Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

28 gusht 1993

Policia në Mitrovicë ndaloi senatorin Pol Kavërdell

Sot, rreth orës 10,50, në hyrje të Mitrovicës, policia serbe ndaloi senatorin amerikan Pol Kavërdell, të cilin, bashkë me shoqëruesit e tij, e dërgoi në qendrën e policisë në Mitrovicë.

Pas një ndalimi të shkurtër aty, me arsyen se duhej t’i bëhej kontrolli teknik i veturës, e cila shoqëronte senatorin Kavërdell, policia detyroi këta që të shkojnë në qendrën për kontrollime teknike të veturës. Këtu u mbajtën deri rreth orës 12.

Mbajtja e gjatë u arsyetua së pari me mungesën e policit që do të bënte kontrollin e pastaj me mungesën e rrymës elektrike.

Senatori amerikan Poll Kavërdell, bashkë me shoqëruesit, pas orës 12, u takua me udhëheqës të LDK-së dhe të subjekteve tjera politike të Mitrovicës dhe të Zubin-Potokut dhe me minatorë të këtij rajoni.

Senatori amerikan nga afër u njoh edhe me ngjarjen në fshatin Çabër, i cili pardje iu nënshtrua një represioni të gjerë të policisë serbe.

 

 28 gusht 1995

Kolonët serbë punësohen në vend të punëtorëve shqiptarë

Propaganda serbe vazhdon me një intensitet të madh për t’i “bindur” refugjatët serbë të vendosen si kolonë në Kosovë. Në masmediat serbe publicitet të madh u jipet sidomos informacioneve për punësimin e refugjatëve serbë të Kroacisë. E gjithë kjo po bëhet në shërbim të politikës shoveniste të Beogradit për kolonizimin e serbizimin e Kosovës me serbë.

Në një informatë të sotme të agjencisë serbe Tanjug thuhet se aktualisht në Kosovë janë vendosur 6000 mijë refugjatë serbë, kurse vende për strehim janë siguruar për afro 12.000.

Por theksin kryesor propagandistik agjencia serbe e vë në punësimin e refugjatëve serbë si kolonë në Kosovë, duke numëruar organizatat e ndërmarrjet që kanë punësuar serbët e Kroacisë.

Kolonët serbë po punësohen kryesisht në vendet e punës nga të cilat u dëbuan punëtorët shqiptarë në mënyrë sistematike nga uzurpatorët serbë. Kështu “Trepça” thuhet se do të punësojë 500 e madje edhe 1000 kolonë serbë. Pastaj një numër të tyre edhe “Binaçka Morava” e Gjilanit, “Grading” (ish- “Ramiz Sadiku”), etj.

Por qëllimi kryesor i regjimit të Beogradit është që sa më shumë refugjatë serbë si kolonë t’i vendosë në Dukagjin, në trevat shqiptare. Prandaj ofrohen edhe nga disa hektarë tokë pune dhe vreshta. Tanjugu pohon se për kolonët serbë në Kosovë në dispozicion janë jipen 30 mijë hektarë tokë pune, apo siç thuhet nga “toka shtetërore ose e kombinatet e dështuara”.

Dihet mirëfilli se nuk është fjala për kurrfarë toke shtetërore e kombinate të dështuara, por fjala është për pronat e pasuritë e kooperativave e të kombinateve bujqësore, që u krijuan me djersën e punëtorëve kryesisht shqiptarë, të cilët u dëbuan nga uzurpatorët serbë pas vitit 1990. Shumica e këtyre kombinateve do të plaçkiten edhe nga firmat e ndryshme të Serbisë pas integrimit të tyre të dhunshëm me to. Tash kur në këto kooperativa e kombinate nuk ka mbetur asgjë pa u plaçkitur, pos tokës, edhe ajo si “tokë shtetërore” synon t’u jipet kolonëve serbë.

 

Hollësi rreth vrasjes së Ymer Agushit nga ana e ushtarëve serbë

Siç kemi informuar, të shtunën në mbrëmje, rreth otës 18:45 ushtarët serbë vranë Ymer Dervish Agushin në fshatin e tij Gërqinë të Gjakovës.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së, në një njoftim të shpallur sot, jep hollësi të reja për rrethanat më të cilat u vra ky i ri.

Më 26 gusht, pas motit të ligë dhe rrebeshit të shiut, një grup i të rinjve të fshatit Gërqinë të Gjakovës, ndërmorrën një aksion për hapjen e vijave të ujit për të shpëtuar fshatin nga vërshimet.

Në këtë kohë, tre ushtarë serbë shkuan në shitoren e parë në hyrje të fshatit, i cili gjendet afër kufirit me Shqipërinë, ku ndodhet edhe karaulla ushtarake dhe konsumuan sasi të madhe të alkoolit.

Pak kohë më vonë, ushtarët, në gjendje të dehur dolën nga shitorja dhe iu afruan të rinjve që po punonin në hapjen e kanaleve. Pas provokimeve e sharjeve, ushtarët rrahën Mursel Gutën (16) e pastaj edhe Ibrahim dervish Gutën, ndërsa me armë provokuan Lulëzim Gutën (20), Asllan Gutën (16), Faton Gutën, Islam Gutën, Aziz Gutën, Ramiz Sylejmanin, etj.

Pas këtyre rrahjeve dhe provokimeve, Ymer Dervish Agushi provoi të ndërmjetësonte për të mos ndodhur ndonjë konflikt më i madh, por njëri nga ushtarët ia drejtoi atij automatikun në zemër dhe me një të shtënë e la të vdekur në vend. Ishte ora 18,45.

Pasi vrasin Ymerin, ushtarët vazhduan të shtijnë edhe më tujte me armë, por për fat nuk shkaktuan viktima të tjera. Më vonë ushtarët u pozicionuan në një vend 30 metra larg vendit të krimit dhe kufomës që mbeti aty.

Rreth orës 19:30 në vendin e ngjarjes arritën ushtarët tjerë të armatosur nga karaulla e afërme.

Prej orës 20 e deri në mesnatë në fshat vazhduan të arrijnë automjete ushtarake dhe ushtarë nga Gjakova. Fshati u vu në bllokadë të plotë.

Kufoma e Ymerit të ndjerë mbeti në vendin e krimit deri në orën 03 pas mesnate, kur disa eprorë ushtarakë njoftuan babain e Ymerit për vrasjen e djalit dhe i thonë se djali i tij është vrarë “me pahirë- pa dashje”.

Eprorët ushtarakë serbë kërkuan që kufoma e të ndjerit të dërgohej për obduksion në Nish. Mirëpo me insistimin e babait të tij, kufoma iu dha familjes pa u bërë obduksioni.

Varrimi i të ndjerit u bë dje, në prani të mijëra qytetarëve të kësaj ane.

Të gjithë të rinjtë që ishin prezent në momentin kur ndodhi vrasja, dje u thirrën në bisedë informative në polici.

 

 28 gusht 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 25 gusht, rreth orës 12:30, tre policë ishin në lagjen Tavnik në familjen e Rizah Hazirit, korrespondent i gazetës “Koha ditore”. Aty nuk e gjetën as Rizahun as të vëllain Shahinin, me ç’rast policia ua la thirrjen që Shahini të paraqitet të nesërmen në polici. Të nesërmen Shahini u paraqit në stacionin e policisë ku e mori në pyetje polici Mihajlo Voloviq, i cili prej tij kërkoi një revole. Pasi ai deklaroi para këtij polici se nuk posedon kurrëfarë armësh u keqtrajtua afro tri orë dhe u urdhërua që të të nesërmen të paraqitet sërish në polici. Kur Shahini ashtu veproi u mor në pyetje nga polici Kandiq i cili nga ai kërkoi të njëjtën revole sikur edhe më herët dhe kjo “bisedë informative zgjati tri orë dhe pas lirimit u urdhërua të paraqitet sërish në polici më 29 gusht në orën 8:00.
Vushtrri: – Pas vuajtjes së dënimit prej 30 ditë burg në burgun e Smrekonicës, u lirua Berdi Shuti, zëvendësdrejtor i Gjimnazit në Vushtrri. Ai u dënua ngase policët serbë e kishin zënë duke mbajtur orët e mësimit në gjuhën shqipe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

28 gusht 1998

Malishevë: Tre të vrarë e dy të plagosur nga granatat – tre refugjatë të vdekur

Në Lladroviq të Malishevës dje pasdite nga granatat serbe u vranë Ramadan Berisha (60), reja e tij, rreth 30-vjeçe dhe një fëmijë i familjes Berisha, të cilët po iknin nga fshati i tyre që granatohej nga forcat serbe.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se me këtë rast u plagos edhe Abdyl Berisha vëlla i Ramadanit dhe bashkëshortja e Abdylit, Sanija (53).

Dyshohet se të vrarë e të plagosur nga granatat ka edhe në fshatin Senik.

Gjithashtu bëhet me dije se si pasojë e jetës nën qiellin e hapur dje kanë vdekur dy persona të moshuar, ndërsa sot ka vdekur një foshnjë disajavëshe.

I njëjti burim bënë me dije se forcat serbe kanë kidnapuar dje dhjetë shqiptarë në fshatin Ngucat.

Sot, nga shtëpitë që po digjen në fshatin Banjë po shkon tym e flakë.

Si pasojë e ofensivës së ditëve të fundit të forcave serbe ka pasur zhvendosje të madhe të popullatës edhe nga disa fshatra të Malishevës, si nga Baja, Gajraku, Karvansaria, Bellanica, Seniku, Lladroviqi, Temeçina, Tërpeza e tjerë. Banorët e të gjitha këtyre fshatrave janë koncentruar në trikatër fshatra malore të cilat aktualisht konsiderohen si më të sigurta.

Në këto dhe fshatra të tjera të komunës së Malishevës janë të koncentruar rreth 100 mijë banorë të kësaj komune si dhe të fshatrave të Suharekës e të Rahovecit të cilët jetojnë në kushte tepër të rënda në mungesë të madhe të ushqimit, barnave dhe veshëmbathjes.

 

Dy shqiptarë vdiqën nga plagët

Shaban Islam Gashi nga Peçani dhe Zenun Mataj nga Baballoçi, të cilët vdiqën nga plagët e marra ditë më parë, u varrosën në Pagarushë të Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Suharekë: Forcat serbe vranë 2 pjesëtarë të UÇK-së dhe varrosën me dhunë 4 shqiptarë të paidentifikuar

Dje në Suharekë, forcat e policisë serbe kanë vrarë Naim Hajrullah Berishën (30) dhe Xhelal Jemin Kuçin (30), që të dy pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës nga Suhareka, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Po ashtu njoftohet se në Shirokë, e cila është paralagje e Suharekës, policia serbe ka varrosur edhe kufomat e katër shqiptarëve të paidentifikuar.

 

Gjakovë: Edhe një shqiptar i vrarë nga forcat serbe

 Siç bëhet me dije, nga forcat serbe është vrarë Ekrem Ramë Prushi (17) nga fshati Prush i anës së Hasit të brezit kufitar Kosovë – Shqipëri.

Sipas deklaratave të familjes, i ndjeri Ekrem Prushi u vra më 26 gusht, rreth orës 20,30, derisa kthehej në shtëpinë e tij, qëllohet nga forcat serbe pa paralajmërim, në hyrje të fhatit të tij Prush.

Po ashtu njoftohet se në brezin kufitar Kosovë – Shqipëri, qe dy ditë janë duke u djegur malet e Bokës së Babajve dhe thuhet se deri më tani janë djegur me dhjetra hektarë. Nuk dihet për shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri dhe është e pamundshme që të lokalizohet dhe shuhet, meqë është në vijën kufitare Kosovë – Shqipëri.

Sipas deklarimit të familjes Zogaj, thuhet se Tush Tunë Frrokaj (39) dhe bashkëshortja e tji Ilire Mark Frrokaj (32), më 26 gusht, janë nisur prej fshtait Plançor në drejtim të qytetit të Gjakovës dhe deri më tani nuk dihet për fatin e tyre.

Edhe sot në qytetin e Gjakovës, vazhdojnë lëvizjet e përforcuara të forcave ushtarako policore në drejtime ët ndryshme.

Edhe më tutje vazhdon keqësimi i gjendjes të popullatës së zhvendosur si në qytet ashtu edhe në malet e anës së Dushkajës.

Foto: Senatori amerikan, Pol Kavërdell

Continue Reading

Lajmet

Përvjetori i lindjes së Ali Podrimjes, një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqiptare

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe gjatë karrierës së tij letrare ndërtoi një prej opuseve më të rëndësishme të poezisë shqiptare.

Ndër veprat më të njohura të tij është “Lum Lumi”, një vepër e fuqishme dhe e ndjeshme që është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letërsisë shqipe.

Poezia e Podrimjes u dallua për gjuhën e veçantë, figuracionin e pasur dhe temat që lidhen me jetën, humbjen, dashurinë, atdheun dhe identitetin.

Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2012, por vargjet dhe krijimtaria e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen nga breza të ndryshëm.

Emri i Ali Podrimjes mbetet i lidhur ngushtë me poezinë moderne shqiptare dhe me një trashëgimi letrare që vazhdon të ketë ndikim edhe sot./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova përballë përçarjes: kur politika, identiteti dhe gjuha e urrejtjes rrezikojnë ta dëmtojnë besimin shoqëror

Published

on

By

Nga Musa Sabedini – Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që në rrethana kaq të ngarkuara politike, sociale e identitare të heshtësh përballë një gjendjeje që, për shumë qytetarë, po bëhet gjithnjë e më e rëndë, frustruese dhe shqetësuese. Kosova po përjeton një klimë publike në të cilën debati politik shpesh nuk zhvillohet mbi ide, programe dhe alternativa, por rrëshqet drejt etiketimit, denigrimit, përjashtimit dhe sulmit personal. Në një shoqëri të brishtë demokratike, kjo nuk është thjesht një çështje e komunikimit politik; është problem që prek drejtpërdrejt kohezionin shoqëror dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Sot, duket sikur pothuajse askush nuk është i imunizuar ndaj gjykimit negativ. Edhe njerëzit me kontribut të dëshmuar publik, pavarësisht bindjeve të tyre, mund të shndërrohen brenda pak orësh në objekt sulmesh, talljesh e linçimesh virtuale. Kjo kulturë e polarizimit e zvogëlon hapësirën për mendim ndryshe dhe krijon një realitet ku kundërshtari politik nuk shihet më si bashkëqytetar me të drejtë të ndryshme mendimi, por si armik që duhet eliminuar nga debati.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur në këtë klimë përfshihen figurat dhe periudhat më të ndjeshme të historisë sonë të afërt. Është e papranueshme që kontributi, sakrifica apo roli i njerëzve të luftës të trajtohet përmes fyerjes, poshtërimit dhe gjuhës së urrejtjes. Mund të ketë debate të forta politike, juridike e historike për çdo individ dhe për çdo periudhë, por një shoqëri demokratike duhet të dijë ta bëjë dallimin ndërmjet kritikës dhe denigrimit, ndërmjet debatit dhe linçimit, ndërmjet llogaridhënies dhe hakmarrjes politike.

Në këtë kontekst, edhe rasti i Hashim Thaçit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë dhe përballet me një proces gjyqësor, nuk duhet të shërbejë si justifikim për çnjerëzimin e debatit publik. Drejtësia duhet të flasë përmes institucioneve dhe gjykatave, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të kenë qëndrime të ndryshme. Por askush nuk fiton asgjë kur një proces gjyqësor shndërrohet në pretekst për fyerje, urrejtje apo glorifikim të figurave dhe ideologjive që kanë prodhuar tragjedi në historinë e Kosovës.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si po zhvillohet debati mbi fenë dhe identitetin. Besimi fetar është e drejtë personale dhe kushtetuese, ndërsa diskutimi për të është pjesë e një shoqërie pluraliste; por liria e shprehjes nuk duhet të shndërrohet në licencë për poshtërimin e tjetrit. Një intelektual, një figurë publike apo cilido qytetar mund të kritikojë ide, praktika dhe interpretime fetare, por fyerja sistematike e një komuniteti të tërë nuk është debat intelektual. Ajo është përçarje.

Në një vend me histori të dhimbshme dhe me plagë ende të pambyllura, pyetja që duhet ta shtrojmë është e thjeshtë: ku po na çon kjo gjuhë? Kujt i shërben një shoqëri ku shqiptarët përplasen me shqiptarët mbi baza politike, fetare, krahinore apo ideologjike? Kujt i konvenon një Kosovë ku çdo debat përfundon në armiqësi dhe ku dallimi i mendimit interpretohet si tradhti?

Ne mund të kemi bindje të ndryshme politike, mund të votojmë parti të ndryshme dhe të kemi interpretime të ndryshme për historinë, fenë apo të ardhmen e vendit. Por mbi të gjitha këto duhet të ekzistojë një minimum i përbashkët qytetar: respekti për njeriun, për shtetin, për ligjin dhe për dinjitetin e tjetrit.

Klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, ka një përgjegjësi që shkon përtej mandatit elektoral. Ajo duhet të krijojë standarde të reja të komunikimit publik, të rikthejë kulturën e llogaridhënies dhe t’u japë qytetarëve siguri se institucionet ekzistojnë për ta dhe jo për betejat e përditshme partiake. Kriza politike nuk është vetëm statistikë parlamentare; ajo prodhon stres, pasiguri dhe lodhje sociale.

Qytetarët duan të dinë se çfarë po ndodh me vendin e tyre. Duan zhvillim ekonomik, institucione funksionale, transparencë, komunikim të sinqertë dhe llogaridhënie. Duan të shohin se politika merret me punësimin, arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e familjeve, e jo vetëm me përplasjen e pafundme në rrjete sociale.

Kosova nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për më shumë shtet, më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë maturi publike.

Dhe nëse diçka duhet të mbetet e panegociueshme në këtë kohë të përçarjes, ajo është se dallimet tona nuk duhet të jenë më të forta se e ardhmja që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë.

Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT

 

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Nëse Toka dyfishohet në madhësi, pemët do të rrëzohen menjëherë. Kjo ndodh sepse graviteti sipërfaqësor do të dyfishohet. Kjo gjithashtu do të thotë që edhe kafshët më të mëdha nuk do të jenë në gjendje të vrapojnë pa thyer këmbën.

 

  1. Mërkuri, jo Venusi, është planeti më i afërt me Tokën. Mesatarisht, Mërkuri është 1.04 njësi astronomike (AU) larg Tokës krahasuar me distancën mesatare prej 1.14 AU midis Tokës dhe Venusit. Një AU është e barabartë me distancën mesatare midis Tokës dhe Diellit. Megjithatë, Venusi i afrohet akoma më shumë Tokës si pjesë e orbitës së saj rreth Diellit.

 

  1. Flamingot nuk lindin rozë. Ato në fakt vijnë në botë me pupla gri/të bardha dhe zhvillojnë një nuancë rozë vetëm pasi fillojnë ushqimin me karkaleca uji dhe alga blu-jeshile.

 

  1. Mund t’i nuhasni milingonat. Shumë lloje milingonash lëshojnë kimikate me erë të fortë kur janë të zemëruara, të kërcënuara ose të shtypura. Milingonat me nofulla kurth lëshojnë një erë çokollate kur janë të bezdisura, ndërsa milingonat citronella e fitojnë emrin e tyre nga aroma e limonit që lëshojnë.

 

  1. Njerëzit që hanë çfarë të duan dhe qëndrojnë të hollë kanë një metabolizëm të ngadaltë, jo të shpejtë. Një person i dobët tenton të ketë më pak masë muskulore se të tjerët, që do të thotë se shkalla e tyre bazike metabolike është më e ulët se ajo e një mase të lartë muskulore – kjo u jep atyre një metabolizëm të ngadaltë, jo të shpejtë.

 

Continue Reading

Lajmet

PDK vazhdon protestën para Qeverisë dhe i kërkon Deharit thirrjen e seancës konstituive

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të mbështetur edhe nga kolegët e Aleancës, kanë vazhduar sot bllokimin dhe protestën para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë, në shenjë revolte për moskonstituimin e Kuvendit.

Kësaj proteste sot i janë bashkuar edhe asamblistë e aktivistë të PDK-së nga Komuna e Ferizajt dhe Hani i Elezit, duke zgjeruar kështu pjesëmarrjen me struktura nga terreni.

Paralelisht me aksionin para Qeverisë, PDK i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Deharit, që të thërrasë sot në orën 11:00 vazhdimin e seancës.

Përmes një shkrese të nënshkruar nga sekretarja e përgjithshme, Vlora Çitaku, i është rikujtuar Deharit se roli i tij është i përcaktuar strictly nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, duke kërkuar që të mos pengohet më tej procesi i konstituimit të institucioneve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara