Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

28 gusht 1993

Policia në Mitrovicë ndaloi senatorin Pol Kavërdell

Sot, rreth orës 10,50, në hyrje të Mitrovicës, policia serbe ndaloi senatorin amerikan Pol Kavërdell, të cilin, bashkë me shoqëruesit e tij, e dërgoi në qendrën e policisë në Mitrovicë.

Pas një ndalimi të shkurtër aty, me arsyen se duhej t’i bëhej kontrolli teknik i veturës, e cila shoqëronte senatorin Kavërdell, policia detyroi këta që të shkojnë në qendrën për kontrollime teknike të veturës. Këtu u mbajtën deri rreth orës 12.

Mbajtja e gjatë u arsyetua së pari me mungesën e policit që do të bënte kontrollin e pastaj me mungesën e rrymës elektrike.

Senatori amerikan Poll Kavërdell, bashkë me shoqëruesit, pas orës 12, u takua me udhëheqës të LDK-së dhe të subjekteve tjera politike të Mitrovicës dhe të Zubin-Potokut dhe me minatorë të këtij rajoni.

Senatori amerikan nga afër u njoh edhe me ngjarjen në fshatin Çabër, i cili pardje iu nënshtrua një represioni të gjerë të policisë serbe.

 

 28 gusht 1995

Kolonët serbë punësohen në vend të punëtorëve shqiptarë

Propaganda serbe vazhdon me një intensitet të madh për t’i “bindur” refugjatët serbë të vendosen si kolonë në Kosovë. Në masmediat serbe publicitet të madh u jipet sidomos informacioneve për punësimin e refugjatëve serbë të Kroacisë. E gjithë kjo po bëhet në shërbim të politikës shoveniste të Beogradit për kolonizimin e serbizimin e Kosovës me serbë.

Në një informatë të sotme të agjencisë serbe Tanjug thuhet se aktualisht në Kosovë janë vendosur 6000 mijë refugjatë serbë, kurse vende për strehim janë siguruar për afro 12.000.

Por theksin kryesor propagandistik agjencia serbe e vë në punësimin e refugjatëve serbë si kolonë në Kosovë, duke numëruar organizatat e ndërmarrjet që kanë punësuar serbët e Kroacisë.

Kolonët serbë po punësohen kryesisht në vendet e punës nga të cilat u dëbuan punëtorët shqiptarë në mënyrë sistematike nga uzurpatorët serbë. Kështu “Trepça” thuhet se do të punësojë 500 e madje edhe 1000 kolonë serbë. Pastaj një numër të tyre edhe “Binaçka Morava” e Gjilanit, “Grading” (ish- “Ramiz Sadiku”), etj.

Por qëllimi kryesor i regjimit të Beogradit është që sa më shumë refugjatë serbë si kolonë t’i vendosë në Dukagjin, në trevat shqiptare. Prandaj ofrohen edhe nga disa hektarë tokë pune dhe vreshta. Tanjugu pohon se për kolonët serbë në Kosovë në dispozicion janë jipen 30 mijë hektarë tokë pune, apo siç thuhet nga “toka shtetërore ose e kombinatet e dështuara”.

Dihet mirëfilli se nuk është fjala për kurrfarë toke shtetërore e kombinate të dështuara, por fjala është për pronat e pasuritë e kooperativave e të kombinateve bujqësore, që u krijuan me djersën e punëtorëve kryesisht shqiptarë, të cilët u dëbuan nga uzurpatorët serbë pas vitit 1990. Shumica e këtyre kombinateve do të plaçkiten edhe nga firmat e ndryshme të Serbisë pas integrimit të tyre të dhunshëm me to. Tash kur në këto kooperativa e kombinate nuk ka mbetur asgjë pa u plaçkitur, pos tokës, edhe ajo si “tokë shtetërore” synon t’u jipet kolonëve serbë.

 

Hollësi rreth vrasjes së Ymer Agushit nga ana e ushtarëve serbë

Siç kemi informuar, të shtunën në mbrëmje, rreth otës 18:45 ushtarët serbë vranë Ymer Dervish Agushin në fshatin e tij Gërqinë të Gjakovës.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së, në një njoftim të shpallur sot, jep hollësi të reja për rrethanat më të cilat u vra ky i ri.

Më 26 gusht, pas motit të ligë dhe rrebeshit të shiut, një grup i të rinjve të fshatit Gërqinë të Gjakovës, ndërmorrën një aksion për hapjen e vijave të ujit për të shpëtuar fshatin nga vërshimet.

Në këtë kohë, tre ushtarë serbë shkuan në shitoren e parë në hyrje të fshatit, i cili gjendet afër kufirit me Shqipërinë, ku ndodhet edhe karaulla ushtarake dhe konsumuan sasi të madhe të alkoolit.

Pak kohë më vonë, ushtarët, në gjendje të dehur dolën nga shitorja dhe iu afruan të rinjve që po punonin në hapjen e kanaleve. Pas provokimeve e sharjeve, ushtarët rrahën Mursel Gutën (16) e pastaj edhe Ibrahim dervish Gutën, ndërsa me armë provokuan Lulëzim Gutën (20), Asllan Gutën (16), Faton Gutën, Islam Gutën, Aziz Gutën, Ramiz Sylejmanin, etj.

Pas këtyre rrahjeve dhe provokimeve, Ymer Dervish Agushi provoi të ndërmjetësonte për të mos ndodhur ndonjë konflikt më i madh, por njëri nga ushtarët ia drejtoi atij automatikun në zemër dhe me një të shtënë e la të vdekur në vend. Ishte ora 18,45.

Pasi vrasin Ymerin, ushtarët vazhduan të shtijnë edhe më tujte me armë, por për fat nuk shkaktuan viktima të tjera. Më vonë ushtarët u pozicionuan në një vend 30 metra larg vendit të krimit dhe kufomës që mbeti aty.

Rreth orës 19:30 në vendin e ngjarjes arritën ushtarët tjerë të armatosur nga karaulla e afërme.

Prej orës 20 e deri në mesnatë në fshat vazhduan të arrijnë automjete ushtarake dhe ushtarë nga Gjakova. Fshati u vu në bllokadë të plotë.

Kufoma e Ymerit të ndjerë mbeti në vendin e krimit deri në orën 03 pas mesnate, kur disa eprorë ushtarakë njoftuan babain e Ymerit për vrasjen e djalit dhe i thonë se djali i tij është vrarë “me pahirë- pa dashje”.

Eprorët ushtarakë serbë kërkuan që kufoma e të ndjerit të dërgohej për obduksion në Nish. Mirëpo me insistimin e babait të tij, kufoma iu dha familjes pa u bërë obduksioni.

Varrimi i të ndjerit u bë dje, në prani të mijëra qytetarëve të kësaj ane.

Të gjithë të rinjtë që ishin prezent në momentin kur ndodhi vrasja, dje u thirrën në bisedë informative në polici.

 

 28 gusht 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 25 gusht, rreth orës 12:30, tre policë ishin në lagjen Tavnik në familjen e Rizah Hazirit, korrespondent i gazetës “Koha ditore”. Aty nuk e gjetën as Rizahun as të vëllain Shahinin, me ç’rast policia ua la thirrjen që Shahini të paraqitet të nesërmen në polici. Të nesërmen Shahini u paraqit në stacionin e policisë ku e mori në pyetje polici Mihajlo Voloviq, i cili prej tij kërkoi një revole. Pasi ai deklaroi para këtij polici se nuk posedon kurrëfarë armësh u keqtrajtua afro tri orë dhe u urdhërua që të të nesërmen të paraqitet sërish në polici. Kur Shahini ashtu veproi u mor në pyetje nga polici Kandiq i cili nga ai kërkoi të njëjtën revole sikur edhe më herët dhe kjo “bisedë informative zgjati tri orë dhe pas lirimit u urdhërua të paraqitet sërish në polici më 29 gusht në orën 8:00.
Vushtrri: – Pas vuajtjes së dënimit prej 30 ditë burg në burgun e Smrekonicës, u lirua Berdi Shuti, zëvendësdrejtor i Gjimnazit në Vushtrri. Ai u dënua ngase policët serbë e kishin zënë duke mbajtur orët e mësimit në gjuhën shqipe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

28 gusht 1998

Malishevë: Tre të vrarë e dy të plagosur nga granatat – tre refugjatë të vdekur

Në Lladroviq të Malishevës dje pasdite nga granatat serbe u vranë Ramadan Berisha (60), reja e tij, rreth 30-vjeçe dhe një fëmijë i familjes Berisha, të cilët po iknin nga fshati i tyre që granatohej nga forcat serbe.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se me këtë rast u plagos edhe Abdyl Berisha vëlla i Ramadanit dhe bashkëshortja e Abdylit, Sanija (53).

Dyshohet se të vrarë e të plagosur nga granatat ka edhe në fshatin Senik.

Gjithashtu bëhet me dije se si pasojë e jetës nën qiellin e hapur dje kanë vdekur dy persona të moshuar, ndërsa sot ka vdekur një foshnjë disajavëshe.

I njëjti burim bënë me dije se forcat serbe kanë kidnapuar dje dhjetë shqiptarë në fshatin Ngucat.

Sot, nga shtëpitë që po digjen në fshatin Banjë po shkon tym e flakë.

Si pasojë e ofensivës së ditëve të fundit të forcave serbe ka pasur zhvendosje të madhe të popullatës edhe nga disa fshatra të Malishevës, si nga Baja, Gajraku, Karvansaria, Bellanica, Seniku, Lladroviqi, Temeçina, Tërpeza e tjerë. Banorët e të gjitha këtyre fshatrave janë koncentruar në trikatër fshatra malore të cilat aktualisht konsiderohen si më të sigurta.

Në këto dhe fshatra të tjera të komunës së Malishevës janë të koncentruar rreth 100 mijë banorë të kësaj komune si dhe të fshatrave të Suharekës e të Rahovecit të cilët jetojnë në kushte tepër të rënda në mungesë të madhe të ushqimit, barnave dhe veshëmbathjes.

 

Dy shqiptarë vdiqën nga plagët

Shaban Islam Gashi nga Peçani dhe Zenun Mataj nga Baballoçi, të cilët vdiqën nga plagët e marra ditë më parë, u varrosën në Pagarushë të Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Suharekë: Forcat serbe vranë 2 pjesëtarë të UÇK-së dhe varrosën me dhunë 4 shqiptarë të paidentifikuar

Dje në Suharekë, forcat e policisë serbe kanë vrarë Naim Hajrullah Berishën (30) dhe Xhelal Jemin Kuçin (30), që të dy pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës nga Suhareka, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Po ashtu njoftohet se në Shirokë, e cila është paralagje e Suharekës, policia serbe ka varrosur edhe kufomat e katër shqiptarëve të paidentifikuar.

 

Gjakovë: Edhe një shqiptar i vrarë nga forcat serbe

 Siç bëhet me dije, nga forcat serbe është vrarë Ekrem Ramë Prushi (17) nga fshati Prush i anës së Hasit të brezit kufitar Kosovë – Shqipëri.

Sipas deklaratave të familjes, i ndjeri Ekrem Prushi u vra më 26 gusht, rreth orës 20,30, derisa kthehej në shtëpinë e tij, qëllohet nga forcat serbe pa paralajmërim, në hyrje të fhatit të tij Prush.

Po ashtu njoftohet se në brezin kufitar Kosovë – Shqipëri, qe dy ditë janë duke u djegur malet e Bokës së Babajve dhe thuhet se deri më tani janë djegur me dhjetra hektarë. Nuk dihet për shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri dhe është e pamundshme që të lokalizohet dhe shuhet, meqë është në vijën kufitare Kosovë – Shqipëri.

Sipas deklarimit të familjes Zogaj, thuhet se Tush Tunë Frrokaj (39) dhe bashkëshortja e tji Ilire Mark Frrokaj (32), më 26 gusht, janë nisur prej fshtait Plançor në drejtim të qytetit të Gjakovës dhe deri më tani nuk dihet për fatin e tyre.

Edhe sot në qytetin e Gjakovës, vazhdojnë lëvizjet e përforcuara të forcave ushtarako policore në drejtime ët ndryshme.

Edhe më tutje vazhdon keqësimi i gjendjes të popullatës së zhvendosur si në qytet ashtu edhe në malet e anës së Dushkajës.

Foto: Senatori amerikan, Pol Kavërdell

Continue Reading

Lajmet

Shembet pjesërisht një ndërtesë shtatëkatëshe në Stamboll, disa persona mbeten nën rrënoja

Published

on

By

Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur pjesërisht në Stamboll, duke shkaktuar një operacion të madh kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 sipas kohës lokale, në lagjen Cevizli të distriktit Maltepe. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Sipas autoriteteve, ndërtesa ka gjithsej 12 apartamente dhe rreth 33 banorë, ndërsa në katin përdhes ndodheshin edhe disa biznese, përfshirë një punishte tekstilesh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara edhe nga qentë nuhatës, kanë nxjerrë deri tani gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të shpëtuarit janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.

Megjithatë, operacioni vijon, pasi besohet se persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me gjashtë nga personat që dyshohet se ndodheshin në pjesën e shembur.

“Është një ndërtesë me kat përdhes dhe gjashtë kate. Sipas të dhënave zyrtare, aty jetojnë 33 persona. Katër apartamente janë dëmtuar”, tha Gül.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të autoriteteve, dy persona nuk ndodheshin në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë tashmë janë shpëtuar.

Në vendngjarje janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe AFAD, agjencia shtetërore turke për menaxhimin e emergjencave të mëdha.

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se të gjitha institucionet shtetërore janë mobilizuar.

“Puna po vazhdon pa ndërprerje, me shumë kujdes dhe vendosmëri, duke mos lënë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt te qytetarët tanë nën rrënoja”, deklaroi Kurum. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës.  /TRT/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Published

on

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara