Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

24 gusht 1993

Në ndeshjen e autobusit me tren vdiqën 20 qytetarë të Kosovës

Në fatkeqësinë e djeshme, që ndodhi në Pomozotin të Fushë-Kosovës, me ç’rast treni që qarkullonte në relacionin Fushë-Kosovë-Pejë u përplas në autobusin e Elektroekonomisë së Kosovës, humbën jetën 20 udhëtarë. Bëhet e ditur se 5 udhëtarë janë në gjendje të rëndë, kurse 75 të tjerë morën lëndime më të lehta.

Në mjetet e informimit u shpallën emrat e 20 të vdekurve në këtë fatkeqësi: Dejan Cekiq, Nebojsha Millutinoviq, Shamli Hydaverdi dhe Zharko Dimiq nga Prishtina; Ali Berisha, Rexhep Ymeri, Fejzë Piskala, Gani Ymeri, Sadri Shabani e Ymer Uka nga Sllatina e Madhe e Fushë Kosovës; Sami Dervisholli nga Vragolia e Fushë-Kosovës, Drago Karaxhiqi nga Prishtina, Elfete Fetahu nga Podujeva, Jetullah Podvorica nga Dumoshi i Podujevës, Jakup Beqiri nga Podujeva, Ejup Ibrahimi nga Plemetini i Obiliqit, Idriz Hajdini nga Ballabani i Prishtinës, Ragip Myftari, Stevan Ivanisheviqi dhe Bedri Ymeri nga Prishtina.

Në gjendje të rëndë në spitalin e Prishtinës janë Xhevat Shala e Ramadan Çitaku nga Prishtina, Muhamet Dvorani e Arif Zogjani nga Sllatina e Madhe e Fushë Kosovës dhe Ruzhdi Ibrahimi, kurse për shërim të mëtejmë në Klinikat e Fakultetit të Mjekësisë u ndalën edhe Milazim Mustafa nga Prishtina, Qazim Boshnjaku, Zhivorad Vukojeviqi, Izet Ajazi, Dragan Spasiqi, Zhivorad Vidosavleviqi, Çedomir Mihailoviqi, Naman Limoni, Qamil Çelaj, Hazir Vuka, Fatmir Vllahiu, Fehmi Shala, Dervish Dervisholli, Avdullah Marteta, Milomir Trajkoviqi, Feti Cakolli, Agron Pllana, Smajl Krasniqi, Zymer Mustafa, Nazmi Avdullahu, Jonuz Grajçevci, Ramadan Stogu, Fehmi Bulliqi, Dushan Stupar, Ragip Bërbatovci, Trajko Saviqi, Zvonimir Jezdiqi, Dragolub Saviqi, Azem Batalinaj, Vehbi Dervisholli, Kamber Morina, Ymer Mustafa dhe Muharrem Muharremi.

Përveç këtyre të lënduarve, ndihmë mjekësore kërkuan dhe menjëherë janë lëshuar në shtëpi Ismet Brahimi, Dejan Joksimoviqi, Sabri Sllamniku, Esat Kumnova, Besim Brahimi, Çasllav Todiqi, Nazmi Haxhaj, Skënder Bunjaku, Muhamet Ahmeti, Musli Gashi, Shaip Dragusha, Hajriz Grajçevci, Arif Rama, Qamil Grajçevci, Miodrag Rashiqi, Branko Simonoviqi, Gradimir Jovanoviqi, Jonuz Grajçevci, Vojisllav Karishiq, Avni Bajçinovci, Jordan Ristiqi, Zhivorad Mitroviqi, Vahide Ahmeti, Borivoje Jaukoviqi, Ejup Dervisholli, Sllobodan Stevanoviqi, Lubisha Badnjareviqi, Sreten Millovanoviqi, Dragan Steviqi, Nikolla Maksimoviqi, Ekrem Konjuhi dhe Stanimir Gjurgjeviqi.

Gjykatësi hetues i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Remzush Latifi, në deklaratën e djeshme për gazetarë tha se detajet e kësaj fatkeqësie nuk dihen, por sipas tij, në orën 6.38 minuta, në fshatin Pomozotin të Fushë-Kosovës në parakalimin hekurudhor u ndeshën treni nr. 661-112, i cili qarkullonte në relacionin Fushë-Kosovë-Pejë dhe autobusi me targën PR 932-85.

Në këtë vendkalim hekurudhor gjenden dy shenjat e trafikut “Kryqi i Andreut” dhe shenja “Stop”, të cilat është dashur që t’i respektojë shoferi i autobusit, theksoi ky gjykatës dhe konstatoi se, në momentin kritik, treni ka qarkulluar me një shpejtësi prej 60 kilometrash në orë. Është konstatuar se në momentin kritik në autobus gjendeshin mbi 90 udhëtarë.

Në këtë vendkalim hekurudhor kanë ndodhur edhe përplasje të tjera të automjeteve me trena. Mirëpo, për rrezikun permanent askush nga përgjegjësit nuk çau kokën dhe nuk u vu laura e domosdoshme, e cila do t’i shpëtonte shumë jetëra të njerëzve.

 

24 gusht 1995

Nëpër Gllogovc e Deçan dje parakaluan kolona ushtarake

Dje, rreth orës 14:25, nëpër qendër të Gllogovcit parakaloi një kolonë e automjeteve ushtarake e pajisur me armatim të rëndë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.

Kjo kolonë shkoi në drejtim të Skënderajt.

Për lëvizjen e forcave të ushtrisë serbe nëpër qytete e vendbanime shqiptare njofton edhe Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan.

Në informatën e këtij komisioni thuhet se dje rreth orës 8:30, nëpër qendër të Deçanit parakaloi një kolonë e forcave të armatosura të ushtrisë serbe, e cila përbëhej nga 18 kamionë ushtarakë, të cilët tërhiqnin prapa edhe armatim të rëndë.

Nga jo kolonë e cila erdhi nga Peja, në qendër të Deçanit u shkëputën katër kamionë të cilët shkuan në drejtim të grykës së Deçanit, ndërsa pjesa tjetër e kolonës shkoi në drejtim të Gjakovës.

 

Në Podujevë dy të vdekur nga ethet hemorragjike

Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve ngjitëse të ngjashme në mes veti, por që dallojnë nga etiologjia, epidemiologjia, patogjeneza dhe shtrirja gjeografike. Virusët në këtë sëmundje janë të ndryshëm, të cilët barten nëpërmjet enëve të vogla të gjakut, nga rriqrat e infektuara, brejtësit e fushës, deri te kontakti i drejtpërdrejtë përmes kontaminimit me sekretet e tyre në ushqim, ujë dhe ajër. Nga tre pacientët e sëmurë në komunën e Podujevës, dy kanë vdekur para pak kohësh, kurse një është në hospitalizim e sipër.

Secili nga virusët e sipërpërmendur është bartës i infektimit, thotë Fadil Dabinovci, epidemiolog, por siç dihet ethet hemorragjike kërcënojnë ata individë, të cilët kohën më të madhe e kalojnë në natyrë, apo që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me bagëtinë, gjithashtu edhe familjarët dhe personelin mjekësor që kujdeset për të sëmurin. Simptomet e para paraqiten me kokëdhembje, plogështi, dhimbje të nyjave dhe muskujve, të skuqurit e lëkurës etj. Kjo sëmundje paraqitet zakonisht gjatë stinës së verës.

Dr.Dabinovci shton se aktivizimin e këtij virusi e shkakton fenomeni ekologjik-biologjik, i cili rezulton edhe me shumëzimin e tepërt të rriqrave dhe të brejtësve. Masat kundërepidemike aplikohen varësisht nga lloji i etheve hemorragjike mbi mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike. Rol të rëndësishëm këtu ka edhe njohja e inkubacionit të secilit lloj të etheve hemorragjike, pastaj dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi.

 

25 gusht 1997

Përleshje e policisë serbe me persona të panjohur në fshatrat e brezit kufitar të Gjakovës

Operimet pirateske të personave të paidentifikuar e të armatosur, shpesh edhe të maskuar, që në kohët e fundit në fshatrat e brezit kufitar të Gjakovës thuaja janë bërë të përditshme, po shkaktojnë, jo vetëm një shqetësim të madh te banorët e kësaj treve, por edhe rrezik për jetën e tyre. Një ngjarje e këtillë ndodhi edhe pardje në afërsi, përkatësisht në trekëndëshin e fshatrave Stubëll, Berja dhe Nivokaz të Rekës së Keqe, të Gjakovës, kur rreth orës 11, dy persona të panjohur tentuan të vjedhin bagëtinë e pronarëve të këtyre lokaliteteve. Pa kaluar shumë kohë, këtyre hajdutëve iu bashkangjitën edhe gjashtë persona të tjerë. Dhe, gjithnjë në mbështetje të deklaratave të dëshmitarëve dhënë në Komisionin për Informim të Degës së LDK-së të Gjakovës, rreth orës 14 në vendin e ngjarjes arrijnë edhe forcat e policisë serbe, të cilave pak më vonë iu bashkangjit edhe një helikopter. Gjatë përleshjes, përkatësisht shkëmbimit me armë zjarri, me këta persona tash për tash të paidentifikuar, të cilët po ashtu ishin të armatosur, dy prej tyre janë vrarë. Ky këmbim armësh ka zgjatur disa orë. Pas dërgimit të kufomave të këtyre dy personave në morgun e Spitalit të Gjakovës, me një urdhëresë të policisë, nga punëtorët e NKP “Çabrati”, është bërë varrimi i tyre. Për personat e tjerë nuk dihet se çfarë ka ndodhur, njofton KI i LDK-së të Gjakovës.

 

 

24 gusht 1998

Në Suharekë forcat serbe vranë dy dhe plagosën së paku dy fëmijë shqiptarë

Dy shqiptarë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë granatimeve të djeshme, të cilat përfshinë edhe lagjet periferike Suharekës.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se në shtëpinë e tij forcat serbe vranë Abedin Hysen Shalën (60) dhe plagosën dy fëmijët e tij, emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë. Po dje u vra edhe Shefqet Jemin Hoxha (39), i cili në po provonte të shpëtonte familjen e tij.

Bëhet e ditur se edhe në fshatin Peçan, forcat serbe kanë plagosur disa shqiptarë.

 

Trupat e 10 shqiptarëve të vrarë u dërguan në morgun e spitalit të Gjakovës

Mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe ka dërguar trupat e pajetë të 10 shqiptarëve të vrarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Tash për tash dihet vetëm identiteti i një të vrari, Adem Rexhep Dervishit (62) nga Batusha e Rekës së Keqe, ndërsa 9 të vrarit e tjerë janë nga komuna e Deçanit, dhe supozohet se ata janë vrarë në vendin ku takohen kufiri Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur.

I njëjti burim bën me dije se mbrëmë dhe sot të shtëna armësh ka pasur edhe në rrugët e qytetit, e sidomos në paralagjet e Gjakovës.

 

Dje në Açarevë u vra Ganimete Azem Gjilani nga Baica e Lipjanit

Mbrëmë në vijën e frontit në Açarevë, në luftë kundër forcave të agresorit serb u vra luftëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ganimete Azem Gjilani (19) nga fshati Baicë e Gllogocit.

Bëhet e ditur se varrimi i luftëtares së UÇK-së, Ganimete Gjilani bëhet sot në vendlindjen e saj në Baicë.

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara