Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Zëdhënësi i dr. Rugovës, Xhemail Mustafa

 27 qershor 1994

Represioni në Kosovë

Ferizaj: – Më 14 qershor, rreth orës 22:00, në kafenenë “Paris” në Ferizaj, derisa ishin duke qëndruar Myrtë Shehu, Basri Topalli dhe Sami Omuri, në lokalet e kësaj kafeneje hyri polici serb Zllatko nga Zaskoku, i njohur për dhunë kundër shqiptarëve dhe kërkoi nga Sami Omuri dhe Basri Topalli që t’i dërgoi me automjet deri në kafenenë “Mani”. Meqë personat e lartëshënuar nuk kishin automjet, ndërsa Myrtë Shehu atij i thotë se i mungon benzina, polici Zllatko e urdhëroi me dhunë që ta dërgoi në kafenenë “Mani”. Më pas nga kafeneja e lartpërmendur, polici Zllatko doli së bashku me tre shokë të tij dhe e urdhëruan me dhunë Myrtë Shehun që t’i dërgoi në fshatin Firajë.

Polici dhe tre shokët e tij në fshatin Firajë shkuan në shtëpinë e Gafurr Xhaferit nën pretekst se ia kanë borxh 2.300 DM. Gjatë kësaj kohe fshatarët e Firajës u grumbulluan para automjetit, si dhe njoftuan organet e policisë së Shtërpcës. Pas ardhjes së policisë së lartëshënuar, polici Zllatko i thotë Myrtë Shehut se duhet patjetër të deklarosh se nuk kemi ardhur për borxh, por për të kërkuar armë. Në stacionin e policisë në Shtërpcë, polici Zllatko deklaroi para kolegëve të tij se kinse njërit nga bashkëpunëtorit e tij Gafurr Xhaferi ia ka borxh 2.300 DM.

Pasi Myrtë Shehu lirohet, polici Zllatko i kërcënohet atij se nëse nuk deklaron se atje ishim për armë e jo për borxh do të kesh pasoja, njofton Kryesia e Aktivit III të LDK-së së Nëndegës së Gremes së Ferizajt.

Më 23 dhe 24 qershor, inspektorët serbë morën në pyetje dr.Asllan Bajramin, kryetar i Kryqit të Kuq të Ferizajt, për shkak të një letre, e cila ditë më parë nëpërmes postës i kishte arritur nga Partia Transnacionale Radikale nga Sofja e Bullgarisë, në të cilën bëhej fjalë rreth Gjyqit ndërkombëtar dhe kriminelëve të luftës së Jugosllavisë së vetëshpallur.

Më 24 qershor, rreth orës 13:00, inspektorët serbë ndërhynë tek shitësit e cigareve dhe rrahën rëndë Hasim Rifatin nga Ferizaj, i cili mori lëndime të rënda trupore.

Më 20 qershor, rreth orës 14:00, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia mori Rrahman Ramadanin në fshatin Kosinë të Ferizajt, i cili u dërgua në postkomandën e Nerodimes. Bëhet me dije se Rrahman Ramadani u rrah rëndë, ndaj të cilit u përdor edhe elektroshoku. Rrahman Ramadani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.

Skënderaj: – Më 24 qershor rreth orës 22, një ekspeditë e policisë, nën pretekst të kërkimit të armëve arrestoi në shtëpinë e tij Nezir Nebihun nga fshati Vojnikë i Skënderajt. Së bashku me Nezirin, polici e mori me vete edhe bashkëshorten e tij, e cila në polici u mbajt deri të nesërmen në orën 9 të mëngjesit.

Nezir Nebihu po mbahet ende në arrest, ndërsa këtë bastisje e bëri policia serbe e Klinës.

Gllogovc: – Më 23 qershor, rreth orës 23:00, policia bastisi shtëpinë e Ismail Bytyçit në Arllat të Gllogovcit.Gjatë bastisjes policia u soll brutalisht, me ç’rast në prani të anëtarëve të familjes rrahu djemtë e Ismailit, Shefqet e Xhevdet Bytyçin, të cilët edhe i morën me vete në stacionin e policisë në Gllogovc dhe i mbajtën deri rreth orës 23:00.

Të lartëshënuarit u morën sërish të nesërmen në polici, nën pretekst se prindi i tyre ka bërë një faj. Policia të lartëshënuarit i liroi me kusht që Shefqet Bytyçi të lajmërohet sërish të nesërmen në polici.

Deçan: – Sot rreth orës 7 të mëngjesit, policia serbe hyri në shtëpinë e Haxhi Përgjegjajt nga Lumbardhi i Deçanit, të cilin policia e rrahu në prani të anëtarëve të familjes. Pas bastisjes policia mori me vete Haxhi Përgjegjajn, i cili pas një orë qëndrimi u lirua me kusht që të paraqitet sërish.

 

27 qershor 1995

U arrestua gazetari Ramadan Muçolli

Sot, rreth orës 9:00, në Prishtinë, u arrestua gazetari Ramadan Muçolli. Anëtarët e familjes thanë se tre policë me rroba civile ia bastisën banesën, ku ai jeton me qira, dhe e arrestuan.

Bashkëshortja e Ramadanit tregoi se policët u interesuan gjatë bastisjes për punën e tij si gazetar. Ajo tha se policët kërkonin shënime gazetareske dhe kaseta të magnetofonit. Pas bastisjes, atij iu mor kasetofoni dhe pasaporta.

Ramadan Muçolli ishte gazetar dhe redaktor në Radio Prishtinë. Pas pushtimit të RTVP-së, ai punonte si gazetar i lirë dhe ka bashkëpunuar me radiostacione e gazeta shqipe. Ramadan Muçolli, si edhe shumë gazetarë të tjerë shqiptarë, ka qenë në shenjestër të policisë serbe.

Ai një herë u mbajt disa orë në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa gjatë aksionit të forcave serbe të pushtimit të ndërtesës së Institutit Albanologjik vitin e kaluar, bashkë me punëtorët shkencorë, ishte keqtrajtuar edhe zoti Muçolli.

Ramadan Muçolli, deri në mbylljen e këtij Informatori, në orën 15:00, nuk është liruar.

Lidhja e Gazetarëve të Kosovës (LGK) sot i njoftoi asociacionet ndërkombëtare lidhur me këtë arrestim.

LGK kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadan Muçollit dhe ndërprerjen e shtypjes serbe ndaj gazetarëve shqiptarë në Kosovë.

 

27 qershor 1997

Xh. Mustafa: Ardhja e Millosheviqit – si e çdo ardhacaku antishqiptar

 

Këshilltari për informim i kryetarit Rugova, Xhemail Mustafa, në një deklaratë dhënë “Bujkut”, e cilësoi ardhjen e pardjshme të kryetarit serb në Kosovë, si ardhje të çdo ardhacaku tjetër antishqiptar dhe si një provokim të rëndë për popullin e Kosovës, veçmas për shqiptarët.

– Arsyet e ardhjes së Millosheviqit në Kosovë padyshim duhet kërkuar në përpjekjet e tij për ta ringjallur nacionalizmin më ekstrem serb pikërisht nëpërmjet Kosovës dhe për t’ia zgjatur kështu edhe për një mandat eventual jetën regjimit të tij antishqiptar e antidemokratik. I vetëdijshëm se serbët e Kosovës dhe jo vetëm ata, tashmë i ka bërë viktimë të një politike të dështuar, Millosheviqi po përpiqet që me ta të manipulojë mbase për herë të fundit. Ai nuk e ka guximin e as moralin e njeriut e të politikanit që me serbët e Kosovës, me viktimat e regjimit të tij, të ballafaqohet në Beograd, aty ku po protestojnë e po bëjnë grevë urie me javë për mashtrimet që ua bëri pikërisht Millosheviqi dhe regjimi i tij gjatë kësaj dekade. Në vend që me ta të përballet e t’u japë llogari atje ku e kanë vendin edhe ata, edhe vetë Millosheviqi, kryetari serb, po përpiqet që serbëve në Kosovë t’u çojë sinjale dhe t’u japë kurajo për mashtrimet, për keqpërdorimet dhe për dështimet e reja që po ua përgatit përmes fjalimeve boshe nëpër qytete të Kosovës dhe nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme. Mashtrimin më të madh që u përpoq t’ua bëjë serbëve sot në Prishtinë Millosheviqi ishte premtimi se regjimi i tij nuk do të përkulet para presioneve ndërkombëtare për Kosovës. Premtime të këtilla ai u jepte me bollëk edhe serbëve në Kroaci e në Bosnjë, kurse fatin dhe fatkeqësinë e tyre e dinë të gjithë, besojmë edhe serbët e Kosovës.

Por, me ardhjen e tij në Kosovë, Millosheviqi jo vetëm që i bën një provokim të rëndë popullit të Kosovës, por me vetë aktin e pranisë këtu, shqiptarëve u çon indirekt disa sinjale po aq të rënda. Ai don që para popullit të Kosovës të demonstrojë jo forcën politike, sepse për shqiptarët ai është politikan i një shteti të huaj, por forcën fizike, brutalitetin e aparatit të tij represiv, që po vepron tash disa vjet në Kosovë kundër shqiptarëve. Nuk di a është momenti të thuhet, por me praninë e tij në Kosovë, Millosheviqi paradoksalisht ua tërheq vërejtjen të gjithë atyre politikanëve dhe njërëzve tanë publik, të cilët po e dëmtojnë unitetin politik në Kosovë, rendin që e kemi krijuar, bashkëpunimin mes institucioneve dhe mirëkuptimin mes forcave politike e shqiptarëve përgjithësisht, qoftë me mospunën e tyre, qoftë me prirjen për ngatërresa e për konfrontime rrënuese brendashqiptare. Për të gjithë shqiptarët bashkarisht, për rezistencën paqësore për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq, ardhja e kryetarit serb në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës është edhe një sinjal se për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, veç deklarimeve radikale verbale, kërkohet punë shumë më e madhe dhe veprime konkrete.

Le të përkujtojmë me këtë rast se Millosheviqi në Prishtinë ishte edhe para tetë vjetësh, në kohën e grevës së minatorëve në Stan-tërg, të histerisë antishqiptare, të rrënimit me dhunë të mëvetësisë së atëhershme politike e shtetërore të Kosovës dhe të ngritjes së tij në krye të regjimit serb. Ardhja e tij e tashme në Prishtinë, ndërkaq, shënon fillimin e rënies së këtij regjimi diktatorial, të paktën në Kosovë dhe për shqiptarët. Këtë krizë dhe rënie të pashmangshme Millosheviqi e paralajmëroi indirekt sot në Prishtinë, tek ua shpjegoi serbëve presionin e madh rreth çështjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, tha në fund të deklaratës së tij z. Mustafa.

 

27 qershor 1998

Forca të mëdha ushtarake në Sllatinë të Madhe

Në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës sot në mëngjes u stacionuan forca të mëdha të ushtrisë serbe.

KI i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë njofton se rreth orës 5 mbi këtë fshat fluturoi një aeroplan i forcave serbe ndërsa më vonë erdhi një konvoj i madh i forcave serbe i cili u vendos në pishat e Sllatinës së Madhe, ndërsa fshati pothuaj në tërësi është i rrethuar nga këto forca.

Konvoji përbëhej prej më shumë se 100 mjete motorike, prej të cilave 58 tankse, 30 kamionë me ushtar si dhe një numër i autoblindave ushtarake. Konvoji kishte me vete edhe ura të improvizuara dhe eskavatorë.

Një pjesë e mjeteve luftarake të ushtrisë i ka kthyer tytat në drejtim të fshatit Bardh i Madh, ku gjendet mihja sipërfaqësore, e cila nga fillimi i kësaj jave kontrollohet nga forcat e UÇK-së.

Njoftohet se mbrëmë rreth orës 18, derisa sa kalonin disa kamionë ushatarakë në drejtim të pishave të Sllatinës, 6 ushtarë malazezë ikën nga kamionët. Edhe pse oficerët shtinë me revole në drejtim të tyre, ushtarët ikën në drejtim të panjohur.

Gjendje e rëndë është edhe në vetë qytezën e Fushë Kosovës. Në mëngjes pizgauerët e policisë serbe morën në rrugë vullnetarët serbë, të cilët para dy ditësh janë veshur me uniforma të policisë, dhe i dërgoi në drejtim të Drenicës.

Continue Reading

Lajmet

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë

Published

on

By

Mesfushori i ri i Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare nga kombëtarja e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për familjen Bellingham, pasi 21-vjeçari do të ketë mundësinë të luajë krah për krah në një ekip me vëllain e tij të madh, yllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

Ngritja e tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar vjen si rezultat i paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Bundesliga me klubin gjerman Borussia Dortmund. Pas hapave të parë te Birmingham City dhe shkëlqimit me Sunderlandin në Angli, Jobe ndoqi pikërisht rrugën e vëllait të tij duke u transferuar te Dortmundi, ku tashmë është konsoliduar si një nga mesfushorët më premtues. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara