Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

27 gusht 1993

Skenar i mundshëm i “Indipendentit” për luftën në Kosovë

Gazeta e Londrës “Indipendent”, botoi një vështrim të gjatë rreth pesë luftërave të mundshme në botë, në mesin e të cilave parasheh edhe luftën në Kosovë dhe rreth Kosovës.

Duke përshkruar situatën e tanishme në Shqipëri e në Kosovë dhe në vise të tjera etnike shqiptare, kjo revistë shkruan:

Shqipëria ka 3 milionë banorë, kryesisht të besimit mysliman. Megjithatë, në Shqipëri, në një të tretën e vendit jetojnë edhe 400 mijë pjesëtarë të minoritetit grek. Greqia këtë rajon e quan Epiri Verior dhe për të i bëri kërkesë Konferencës së paqes në Paris më 1946. Partisë politike kryesore të grekëve në Shqipëri “Omonia” iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje. Këshilli i shenjtë i kishave protestoi kundër ndjekjes së Kishës pansllave dhe dëbimit të paradokohshëm të arhimandritit Majdonis.

Vetëm para gjashtë vjetësh u hoq edhe teknikisht gjendja e luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, e cila zgjati që nga viti 1945. Greqia para do kohësh përzuri 26 mijë shqiptarë, të cilët këtu u vendosën ilegalisht dhe për këtë i bëri ultimatum Tiranës. Athina në fakt kërkon shtet grek në kuadër të Shqipërisë.

Në krahinën serbe të Kosovës, e cila në jug kufizohet me Shqipërinë, jetojnë 2 milionë të nacionalitetit shqiptar. Ata përbëjnë 90 për qind të popullsisë së Krahinës dhe kanë formuar Qeverinë etnike të papranuar si përgjigje në represionin e Serbisë, e cila Kosovën e konsideron si pjesë historike dhe të patjetërsueshme, shkruan kjo revistë.

Gazeta “Indipendent” parasheh edhe skenarin e katastrofës: Meqë Serbia mori pjesën e vet të Bosnjës, në pranverën e vitit 1994 kërkon provokime të reja. Kryetari Slobodan Milosheviq, i cili që më 1989 i deklaroi pakicës serbe në Kosovë se “Askush dhe kurrë më nuk guxon t’ju rrahë”, provokon një rund të ri të konflikteve midis dy bashkësive.

Milosheviqi atje dërgon ushtrinë serbe për të rikthyer kontrollin mbi administratën e paligjshme të shqiptarëve. Në fakt qëllimi i tij i fshehtë është spastrimi etnik dhe dëbimi i shqiptarëve kosovarë përtej kufirit në vet Shqipërinë.

Shqipëria do të mobilizohet për t’i mbrojtur bashkatdhetarët e vet – ndoshta përmes kundëraksionit, duke iu përgjigjur kërkesës së shqiptarëve kosovarë, të cilët administrimin e tyre e proklamuan si “Qeveri rajonale”. Milosheviqi shkon në Athinë të bisedojë rreth kësaj krize me premierin grek Konstantin Micotaqis. “Omonia” 24 orë më vonë “spontanisht” i drejtohet Greqisë për ndihmë, me insistim se ithtarët e saj frikësohen për jetën e tyre. Greqia mobilizohet dhe jep afat Tiranës 48 orë që ta pranojë “Republikën greke të Epirit”. Shqipëria përgatitet për luftë në dy fronte kundër ushtrive më të mëdha dhe ushtarakisht më të forta të Ballkanit. Turqia, që konsiderohet si mbrojtëse historike e shqiptarëve myslimanë në Ballkan, fillon fluturimet provokative dhe mbikëqyrëse mbi siujdhesat greke në Dardanele dhe mbi Greqinë veri-lindore në Thrakia, ku jeton pakica e madhe në numër turke.

Po qe se Kombet e Bashkuara nuk intervenojnë urgjentisht ushtarakisht, bota do të ballafaqohet ose me luftën e përgjithshme rajonale, nëse Turqia sulmon Greqinë, ose me ndarjen e paevitueshme të Shqipërisë, nëse Turqia përmbahet. Shqipëria në këtë mënyrë do të bëhej Bosnja e dytë me katër milionë shqiptarë të varfër. Në të do të vendoseshin refugjatët nga viset e spastruara etnikisht të Kosovës dhe të Epirit Verior, përfundon skenarin e vet revista londineze “Indinpendent”, të cilin e boton “Borba” e sotme.

 

 

27 gusht 1994

U burgosën mbi 2 mijë refugjatë shqiptarë në Greqi

Shumica nga agjencitë kryesore të lajmeve dje bënë të ditur se ministri i jashtëm grek, Papulas, hodhi poshtë propozimin e kryetarit shqiptar Sali Berisha për dialog ndërshtetëror, pas ndërmjetësimit të Komisionarit të Lartë të KSBE-së Maks Vander Shtolit, me pretekst se më parë duhet liruar pesë shtetasit shqiptarë me kombësi greke të akuzuar për spiunim.

Dhe derisa diplomacia greke tregohet kaq arrogante ndaj propozimit shqiptar, vetëm për shkak të burgosjes së pesë minoritarëve grekë, agjencia greke MPA njofton se sipas deklaratës së shefit të policisë së Selanikut, Kostin Bres, i cili është edhe shef për çështjen e refugjatëve në Greqinë Veriore, që nga 15 gushti u burgosën 2 mijë refugjatë shqiptarë, bile vetëm në këtë zonë veriore. Po ky shef policie vërtetoi gjithashtu se për çdo ditë burgosen nga 250 qytetarë shqiptarë.

 

27 gusht 1995

Ushtarët serbë vranë Ymer Agushin nga Gërqina e Gjakovës

Mbrëmë në orën 18:45 ushtarët serbë vranë me armë zjarri Ymer Dervish Agushin (1973) nga fshati Gërqinë e Gjakovës, afër kufirit me Shqipërinë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njoftoi se ky i ri u qëllua me armë derisa po punonte me disa bashkëfshatarë në hapjen e një vije në lagjen Gutaj për të shpëtuar fshatin nga vërshimet e ujit.

Tre ushtarë, në gjendje të dehur, u ndalën afër fshatarëve dhe pasi i ofenduan e filluan t’i rrahin, qëlluan me armë dhe vranë Ymer Agushin.

Pas vrasjes së këtij të riu, baba i një fëmije, fshati u bllokua nga ushtria serbe.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin Gërqinë në orën 15:00.

Dervish Agushi është viktima e njëmbëdhjetë e terrorit shtetëror serb në Kosovë.

Vitin e kaluar forcat serbe patën vrarë 18 shqiptarë.

 

27 gusht 1997

Gjashtë të vrarë gjatë gushtit në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri

Gjashtë shqiptarë të vrarë e shumë të plagosur vetëm gjatë muajit gusht, është bilanci i zi i terrorit në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë në rrethin e Gjakovës. Tre janë vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe të përqëndruara përgjatë kufirit, ndërsa tri vrasje të tjera nuk janë sqaruar. Të vrarët dhe të plagosurit janë nga të dy anët e kufirit, shkruan “Bujku” i sotëm.

Njoftohet se në zonat kufitare të Kosovës me Shqipërinë mbretëron një situatë tejet e rëndë dhe e tensionuar nga terrori sistematik shtetëror serb. Situatën e rëndojnë edhe grupe të armatosura plaçkitëse nga zonat e afërta të Shqipërisë.

 

27 gusht 1998

Shtime: Forcat serbe qëlluan me granatë anëtarët e familjes Asllani

KMDLNJ njofton për 11 të vrarë, në mesin e tyre tetë fëmijë

KMDLNJ njoftoi sot në mëngjes se forcat serbe qëlluan me granatë nga tanku anëtarët e familjes Asllani që po largoheshin nga Grapci i Shtimes, duke vrarë Jalldyze Asllanin (62), Halide Asllanin (37), Ajshe Asllanin (27), Burim Asllanin (13), Lumni Asllanin (11), Ejup Asllanin (9), Luljeta Asllanin (7), Shpend Asllanin (5), Xhafer Asllanin (3), Antigonë Asllanin (1) dhe Albionë Asllanin (6 muajshe).

Janë lënduar rëndë vëllezërit Isak Asllani, Musa Asllani dhe Ekrem Asllani.

Ky akt kriminal ndodhi dje në mes orës 13 e 14.

Deri më tash nuk ka njoftim nga burime të tjera.

 

Në Duhël të Suharekës forcat serbe ekzekutuan 4 dhe plagosën 1 shqiptar

Dje në fshatin Duhël të Suharekës, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe në lagjen e Sopajve vranë vëllezërit Isuf Ahmet Çatani (30) dhe Ridvan Ahmet Çatani (25), njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

I njëjti burim bën të ditur se forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë marrë rob dhe pastaj e kanë ekzekutuar Ruzhdi Ymer Çatanin (25) nga Duhla. Po ashtu bëhet e ditur se forcat serbe e kanë ekzekutuar edhe një civil tjetër shqiptar, emri i të cilit nuk dihet.

Njoftohet se forcat serbe kanë plagosur edhe Jahir Perteshin po ashtu nga Duhla.

Continue Reading

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara