serbe kontrolloi hyrje-daljet në Klinë dhe bastisi gjithë kalimtarët.

6 korrik 1994

“Bujku”: Arma serbe në duar të shqiptarëve

Në gazetën e sotme “Bujku” është botuar një koment lidhur me njoftimet se në Prishtinë është burgosur një numër i inspektorëve serbë dhe disa qytetarëve shqiptarë për shkak të kontrabandës me armë në Kosovë.

Në fillim të komentit thuhet se që nga dimri i vitit 1990-91 në Kosovë po zbatohet në formën më të vrazhdë dhuna mbi familjet shqiptare, me pretekst të kërkimit të armëve.

Para katër vjetëve aksioni nisi në fshatrat Pollatë, Tërrnavë e Dumnicë të Podujevës, me atë rast duke marrë edhe viktimat e para. Ndërkohë, me intensitet herë më të madh e herë më të vogël çetat ndëshkuese policore, përmes skenarëve të përgatitur nga shtabe të posaçme policore e ushtarake, ndërhynë në mijëra familje shqiptare duke bërë terror – pra duke rrahur e keqtrajtuar kryefamiljarë dhe anëtarë të moshave të ndryshme të këtyre familjeve.

Më tutje në koment thuhet se që nga fillimi i këtij aksioni të gjerë të dhunës, qëllimi i regjimit serb ishte të shkaktojë psikozë të frikës kolektive, në mënyrë që shqiptarët masivisht të shpërngulen nga Kosova. E dhëna se represioni masiv nisi në fshatrat veriore të Kosovës, përkatësisht në pikën më të afërt me Serbinë, dëshmon synimin historik për të realizuar programin serb për spastrime etnike të Kosovës nga etnosi shqiptar.

Duke mos qenë në fillim i kënaqur me rezultatet e këtyre ekspeditave dhe, duke shfrytëzuar atmosferën tepër të rëndë të sigurisë në Kosovë, përmes organeve policore serbe, që nga viti 1991, në disa raste regjimi serb organizoi shpërndarjen e sasive të kufizuara të armëve, kryesisht të automatikëve, revoleve dhe të municionit në disa komuna të Kosovës. Këto armë dorë pas dore arrijnë edhe në duar të shqiptarëve, duke qenë që më parë nën përcjellje të plotë të organeve të sigurimit serb. Burgosja punëtorëve të sigurimit serb: Cvetkoviq, Marjanoviq e Çirkoviq, që u bë këto ditë me akuzën se ata gjatë viteve 1992-94 shqiptarëve u kanë shitur një sasi të konsidrueshme të automatikëve, bombave e plumbave, është vetëm njëra nga dëshmitë për lojën serbe që pasi të jenë shitur e shpërndarë, armët e tyre të tubohen me ekspedita e terror. Kjo formë e shpërndarjes së armëve nga persona të kontrolluar nga regjimi u përdor apo tentoi të përdoret pothuaj në të gjitha komunat e Kosovës. Përmes qendrave të kontrolluara serbe, shqiptarëve iu shitën armë në komunat e Prizrenit, Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës, Malishevës, Kamenicës, Gjilanit, Gllogovcit, Lipjanit etj.

Shpërndarja dhe shitja e sasive të armëve jo rrallë koincidon me pasivitetin e subjekteve politike shqiptare në terrene të caktuara, thuhet në mes tjerash në komentin e gazetës “Bujku”.

 

6 korrik 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Skënderaj: – Më 1 korrik, rreth orës 4:00 të mëngjesit, forca të mëdha të policisë serbe rrethuan shtëpinë e Halit Gashit në fshatin Rezallë të Skënderajt dhe arrestuan djalin e tij Adem Gashin. Ai u dërgua në stacionin e policisë dhe u keqtrajtua, ndërsa policia atë e kërcënoi se do të dërgohet në gjyqin ushtarak të Nishit.

Nga 6 qershori i këtij viti, me pretekst të kërkimit të armëve vazhdon të merret në polici, Hashim Zeka nga Turiqefci i Skënderajt. Hashim Zeka është drejtor i SHF “Liria” të Turiqefcit, i cili kohë më parë ka dorëzuar një revole, pronë e shkollës, e cila shërbente për lëndën e mbrojtjes popullore. Nga ai policia po kërkon edhe një pushkë të markës “M-48”.

Klinë: – Më 2 korrik, policia me pretekst të kërkimit të armëve thirri Rifat Racin nga Klina. Ai u mbajt rreth një orë e gjysmë në polici, u keqtrajtua fizikisht, si dhe u urdhërua që të paraqitet sërish të nesërmen në polici. Njoftohet se Rifat Raci është keqtrajtuar në polici edhe më 3 korrik.

Më 3 korrik, policia thirri Mirosh Zefin, anëtar i Kryesisë së FR të Degës së LDK-së në Klinë. Ai me pretekst të dorëzimit të armëve u mbajt deri të nesërmen në polici.

Më 28 qershor, policia ua mori pasaportat Sali Pantinës dhe Bajram Balajt nga Gllareva, kurse Bajram Balajt ia lanë ftesën për t’u paraqitur sërish në polici.

Më 29 qershor, në fshatin Cerovik, policia me të njëjtin pretekst ishte edhe në shtëpinë e Rrahman Dakajt. Ai u urdhërua që së bashku me djalin e tij Fatmirin, të paraqitet në stacionin e policisë në Klinë.

Po këtë ditë, policia me të njëjtin pretekst ishte në shtëpinë e Miftar Dakajt në Ceroviku.

Më 30 qershor, policia me të njëjtin pretekst ishte edhe në shtëpinë e Shaban Dakajt nga i njëjti fshat, më ç’rast urdhëruan djalin e Shabanit, Kajtaz Dakajn që të paraqitet në stacionin e policisë në Klinë.

Më 1 korrik, policia ishte sërish në shtëpinë e Miftar Dakajt dhe pyeti për djalin e tij Artan Dakajn.

E njëjta patrullë e policisë ishte edhe në shtëpinë e Abaz Asllanajt në Cerovik, të cilin e bastisën dhe ia morën dy djemtë e tij Izet e Sefer Asllanaj, të cilët u keqtrajtuan fizikisht në stacionin e policisë në Klinë.

Po këtë ditë, e njëjta patrullë e policisë bastisi shtëpinë e Xhemë Gashit nga Ceroviku.

Podujevë: – Nënkryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, dr. Ali Lahu, sipas urdhrit, u paraqit dje në stacionin e policisë në Podujevë. Pas një ore ai u lirua dhe iu kthye pasaporta, të cilën policët ia kishin marrë disa ditë më herët, me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij.

 

7 korrik 1997

Hamdi Gashi: Grurin ta mbajmë dhe ta qeverisim vetë!

Për fushatën e korrje-shirjeve kemi filluar të bisedojmë nga momenti i mbjelljes së grurit, pra vjeshtën e shkuar, çka do të thotë se kësaj çështjeje i kemi kushtuar kujdes në Këshillin për Bujqësi të Republikës së Kosovës. Gjithherë e kishim në rend dite këtë çështje, ngase kishim të mbjellë afro 100 mijë hektarë grurë, të cilët sot duhet të korren. Mund të them se në të gjitha komunat janë bërë të gjitha përgatitjet, në kushtet dhe rrethanat në të cilat veprojmë, për një fushatë të suksesshme të korrje-shirjeve, tha në fillmim të një bisede për gazetën “Bujku”, mr. Hamdi Gashi, kryetar i Këshillit për Bujqësi të Republikës së Kosovës.

Duke u përgjegjur në pyetjen a ka vërejtje në terren rreth çmimeve të përcaktuara për korrje-shirje, z. Gashi tha: “Këshilli për Bujqësi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me këshillat komunale për bujqësi, pas llogaritjeve të shumta, ka përcaktuar çmimet e sivjetshme të korrje-shirjeve. Një hektar grurë i korrur kushton 110 DM, ndrërsa me lidhje të kashtës 130 DM. Grunajat e shira me garnitura shirëse, për një hektar, marrin dhjetë për qind të grurit në emër të ujemit. Nga raportet e sjella nga terreni, nga ana e përfaqëseuesve të këshillave komunale, del se autokombajnerët janë të kënaqur me çmimet e përcaktuara, ndërsa nga ana e prodhuesve të grurit ka paksa pakënaqësi. Mendoj se jemi munduar t’i përcaktojmë çmimet reale dhe të mos e dëmtojmë as prodhuesin e grurit, as autokombajnerët, ngase edhe njëri edhe tjetri janë prodhues tanët”.

– Bujqit edhe në këto kushte të tashme gjithnjë janë solidarë dhe, duke pasur parasysh se nga arsimi e deri te shërbimet e tjera punojnë dhe veprojnë në kushte shumë të rënda ekonomike, nuk i kursejnë ndihmat e tyre as në korrje-shirje. Është miratuar dhe po përfillet propozimi që prodhuesit e grurit nga çdo hektar grurë i korrur të ndajnë nga 50 kilogramë grurë për më skamnorët, ndërsa pronarët e autokombajnave nga dhjetë kilogramë grurë për çdo hektar të korrur. Kjo është një ndihmesë e fuqishme rezistencës sonë dhe synimeve tona për realizimin e pavarësisë sonë, tha mes tjerash në këtë bisedë mr. Hamdi Gashi.

6 korrik 1998

Në Piranë të Prizrenit u gjetën tre shqiptarë të vrarë

Sot në mëngjes, në Piranë të Prizrenit u gjetën trupat e pajetë të Muhamet Elshanit (56), djalit të tij, Afrimit, rreth 25 vjeç, dhe Salih Gashit, rreth 20 vjeç, të tre nga Pirana.

KI i Degës së LDK-së në Prizren njofton se trupat e tyre u gjetën në një arë me misër, ku kishin shkuar mbrëmë për të ujitur.

Muhameti është qëlluar me një plumb pas veshit dhe me rafal në gjoks, ndërsa trupat e Afrimit dhe Salihut janë të masakruar.

Muhameti është pronar i mullirit elektrik në fshat, ndërsa Salihu ishte punëtor në këtë mulli.

Deri tash ka njoftime për kryesit e këtij akti që ka zgjuar indinjatë të thellë te banorët e kësaj ane.

Varrimi i tyre do të bëhet sot.

Ndërkohë, në drejtim të fshatit Piranë sot janë shtuar forcat policore.

Një i vrarë, tre të plagosur dhe së paku pesë shtëpi të djegura në Loxhë të Pejës

Shumë shtëpi të Loxhës së Pejës po digjen flakë si pasojë e granatimeve dhe sulmit serb që filloi sot rreth orës 8.

Fshati po granatohet nga forcat e stacionuara në Zagërm, ndërsa në aksion, bashkë me forcat policore, po marrin pjesë edhe serbët e Gorazhdecit, fshat fqi me Loxhën.

Njoftohet se dje pasdite fshati u sulmua nga policët që erdhën me dy pizgauerë, pikërisht në kohën kur nënkryetari i qeverisë së “rfj”-së, Vojisllav Sheshel vizitoi Gorazhdecin, fshat i banuar kryesisht me serbë. Po gjatë kësaj kohe, në postbllokun policor në Loxhë policia keqtrajtoi shumë shqiptarë.

Shkas për fillimin e sulmit ishte përpjekja e policiëve për të arrestuar një të ri shqiptar, ndërsa pas ndërhyrjes së banorëve të fshatit filluan të shtënat nga të dy anët. Me këtë rast u plagos rëndë Tahir S. Shala (35) nga Loxha, i cili vdiq më vonë nga plagët. Njoftohet se me këtë rast është plagosur edhe një polic serb.

Mësohet se gjatë sulmit të sotëm në Loxhë janë djegur së paku pesë shtëpi në periferi të fshatit.

Luftimet po zgjasin ende, ndërsa dyshohet se mund të ketë të plagosur e të vrarë. Deri tash ka njoftime për tre të plagosur, emrat e të cilëve nuk dihen.

Nga Loxha dhe nga fshatrat përreth janë larguar gratë, pleqtë dhe fëmijët, ndërsa policia ka urdhëruar banorët që i kanë shtëpitë buzë rrugës që çon për në Loxhë që të largohejn nga shtëpitë e tyre.

Me urdhërin e policisë, sot në varrezat e Pejës u varros Muhamet Sefer Hoxha (38) nga Gllareva e Klinës, i cili u vra të premten e kaluar, gjatë operacionit ushtarako-policor për zhbllokimin e Kijevës. Trupi i tij që atë ditë ka qëndruar në morgun e spitalit të Pejës.

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me 2 vjet e 3 muaj burgim infermierja për sulm ndaj të moshuarës në Pejë

Published

on

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtore Aurona Pelaj për veprën penale “sulm”, lidhur me rastin e vitit 2022 në shtëpinë e kujdesit në Pejë, ku ajo ishte e angazhuar si infermiere.

Gjykata e ka dënuar të pandehurën me 2 vjet e tre muaj burgim për sulmin ndaj një të moshuare të diagnostikuar me Alzheimer, e cila ishte e vendosur në atë institucion për përkujdesje.

Sipas aktgjykimit, e pandehura ka përdorur forcë ndaj viktimës derisa ishte në detyrë, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur. Ajo, sipas gjykatës, e ka kapur të moshuarën për duar, ia ka kufizuar lëvizjet, e ka mbështetur për muri dhe e ka goditur disa herë me shuplaka në fytyrë.

Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 2 nëntori deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata ka shqiptuar gjithashtu masën e ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për një periudhë pesëvjeçare, duke filluar nga momenti kur vendimi merr formë të prerë.

Ndërkohë, dy të akuzuara të tjera në këtë rast janë liruar nga akuza për bashkëkryerje.

Në momentin e shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarat nuk ishin të pranishme në sallën e gjykatës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zjarri masiv në Francë detyron evakuimin e rreth 10 mijë banorëve pranë kufirit me Spanjën

Published

on

Një zjarr i madh pyjor që po përhapet me shpejtësi në jugperëndim të Francës ka detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 10 mijë banorë nga 24 qytete dhe fshatra pranë kufirit me Spanjën.

Sipas autoriteteve franceze, flakët kanë përfshirë rreth 4.600 hektarë tokë në zonën kodrinore pranë maleve Pirenej, ndërsa erërat e forta pritet ta vështirësojnë edhe më shumë përpjekjen për shuarjen e zjarrit.

Prefekti lokal, Pierre Regnault de la Mothe, tha se situata mbetet shqetësuese, ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se kushtet janë përkeqësuar.

“Kushtet janë bërë edhe më të vështira. Sot beteja kundër zjarrit vazhdon”, tha ai për televizionin francez TF1.

Autoritetet theksojnë se valët e të nxehtit që kanë goditur Francën dhe pjesë të tjera të Evropës Perëndimore gjatë muajve maj dhe qershor kanë tharë sipërfaqe të mëdha toke, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve pyjore.

Ndërkohë, në anën spanjolle të kufirit, zjarri ka djegur rreth 2.200 hektarë, ku 97 për qind e sipërfaqes së prekur ndodhet në zonën e mbrojtur natyrore Les Gavarres.

Autoritetet katalanase kanë bërë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll dhe pritet të shuhet plotësisht gjatë kësaj jave.

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar edhe në provincën Castellon, në lindje të Spanjës, ku rreth 500 persona janë evakuuar pasi flakët përfshinë Parkun Natyror Sierra de Espadan, një zonë e njohur për pyjet e saj me lisa të tapës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

12-vjeçarja rrëfen tmerrin pas 32 orësh nën rrënojat e tërmetit në Venezuelë: Mendova se do të vdisja

Published

on

Fabiana Blanco, një vajzë 12-vjeçare, ka rrëfyer momentet e tmerrshme që përjetoi pasi mbeti e bllokuar për 32 orë nën rrënojat e tërmetit të 24 qershorit në Venezuelë.

“Pashë gjëra që dridheshin, binin e thyheshin, pastaj muret u çanë. Muri që ndante apartamentin tim nga ai i një shoku u shemb. Në atë moment mendova se do të vdisja. Askush nuk do të më shpëtonte”, ka treguar ajo.

Nëna e saj, Karina, ndodhej në punë kur ndodhi tërmeti. Sapo mori lajmin, ajo vrapoi drejt banesës në Caraballeda, ku vajza kishte mbetur vetëm.

“Po vrapoja nga njëri skaj i kompleksit në tjetrin duke bërtitur: ‘Vajza ime ka vdekur’. Nuk dija çfarë të bëja”, rrëfeu Karina, pasi pa gjysmën e shtratit të Fabianës që dilte nga rrënojat.

Shpresa u rikthye kur një infermiere, e cila gjithashtu kishte mbetur e bllokuar, filloi të thërriste për ndihmë. Fabiana iu përgjigj, ndërsa gjashtë orë pas tërmetit infermierja u shpëtua dhe u tregoi vullnetarëve se brenda rrënojave ndodhej ende gjallë një vajzë me emrin Fabiana.

Ndërkohë, 12-vjeçarja mbeti e bllokuar në kushte tepër të vështira.

“Njëra këmbë më ishte lënduar. U gërvishta dhe u preva, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë. Ato më ndihmuan të qëndroja e vetëdijshme”, tregoi ajo.

Në mëngjes, zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta kontaktonin, por nuk morën përgjigje, duke shtuar ankthin e familjes.

Më vonë, një vullnetar i quajtur Viktor u ngjit mbi rrënoja dhe vazhdoi ta thërriste derisa Fabiana arriti ta dëgjonte dhe t’i përgjigjej.

Pas 32 orësh, ekipet e shpëtimit hapën një tunel të ngushtë dhe arritën ta nxirrnin të gjallë.

Përveç një frakture në këmbën e majtë dhe disa gërvishtjeve e mavijosjeve, Fabiana nuk pësoi lëndime të rënda. Megjithatë, ajo thotë se përjetimi ka lënë pasoja emocionale dhe frika nga ajo natë e tmerrshme e shoqëron ende./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify, artistja e parë me katër albume mbi 5 miliardë dëgjime

Published

on

Ylli botëror me rrënjë shqiptare, Dua Lipa, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke vendosur një rekord historik në platformën muzikore Spotify.

Këngëtarja është bërë zyrtarisht artistja e parë femër në histori që ka katër albume me mbi 5 miliardë transmetime (streams) secili.

Sipas statistikave të publikuara së fundmi, Dua Lipa ka thyer një rekord të ri, duke dëshmuar se katalogu i saj muzikor vazhdon të dominojë në nivel global dhe të tërheqë miliona dëgjues në mbarë botën.

Suksesi i saj përfshin rrugëtimin nga albumi debutues deri te dominimi i skenës pop me albumin “Future Nostalgia” dhe projektet e saj më të fundit.

Hite si “New Rules”, “Don’t Start Now” dhe “Levitating” vazhdojnë të regjistrojnë miliarda dëgjime, duke e bërë Dua Lipën një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop bashkëkohore.

Arritja e mbi 5 miliardë dëgjimeve për katër albume të ndryshme konfirmon ndikimin e saj afatgjatë në industrinë muzikore dhe suksesin që shkon përtej trendeve momentale./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara