Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Greva e urisë në Rilindje”, 1994)

26 maj 1993

Adem Demaçi vazhdon grevën e urisë

Adem Demaçi, prej parmbrëmë është në grevë urie në shenjë proteste kundër shkatërrimit të “Rilindjes” dhe mbylljes së të gjitha mjeteve të informimit në gjuhën shqipe në Kosovë, nga ana e pushtetit serb.

Adem Demaçi, është i burgosur i njohur i ndërgjegjës, i cili nëpër burgjet serbe i kaloi mbi 28 vjet burg. Demaçi, është shkrimtar dhe intelektual i njohur shqiptar.

Më 1991, Adem Demaçit iu dha çmimi “Saharov” i Parlamentit Evropian.

Adem Demaçi, është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe kryeredaktor përgjegjës i javores politike “Zëri”.

Në një deklaratë dhënë mbrëmë “Zërit të Amerikës”, Adem Demaçi theksoi: “Këtë grevë urie po e bëj në shenjë proteste kundër regjimit militarist hegjemonist serbomadh të Beogradit. Kërkesa ime është që të na lënë rehat, që t’i nxjerrim gazetat brenda mundësive tona dhe që të mos na bëjnë pengesa. Po ashtu, me këtë grevë, dua të tërheq vërejtjen opinionit botëror që të heqë dorë nga kjo indiferencë dhe gjakftohtësi me të cilat i ndjek të gjitha këto të zeza që i bëri e po i bën regjimi militarist duke shtypur, vrarë e duke bërë pastrime etnike të popujve joserbë dhe të popujve të tjerë në hapësirat e Bllkanit”.

 

Në grevë urie u hodhën edhe punëtorët “Rilindjes”

Në shenjë proteste kundër pushtimit të “Rilindjes”, institucionit më të rëndësishëm kombëtar të informimit e të kulturës shqiptare në Kosovë nga pushteti serb, prej sot Adem Demaçit iu bashkuan me një grevë urie të përgjithshme selektive edhe gazetarët, shkrimtarët dhe punëtorët e tjerë të shumtë të “Rilindjes”. Me grevën e urisë punëtorët e “Rilindjes” nuk do ta rrezikojnë botimin e gazetave të pakta në gjuhën shqipe, të cilat pushteti serb, me themelimin e ndërmarrjes “Panorama” don t’i shuajë përfundimisht.

Punëtorët e “Rilindjes”, dje lëshuan një deklaratë për opinion në të cilën thuhet: “Pushteti serb me formimin e ndërmarrjes “Panorama”, me të cilën merr tërë pasurinë e ndërmarrjeve të “Rilindjes”, e shuan fjalën e lirë shqipe, ndalën veprimtarinë informative, krijimtarinë kulturore, letrare, shkencore e artistike shqiptare në Kosovë. Këtë gjenocid ndaj shqiptarëve, pushteti serb e ka filluar me zbatimin e masave të dhunshme në disa kolektiva të “Rilindjes”, të cilat i ka sjell para likuidimit, me ndalimin e gazetës së përditshme “Rilindja” më 1990″.

Me mbylljen përfundimtare të informimit në gjuhën shqipe në Kosovë dhe me shtrirjen e plotë të territ informativ, thuhet në këtë deklaratë për opinion, po e fitojnë shansën e vet, fuqitë më të errta hegjemoniste e shoviniste serbe, për të krijuar dezinformimin e papengueshëm, i cili mund të sjell pasoja të kobshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në këtë mënyrë pushteti serb, është ai që dëshiron ta bartë tragjedinë e Bosnjës edhe në Kosovë dhe për këtë opinioni botëror është i informuar mirë.

Këshilli Grevist i NSHP “Rilindja”, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, paraqiti kërkesat e gazetarëve dhe të punonjësve të të gjitha ndërmarrjeve që veprojnë në kuadrin e saj.

Ata kërkojn që:

– të shfuqizohet Ligji për formimin e të ashtuquajturës “Panorama”,

– t’i kthehn të gjitha të drejtat që NSHP “Rilindja” i kishte para 5 korrikut të vitit 1990, kur në të u aplikuan masat e dhunshme,

– të mos pengohet shtypi i lirë dhe i pavarur,

– të kthehn në punë të gjithë punëtorët e larguar gjatë kohës së masave të dhunshme dhe

– të mos inicohet në mënyrë të njëanshme transformimi i pronës së “Rilindjes”.

Në këtë konferencë u tha se gazetarët e revistave “Bujku”, “Zëri”, “Fjala” dhe “Shkëndija” prej sot (26 maj 1993 në orën 11 janëd solidarizuar me grevën e urisë së Adem Demaçit). Me këtë grevë janë solidarizuar edhe disa shkrimtarë që punojnë në redaksinë e botimeved të “Rilindjes”, kurse në grevë të përgjithshme janë të gjithë punonjësit e kësaj shtëpie botuese informative e grafike.

Mirëpo, edhe përkundër grevës së urisë, këshilli Grevist bën me dije se pjesët më vitale të NSHP “Rilindja” do të funksionojnë.

 

 

26 maj 1994

Represioni në Kosovë

Pejë: – Pardje, derisa kishte shkuar për të marrë letërnjoftimin në Qendrën e Sigurimit serb në Pejë, policia rrahu Ibrahim Sylejmanin (1942) nga Peja. Ibrahim Sylejmani u rrah nën pretekst se kohë më parë e ka vizituar Shqipërinë, ndërsa ai nuk disponon fare me pasaport.

Bëhet me dije se Ibrahim Sylejmani mori lëndime të rënda trupore. Skënderaj: – Dje një ekspeditë e policisë së bashku me një picgauer, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisën shtëpinë e Hamit Salihut në Qirez të Skënderajt, i cili këto ditë është kthyr nga Gjermania ku punon tash 20 vjet.

Policia pas bastisjes kërkoi djemtë e Hamitit, Izedin dhe Sinan Salihun, të cilët gjoja i kanë ikur thirrjes për shërbim ushtarak. Policia ia mori peng pasaportën Hamit Salihut dhe e urdhëroi që sot të paraqitet në stacionin e policisë në Skënderaj.

Vushtrri: – Më 22 maj rreth orës 10.00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve rrahu Azem Hasanin në fshatin Strofc të Vushtrrisë.

E njëjta ekspeditë ishte edhe në shtëpinë e Xhafer Aliut në fshatin Strofc, me ç’rast policia mori me vete nënën e Xhaferit, Mihame Aliun dhe Bali Aliun, të cilët u mbajtën rreth tri orë në polici. Pas bastisjes, Xhafer Alit iu la thirrja që të paraqitet më 23 maj në stacionin e policisë.

Po këtë ditë, në të njëjtin fshat, nën pretekst të kërkimit të armëve u bastisën edhe shtëpitë e Ismet dhe Nazmi Jasharit. Meqë Nazmi Jashari nuk gjendet qe dy vite në shtëpi, policia iu kërcënua bashkëshortes së tij se po qe se nuk dorëzon armën do të vijnë çdo ditë për t’i basatisur. Ismet Jashari u urdhërua që të paraqitet të nesërmen në polici.

Dje rreth orës 12.00, një ekspeditë e policisë ndërhyri në lokalet e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Pasomë të Vushtrrisë, të cilët kërkiuan drejtorin e kësaj shkolle, i cili nuk gjendej atu. Policët nga sekretari i kësaj shkolle kërkuan që t’i dorëzojë dëftesat e nxënësve dhe vulat e shkollës. Policët më pas demoluan dhe thyen shumë orendi, si dhe morën me vete flamurin dhe disa portrete të figurave kombëtare shqiptare.

Hani i Elezit: – Dje rreth orës 5 të mëngjesit policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën shtëpitë e Latif Dernjanit, Shefqet dhe Enver Krasniqit dhe atë të Hivzi Hasatiqit në fshatin Paldenicë. Pasi në këto shtëpi nukl u gjet asgjë nga armët e kërkuara, policia mori me vete Latif Dernjanin dhe Shefqet Krasniqin.

Malishevë: – Pardje në postkomandën e policisë në Kijevë prej orës 9 deri në orën 16, është torturuar brutalisht i riu Shaip R.Bacaliu nga Kijeva nën pretekst se e ka rrahur kushërirën e tij, Rahimen, e cila kohë më parë është martuar me një polic serb nga Gjakova. Bëhet me dije se gjatë keqtrajtimit të Shaip R.Bacaliut, në stacionin e policisë mori pjesë edhe bashkëshorti i Rahimes, Milenko Periqi nga Kijeva.

Gllogovc: – Dje derisa mbahej mbledhja e Aktivit të LDK-së në fshatin Korroticë e Poshtme e Gllogovcit, në të cilën merrnin pjesë edhe Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Komunal për Financim dhe anëtari i Kryesisë së Degës së LDK-së së Gllogovcit, Izet Ibrahimi dhe Tahir Zeneli, kryetar i Aktivit të LDK-së në Korroticë të Poshtme, ndërhyri policia serbe dhe i arrestoi të tre.

 

 

26 maj 1995

Vazhdon dërgimi me dhunë i të rinjve shqiptarë në ushtrinë serbe

Policia në komunën e Vushtrrisë vazhdon edhe më tutje të ndjekë të rinjtë shqiptarë për t’i dërguar ata me dhunë në ushtrinë serbe.

Kështu, më 24 maj, policët me këtë pretekst shkuan në shtëpinë e Sylejman Pajazitit në Smrekovnicë dhe kërkuan djalin e tij Ekrem Pajazitin, i cili ka dezertuar nga ish-armata jugosllave. Policia kërcënoi anëtarët e familjes se nëse Ekremi nuk paraqitet në polici do t’i arrestojnë të gjithë anëtarët tjerë të familjes së tij.

Po me këtë pretekst, u arrestua i riu Hajdar Mustafa nga Stanofci i Ulët, i cili gjithashtu ka dezertuar nga ish-ushtria jugosllave. Ai u dërgua në stacionin e policisë në Vushtrri dhe për fatin e tij të mëtejmë familja nuk ka njoftime.

 

26 maj 1997

Mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së shkrimtarit Azem Shkreli

Sot, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë, u mbajt mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së shkrimtarit Azem Shkreli, në të cilën, përveç anëtarëve të familjes Shkreli dhe miqve e dashamirëve të shumtë, mori pjesë edhe kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Mbledhjen e hapi Milazim Krasniqi, sekretar i SHSHK-së, ndërsa fjalën e rastit e mbajti shkrimtari Ramiz Kelmendi.

“Edhe një rrufe, befasisht e sidomos padrejtësisht, një rrufe krejt e pakohë e sidomos e pavend, goditi rëndë, mu në majë, mbarë letërsinë, artin, kulturën dhe kombin shqiptar: na vdiq Azem Shkreli. Mbetëm pa një poet tonin të madh, shumë të madh, nga ata dy-tre ndër më të mëdhenjtë, mbetëm pa poetin tonë të madh, shumë të madh, me aq të veçanta, që e shquanin vetëm atë, mbetëm pa Azem Shkrelin”, tha në fillim të fjalës së tij Ramiz Kelmendi.

Në vazhdim ai tha se Azem Shkreli ka qenë “gjithmonë befasues për të mirë në ato bëma të tij aq të çmuara, tek na befasoi së pari me romanin ‘Karvani i bardhë’, kur s’ish ende as 23 vjeç, gati aq sa edhe Jeronim de Rada kur botoi veprën e parë të letërsisë sonë artistike, ‘Milosaon’, befasues me ‘Bulëzat’ dhe me ‘Engjëjt e rrugëve’, befasus me ‘E di një fjalë prej guri’ dhe ‘Nga bibla e heshtjes’, befasues me ‘Fosilet’, me ‘Varrin e qyqes’, me ‘Këngën e hutinit’, me ‘Pagëzimin e fjalës’, me ‘Natën e papagajve’, me ‘Murin e shqipeve’, befasues në mënyrë të veçantë dhe tashti më së shumti me vëllimin e tij të fundit ‘Lirikë me shi’, përplot perla poetike dhe versionin e ri të romanit ‘Karvani i bardhë’. . . “.

Më tutje ai tha se Azem Shkreli la pa kryer romanin e vet të vetëm “Trilogji” dhe la në dorëshkrim edhe vëllimin e vet të fundit me titull shumë sinjifikativ: “Zogj dhe gurë”.

Në mbyllje të fjalës së tij Kelmendi tha se “kur vdiste kush, Azemi pyeste gjithmonë: ‘a ka vdekur shumë, a ka vdekur pak?’ Letërsia shqiptare, kultura shqiptare, kombi shqiptar sot ka një vdekje shumë të madhe: na vdiq Azem Shkreli!

Lavdi i qoftë, prandaj, për gjithçka bëri dhe gjithçka la pas dhe borxh ia paçim për jetë të jetëve”, tha në fjalën e tij shkrimtari Ramiz Kelmendi.

Mbledhje komemorative kushtuar Azem Shkrelit u mbajt edhe në Pejë, ku morën pjesë përfaqësuesit e pushtetit lokal e të partive politike si dhe shumë miq, dashamirë e bashkëvendësish të shkrimtarit të ndjerë. Këtë mbledhje e hapi Aver Husaj, kryetar i Kuvenbdit të Komunës, ndërsa për figurën e Azem Shkrelit foli Hajdar Mekaj, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve të Pejës. Kujtime për të ndjerin evokuan miqët e tij, Nimon Alimusaj dhe Adem Hajdaraj.

 

 

26 maj 1998

Mbrëmë në Lubeniq të Pejës u masakruan dhe u ekzekutuan para anëtarëve të familjeve së paku 8 shqiptarë

Forcat serbe – policia dhe ushtria, organizuan gjatë ditës së djeshme një prej masakrimeve më të tmerrshme kundër popullsisë civile shqiptare. Gjatë ditës djeshme janë masakruar: Zeqë Hamza (68), Brahim Hamza (64), Dërvish Hamza (51), Ymer Hamza (53), Gani Hamza (25), Rifat Hamza (24), Bashkim Hamza (23), Hysen Hamza (40) dhe Haxhi Mehmet Goga (22) nga Deçani, i cili ishte mysafir në familjen Hamza, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së dhe NKMDLNJ në Pejë. Ndërkaq forcat serbe plagosën shtatë qytetarë shqiptarë dhe keqtrajtuan në mënyra të ndryshme shumë të tjerë.

Pas masakrës së djeshme, banorët janë larguar nga Lybeniqi, Raushiqi dhe të fshatrat përreth. Një pjesë e tyre arritën në Pejë. Në Pejë janë vendosur rreth 7 mijë vetë të ikur nga rajonet e rrezikuara.

 

Rrëfim tronditës i babait që iu ekzekutua para syve një djalë, ndërsa dy të tjerë dhe nipi shpëtuan

Dëshmitarët flasin për një ekspeditë të tmerrshme të forcave serbe. Mehmet Goga (Cacaj), kishte shkuar në Lubeniq nga Deçani. Në një deklaratë për QIK-un ai e përshkroi se si forcat serbe i nxorrën tre djemtë e tij Haxhiun, Ardeshirin dhe Mujën dhe nipin Gëzim Shaban Huskajn për t’i pushkatuar. Në vend djali Haxhiu, ndërsa për fat të mirë tre të tjerët shpëtuan.

Ja se e përshkroi në një deklaratë për QIK-un një pjesë të aksionit të forcave serbe Mehmet Goga (Cacaj):

“Në fshatin Lubeniq jam strehuar me 12 anëtarë të familjes. Kah ora 13:15 ushtria filloi të shkrepë granata. Pas një kohe në fshat erdhën shumë policë me autobusë e me pizgaurë. Policia e ushtria e rrethuan fshatin e Lubeniqit, e pastaj pjesëtarët e forcave serbe hynë nëpër shtëpi dhe vranë e masakruar njerëzit. Burrat i nxorën jashtë dhe i pushkatuan në në prani të anëtarëve të tjerë të familjeve”.

“Pjesëtarët e forcave serbe m’i morën edhe tre djemtë e mi dhe një nip. I nxorën nga shtëpia dhe i mbështetën për muri. Pasi i mbështetën për muri u larguan dhe shtinë në drejtim të tyre me rafale me qëllim që t’i pushkatojnë. Krahas rafaleve, pashë se si të katërt djemtë që ishin në këmbë ranë për toke. Kujtova se i vranë që të katërtit. U kacafyta me ta. Policët ishin të bindur se e kryen punën e vet, prandaj ata dolën nga oborri. U afrova afër djemve që qëndronin të shtrirë. Djali i parë posa u afrova më tha: ‘Babë jam gjallë’! Edhe i dyti djalë, Muja, më tha: ‘Babë jam gjallë’. Edhe i treti tha se është gjallë. Ndërsa i katërti u mundua të thoshte se është gjallë, por ai u kthye në shpinë dhe dha shpirt – ai kishte katër plagë të rënda në zemër”, rrëfen me dhembje e tmerr z. Goga.

Ai i tha QIK-ut se në Lubeniq janë bërë masakra që s’mund të përshkruhen. “I kanë dhënë flakën shtëpive dhe i kanë bërë rrafsh me tokë. Kanë vrarë e plagosur shumë njerëz. Ata që i kanë shpëtuar masakrës në fshat dhe që kanë marrë ikën, janë qëlluar me rafale armësh, derisa ngjiteshin shpatit mbi fshatin Lubeniq.

Kam frikë se shumë prej tyre janë vrarë e plagosur”, tha z. Goga duke shtuar se fshati ka mbetur i zbrazët.

Ai tha se pas masakrimit të Lubeniqit forcat serbe shkuan në drejtim të Strellcit.

Në fund të deklaratës së tij z. Goga shtoi: “Atyre që ranë – lavdi u qoftë! Dhashtë zoti e ardhtë liria shpejt se për të po japim jetën për ta trashëguar emrin që na e kanë lënë stërgjyshërit”, tha Mehmet Goga (Cacaj).

 

Dje dhe sot në fshatrat e Deçanit tre të vrarë e katër të plagosur

Sot rreth orës 9:00 në qendër të Deçanit, u vra në oborrin e shtëpisë së tij Nexhat Sadri Yberhysaj, i moshës 27 vjeçare. Ky i ri u vra nga snajperistët serbë.

Ndërsa dje në fshatin Rastavicë është vrarë Zojë Selmanaj (Kuçi) e moshës 70 vjeçare.

Në Strellc të Epërm është vrarë Ismet Ukaj (22), ndërsa është plagosur Bedri Hasanmetaj.

Në Voksh janë plagosur rëndë Agim Hasan Hadërgjonaj (26), Muhamet Maxhun Hadërgjoinaj (28) dhe Bashkim Demë Mazrekaj (30)

 

U vra para shtëpisë së vet në Pejë Sadri Komoni

Në Pejë mbrëmë rreth orës 24,00 u vra Sadri Komoni, 65 vjeçar, duke hyrë në shtëpinë e tij që ndodhet në rrugën e kombinatit të këpucëve.

Sipas dëshmitarëve, në Sadriun kanë shtënë persona nga një veturë “Lladë” me ngjyrë të kuqe. Sadriu në atë kohë ishte duke u kthyer nga fqiu i tij.

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara