Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

30 tetor 1993

Minir Azemi u dërgua me dhunë për të tretën herë në shërbim ushtarak

Më 27 tetor të këtij viti, rreth orës 11 në Mitrovicë, pesë policë dhe dy ushtarë serbë, hynë në shtëpinë e Ragip Azemit dhe arrestuan djalin e tij, Minir Azemin (20), të cilin e dërguan me dhunë për ta kryer shërbimin ushtarak në një kazermë ushtarake në Nish.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, njofton se Minir Azemi deri tani është dërguar dy herë në shërbim ushtarak dhe ka dezertuar, ndërsa kësaj radhe, siç theksoi babai i tij, Miniri gjendet në paraburgim në një burg ushtarak të Nishit.

 

30 tetor 1995

Internacionalja e Arsimit dënon dhunën serbe ndaj mësuesve shqiptarë

Education International, (Internacionalja e Arsimit) javën që shkoi iu drejtua Sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, Butros Butros Galit, drejtorit të përgjitshëm të UNESKO-s, Federiko Majorit, Unionit Evropian, si dhe të gjitha organizatave të arsimit anëtare të kësaj organizate botërore, me një apel në të cilin thuhet: “Gjatë katër vjetëve të fundit, Internacionalja e Arsimit ka përcjellur vazhdimisht situatën në fushën e arsimit në Kosovë si dhe persekutimin, torturimin dhe burgosjen e mësuesve shqiptarë vetëm për arsye se japin mësim në gjuhën shqipe” dhe shton se vetëm gjatë javës së tretë të tetorit, autoritetet e instaluara serbe kanë arrestuar 16 mësues në shkollën “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, si dhe i ka dënuar ata me nga 15 ditë burg. Në këtë apel thuhet gjithashtu se: “qëllimi i dhunës së këtyre ditëve nga autoritetet serbe është që ta shkatërrojnë komplet arsimin e mesëm, si dhe ndërrimin e strukturës etnike në rajon duke vendosur mijëra refugjatë serbë nga Kroacia në Kosovë, duke u dhënë atyre pronat e marrura nga shqiptarët.”

Në letër kërkohet nga të gjitha organizatat nacionale të arsimit, anëtare të Internacionales së Arsimit që të protestojnë ndaj keqtrajtimit të mësuesve shqiptarë duke iu shkruar kombeve të bashkuara, si dhe ministrive të jashtme të sheteve të tyre.

Në letrën që Internacionalja e Arsimit u dërgon sindikatave të bashkuara të arsimit të Kosovës, thuhet se kjo organizatë qëndron prapa përpjekjeve të mësuesve shqiptarë në normalizimin e arsimit shqip në Kosovë.

 

 30 tetor 1997 

Eliot Engël: Ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës

Kongresmeni i njohur amerikan Eliot Engël, bashkëkryetar i Këshillit për Çështjen Shqiptare, tha në një intervistë për gazetën “Koha Ditore” se ka kërkuar nga administrata amerikane një përfaqësues të veçantë për Kosovën. Në këtë mënyrë do të ngritej çështja e Kosovës në një nivel më të lartë dhe do ta detyronte Qeverinë amerikane që t’i kushtojë rëndësi Kosovës në mënyrë të ngjashme me rastin e Qipros. Është shumë me rëndësi dhe duhet ta realizojmë.

  1. Engël tha se Qeveria amerikane duhet t’ia bëjë të qartë Milosheviqit se ne presim që ai ta zbatojë marrëveshjen e arsimit dhe ta përfshijë Universitetin. Për mua është e tmerrshme të imagjinosh që të arrihet një marrëveshje, dhe të mos përfshijë studentët e Universitetit. Nuk do të ekzistonte asnjë arsye që dr. Rugova ose kushdo tjetër që i përfaqëson shqiptarët të bisedojnë për një marrëveshje që nuk përfshin universitetin.

Pra, për autoritetet serbe, që thonë se kjo marrëveshje nuk paska përfshirë universitetin, është qesharake.

Ai tha se SHBA-të dhe administrata amerikane duhet t’ia bëjnë shumë të qartë Milosheviqit se duhet të zbatohet marrëveshja që e ka firmosur.

  1. Engël theksoi se Perëndimi nuk duhet të jetë më i butë me Millosheviqin pasi që një nacionalist si Shesheli mund të fitojë zgjedhjet. Duhet t’i bëjmë sa më shumë presion dhe duhet që ai të kuptojë se nuk mjafton të jesh më pak i keq nga dy të këqij, por se duhet ta ketë një politikë më të mirë në Kosovë dhe se duhet t’i zbatojë në përpikmëri marrëveshjet që i ka nënshkruar, në veçanti marrëveshjen e arsimit.

Kongresmeni Engël tha se nënsekretari Gelbart do të shkojë në Kosovë javët e ardhshme. Unë u takova me të në Romë dhe jam i bindur që ai i kupton dhe i njeh në hollësi çështjet. Ai po bën atë që duhet ta bëjë duke i bërë presion Milosheviqit. Administrata i ka thënë qartë Milosheviqit se nuk do të hiqet muri i jashtëm i sanksioneve derisa të zgjidhet çështja e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe unë mendoj se është bërë punë e mirë. Pastaj nuk duhet harruar se kjo administratë e hapi zyrën e USIA-s në Prishtinë, në hapjen e së cilës mora pjesë vitin e kaluar.

  1. Engël shfaqi mendimin se administrata e tashme amerikane ka një politikë të mirë. Megjithatë, njerëz si unë duhet vazhdimisht t’i shtyjmë që të sigurojmë se po ecin në drejtim të duhur. Duhet t’i kujtojmë vazhdimisht për gjërat që mendoj se duhen ndërmarrë me shpresë se do t’i bëjnë.

Ai tha se javën e ardhshme do ta kemi një dëshmi në Grupin për Çështjen shqiptare në Kongres ku janë ftuar si dëshmitarë ambasadori Gelbart dhe zonja Eileen Malloy (koordinatore për Ballkanin në Departamentin e Shtetit).

Kongresmeni Engel përkujtoi se para disa kohësh ka kërkuar vetëpërcaktim për popullin e Kosovës. Kam thënë ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës, sepse besoj se shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë për vetëpërcaktim. Është e drejta e tyre të vendosin nëse duan të jenë një komb i pavarur, ose duan të bashkohen me Shqipërinë, ose nëse duan të mbetën në kuadër të federatës së re jugosllave si partner i barabartë. Unë mbështes atë që do populli i Kosovës për ardhmërinë e kmobit të tyre. Administrata dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë ardhur në këtë përfundim ende, dhe flasin ende për autonomi. Unë mendoj se koha për autonomi ka kaluar, me përjashtim, nëse është një hap drejt vetëpërcaktimit. Siç kam thënë gjithmonë, autonomia nuk pati sukses kur Jugosllavia ishte e plotë dhe kur ekzistonte kundërbalanci i sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve. Njerëzve të Kosovës iu hoq autonomia pa i pyetur fare. Asnjë komb dhe asnjë popull nuk do që t’i përsëritet kjo. Tani Jugosllavia është Serbia dhe Mali Zi, ku serbët dominojnë. Kur një autonomi nuk ishte e qëndrueshme për shqiptarët më parë, tani do të ishte edhe më pak e qëndrueshme. Serbët duan të dominojnë me çdo gjë dhe kjo u pa shumë qartë gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi. Nëse populli i Malit të Zi dëshiron pavarësi, unë e mbështes vullnetin e popullit dhe e kërkoj të njëjtën edhe për shqiptarët në Kosovë të cilët e përbëjnë shumicën, tha mes tjerash në këtë intervistë kongresmeni Eliot Engël.

 

30 tetor 1998

NATO: Rreth 2000 ushtarë të armatosur vendosen afër Kosovës

Këshilli i NATO-s do të debatojë rreth mënyrës së si të mbrojë vëzhguesit e paarmatosur në Kosovë. Strategët ushtarakë të NATO-s po punojnë me shpejtësi, pasi tashmë në Kosovë ndodhën më shumë se 150 vëzhgues, shumica diplomatë, njoftoi “Zëri i Amerikës”.

Burimet e NATO-s bëjnë të ditur se ka të ngjarë që forca mbrojtëse të përbëhet nga rreth 2000 ushtarë. Pentagoni njofton se në këtë forcë që do të vendoset diku në afërsi të Kosovës, nuk do të ketë ushtarë amerikanë, mirëpo Uashingtoni mund të ofrojë ndihmë në aspekte të tjera.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se forca mbrojtëse ka mundësi të vendoset në Maqedoni. Mirëpo një zëdhënës i Ministrisë maqedonase të mbrojtjes thotë se ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë. Strategët ushtarakë të NATO-s ende nuk kanë përfunduar shumicën e hollësive përfshirë përmasat e forcës, mjetet dhe pajimet e nevojshme dhe cilat vende do të japin trupa. Aleanca njofton se po shqyrton mundësinë e vendosjes së këtyre trupave në Shqipëri, Maqedoni ose në det nëpër anije, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Planifikuesit po punojnë me shpejtësi pasi më shumë se 115 vëzhgues, shumica diplomatë tashmë ndodhen në Kosovë dhe pritet që ky numër të dyfishohet shumë shpejt.

Foto: Eliot Engël

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara