Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

Foto: Afër Vushtrrisë (foto)u vendosën 400 kolonistë të rinj serbë

 

 

30 korrik 1993

 

Në Podujevë erdhën përforcime të reja të policisë serbe

 

Nga Podujeva, merret vesh se gjatë ditës së djeshme, erdhën përforcime të reja policore serbe si në qytetin e Podujevës ashtu edhe në rrethinë. Krahas këtyre përforcimeve policore, hetohen edhe persona civilë serbë, të cilët po i bastisin dhe provokojnë vazhdimisht qytetarët.

Merret vesh se një njësi ushtarake serbe, e cila ndodhej në Përpellac, ndërroi vendqëndrimin. Ky njësit ushtarak serb kaloi nëpër fshatrat Pollatë, Repë e Metohi, por nuk dihet ende se në ç’vend është përqëndruar.

Avni Zhitia (1972) nga fshati Llugë i Podujevës, merret vesh se nuk është liruar ende që nga 26 korriku kur atë e arrestoi policia serbe. Në arrest po mbahet edhe Gazmend Ejupi (17) nga Sekiraqa, të cilin policia serbe e transferoi në Prishtinë, ndërsa dëshmitarët që ishin së bashku me të dëshmojnë se Gazmendi nga ana e policisë serbe është rrahur brutalisht.

Pas bastisjes së policisë serbe që u bënë në lagjen e Breznicëve në fshatin Sekiraqë, u gjet kokardas e radikalëve të Sheshelit dhe të “tigrave” të kriminelit Arkan.

 

 

30 korrik 1994

 

U identifikua edhe i vrari i dytë nga forcat serbe në Zhur

 

Dje, duke u mbështetur në një informacion të Degës së LDK-së në Prizren njoftuam se më 27 korrik, rreth orës shtatë të mëngjesit forcat serbe vranë në zonën kufitare me Shqipërinë, nja 300 metra në thellësi të territorit të Kosovës, afër vendit “Varri i Pashtrikut” Bekim Latif Nezajn, nga fshati Romajë e Prizrenit dhe një të ri tjetër nga fshati Damjan i Gjakovës, emri i të cilit nuk dihej.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njoftoi se i vrari nga Damjani ishte Agron Duraku (1974).

 

 

Si dezinformojnë mediumet serbe për vrasjen e gjashtëvjeçarit Fidan Brestovci

 

Lidhur me vrasjen e fëmijës gjashtëvjeçar Fidan Brestovcit dhe plagosjen e prindërve të tij Bajrushit dhe Makfires, disa mediume serbe kanë njoftuar opinionin e tyre vetëm duke cituar kumtesën zyrtare të organeve të instaluara serbe. Ndërsa radiotelevizioni serb nuk ka njoftuar fare për këtë rast.

Serbët e instaluar në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë kumtuan pardje se vrasës i fëmijës gjashtëvjeçar ishte polici Boban Krstiq.

Në kumtesë thuhej se vrasja ishte bërë me pahir dhe se polici serb kishte shtënë me armë zjarri në veturën e Bajrush Brestovcit, gjoja duke kujtuar se po shtinte gjoja në një kriminel për të cilin ishte ngritur prita.

Në kumtesë, një pjesë e fajit i lihej edhe Bajrush Brestovcit, i cili, sipas pohimeve të policisë serbe gjoja nuk kishte respektuar sinjalizimin e policisë për t’u ndaluar.

Këto pohime i hodhi posht në tërësi Bajrush Brestovci. Ai tha se në veturën e tij është shtënë papritmas në një vend në mes fshatrave Rahovicë e Softoviq, ku në të dy anët e rrugës qëndronin dy grupe njerëzish, ndërsa vetëm një prej tyre kishte uniformë të pylltarit.

Ndërsa lidhur me gjoja sinjalin me dritë që i është dhënë, Bajrush Brestovci i tha dje QIK-ut: – Nuk më është dhënë kurrëfarë sinjali për t’u ndalur, as sinjal drite, e as ndonjë shenjë tjetër. Unë jam vozitës profesionist qe 25 vjet, ndërsa tash jam pronar i firmës “Baki” dhe me dy autobusë mbaj dy vija të qarkullimit të udhëtarëve. Unë nuk kisha pse të ikja, isha te miqt e mij dhe po kthehesha në shtëpi bashk me gruan dhe fëmijën.

  1. Brestovci tha gjithashtu se e kishte rritur shpejtësinë e veturës vetëm pasi ishte qëlluar me armë në të, në fëmijën dhe gruan e tij.

Duke pasur të gjitha parasysh, Bajrush Brestovci ishte i bindur se ky është një akt terroristik i planifikuar, përkundër përpjekjeve serbe për të relativizuar peshën e fajësisë së një polici serb, të identifikuar si vrasës me pahir.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke u mbështetur në versionet e policisë serbe, sipas njoftimit të botuar sot në disa gazeta serbe, vazhdon me dezionformimin e opinionit për këtë akt terroristik.

Mjafton të regjistrohet vetëm një gënjeshtër e kësaj agjencie për ta pasur të qartë nivelin e saj profesional e moral.

Duke transmetuar gjoja njoftimet dhe reagimet e familjes e të opinionit shqiptar për këtë akt, Tanjugu thotë: -“Bujku” publikon deklaratën e babait fatkeq Bajrush Brestovcit se nga ana e patrollës së policisë nuk është dhënë kurrëfarë sinjali, edhepse ai thotë se në të dy anët e rrugës ka parë veturat e policisë me drita të ndezura dhe disa policë.

Siç shihet Tanjugu, në bashkëpunim me policinë serbe ia mvesh Bajrush Brestovcit fjalët që nuk i ka thënë. Madje vetë Tanjugut nuk i ishte kujtuar që në komunikatën e shpallur pardje ta prezentonte diku në rrugën mes fshatrave Rahovicë e Softoviq policinë serbe me veturat e saj.

Në kumtesat e deritashme të policisë serbe duken krejtësisht të pavërteta fjalët për gjoja dhënjen e sinjalit me dritë për ndalim.

Poashtu edhe vozitja që gjoja të palgosurve dhe të Fidanit të vrarë u bëri deri në spital në Prishtinë vetë vrasësi është një manipulim.

 

 

30 korrik 1995

 

Dje afër Vushtrrisë u vendosën 400 kolonistë të rinj serbë

 

Dje në Velikarekë afër Vushtrrisë në 76 banesa të reja u vendosën 400 kolonistë të rinj serb. Të gjithë kolonistët e “aftë dhe të kualifikuar” do të punësohen në “Trepçë” dhe në kolektivet e tjera të Kosovës, ndërsa një numër kolonistësh do të marrë edhe tokë bujqësore.

Kryetari i instaluar serb i komunës së Vushtrrisë Branko Stoliq, duke folur për ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës tha se “po forcohet trungu i luhatur i rrënjës serbe”.

 

 

 

30 korrik 1997

 

Dje në Tiranë u gjet i vrarë gazetari Ali Ukaj

 

Dje, në mëngjes, në banesën e vet, në Tiranë, u gjet i vrarë gazetari Ali Ukaj, nga komuna e Deçanit. I ndjeri punonte në gazetën e Tiranës “Gazeta shqiptare”.

Nuk ka informacione se si ndodhi vrasja e këtij gaztari të ri. Nga obduksioni u konstatua se kundër Aliut ishte përdorë dhuna fizike.

Vrasja e Ali Ukajt është vrasja e parë e një gazetari në Shqipëri që kur filluan trazirat. Mbytja e tij shkaktoi indinjatë të thellë në qarqet gazetare në Shqipëri dhe në Kosovë ku njihej si gazetar i përkushtueshëm.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, me rastin e vrasjes së Ali Ukajt, kërkoi nga organet kompetente shqiptare që ta ndriçojë këtë rast dhe që vrasësi të marrë dënimin e merituar. Shoqata studentore “Dardania” mbrëmë protestoi për shkak të vrasjes së gazetarit, njofton “Bujku”.

 

 

30 korrik 1998

 

Dy shpërthime në Dardani, të shtëna armësh në Prishtinë gjatë natës

 

Natën e kaluar pati dy shpërthime në Dardani, lagje e Prishtinës, i pari në orën 00:20, dërsa i dyti dhjetë-pesëmbëdhjet minuta më vonë, i deklaroi sot QIK-ut një dëshmitar.

Shpërthimet u dëgjuan në gjithë lagjen e madhe të Dradanisë, që ka rreth 30. 000 banorë. Dëme materiale nuk pati.

Dëshmitari okular që foli për QIK-un tha se njëri shpërthim ndodhi në mes të Blokut 9 dhe Blokut 7 në Dardani (nuk ka Blok 8), para një magazine teknike të bardhë me firmën “Ismajli”. Një bodrum pijesh, “Edita” është aty përbri.

“Një makinë udhëtarësh, me gjasë BMW, me ngjyrë të çelët, ka qëndruar pas mesnatës për nja dhjetë minuta përballë Blokut 7, në mes të blokut dhjetëkatesh të banesave dhe parkut të makinave, me dritat e fikura”, i tha dëshmitari QIK-ut. “Ka ikur pastaj për dy-tre minuta, me dritat ndezur në rrugë, dhe kur është kthyer sërish ka fikur dritat dhe është vendosur në mes Blokut 7 dhe 9, afër të parit, kthyer kah rruga. Pas një kohë të shkurtër, ka dalë një njeri nga makina. Pak sekonda më vonë është dëgjuar shpërthimi”. Dëshmitari tha se kur kishte shikuar nga dritarja për të parë se ç’ndodhi, makina nuk ishte më aty.

Po ajo makinë është parë të qarkullojë me shpjetësi nëpër rrugën e Dardanisë, ku defilonin edhe makina të kaltra të policisë, apo edhe makina të tjera që duket se i përkitnin policisë së fshehtë, thanë disa banorë të kësaj lagjeje.

Pas dhjetë-pesëmbëshjetë minutash u dëgjua shpërthimi i dytë, duket në rrugën kryesore që çon për në Fushë-Kosovë.

Banorët dhe dëshmitari që përshkroi rrethanat e shpërthimit të parë thonë se të dy shpërthimet mund të kenë qenë të orkestruara nga policia dhe sigurimi serb. Këtë ata e mbështesin në faktin se në Blokun 7 policët serbë kanë okupuar dhe shndërruar në banesë për vete ambiente në katin e parë, të cilat përpara shfrytëzoheshin si hapësirë për aktivitete shoqërore. Në kompleksin e këtij Bloku banesash, pesë-gjashtëdhjetë metra larg vendit të shpërthimit, ka dy kafene serbe, që frekuentohen me të madhe nga policë serbë. Policë kanë dalë e kanë hyrë në to edhe pas shpërthimit të mbrëmshëm.

Sot në mëngjes dukeshin gjurmët që ka lënë lënda shpërthyese në pjesën e betontë. Policia ka dalë për të inçizuar vendin e shpërthimeve.

Nuk është për të besuar se do të heqë shumë për ta zbuluar kush e ka kryer dhe kush qëndron pas kësaj vepre.

Kë do të akuzojë, është çështje tjetër.

Në ndërkohë, banorë të Prishtinës, jo vetëm të Dardanisë, kanë kaluar natën mbrëmë edhe nën zhurmën e të shtënave automatike, që janë dëgjuar rreth orës 2:30, dhe të lëvizjes së tankeve serbe pak më vonë.

Garnizoni i ushtrisë serbe gjendet një kilometër e gjysmë larg Dardanisë, në ta dalë të Prishtinës, në anën e djathtë të rrugës Prishtinë – Fushë-Kosovë.

 

Malishevë: Shumë fshatra të djegura e të dëmtuara – dihet edhe për katër të vrarë e dy të plagosur

 

Askush në të vërtetë nuk mund të saktësojë se cili është bilanci i ofensivës policore-ushtarake serbe ndaj fshatrave të komunës së Malishevës, kësaj qyteze 45 km. larg Prishtinës, të filluar të dielën së pari në Llapushnik të Drenicës e më pas në Balincë të Malishevës për të vazhduar në fshatrat rreth Kijevës, si Mleçani, Bubaveci, Llazica, Vërnica, Drenoci, Caralluka, Tërpeza, Lubizhda, Mirusha e për të arritur në qytezën e Malishevës të hënën pasdite.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se gjatë bombardimeve nga armët më të rënda artilerike u dogjën fshatra të tëra, sikurse edhe grunajat skaj fshatrave dhe disa pompa të benzinës.

Nga granatimet e pardjeshme në Bubavec të Malishevës njoftohet për së paku dy shqiptarë të vrarë të moshës 60, përkatësisht 80 vjeç, ndërsa në Astrazub janë vrarë Dul Ali Morina, rreth 54 vjeç, dhe i riu Muharrem Hasan Hoxha, 24 vjeç, nga Dushanova, që ishte mysafir në këtë fshat. Ndërkaq është plagosur Mufail Morina (22) nga Astrazubi, ndërsa pohohet se të vrarë ka edhe në fshtin Drenoc.

Njoftohet se 6 granata kanë rënë në fshatin Shkozë të Malishevës ku është plagosur e reja 18 vjeçare Shpresë Eqrem Bytyçi. Janë mbytur edhe shumë bagëti.

Një ofensivë me intensitet të lartë ka vazhduar të martën pasdite menjëherë pas vizitës së një delagacioni të gazetarëve të huaj në qytezën e Malishevës.

Rreth 80 për qind e popullsisë së Malishevës janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre nga frika e ndonjë masakre, për t’u strehuar në vendbanime të tjera aktualisht më të qeta, ndonëse në rrezik permanent dhe pa kushte minimale. Duhet theksuar se tash tri net dhjetra mijëra banorë shqiptarë po i kalojnë netët nën qiellin e hapur ku po dëgjohen breshëri armësh dhe gjëmim topash.

Ndërkohë që edhe ashtu është gjendja tepër dramatike dhe me përmasa tragjike, bombardimet nga armët e rënda artilerike prej së martës agresioni serb i ka vazhduar në të dy anët: nga Malisheva për në Rahovec, ku i ka djegur dhjetra shtëpi, si dhe nga drejtimi tjetër nga Malisheva për në Duhël ku i ka djegur edhe shumë grunaja.

 

Continue Reading

Live

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Vendi

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Vendi

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Lajmet

A u parandalua një 11 shtator i ri?

Published

on

By

Një nga pilotët u përpoq të rrëzonte një aeroplan pasagjerësh! “Kishte gjak në kabinën e pilotit, izraelitët e mposhtën, një tjetër 11 shtator u parandalua. Një zyrtar i lartë izraelit tha se një “katastrofë” ishte parandaluar në një fluturim të Flydubai nga Emiratet e Bashkuara Arabe për në Izrael që bëri një ulje emergjente në Arabinë Saudite. Në bord ndodheshin 150 persona.

Një Boeing 737 MAX i Flydubai në një fluturim nga Dubai në Tel Aviv u devijua për në Arabinë Saudite të mërkurën, pasi ekuipazhi dërgoi sinjale shqetësimi për shkak të një grindjeje fizike midis dy pilotëve, tha një zyrtar izraelit për Reuters.

Megjithatë, sipas mediave izraelite, ishte një incident shumë më serioz. Sipas The Times of Israel, njëri nga pilotët e fluturimit FZ1073 me rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit – kryesisht izraelitë – u përpoq ta rrëzonte aeroplanin, ndërsa tjetri u përpoq ta ndalonte.

 

Fotot tregojnë dëmtime në timonin e bishtit të aeroplanit

Fotot e aeroplanit tregojnë se një pjesë e timonit në stabilizuesin vertikal në bishtin e aeroplanit Flydubai mungon.

Gjatë incidentit, aeroplani Boeing 737 MAX u ul rrëmbyeshëm.

Arik Zer, një ish-kreu i sigurisë së fluturimit në Shin Bet, i tha Channel 12 News se dëmi ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga rënia e papritur e aeroplanit, duke vënë në dukje se nuk është shkaktuar nga një objekt i jashtëm që ka goditur aeroplanin, raportoi Times of Israel.

 

Pasagjeri i përgjakur: “Ka ndodhur një rrëmbim aeroplani, i kemi nënshtruar terroristët, na duhet ndihmë”

Në një video të bërë menjëherë pas përleshjes në një fluturim të Flydubai, një pasagjer i përgjakur i thotë kamerës: “Jemi në mes të një rrëmbimi aeroplani. I kemi nënshtruar terroristët për momentin dhe po i afrohemi uljes. Kushdo që më dëgjon – na duhet ndihmë.”

“Po ulem në Tabuk, me sa duket në Arabinë Saudite. Territor i panjohur dhe i paeksploruar. Të gjithë në aeroplan janë shëndoshë e mirë, përveç pilotit. Na duhet ndihmë.”

 

Dëshmitari: ‘Piloti kërkoi ndihmë, dy pilotë të tjerë morën kontrollin’

Yasmin Abukasis, një pasagjere që foli me gazetarët në Aeroportin Ben Gurion, ku avioni i Flydubai do të ulej, tha se vajza e saj, e cila ishte në fluturim, e telefonoi dhe tha se dëgjoi ulërima brenda avionit ndërsa piloti kërkoi ndihmë.

“Avioni filloi të humbiste kontrollin. Të gjithë bërtisnin, duke menduar se kishte mbaruar”, i tha ajo Associated Press.

Duke folur për Reuters, Abukasis tha se dy pilotë të tjerë morën kontrollin e avionit, ndërsa pasagjerë të tjerë vrapuan drejt burrit me thikë.

 

Aeroplani zbret 5,200 metra në dy minuta

Të dhënat e gjurmimit të fluturimit nga Flightradar24, të analizuara nga BBC, tregojnë se avioni humbi papritur lartësinë mbi Arabinë Saudite pak më shumë se dy orë pasi u ngrit nga Dubai.

Aeroplani po fluturonte në një lartësi prej 10,400 metrash, pastaj zbriti më shumë se 5,200 metra në më pak se dy minuta. Një sinjal emergjence u dërgua nga avioni rreth dhjetë minuta më vonë.

Një zyrtar i lartë izraelit i tha Channel 12 se një “katastrofë e madhe” ishte shmangur në një fluturim të Flydubai nga Emiratet e Bashkuara Arabe për në Izrael që bëri një ulje emergjente në Arabinë Saudite.

Sipas zyrtarit të paidentifikuar, bashkëpiloti po hetohet me dyshimin për përpjekje për të marrë kontrollin e avionit me qëllim rrëzimin e tij, sipas The Times of Israel. Sipas disa raporteve, bashkëpiloti donte të kryente vetëvrasje.

Channel 12 i Izraelit raportoi se njëri nga pilotët ishte rus dhe tjetri ukrainas, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

 

“Mund të kishte përfunduar si sulmet e 11 shtatorit”

Media izraelite raportoi gjithashtu, bazuar në dëshminë e pasagjerëve në aeroplan, se njëri nga pilotët u përpoq ta rrëzonte aeroplanin dhe u ndalua nga një pilot tjetër me ndihmën e pasagjerëve. Një pasagjer izraelit u tha gazetarëve se pasagjerët ndihmuan në nënshtrimin dhe lidhjen e njërit prej pilotëve, siç raportohet nga BBC.

Megjithatë, sipas informacioneve të fundit, një ekuipazh i dytë pilotësh me rroba civile ishte gjithashtu në fluturim, siç raportohet nga Channel 12. Sipas medias, ishin ata që penguan njërin prej pilotëve të merrte kontrollin e aeroplanit. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Një zyrtar i lartë izraelit i tha medias se nëse këta pilotë nuk do të kishin qenë në aeroplan, incidenti mund të kishte përfunduar si sulmet e 11 shtatorit 2001 ose kriza e pengjeve në Entebbe në vitin 1976, raporton Times of Israel. Sipas portalit Walla, piloti nën hetim është një shtetas omanez.

Fotografitë e para nga fluturimi tregojnë një pasagjer me gjak në këmishë pas dhunës së raportuar në kabinën e pilotit.

Pasagjerët e Flydubai kanë përshkruar kaosin në bord gjatë incidentit. “Dëgjuam britma, avioni u rrëzua, kishte gjak në kabinën e pilotit. Izraelitët ndihmuan në mposhtjen e sulmuesit”, tha një dëshmitar.

 

Dëshmitarë: ‘Piloti u ther me thikë xhepi’

Një pasagjer në aeroplan i përshkroi skenat e tmerrshme Channel 12. “Dëgjuam britma në aeroplan. Pastaj hapën kabinën e pilotit dhe pamë gjak, dhe dikush e theri pilotin me një thikë xhepi”, tha gruaja e paidentifikuar për rrjetin nëpërmjet një mesazhi me tekst.

Një pasagjer i tha medias se një pilot pësoi plagë të rënda me thikë përpara se sulmuesi të mund të tërhiqej, ndërsa një pasagjer tjetër tha se piloti i plagosur mori trajtim shpëtues nga një dentist në fluturim.

Dëshmitari tha se pasagjerët izraelitë ndihmuan në nënshtrimin e sulmuesit së bashku me ekuipazhin. “Ne u lutëm… Kishte raste kur mendonim se nuk do të mbijetonim”.

“Nga ajo që kuptojmë, njëri nga pilotët u ther dhe u plagos rëndë dhe humbi kontrollin e aeroplanit. Ai filloi të ulej me shpejtësi. Ishte tmerruese”, tha një dëshmitar tjetër.

 

Dyshohet për rrëmbim aeroplani, Izraeli i ul në tokë aeroplanët

Flydubai tha se pati një incident në fluturim, por ata thonë se të gjithë pasagjerët janë të sigurt dhe të regjistruar. Sipas mediave izraelite, aktualisht po punohet për të organizuar transportimin e pasagjerëve në shtëpi.

Më parë, u raportua se përleshja shkaktoi një sinjal rreziku, i cili fillimisht çoi në dyshime për një rrëmbim aeroplani, dhe Izraeli menjëherë ngriti avionë luftarakë në ajër, sipas agjencisë izraelite të lajmeve Ynet News.

Fluturimi FZ1073 u devijua në Arabinë Saudite ndërsa ishte në hapësirën ajrore jordaneze. Aeroplani fillimisht dërgoi një sinjal të përgjithshëm rreziku dhe disa minuta më vonë një sinjal që mund të tregonte ndërhyrje të paligjshme në fluturim, sipas të dhënave të Flightradar24.

Boeing 737 më pas dërgoi një tjetër sinjal të përgjithshëm rreziku dhe u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Tabuk në veriperëndim të Arabisë Saudite.

Një zyrtar izraelit, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, tha se sinjalet u dërguan pas një grindjeje fizike midis dy pilotëve. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ndonjëri prej pilotëve e aktivizoi qëllimisht sinjalin, i cili mund të tregonte një ndërhyrje të mundshme të paligjshme në fluturim.

Zyra e kryeministrit izraelit tha më parë se incidenti nuk po konsiderohej si një përpjekje për rrëmbim avioni. Flydubai nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi konsultime mbi incidentin, thanë për Reuters tre zyrtarë izraelitë të sigurisë.

Shefi i Shtabit të Izraelit, Eyal Zamir, zhvilloi gjithashtu një vlerësim të situatës me komandantin e forcave ajrore dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, tha ushtria izraelite.

Flydubai fluturon çdo ditë midis Dubait dhe Tel Avivit, një rrugë e njohur për qytetarët izraelitë. Arabia Saudite dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike.

Burimi: The Times of Israel / BBC / Reuters

Continue Reading

Të kërkuara