Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

27 shtator 1993

 

 

Letra e Adem Demaçit u botua si dokument në selinë e OKB-së

 

Një letër e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, e nënshkruar nga Adem Demaçi, kryetar dhe Zenun Çelaj, sekretar, u botua si dokument në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Këtë letër, Thanas Shkurti, përfaqësues i Shqipërisë në OKB, ia dërgoi për shqyrtim Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në letër, siç njofton agjencia serbe “Tanjug”, vërtetohet se në Kosovë, “prej fundit të korrikut të këtij viti, janë arrestuar 43 shqiptarë, prej tyre 23 në Prishtinë, 10 në Prizren, 5 në Gjilan dhe 5 në komunat tjera. Në letër ipen edhe emrat e të arrestuarve. Shumica prej tyre iu kanë nënshtruar keqtrajtimit brutal dhe janë trajtuar si terroristë, edhe pse për këtë nuk ka fakte. Regjimi serb në Kosovë dëshiron të krijojë përshtypje në opinionin e vendit dhe atë të huaj se si shqiptarët janë ata të cilët dëshirojnë të zgjidhin çështjen e Kosovës me luftë”, citon agjencia serbe pjesë nga kjo letër.

Sipas këtij raporti nga Nju-Jorku, në dokumentin e publikuar në selinë e Kombeve të Bashkuara, thuhet se 14 shqiptarë u vranë ose vdiqën nga torturat e policisë serbe në nëntë muajt e parë të këtij viti. Ipen edhe emrat e të vrarëve.

Sipas agjencisë serbe, në listën e emrave të të vrarëve, janë futur, siç thuhet, “pa dyshim edhe terroristët, të cilët u vranë me rastin e sulmeve të tyre në polici”.

 

 

27 shtator 1994

 

Vili Klas u emërua sekretar i përgjithshëm i NATO-s

 

Pas konsultimeve në të gjitha nivelet ambasadorët e 16 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut Verior, i shkruan dje ministrit belg për Punë të Jashtme z.Vili Klas dhe e njoftuan se është emëruar sekretar i përgjithshëm i NATO-s, njofton zëdhënësi i Aleancës nga selia në Bruksel.

Nga Nju-Jorku, ku e përfaqësonte Belgjikën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vili Klas iu përgjigj pozitivisht letrës së ambasadorëve dhe kështu u bë sekretari i tetë i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior. Tridhjetë e shtatë vjet pas z.Pol-Henri Spak, z.Klas është belgu i dytë që emërohet në këtë post të rëndësishëm.

Me këtë rast Vili Klas u deklaroi gazetarëve “do të më ishte vështirë të pranoja këtë post, sikur të mos kishte rënë Muri i Berlinit”.

Të gjitha masmediumet belge dhe evropiane njoftojnë sot për emërimin e Vili Klasit, sekretar i përgjithshëm i NHATO-s, duke vënë në pah meritat e tij si politikan dhe diplomat i shquar, veçanërisht i theksojnë rezultatet e arritura gjatë udhëheqjes gjashtëmujore të presidencës së Unionit Evropian.

Pasardhësin në funksionin e të ndjerit Mnafred Verner, e pret punë e madhe, sidomos konflikti në Bosnjë-Hercegovinë, situata e tendosur në Ballkan, si dhe organizimi i mëtutjeshëm i Partneritetit për Paqe në Evropën Lindore, theksojnë komentatorët e shtypit dhe radiotelevizionit belg.

Vili Klas është në moshën pesëdhjetë e gjashtë vjeçare dhe ka kryer shkencat politike e diplomatike në Universitetin ULB. Që nga mosha rinore është anëtar i Partisë Socialiste Flamane dhe deri më sot ka kryer shumë funksione me rëndësi partiake dhe shtetërore në Belgjikë.

 

 

Mr.Ukshin Hoti u dënua me 5 vjet burg

 

Mr.Ukshin Hoti, kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar (UNIKOMB) dhe mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, u dënua sot me pesë vjet burg nga serbët e instaluar në gjykatën e qarkut në Prizren.

Mr.Ukshin Hoti është arrestuar më 16 maj të këtij viti. Ai është akuzuar për vepër penale “cenim i tërësisë territoriale të Republikës Federative të Jugosllavisë, sipas nenit 116”. Në seancën e djeshme nuk u argumentua aktakuza.

Koha e shkurtër, sa zgjati procesi, është edhe një dëshmi se ky ishte një proces i montuar politik, i planifikuar dhe që kishte për qëllim shqiptimin e këtij dënimi të rëndë për një kryetar partie legale shqiptare në Kosovë.

Siç dihet, mr.Ukshin Hoti është dënuar me 9 vjet burg në vitin 1982.

Vitin e kaluar është dënuar me 2 muaj burg për shkak të pjesëmarrjes në homazhin për viktimat e policisë serbe.

Ai është torturuar disa herë, duke përfshirë edhe torturat në vendet publike.

Prej të premtes së kaluar, UNIKOMB-i dhe shumë përfaqësues të tjerë të partive politike shqiptare, asociacioneve dhe institucioneve të Kosovës, kanë marrë pjesë në mbrëmjet protestuese kundër burgosjes dhe procesit të montuar politik ndaj mr.Ukshin Hotit.

 

 

27 shtator 1997

 

 

Ndërhyrje brutale e policisë kundër shumë qyetarëve shqiptarë në korzon e Mitrovicës

 

Mbrëmë në kohën kur studentët dhe qytetarët shetitnin nëpër korzon e qytetit të Mitrovicës, në shenjë provokimi parakaluan shumë vetura të policisë, pastaj agjentë civil të SPB-së, dhe autoblinda. Ata veturat e tyre i vozitnin nëpër trotuare ku shetisnin njerëzit dhe me to i ndiqnin. Me këtë rast policia arrestoi dhe keqtrajtoi fizikisht shumë profesorë, studentë, nxënës dhe qytetarë. Prej të arrestuarve më së keqi e pësoi profesori i gjimnazit “Frang Bardhi” Xhelal Tahiri, i cili u mbajt në lokalet e SPB-së mbi dy orë dhe rrahën me grushta dhe shqelma deri në alivanosje policët Arsiqi, Nenadi dhe Bubani. Pasi e liruan, Xhelali kërkoi ndihmën e mjekut i cili kishte konstatuar lëndimin e boshtin kurrizor dhe veshkët. Në polici u keqtrajtuan fizikisht edhe Ilaz Rexha, profesor i Shkollës së Mesme Ekonomike, Sylë Baliu arsimtar i shkollës fillore “Migjeni”, Nazmi Broboniqi, Hajriz (Rrustem) Bajraktari, qytetar, Gani Bajraktari, mjek, Avdi Shala, profesor i SHLT, Skender Hoti, profesor i FXM në Mitrovicë, Sami Sadiku, Xhevat Syla, Pleurat Dedinja, Lavdim Meholli, Sadete Hyseni dhe Agron Sokoli, studentë të SHLT në Mitrovicë, Ali Jaha, profesor i SHLT, Luan Murati, student në Prizren.

Njoftohet se policia ka legjitimuar në shtetitore edhe shumë qytetarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe: Muhamet Hajrizi, profesor i SHLT dhe nënkryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, Brahim Bala, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” dhe Ramadan Ademi profesor i kësaj shkolle dhe kryetar i nëndegës së “7 Shtatorit” të LDK-së.

Për të penguar shetinë e qytetarëve në orët e mbrëmjes, organet e dhunshme serbe të Mitrovicës kanë ndërprerë ndriçimin publik që nga 24 shtatori.

 

 

 

27 shtator 1998

 

Sulm masiv serb në trekëndshin mes Shtimjes, Ferizajit dhe Suharekës

 

Prishtinë, 27 shtator (QIK)- Forcat serbe kanë ndërmarrë prej mbrëmë një sulm masiv kundër disa fshatrave që gjenden në trekëndshën Shtimje-Ferizaj-Suharekë. Po granatohen fshatrat Topillë, Devetak e Llanishtë të Shtimjes, Jezerc dhe Nerodime e Epërme në Ferizaj dhe Vraniq, Budakovë, Krushicë, Papaz, Savrovë, Buzhalë, Bukosh, Dubravë, Maqitevë, Stravoqinë dhe Reçan të Suharekës. Deri më tash ka njoftime për shumë shtëpi të granatuara e të djegura, por nuk ka njoftime për të vrarë e të plagosur.

Shtimje: Burimet e LDK-së në Shtimje njoftuan se në mbrëmje ka filluar granbatimi i fshatit Jezerc të Ferizajit. Mbrëmë kanë kaluar nëpër Shtimje 42 tanke e 57 kamionë me policë e ushtarë, ndërsa sot kanë shkuar edhe 11 kamionë të tjerë me ushtarë e policë. Këto forca serbe janë vendosur te Podi i Gështenjave dhe kanë filluar granatimin e fshatit Jerzerc të Ferizajit dhe fshatrat Topillë, Devetak e Llanishtë.

Ferizaj: Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se në orën 7.30 në drejtim të fshatit Pleshinë kanë shkuar forca të mëdha ushtarake serbe me tanke e kamionë, të cilat rreth orës 8.40 u stacionuan në udhëkryqin e fshatit Zaskok. Në drejtim të Pleshinës forca policore serbe shkuan edhe në orën 9.50.

Njoftohet se forcat serbe janë duke granatuar fshatin Jezerc, ndërsa granatimet janë aq të forta sa dëgjohen edhe deri në Ferizaj. Bëhet e ditur se në flakë është edhe fshati Nerodime e Epërme.

Forca ushtarako-policore serbe janë stacionuar edhe në fshatin Dremjak dhe ato janë të pajisura me teknikë të rëndë luftarake dhe me raketa të tipit “kaçusha”. Ndërsa në udhëkryqin e fshatrave Pleshinë e Dremjak forcat serbe ndalojnë dhe kontrollojnë të gjithë kalimtarët. Forca të mëdha ka edhe përgjatë rrugës Ferizaj-Shtime, si dhe në lagjen e Shabanajve në fshatin Gaçkë.

Njoftohet se në Dremjak policia ndaloi Bashkim Murtezin dhe i arrestoi dy bashkudhëtarët e tij Bafti dhe Nuhi Mujotën, nga Mollopolci, të cilët u dërguan në qendrën e sigurimit serb në Ferizaj, ndërsa Bashkimi u urdhërua që të kthehet në fshat dhe të thërrasë kryetarin e aktivit të LDK-së në fshat Rexhep Behlulin.

Ndërsa, në Gaçkë ushtarët serbë ndaluan Muharrem Bekteshin (52), Muhamet Sadikun (50) dhe Hamdi Nezirin (30) të gjithë nga Gaçka, të cilët më vonë u liruan. Sipas deklaratës së Hamdiut, një epror serb i ka thënë se rruga për “Bashdarhane”, dalja për në Brezovicë, është e mbyllur për civilë deri të martën. Eprori serb gjithashtu është kërcënuar se “nëse dikush shtie mbi ne, do t’iu çfarosim me gra e fëmijë”!

Njoftohet se sot në orën 9.45 policia serbe bastisi shtëpinë dhe dyqanin e Ali Shabanit, me ç’rast demoloi e plaçkiti gjithë çka gjeti, duke përfshirë edhe një veturë të tipit “mercedes”. Pas bastisjes, policia mori në arrest Ali, Hysen, Frashër e Xhemajl Shabanin, të cilët edhe i rrahu në prani të anëtarëve të familjes.

Suharekë: Forcat filluan rreth mesditës të granatojnë edhe në fshatin Vraniq të Suharekës. Sipas një dëshmitari, në këtë fshat ranë tri granata serbe.

Pas sulmit që nisi sot në mëngjes kundër fshatrave Budakovë, Krushicë, Papaz, Savrovë, Buzhalë, Bukosh, Dubravë, Maqitevë, Stravoqinë dhe Reçan të kësaj komune, shumë banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Nën qiellin e hapur në një luginë janë 10 deri në 15 mijë banorë. Ata janë janë të rrezikuar nga sulmet e mundshme të forcave serbe.

Fshatrat Reqan, Savrovë e Bukosh po digjen nga këmbësoria serbe.

Deri tash nuk ka njoftime për pasojat e këtij sulmi, pos që dihet për disa të plagosur.

 

Gllogoc: U identifikuan edhe 24 viktima të terrorit serb

 

Burimet e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Gllogoc bënë sot të ditur se në disa fshatra të kësaj komune u gjetën edhe 24 shqiptarë të vrarë (4 prej tyre edhe të masakruar) nga forcat serbe gjatë ofensivës së fundit.

Deri më tani janë identifikuar: Bajram Beqir Krasniqi e Behram Hazir Morina nga fshati Gllobar; Behxhet Islam Karagja, Rrustem Fetah Karagja (u gjet i masakruar në bunar) e Skënder Fetah Karagja nga Çikatova e Vjetër; Shyqri Hajdin Krasniqi, Muhamet Krasniqi, Bashkim Avdullah Krasniqi, Myftar Shaban Kurrumeli, Xhevat Sheqir Berisha, Hafize Jetullah Llugani (e sëmurë mentale), Hamit Lladrofci, Fehmi Lladrovci dhe Xhevahire Krasniqi – Lladrovci (bashkëshorte e Fehmiut), të gjithë nga fshati Gllanasellë; Brahim Ajet Avdulli (i masakruar në fytyrë), Hajdar Ismaili, Selim Myftari e Hamit Zymberi, nga Likoshani; Bahtie Gashi nga Vërbovci e Sefer Tafaleci (i therrur me thikë) nga Vërbovci; Mehmet Azem Saliuku e dr. Lec Bislim Uka (i masakruar) nga Gradica dhe Hajzer Hajdari nga Abria e Epërme dhe një dhëndërr i tij, nga Komorani.

Njoftohet se të gjithë këta të vrarë janë gjetur në fshatrat lindore të Gllogocit, deri në malin e Çiçavicës. Në pjesët tjera të komunës, si në fshatrat Dobroshec, Poklek i Vjetër, Polluzhë, Abri, Baincë, Tërdefc, Vuçak, Negroc e të tjerë, po vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e forcave serbe. Deri tash në këto fshatra nuk ka arritur të depërtojë askush. Druhet se numri i viktimave të ofensivës serbe në këto fshatra është shumë i madh.

 

 

Shumë të vrarë, të paidentifikuar, në malet e Çiçavicës

 

Në malet e Çiçavicës kanë mbetur shumë shqiptarë të vrarë, por numri i saktë dhe identiteti i tyre nuk dihet, për shkak se ata janë nga komuna të tjera.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri, duke iu referuar njoftimeve të veprimtarëve të saj në fshatin Zhilivodë, bën të ditur se shumica e të vrarëve janë të rinjë.

Deri tani është bërë vetëm identifikimi i dy viktimave: Haxhi Ahmet Krasniqit nga Zhilivoda dhe nëna e Sabri Saraçit nga Bivolaku, të dy të masakruar.

Po ky burim bën të ditur se në xhaminë e Zhilivodës policia serbe ka dërguar 12 pleq, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Askush nuk mund të kujdeset për ta, pasi fshati është boshatisur plotësisht, për shkak të sulmeve të forcave serbe.

Një delegacion i Kryesisë së Degës së LDK-së në Vushtrri vizitoi sot disa nga fshatrat e kësaj komune të përfshira në ofensivën e ditëve të fundit të forcave ushtarake e policore serbe, për të konstatuar pasojat e saj.

Sipas të dhënave të deritashme, në Okrashticë janë djegur 85 shtëpi, në Balincë 18, kurse në Oshlan 67. Në këto fshatra pothuaj nuk ka shtëpi që nuk është shkatërruar apo dëmtuar nga granatimet.

Deri tash dihet edhe për djegien e objekteve të shkollave në Pantinë dhe në Bivolak, kurse shkolla e Oshlanit është dëmtuar shumë nga granatat.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në ditën e dytë të Kongresit EOQ 2026

Published

on

By

Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), që po mbahet në UBT, u zhvilluan diskutime dhe prezantime mbi rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, qytetet e mençura, mjedisin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Sesionet bashkuan ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe drejtues të sektorit financiar, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimi digjital, inovacioni dhe zbatimi i standardeve të cilësisë në sektorë të ndryshëm.

Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar Sesioni “Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar” u udhëhoq nga Prof. Dr. Visar Hoxha. Diskutimet u përqendruan në planifikimin hapësinor, ekonominë qarkore, infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e hapësirave urbane të qëndrueshme.

Gjatë sesionit u prezantuan këto tema:

Valbone Dushi – “Cilësia dhe qëndrueshmëria: rritja e përgjegjshme, ekonomia qarkore dhe kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”.

Prof. Dr. Visar Hoxha, UBT – “Cilësia në patundshmëri dhe mjedisin e ndërtuar: krijimi i vlerës së qëndrueshme në qytetet e mençura”.

Prof. Dr. Alban Kuriqi, UBT – “Uji, klima dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës: zbatimi i standardeve të cilësisë inxhinierike për sisteme të qëndrueshme”. Dr. José Pedro Teixeira Domingues, nënkryetar i Shoqatës Portugeze për Cilësi (APQ) dhe përfaqësues i Universitetit të Minhos – “Cilësia në një pikë kthese: ndërlidhja e kulturës, qëndrueshmërisë dhe inovacionit digjital”. Prof. Dr. Binak Beqaj, UBT – “Cilësia e hapësirave, sistemet urbane dhe mjedisi i qëndrueshëm i ndërtuar”.

 

Prezantimet theksuan rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë në planifikimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mjedisit, duke synuar krijimin e hapësirave funksionale, të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës.

Në kuadër të programit të Kongresit u trajtuan gjithashtu tema që lidhen me cilësinë financiare, besimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, transformimin digjital të bankave, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e shërbimeve financiare inovative.

Në këtë kuadër u prezantuan këto tema: Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv i BKT Kosova – “Cilësia, inovacioni dhe shërbimet bankare të orientuara drejt klientit”. Prof. Dr. Shpresim Vranofci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe moderator i forumit – “Inteligjenca artificiale, teknologjia financiare (FinTech) dhe sigurimi i cilësisë në të ardhmen e shërbimeve financiare”.

Continue Reading

Lajmet

Forcimi i cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive në qendër të Kongresit të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Në kuadër të punimeve të Kongresit të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), dita e dytë ka sjellë në fokus sfidat, perspektivat dhe inovacionin në arsimin e lartë dhe zhvillimin e aftësive për një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm.
Sesioni paralel i kësaj dite, i kushtuar sigurimit të cilësisë, njohjes ndërkombëtare dhe aftësive të së ardhmes, ka bashkuar ekspertë të shquar, vendimmarrës dhe akademikë, të cilët kanë paraqitur pikëpamjet dhe vizionin e tyre për ngritjen e standardeve në sistemet arsimore.
Sesioni, i moderuar nga Prof. Dr. Besnik Skenderi, trajtoi tema kyçe që lidhen me qeverisjen e cilësisë, transformimin digjital, arsimin dual dhe lidhjen e ngushtë mes universiteteve, industrisë dhe shoqërisë. Në hapje të punimeve, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, theksoi rëndësinë e forcimit të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive si shtyllë kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Diskutimi u pasurua nga z. Shkëlzen Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Post-akreditim dhe Monitorim, i cili u ndal tek qeverisja e cilësisë në arsim dhe ndërtimi i sistemeve mësimore transparente, inovative dhe të orientuara nga teknologjia.

Në vijim, Prof. Dr. Avni Berisha, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, solli në vëmendje sfidat e njohjes ndërkombëtare dhe të ardhmes së sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Ndërsa znj. Mimika Dobroshi, udhëheqëse e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, prezantoi ndikimin afatgjatë të projekteve evropiane në sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e aftësive të reja.

Pjesë e rëndësishme e sesionit ishin edhe praktikat ndërkombëtare dhe modeli i arsimit dual. Assoc. Prof. Dr. Gordana Nikolić, eksperte e arsimit dual nga European University, elaboroi lidhjen mes universiteteve, industrisë dhe aftësive të së ardhmes.

Aspekti i digjitalizimit u trajtua nga Prof. Dr. Kozeta Sevrani nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, e cila foli për transformimin digjital dhe cilësinë në menaxhimin dhe arsimin e lartë. Për rëndësinë e kërkimit shkencor foli Prof. Dr. Anila Hoda, sekretare shkencore, duke u përqendruar te përsosmëria shkencore dhe bashkëpunimi në sistemet e njohurive. Ndërsa znj. Efka Heder, ish-drejtoreshë e SEECEL dhe përfaqësuese e Universitetit Mondragon, solli shembuj të arsimit të lartë të zbatuar dhe lidhjes së institucioneve me shoqërinë.

Kornizën shkencore të këtij sesioni e pasuroi Assoc. Prof. Dr. Cengiz Çesko nga UBT, i cili prezantoi punimin me titull “Quality, Productivity and Sustainable Value Creation in Food and Industry: Polyphenol Oxidase: From Biochemistry to Industrial Quality”. Në ligjëratën e tij, ai elaboroi kontrollin e PPO-së si një levë strategjike të cilësisë, duke sjellë para të pranishmëve qasjet bashkëkohore shkencore, mekanizmat, aplikimet praktike dhe integrimin e tyre me standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e tregut.

Në mbyllje të këtij blloku, Prof. Dr. Besnik Skenderi nga UBT prezantoi pikëpamjet mbi cilësinë, kompetencën dhe arsimin profesional, duke dëshmuar rolin kyç të UBT-së në ndërtimin e aftësive për punësim dhe performancë më të lartë në tregun e punës.

Ky sesion i Kongresit të EOQ-së konfirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve, akademisë dhe ekspertëve për të adresuar sfidat aktuale dhe për të çuar përpara standardet e cilësisë dhe inovacionit në arsim.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Qeverisja dhe cilësia institucionale në fokus të EOQ Congress 2026 në UBT

Published

on

By

Përfaqësues të institucioneve publike, diplomacisë, mediave dhe akademisë diskutuan në UBT për qeverisjen e mirë, besimin publik dhe standardet e cilësisë në shërbimet publike.

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, 67th European Organization for Quality Congress 2026, në kampusin inovativ të UBT-së u mbajt sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality”, ku u trajtuan çështje me rëndësi për funksionimin e institucioneve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve.

Sesioni u moderua nga Prof. Dr. Ylber Kryeziu dhe mblodhi folës nga institucionet e Kosovës, Shqipërisë, India dhe bota akademike evropiane, të cilët prezantuan perspektiva të ndryshme mbi rolin e cilësisë në qeverisje, diplomaci, media dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, prezantoi temën “Quality in Local Governance: Strengthening Municipal Services, Inclusion and Institutional Coordination”, duke vënë në fokus rëndësinë e shërbimeve komunale, përfshirjes dhe koordinimit institucional në qeverisjen lokale.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, trajtoi temën “Quality in Public Diplomacy and International Cooperation: Strengthening Institutional Trust and Global Partnerships”, me fokus cilësinë në diplomacinë publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si elemente të rëndësishme për forcimin e besimit institucional dhe partneriteteve globale.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, prezantoi temën “From Good Governance to Institutional Excellence: Quality, Trust and Resilience in Public Services”, duke trajtuar lidhjen ndërmjet qeverisjes së mirë, cilësisë institucionale dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve publike.

Nga perspektiva e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, Dr. Asif Iqbal, president i Indian Economic Trade Organisation (IETO) dhe India Africa Trade Council, prezantoi temën “Quality, Competitiveness and Institutional Trust”, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë, konkurrueshmërisë dhe besimit institucional.

 

Cilësia e informacionit dhe përgjegjësia e mediave në epokën digjitale ishin në qendër të dy prezantimeve të tjera. Drejtori ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, Niman Racaj, trajtoi temën “Quality of Information: Media Ethics, AI and Public Trust”, ndërsa kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi temën “Media Quality, Accountability and Trust in the Digital Age”. Të dy temat sollën në vëmendje rëndësinë e etikës, llogaridhënies dhe besimit publik në një mjedis mediatik që po transformohet nga zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale.

Perspektiva evropiane u përfaqësua nga Prof. Dr. Nikos Panagiotou nga Aristotle University of Thessaloniki, i cili prezantoi temën “Quality, Public Value and Institutional Resilience: A European Perspective”, duke e vendosur cilësinë në raport me vlerën publike dhe qëndrueshmërinë institucionale.

Sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality” ishte pjesë e programit të gjerë të EOQ Congress 2026, i cili në UBT bashkoi ekspertë dhe përfaqësues institucionesh për të shkëmbyer përvoja dhe perspektiva mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror.

Continue Reading

Lajmet

Evropianët janë ngopur me rritjen e çmimeve, protesta në shtatë vende

Published

on

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve

 

Në tetor, besimi i konsumatorëve në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në pesë muajt e fundit, sipas një sondazhi të Komisionit Evropian.

Qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po gërryen fuqinë e tyre blerëse. Ndërkohë, në disa vende evropiane janë zhvilluar protesta për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe për çështje që lidhen me sektorët e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Indeksi që mat pritjet e konsumatorëve në Eurozonë ra me 1,1 pikë në tetor krahasuar me shtatorin, duke arritur në minus 17,9 pikë, tregon raporti mujor i Komisionit Evropian, raporton KosovaPress.

Një rënie u regjistrua gjithashtu në të gjithë Bashkimin Evropian, ku indeksi ra me 1,2 pikë, në minus 17,3 pikë. Kjo tregon se besimi i konsumatorëve është larguar sërish edhe më shumë nga mesatarja afatgjatë e BE-së, vëren Komisioni.

Qytetarët janë veçanërisht të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po ul fuqinë e tyre blerëse.

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve.

Për shkak të rritjes së çmimeve, krizës së banesave dhe infrastrukturës së amortizuar në arsim dhe kujdesin shëndetësor, qytetarët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Austri, Spanjë, Greqi, Itali dhe Portugali.

Komisioni Evropian kreu një sondazh midis 1 dhe 21 tetorit në 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Estonisë.

Sondazhi mbulon 99,8 për qind të konsumit total përfundimtar në BE dhe në Eurozonë.

Komisioni do të publikojë një raport gjithëpërfshirës mbi pritjet ekonomike për Bashkimin Evropian dhe eurozonën në fund të muajit.

Continue Reading

Të kërkuara