Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

29 tetor 1993

Përgjegjësit për vdekjen nën torturë të Mikel Markut nuk u morën fare në përgjegjësi

Më 30 tetor mbushen dy vjet nga dita e mbytjes me torturë të avokatit Mikel Marku (62) nga Peja. Vdekjen nën torturë siç dihet e patën konstatuar edhe mjekët, duke përfshirë edhe atë të Klinikës Kirurgjike të Prishtinës.

Në një informatë të nënshkruar nga sekretari i KMDLNJ-së, Zenun Çelaj, thuhet se përkundër aktpadive që i kanë bërë familja dhe avokatët, dhe përkundër dokumenteve e dëshmive që vërtetojnë se Mikel Marku u mbyt me torturë nga policët serbë, ndër të cilët janë identifikuar Jagosh Shimun nga Peja dhe Miroslav Vraniq nga Uzhica, prokurori i instaluar serb në Gjyqin e Qarkut të Pejës, Miladin Popoviq nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me shqyrtimin e këtij rasti dhe dënimin e fajtorëve.

29 tetor 1994

Pas rrahjes në polici – humbi funksionimin e veshkave

Istref Elshani nga Gllogoci më 12 rtetor u dërgua, në përcjellje të policisë, në Klinikën interne të Prishtinës, ku iu ofrua ndihma e parë, e prej nga u kthye në burgun e Prishtinës Për shkak të keqësimit të gjendjes ai u soll në klinikë sërish të nesërmen më 13 tetor të këtij viti dhe u shtrua në repartin e nefrologjisë të klinikës interne. Lëndimet e rënda qenë shkak që Istrefi humbi funksionin e veshkëve, prandaj edhe dializa ishte e pashmangshme. Ai u dializua deri më 24 tetor. Tash gjendja shëndetësore e Istrefit është më e mirë, kurse analizat tregojnë parametra në kufij të normales.

Në klinikë Istrefi edhe më tej në vazhdimësi ruhet nga policia, e cila kontrollon rigorozisht edhe kontaktet me anëtarët e familjes.

 

29 tetor 1997

Ndërhyrje të policisë në Pejë

Njoftohet se gjendja në Kosovë sot ka qenë përgjithësisht e tensionuar nga prania e madhe e forcave serbe dhe nga ndërhyrja e tyre në shumë vende.

Intervenimi më brutal i forcave serbe ishte në qytetin e Pejës, ku forca të mëdha të policisë patrullonin nëpër qytet nga orët e hershme të mëngjesit. Policia ka kontrolluar të rinjtë e qytetarët dhe ka arrestuar shumë njerëz.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë njofton se policët kishin dalë para institucioneve të administratës okupuese dhe objekteve të tjera publike, ku punojnë serbët e instaluar. Ndërsa në vendin ku ishte caktuar të mbahej protesta ishin stacionuar forca të mëdha të policisë. Ende pa filluar protesta, policia mori personelin mësimor dhe një grup studentësh dhe i dërgoi në qendrën e policisë. Në mesin e të arestuarve ishte edhe profesori Ali Syça.

Në ora 9,00, në lokalin policia hyri në gjelltoren “Prizreni” dhe mori të gjithë të rinjët që ishin aty duke u ushqyer dhe i dërguan në stacionin e policisë.

Policia hyri edhe në lokalin ku ishin studentët te Ndihma e Parë. Të rinjët u dërguan në stacion dhe i rrahën.

Dëshmitarët thonë se automjetet e policisë kanë bartuar shumë të arrestuar nga pikat e ndryshme të qytetit. Stacioni i policisë qe mbushur me të burgosur.

 

29 tetor 1998

Malishevë: U gjetën edhe 5 shqiptarë të vrarë e të masakruar

Dje në Tërpezë të Poshtme të Malishevës u varros Jashar Krasniqi (53), mësimdhënës, i cili u gjet i masakruar pas tre muajsh që konsiderohej i zhdukur, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Disa banorë të Tërpezës, të cilët u kthyen në vendbanimet e veta, gjetën edhe kufomat e tre bashkëfshatarëve të tyre: Demush Krasniqit (63), Ajet Rifat Krasniqit (85) dhe Rasim Daut Krasniqit (87). Trupi i Demushit ishte i mbuluar me baltë, ndërsa trupat e dy viktimave të tjera të forcave serbe ishin të karbonizuara.

Po ky burim bën të ditur se dje në fshatin Carrallukë, në odën e shtëpisë së tij, u gjet edhe kufoma e Ramadan Selman Hotit (rreth 80 vjeç), i cili ishte vrarë gjatë ofensivës së forcave ushtarake e policore serbe në fund të muajit korrik.

Bëhet e ditur se edhe në Malishevë, Bubavec e Llazicë ka kufoma të civilëve shqiptarë të masakruar dhe të ekzekutuar nga forcat serbe.

 

Gjakovë: U gjetën edhe dy shqiptarë të vrarë

Edhe në fshatrat e komunës së Gjakovës, nga të cilat janë larguar forcat e ushtrisë e policisë serbe, po vazhdon gjetja e kufomave të shqiptarëve të vrarë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë bën të ditur se të martën në fshatin Jabllanicë është gjetur trupi pa jetë i Tunë Gjukës (42) nga fshati Bardhaniq, ndërsa të mërkuren në fshatin Firzë është gjetur i vrarë Zef Dreni (65). Pranë trupit të pa jetë të Zefit familjarët gjetën edhe gëzhoja të armës së tipit “Zastava”.

Njoftimet nga Firza, Vogova e fshatrat tjera që lidhen më brezin e kufitit me Shqipërinë tregojnë se nga kjo anë nuk ka pasur tërheqje të forcave serbe. Përkundrazi, në këtë anë ka çdo ditë përforcime dhe pozicionime të reja. Ndërsa në Gjakovë forcat e ushtrisë serbe janë vendosur në komplekset industriale të “Modelit” e “Virgjinisë” dhe në fabrikën e tjegullave.

I njëjti burim njofton se sot ka pasur lëvizje të forcave policore e ushtarke në qytet, ndërsa në fshatrat e Dushkajës, te diga e liqenit të Radoniqit dhe në kodrën e fshatit Zhdrellë forcat policore serbe po vazhdojnë ndalimin e legjitimimin e kalimtarëve të rastit.

Në Likoc u gjet i vrarë Hazir Hoti

Dje në Likoc të Skënderajt u gjet i vrarë Hazir Jashar Hoti (82) nga Likoci.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njofton se ai u gjet i vrarë në afërsi të shtëpisë së tij, ndërsa supozihet të jetë vrarë në fillim të këtij muaji.

Foto: Malisheva

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara