Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Foto: Zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, Xhejms Rubin)

 27 maj 1993

Adem Demaçi po hyn në ditën e katërt të grevës së urisë

Në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, Adem Demaçi, shkrimtar dhe ish i burgosur i ndërgjegjës, i cili në burgjet serbe qëndroi më shumë se 28 vjet, po vazhdon grevën e urisë në shenjë kundërshtimi të regjimit serb për të shkatërruar institucionin e vetëm informativo-botues në gjuhën shqipe në Kosovë “Rilindja”. Ai sot po hyn në ditën e katërt të grevës së urisë dhe sipas deklaratave të konziliumit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore tash për tash është relativisht e mirë.

Në konferencën e sotme për gazetarë të Këshillit Grevist, Adem Demaçi, iu lut gazetarëve që të ndërprejnë grevën e urisë. Njëkohësisht ai me këtë rast thirri të gjithë qytetarët që janë jashtë Pallatit të Shtypit, studentët, nxënësit dhe punëtorët, të vazhdojnë punën e tyre dhe mësimin, sepse kjo është mënyra më e mirë e përkrahjes, tha ai.

Bashkë me Adem Demaçin janë duke bërë grevë urie edhe shkrimtarë, gazetarë dhe punonjës të tjerë të “Rilindjes”.

Grevës së urisë së Adem Demaçit i janë bashkangjitur edhe Shaip Beqiri, Halil Matoshi, Milazim Krasniqi, Blerim Shala, Zenun Çelaj, Abdullah Konushevci, Ibrahim Kadriu, Arif Demolli, Vezir Ukaj, Ali Podrimja, Nehat Islami etj.

Gjestit të Adem Demaçit po i jipet një përkrahje e madhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës.

 

 

27 maj 1994

Në Podujevë u plagos rëndë fëmija Urim Xhevat Kopalla

Më 25 maj, rreth orës 19, në Podujevë, në rrugën e Obrançës, u plagos rëndë, me plumb në kokë, fëmija 8-vjeçar Urim Xhevat Kopalla. Ndihma e parë këtij fëmije iu dha në Podujevë dhe pastaj u dërgua në Beograd. Gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë shumë e rëndë.

Ende nuk dihet se si u plagos Urim Kopalla.

Më 25 maj, rreth orës 19, nga blloku i ri i banesave i banuar kryesisht me serbë, në afërsi të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, u dëgjuan breshëri të shtënash nga automatikët, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.

 

Represioni serb në Kosovë

Suharekë: – Më 25 maj rreth orës 17, katër policë serbë, nën pretekst të kërkimit të armëve, në fshatin Graiçec bastisën shtëpitë e Qerim, Sami, Gani dhe Ilmi Bokës, pastaj në lagjën Qarri po të këtij fshati bastisen shtëpitë e Mehmet e Jonuz Qarri. Policia Milazim Mehmet Qarrit ia morën veturën e markës “Askona” me regjistrim zvicran nga Greiçeci. Policia po ashtu keqtrajtoi Florim Bokën (20).

Pardje, rreth orës 17, katër policë bastisën shtëpitë e Jonuz dhe Mehmet Çarrit në fshatin Grejçec, me pretekst se kërkonin një automjet me regjistrim të huaj. Policët e morën veturën të cilën e kishte sjellë nga Zvicra Milazim Qarri. Dje Milazimi shkoi në polici për ta marrë veturën, por policët e arrestuan atë me qëllim të dërgimit të tij në ushtrinë serbe.

Skenderaj: Dje në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe zuri dy udhëqkryqet kryesore që qonin në këtë qytet dhe bënë një kontrillim rigoroz të automjeteve të qytetarëve. Dje, po ashtu, policia mori Hajrullah Veliqin nga fshati Polac prej të cilit kërkoi për të dytën herë një pushkë të vjetër, të cilën ai nuk e ka.

Sot, rreth orës 8, tre policë serbë shkuan në shtëpinë e Mehmet Mehmetit në Klinë të Ultë. Policët kërkuan nga Mehmeti që është trajner i klubit të futbollit “Skënderaj”, që t’i dorëzojë disa rekuizita sportive. Policia ia mori Mehmetit të gjitha rekuizitat që ia gjeti në shtëpi.

Këtij ekipi të futbollit policia ia ka ndërprerë ushtrimet para disa muajsh.

Kaçanik: – Më 23 maj, në bazë të një thirrjeje që kishte marrë nga policia e Ferizajt, u rrahë Mustafë Elezi nga fshati Sllatinë. Nga ai në fillim policia kërkoi një revole, por kur u lajmërua në stacionin e policisë nga kërkohej një pushkë automatike dhe një snajper. Personi që e mori në pyetje dhe që e keqëtrajtoi quhej Sreçko Dogançiq. Gjatë mbajtjes në polici Mustafë Elezit iu shkaktuan lëndime të rëndë në bark, veshkë dhe në kokë. Sipas deklaratës së tij, shkak i gjithë kësaj, siç i kishin thënë në polici, ishte se ai ishte biri i Ukë-ballistit. Këtij iu kërcënuan se po provoi të ikë, policia do ta arrestoi djalin e tij. Para se ta lironte, policia ia dha thirrjen tjetër që ky të paraqitet në polici të nesërmën.

Mitrovicë: – Javën që shkoi një punëtor i Kosova-transit me mbiemrin Llaçkoviq, së bashku me tre policë serbë they dhe hyri me dhunë në banesën e Ismet Shefki Begut, ish-punëtor në kombinatin “Trepça”, i aktualisht gjendet në Norvegji. Në këtë banesë I. Begu jetoi 15 vjet. Fqinjët e tij thonë se që nga ajo mbrëmje në banesën e Ismetit tubohen serbë dhe bëjnë shamatë me këngë dhe të shtëna.

Më 25 maj 8 policë bastisen shtëpinë e Shefqet Bilallit, nëpunës në Bashkësinë Islame në Mitrovicë. Policët nuk treguan shkaqet e bastistjes, por u sollën me brutalitet, duke thyer dyerë dhe gjëra të tjera në shtëpinë e tij.

Po me 25 maj policia për herë të tretë kërkuan Feti Sejdullah Bekën nga fshati Kçiq i Madh. Atij para një viti iu bastis shtëpia dhe iu mor një revole me leje. Policia nga Fetiu kërkuan edhe një revole tjetër.

Viti: – Nënkëshilli i KMDLNJ në Viti informon se policët serbë, së bashku me inspektorë civil, bastisën lokalet e Këshillit komunal për finacim. Policia mori disa materiale dhe arrestoi akatarin Emrush Azizin, i cili ende po mbahet në arrest.

Obiliq: – Më 25 maj policia thirri Kadri Thaqin, anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Obiliq, si dhe Esat Berishën, arsimtar i shkollës fillore “Liria” në Milloshevë. Me kërkesë që të dorëzojnë armë, ata u mbajtën në polici disa orë.

Vushtrri: – Më 22 maj, në hyrje të qytetit në Vushtrri, policia serbe arrestoi Fadil (Fetah) Gërgjaliun dhe e dërgoi në ushtrinë serbe në Nish.

 

 27 maj 1995

Dhuna në Kosovë

Istog: –Po me pretekst të armës, dje, në stacionin e policisë në Dubravë të Istogut, u rrah Mehmet Hysenaj.

Më 26 maj, me pretekst të kërkimit të armës, u mor në stacionin e policisë Zenel Tahiraj nga fshati Kërninë. Ai është keqtrajtuar rëndë dhe gjendja e tij shëndetësore edhe pas ndihmës së mjekut është e keqe. Nga ai është kërkuar që të paraqitet në polici edhe të hënën.

Lipjan: – Me pretekst të kërkimit të armëve, ditë më parë, policët rrahën Shyqyri Gashin nga Dobraja e Madhe e Lipjanit dhe e urdhëruan atë që të paraqitet në polici edhe të hënën.

Pejë: – Më 24 maj është marrë në pyetje Xhafer Krasniqi nga fshati Vranoc.

Me pretekst të dorëzimit të armëve, në stacionin e policisë në Kliçinë të Pejës u mor Ali Shabani nga Svërka.

Suharekë: – Dhuna kundër fshatarëve të Grejkocit, me pretekst të kërkimit të armëve, po vazhdon edhe më tutje. Kështu, dje, me këtë pretekst, në polici u morën Hysen (1946), Ismail (1950) e Florim (1970) Beqiraj dhe Maliqi Kicaj (1957).

Vushtrri: – Më 20 maj, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Nezir Hasanit në fshatin Ceceli. Neziri dorëzoi një revole, ndërsa tash policët i kërkojnë armë të tjera.

Më 24 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, në stacionin e policisë në Vushtrri, u mor Xhemajl Hajrizi nga fshati Strof.

Më 25 maj, një patrullë e policisë serbe kërkoi në shtëpinë e tij Xhevat Sylën nga Dumnica e Poshtme e Vushtrrisë dhe meqë ai nuk gjindej në shtëpi, policët morën peng djalin e tij.

Po në këtë fshat, policët morën një pushkë të vjetër në familjen e Hajriz Rexhës.

Më 26 maj, policët ishin në shtëpinë e Enver Parduzit, ku kërkuan një veturë të cilën gjoja Enverit ia paska lënë motra e tij, e cila punon në botën e jashtme.

 

 27 maj 1997

Zbulohen varre të reja të viktimave të gjenocidit serb në Opojë

Është i njohur gjenocidi serb mbi popullin shqiptar edhe në anën e Opojës, ku gjatë shtypjes së përgjakshme të kryengritjes antiserbe të vitit 1913, ushtria serbe masakroi disa banorë shqiptarë të kësaj ane, duke mos kursyer as gra e fëmijë.

Prof. Zekeria Cana, në bashkëpunim me arsimtarin Skënder Nebiu nga Brruti mblodhi të dhënat për viktimat e plojës së ushtrisë serbe te Livadhi i Kasës në Bresan-Blaç, ku gjendet varri i përbashkët i 18 viktimave. Ushtria serbe nuk u mjaftua vetëm me pushkatimin e burrave të zgjedhur nga çdo shtëpi, por kufomave të tyre ua vuri zjarrin.

Emrat e viktimave të skalitura në pllakën e parë janë: Abdi Xhelaludini, Haxhi Idriz Maliqi, Xhelaludin Maliqi, Maliq Xhelaludini, Rexhep Sinani, Shaban Sylejmani, Emin Halimi, Sali Musliu e Sahadat Rrustemi. Në pllakën e dytë figuron emri i Muhamet e Adem Brrutit. Të të njëjtin varr të përbashkët janë edhe eshtrat e Shaban Shabanit, Qerim Halimit, Nebih Idrizit dhe bashkëshortes së tij, pastaj të Destan Destanit, Veli Veselit dhe të Sinan Musliut.

Varri i dytë i përbashkët i viktimave të gjenocidit serb gjendet në fundin e Kodrës së Gjatë në vendin e quajtur Brijë, ku u masakruan 42 shqiptarë nga Brruti dhe 1 shqiptar i panjohur nga fshati Topojan. Deri tash janë identifikuar emrat e 28 viktimave, si të Bislim Dervishit, Bazë Rexhës, Metë Bajrës, Bisë Seronit, pastaj të Azizit, djalë i Tixhës, Behxhet Alisë, Kurt Alisë, Sahit Beqës, Kadri Bajrës, Demë Bajrës, Sylë Nurës, Hasani i biri i Zylfës, Meleq Alisë, Nurë Misinit, Fetah Azerit, Sylë Alisë, Ukë Shabanit, Islam Myrtës, Jakup Miftarit, Shaqir Isufit, Seron Halimit, Shitë Kamberit, Pajazit Xhelës, Sahit Beqës, Avdi Hasanit, Pajazit Beshirit, Mahmut Sylës dhe të Batë Makës.

Emrat e viktimave të tjera nga fshati Brrut, i cili u bë hi e pluhur nga ushtria serbe janë; Agush Mazllumi, Abaz Rexhepi, Nuhi Xhema, Mursel Kamberi, Kolë Jak Gjoni dhe Gjon Jak Gjoni (dyqanxhi në këtë fshat), Shasivari, Rizahu, Nuredini, Beqiri, Ukë Shabani, Qazim Jakupi, Ramadan Çaushi, Selman Rama, pastaj Tafil Sinani, Ismail Zeneli, së bashku me të shoqen, vajzën dhe dy djemtë, Hasan Zeneli, Zylfi Hasani, Shena, halla e Ymer Beshirit, pastaj e shoqja e Kadrisë së bashku me tre fëmijët e saj u mbyt në bunarin e Qamil Kadrisë. Bademe Agush Mazllumi gjeti vdekjen në zjarrin e shtëpisë bashkë me 4 vajzat e saja, pastaj e ëma e Tahir Sallës u dogj pranë pusit, ndërsa nëna e Ramiz Rrustemit u mbyt në pus.

Ushtria serbe i zuri në fshatin Pobreg, mbi 50 burra e djemë të Pllavës dhe i pushkatoi në Vraniq. Emrat e viktimave të identifikuara deri tash janë: Misin Lepri, Tosun Hasani, Dervish Tahiri, Ibrahim Lekaj, Mulla Shabani, Abdurrahman Shabani, Kasëm Nebihu, Mehmet Veliu, Kurtish Batia, Sherif Halimi, Kasëm, Merxhan dhe Behlul Tershnjaku.

Në Zym u vra Sadik Isufi dhe Hajrë Murati, ndërsa në Bellobrad u vra Sinan Miftari, Sejfullah Qafleshi dhe e ëma e Aziz Qafleshit, pastaj Xhemë Sadikaj, Memish Baxhaku dhe e shoqja Zylfihane me të birin Sallah Zeqirjahën, ndërsa disa gra dhe 5 fëmijë u mbytën në pus.

 

 

27 maj 1998

Përqëndrim i madh i forcave ushtarake e policore në Gllogoc

Në hapëirën e kombinatit të “Ferronikelit” në Gllogoc dje janë vendosur forca shumë të mëdha ushtarake e policore.

Ndër qytetarët e Gllogocit ëhstë përhapur frika se ky përqëndrim paralajëmron një sulm eventual kundër këtij regjioni, prandaj gjatë pasdiitës së djeshme, shumë qytetarë janë larguar nga Gllogoci.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc njofton se de në orën 9:00, në këtë lokalitet të Kosovës janë stacionuar forca të mëdha serbe me armatim të të gjitha llojeve.

Gjatë ditës së djeshme janë vendosur mbi 1000 ushtarë e policë të maskuar serbë që kanë arritur me 5 autoblinda, 88 automjete, kamioneta, pizgauerë dhe me 14 autobusë.

Në postbllokun e policisë në Komoran, mbrëmë gjatë tërë natës janë dëgjuar të shtëna nga të gjitha anët.

 

 

27 maj 1998

Xh. Rubin: “Ne do të jemi në gjendje të mbrojmë interesat tona vitale, nëqoftëse konflikti zgjerohet”

Prishtinë, 27 maj (QIK)

“SHBA-të dëshirojnë të shohin se janë marrë masa adekuate stabilizuese për të penguar përhapjen e konfliktit në Kosovë dhe, nëse kjo gjë ndodh, ne do të jemi në gjendje t’i mbrojmë interesat tona vitale në rajon”, deklaroi dje në konferencën për gazetarë zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, Xhejms Rubin.

I pyetur për shkallëzimin më të ri të dhunës në Kosovë dhe për mundësinë e dërgimit të trupave të NATO-s në kufirin me Kosovë, Rubin tha:

“Kemi marrë informacione për luftime gjatë uikendit në disa pjesë të Kosovës. Po ashtu, kemi informacione të besueshme se disa shtëpi janë djegur në një fshat. Ambasada jonë është duke hulumtuar këto të dhëna. Shkallëzimi i dhunës dëshmon se është i nevojshëm progresi në bisedimet mes Rugovës dhe Milosheviqit, të cilat janë duke vazhduar. Që nga takimi i tyre të premten e kaluar, palët janë në kontakt të përhershëm me ambasadorin Kristofer Hill, i cili është ofruar të ketë rol ndihmues në negociata. Me sa dimë palët do të takohen sërish gjatë kësaj jave, ndërsa ne do të vazhdojmë t’i trimërojmë ato që t’i qasen çështjeve kyçe. Dr. Rugova dhe këshilltarët e tij gjatë kësaj jave do të vizitojnë Uashingtonin dhe do të kenë takime me zyrtarët e lartë të administratës. Ndërsa sa i përket dërgimit të trupave të NATO-s në kufi me Kosovën dhe në rajon, dua të përsëris se ne gjithmonë kemi kërkuar që të sigurohen masa adekuate stabilizuese dhe ne do të jemi në gjendje të mbrojmë interesat tona vitale, nëqoftëse konflikti zgjerohet”.

I pyetur se a do të takohen së shpejti ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit, Rubin tha se nuk ka informacion të konfirmuar për këtë takim dhe shtoi se “dr. Rugova do të jetë këtu dhe sekretarja e Shtetit, Ollbrajt, do të bisedojë për Kosovën me homologët e saj në Luksemburg”.

 

 

Dy të vrarë të paidentifikuar qëndrojnë qe pesë ditë në Grabanicë

Nga data 22 maj, në rrugën para shtëpisë së Sali Shabanit në Grabanicë, qëndrojnë trupat e pajetë të dy të rinjëve, identiteti i të cilëve nuk dihet.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Klinë njofton se shtëpitë e këtij fshati janë djegë, kurse njerëzit janë larguar nga shtëpitë. Megjithë këtë, forcat serbe nuk lejojnë depërtimin e njerëzve në fshat as nuk lejojnë kthimin e njerëzve në tokën e vet.

 

Në Baballoq forcat serbe vranë pardje Ramiz Sadik Batushën

Ramiz Sadik Batusha (22) nga Baballoçi është vrarë pardje gjatë sulmit serb në këtë fshat, njoftoi sot radio “Dojçe vele”.

Fshati Baballoç, që mbahet i rrethuar e sulmohet tash më shumë se një muaj, u sulmua nga forcat e shumta serbe edhe gjatë tri ditëve të fundit, kur sulmet serbe ndaj fshatrave të Deçanit ishin të një intensiteti të lartë.

Nga sulmet pothuaj të përditshme serbe ndaj Baballoçit, në këtë fshat janë dëmtuar shumë shtëpi, por në pamundësi të depërtimit në këtë fshat, ende nuk dihen përmasat e sulmeve serbe.

Continue Reading

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara