Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Fshati Lubeniq i Pejës)

 25 maj 1993

Pas rastit të Gllogovcit policia serbe po e intensifikon dhunën në Kosovë

Shtetrrethimi i rajonit të Drenicës, pas incidentit të Gllogovcit, dhe represioni i policisë serbe po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Në paralagjen e Mitrovicës në Shipol, janë instaluar forca të mëdha policore serbe me autoblinda dhe po kontrollojnë çdo automjet e udhëtar që hyn e del në këtë qytet. Gjatë kontrollimit të qytetarëve, ka raste të shumta të keqtrajtimit nga ana e policisë serbe.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, dhjetëra sish janë arrestuar, midis tyre edhe gazetari i “Rilindjes”, Zekë Gecaj, i cili u mbajt në stacionin e policisë në Mitrovicë mbi katër orë.

Pardje, në orët e vona të mbrëmjes, në rrugën Prishtinë-Gjakovë, në udhëkryqin e Komoranit, policia serbe rrahu rëndë gjashtë qytetarë nga komuna e Gjakovës. Këta qytetarë ishin, Ndue Vilaj, Haki Bushati, Bajram Musliu, Muharrem Demjani dhe Arben e Agron Dola.

Pas rrahjes së këtyre qytetarëve, policët serbë, Ndue Vilajt ia plaçkitën 100 marka gjermane dhe 100 franga zvicerane.

Dje, rreth orës 16.30, nëpër Suharekë nga drejtimi i Prizrenit, kaloi një kolonë e ushtrisë serbe e përbërë prej gjashtë automjetesh të radiolidhjes, e cila shkoi në drejtim të Shtimes. Kolonës në fjalë i printe një veturë e policisë.

Sot në Pejë, hetohen lëvizje të ushtrisë serbe. Në rrugën Pejë-Rugovë, shkoi një minibus dhe pesë vetura përplot ushtarë serbë, të cilët shkuan në drejtim të Rugovës. Gjatë kësaj kohe mbi qytetin e Pejës, fluturoi ulët një aeroplan.

Dje në Podujevë, prej orës 12 deri në ora 13, policia serbe bastisi disa lokale private të shqiptarëve, nga pronarët e të cilave kërkonin armë. Gjatë kësaj kohe, policët serbë arrestuan disa të rinj, të cilët i dërguan në stacionin e policisë.

Dje, rreth orës 11, një ekspeditë e policisë serbe e përbërë prej afro 25 vetash, të cilët rrethuan Shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, në të cilën përveç nxënësve të shkollës fillore, aty vijojnë mësimin edhe nxënësit e shkollës së mesme “Frang Bardhi” si dhe studentët e Shkollës së Lartë Teknike. Policia serbe në këtë shkollë arrestoi 7 profesorë dhe katër studentë. E njëjta ekspeditë, rrethoi edhe Shkollën fillore “Ibrahim Pervizi” në Mitrovicë. Profesorët dhe studentët e arrestuar u liruan në orët e pasditës.

Parmbrëmë rreth orës 24, në Komoran, 12 policë serbë rrahën rëndë, Bajram Osajn nga Deçani dhe bashkëudhëtarët e tij, Zeqë Musajn nga Strellci i Epërm i Deçanit si dhe të birin e tij, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë.

Dje në Vushtrri rreth orës 8, policët serbë rrahën, Fikret Ibrahimin (17) nga Kçiqi i Madh, përndryshe nxënës i shkollës së mesme “Gjin Gazuli” në Vushtrri.

Po ashtu dje, rreth orës 13, në afërsi të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, policia serbe ndali tre nxënës, (emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë), të cilët ende pa i legjitimuar filluan t’i rrahin me grushta e shqelma. Njëri nga këta tre nxënës, ishte vajzë, së cilës policët ia lënduan nofullën. Falë intervenimit të xhematit, të cilët ishin duke dalur nga Xhamia e Madhe, këta tre nxënës shpëtuan nga më e keqja.

 

25 maj 1994

Represioni në Kosovë

Skënderaj: – Dje, policia, nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij Mehmet Makollin në fshatin Polac të Skënderajt. Në stacionin e policisë në Skënderaj, Mehmet Makolli u mbajt rreth tri orë dhe bëhet me dije se është keqtrajtuar rëndë.

Sot, policia, nën pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tij, Abedin Kocën nga Polaci. Në stacionin e policisë në Skënderaj, Abedin Koca u mbajt rreth një orë. Ai u lirua me kusht që të lajmërohet sërish nesër në të njëjtin stacionin të policisë.

Sot policia thirri edhe Jusuf Kocën që të paraqitet në polici. Shkaku i thirrjes së Jusuf Kocës tash për tash nuk dihet.

Këto ditë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Qerim Kadriut në Açarevë të Skënderajt. Bëhet me dije se policia ishte edhe në shtëpinë e Idriz Bajrushit në Açarevë. Të lartëpërmendurve policia ua la thirrjet që të paraqiten dje në stacionin e policisë në Skënderaj.

Suharekë: – Dje, policia nën pretekst të kërkimit të armës, mori në shtëpinë e tij, Bashkim Krasniqin (1975) nga Studençani i Suharekës. Bashkim Krasniqi u mbajt rreth tri orë në stacionin e policisë në Suharekë dhe bëhet me dije se është rrahur brutalisht, me ç’rast pësoi lëndime të rënda trupore. Bashkim Krasniqi u lirua me kusht që të lajmërohet sërish sot në stacionin e policisë në Suharekë.

Sot, rreth orës 8 të mëngjesit, policia thirri që ta marrë në pyetje Avdi Buzhalën (1950) nga Buzhala e Suharekës, profesor dhe përgjegjës në shtëpinë-shkollë të shkollë së mesme “Jeta e re” në Suharekë. Në polici, Avdi Buzhala u mbajt rreth tri orë, ndërsa inspektorët e sigurimit serb nga Avdi Buzhala u interesuan të dinë rreth procesit mësimor dhe aktivitetin e Aktivit të LDK-së në fshatin e tij.

Pardje, policia arrestoi në shtëpinë e tij Gëzim Loshin nga fshati Vraniq i Suharekës, i cili ende po mbahet në arrest. Prindërit e Gëzim Loshit njoftuan Komisionin për Informim të Degës së LDK-së në Suharekë se Gëzimi po mbahet në arrest në stacionin e policisë në Prizren. Dje policia ishte në shtëpinë e Gëzim Loshit dhe ia morën pasaportën.

Të njëjtit policë në fshatin Vraniq gjatë ditës së djeshme kërkuan edhe të rinjtë Shukri, Bajrush e Rexhë Kolgecin, Fadil Llugaxhiun dhe Zeqir Berishën. Shkaku i kërkimit të këtyre të rinjëve nga ana e policisë, tash për tash nuk dihet.

Ferizaj: – Pardje, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë në Ferizaj, Imer Hetës ish-punëtor i sigurimit nga Varoshi. Bëhet me dije se Imer Heta është paraqitur në polici po këtë ditë në orën 9 të mëngjesit, i cili ende po mbahet në arrest.

Më 18 maj, rreth orës 2 pas mesnate, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Skënder Misinit në rr. “Jusuf Gërvalla” në Ferizaj. Policia kërkoi Kadri Selimin që të dorëzojë një revole, por ai nuk gjendej në shtëpi. Nga Skënderi, policia kërkoi që deri në orën 7 të mëngjesit të dorëzojë një revole.

Po këtë ditë rreth orës 3, policia bastisi shtëpinë e Isuf Ahmetit në Ferizaj, nga i cili kërkuan një revole. Pas bastisjes, policia urdhëroi Isuf Ahmetin që të paraqitet më 20 maj në stacionin e policisë në Ferizaj.

Malishevë: – Dje rreth orës 4 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Ali Paçarizit nga Lubizhda, kryetar i Komisionit për Solidaritet të Degës së LDK-së në Malishevë. Bëhet me dije se Ali paçarizi po mbahet në arrest në stacionin e policisë në Prizren.

Policia bastisi edhe shtëpinë e Qamil Paçarizit, të cilin edhe e rrahën, ndërsa Isuf Paçarizit, ia morën një pushkë gjuetie me leje dhe pasaportën.

E njëjta ekspeditë e policisë snë të kthyer, bastisiën edhe shtëpinë e Malsë Thaçit në fshatin Mirushë të Malishevës. Policia në prani të anëtarëve të familjes rrahën Driton Thaçin (1971).

Policia gjatë rrugës për në Malishevë, bastisi edhe shtëpinë e Cen Deskut, kryetar i Degës së LDK-së në Malishevë, të cilin e morën dme vete dhe e dërguan në stacionin e policisë në Rahovec, ndërsa më vonë në Prishtinë. Shkaku i arrestimit të Cen Deskut, tash për tash nuk dihet.

Pardje rreth orës 14, derisa po kthehej nga Prishtina për në Kijevë, policia ndali Zair Bacaliun dhe e dërgoi në postkomandën e Kijevës nën pretekst të dorëzimit të armës. Bëhet me dije se policët e rrahën rëndë Zair Bacaliun, i cili mori lëndime të rënda trupore. Zair Bacaliu u lirua me kusht që të paraqitet sërish dje në postkomandën e Kijevës.

Policia nën të njëjtin pretekst po e mban në arrest Shaip Bacaliun (1972) nga Kijeva.

 

 

25 maj 1995

Akademik Idriz Ajeti u zgjodh kryetar i ASHA të Kosovës

Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mbledhjen zgjedhore të mbajtur sot, zgjodhi kryetar të Akademisë për periudhën mandatore njëvjeçare (deri në zgjedhje të rregullta) akademik Idriz Ajetin, njoftoi ASHA të Kosovës.

Akademik Ajeti ishte deri më tash nënkryetar i Akademisë.

Siç dihet, me 10 mars të këtij viti vdiq kryetari i Akademisë Gazmend Zajmi.

 

 25 maj 1998

Sulm i ri nga mëngjesi kundër fshatit Llaushë

Forcat serbe vazhduan sot në orën 04:00 të mëngjesit sulmin kundër fshatit Llaushë të Skënderajt. Një burim i LDK-së në fshat i tha QIK-ut se frocat serbe të përforcuara nga 5 marsi në kodrat përrreth fshatit po shtijnë me top dhe me armë të tjera në drejtim të shtëpive të lagjes Gecaj e Spahiaj.

Xhavit Spahiu, nga lagjja e Spahiajve i tha QIK-ut me telefon se ka pasur të shtëna gjatë tërë natës. Njerëzit kanë qëndruar jasht shtëpive ose nëpër podrume në përpjekje për t’u ikur të predhave që shenjonin shtëpitë, tha ai.

Në oborrin e shtëpisë së Xhavitit ishin shkrepur gjatë granatimit të djeshëm disa predha. Në shtëpi gjendeshin të gjithë anëtarët e familjes Spahiu, kryesisht gra dhe femijë. Vetem fal fatit kjo familje shpëtoi nga predhat e forcave serbe.

Ndërsa në oborrin e shtëpisë së Sabit Spahiut, ishin shkrepur rreth 40 granata. Nga një shpërthim përpak u godit Ganiu Spahiu (55).

Nëpër shumë shtëpi janë shkaktuar të çara.

Fshati Llaushë në Skënderaj u sulmua edhe gjatë natës së kaluar. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Skënderaj njoftoi në orën 04:00 të mëngjesit se forcat serbe kishin granatuar Llaushën prej orës 22:30 deri në orën 23:00 dhe pastaj edhe prej orës 24. 20 deri në orën 01:30.

 

Në Dollovë të Klinës u dogjën të gjitha shtëpitë shqiptare

Prishtinë, 25 maj (QIK)

Sot në Dollovë të Klinës u dogjën edhe shtëpitë e fundit shqiptare, të cilat kishin mbetur ende të padjegura nga forcat serbe. Këtë njoftim e dha Komisioni për Informim i Aktivit të LDK-së në Gremnik.

Fshati Dollovë ka qenë qe disa ditë cak i sulmeve të parreshtura serbe.

 

Gazetari i Tajmzit të Londrës u arrestua në Kosovë

Prishtinë, 25 maj (QIK)

“U arrestova dje nga forcat e sigurimit serb derisa po përpiqesha të arrij tek vendi ku zhvillohej beteja për Deçanin, afër kufirit të Kosovës me Shqipërinë”, shkruan sot gazetari i “Tajmzit” të Londrës Tom Uoker.

Ai tha se bashk me kolegët nga gazeta “Financial Times” dhe radio BBC-së për pak sa nuk u ndeshën me një tanks i ushtrisë jugosllave që shkonte drejt tyre.

“Koloneli që udhëhiqte konvojin na dërgoi në një stacion policie në Gjakovë. Aty komandanti na tha se gazetarët duhet të jenë të mirëpritur këtu posa të jenë mundur terroristët. Ai na mbajti ligjeratë për tri orë dhe na ofronte raki”, shkruan z. Uoker.

“E gjithë lufta është e ndytë dhe kjo nuk bën përjashtim, por ne do ta kryejmë ketë shumë shpejt”, citon z. Uoker kolonelin e ushtrisë jugosllave i cili kishte thënë edhe këtë “Njerëzit këtu duan paqe nga banditët e UÇK-së.

Në një shkrim të tij gazetari britanik Tom Uoker (Tom Walker), shkruante sot se: ” Beteja e Deçanit ka kaluar si e pavërejtur pothuajse qe një javë, ndërsa shumica e rrugëve që çojnë në zonën e luftës janë bllokuar dhe numri edhe ashtu i zvogëluar i mediave ndërkombëtare në Kosovë është përqendruar në bisedat e paqes në mes të serbëve dhe shqiptareve. Këto biseda dolën se janë veçse një shfaqje minore, një manipulim cinik i Millosheviqit në përpjekje – pjesërisht të sukseshsme – për t’i hequr disa nga sanksionet ndërkombëtare ndaj Serbisë. ”

 

 Tetë të vrarë në Lubeniq

Forcat serbe vranë sot në fshatin Lubeniq të Pejës Zeqë Hamzajn me dy djem, Ymer Hamzajn me të birin, Demush Hamzajn e Hysen Berishën nga Lubeniqi si edhe mysafirin e Hysenit, Haxhi Gogajn. Këtë njoftim e dha në lajmet e orës 20:00 TVSH, duke iu referuar bashkëpunëtorit të vet në Pejë.

Njoftimi nuk është konfirmuar nga burime të tjera për shkak të lidhjeve shumë të dobëta telefonike dhe qarkullimit të kufizuar të njerëzve.

Në Komisionin për Informim të Degës së LDK-së në Deçan në orën 20:30 ende nuk kishin njoftim për këtë akt kriminal. Një aktivist i Komisionit për Informim në Degën e LDK-së i tha QIK-ut se gjatë ditës në Deçan kanë qarkulluar njoftime se sulmet serbe nga fshati Strellc i kësaj komune janë zgjeruar edhe në fshatin fqinj në Lubeniq të Pejës.

Ky akivist tha se në Strellc është plagosur shumë rëndë një i ri me emrin Ismet, jeta e të cilit është në rrezik. Ai tha poashtu se në fshat janë qëlluar me predha 15 shtëpi, ndërsa tri prej tyre janë bërë rrafsh me tokë.

 

Continue Reading

lajme

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë

Published

on

By

Mesfushori i ri i Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare nga kombëtarja e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për familjen Bellingham, pasi 21-vjeçari do të ketë mundësinë të luajë krah për krah në një ekip me vëllain e tij të madh, yllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

Ngritja e tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar vjen si rezultat i paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Bundesliga me klubin gjerman Borussia Dortmund. Pas hapave të parë te Birmingham City dhe shkëlqimit me Sunderlandin në Angli, Jobe ndoqi pikërisht rrugën e vëllait të tij duke u transferuar te Dortmundi, ku tashmë është konsoliduar si një nga mesfushorët më premtues. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Franco Foda publikon listën për sfidat e nëntorit: Tre emra të rinj dhe rikthimi i Elvis Rexhbeçajt te Kosova

Published

on

By

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën prej 27 futbollistësh të ftuar për dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit B3 në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” do t’i zhvillojnë dy përballjet përmbyllëse gjatë këtij muaji: fillimisht presin Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor udhëtojnë drejt Dublinit për t’u përballur me Irlandën.

Për këto dy sfida të rëndësishme, Foda ka përfshirë në listë tri risi: mbrojtësit Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus, si dhe sulmuesin Enis Rexhepi. Ndërkohë, lajm i rëndësishëm është rikthimi i mesfushorit Elvis Rexhbeçaj, i cili mungoi në grumbullimet e kaluara për shkak të lëndimit.

Në listë nuk mungojnë as bartësit kryesorë të lojës si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Fisnik Asllani, Arijanet Muric, Milot Rashica dhe Mërgim Vojvoda.

Lista e plotë e futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda:

Portierë: Arjanet Muric, Amir Saipi, Visar Bekaj.

Mbrojtës: Lumbardh Dellova, Lindrit Kamberi, Ilir Krasniqi, Kreshnik Hajrizi, Ron Raçi, Bleon Kurtulus, Mërgim Vojvoda, Dion Gallapeni, Milot Avdyli.

Mesfushorë / Sulmues: Ermal Krasniqi, Veldin Hoxha, Erblin Osmani, Dion Kaçuri, Lindon Emërllahu, Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj, Baton Zabërgja, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Valmir Matoshi, Albion Rrahmani, Fisnik Asllani, Enis Rexhepi, Vedat Muriqi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara