Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 23 shtator 1993

Refugjatët shqiptarë në Suedi sërish në grevën e urisë

Pasi kërkesat e grevistëve shqiptarë të kampit të Borlangenit të Suedisë nuk u plotësuan më 8 shtator të këtij viti nga ana e Qeverisë suedeze, prej dje tetë refugjatë shqiptarë të këtij kampi dhe të atij të Romehedit u hodhën sërish në grevë të urisë. Kërkesat e grevistëve shqiptarë mbeten të njëjta dhe ata presin se çfar do të ndodh pas vizitës së delegacionit të Zyrës për Refugjatë të Suedisë, që ata zhvilluan në Prishtinë me kryetarin e Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

Vlenë të theksohet se me grevistët shqiptarë u solidarizuan edhe dy qytetarë suedez dhe një refugjate nga Bosnja.

 

23 shtator 1994

Fjala e Adem Demaçit në Simpoziumin ndërkombëtar në Norvegji

Në simpoziumin ndërkombëtar që po mbahet në Stavanger të Norvegjisë, kumtesa e Adem Demaçit zgjoi një interesim të madh.

Me këtë rast z.Demaçi paraqiti vuajtjet dhe mundimet e popullit shqiptar për liri dhe lirinë e shprehjes, për çka ai që nga fëminija ra në konflikte me sistemin.

Në vazhdim kumtesa e z.Adem Demaçit përfshinte në fushë të gjerë çështjet jetike të zhvillimit universal të njeriut të liruar nga komplekset e normave tradicionale etike të imponuara nga sisteme të ndryshme. Ai u ndal posaçërisht në perspektivën e pozitivizmit shpirtëror, duke lënë të hapur çështjen e lirisë së shprehjes dhe fjalës edhe në shoqëritë e demokracive moderne.

Kumtesa e z. Demaçi u prit aq mirë sa që u bë një radhë e gazetarëve, shkrimtarëve dhe të pranishmëve të cilët i shprehën mirënjohje për veprën dhe punën e tij.

Personalitetet që i kishin dërguar edhe letra dhe kërkesa qeverisë jugoserbe të kohës për lirimin e z. Demaçi tani gëzoheshin që e kishin pranë në koncertin e organizuar në mbrëmje.

Një prezentim të z. Demaçi dhe të jetës e veprës së tij e bëri zonja Ose Kleveland, ministre për Kulturë të Norvegjisë.

Pastaj z.Demaçi lexoi pjesë nga libri i tij i posabotuar “Libri për vetëmohimin”.

Aplaudimet ishin të ngrohta dhe të gjata.

Nga kumtesat e bëra të shkrimtarëve të përndjekur nga sistemet totalitare e represive, fjala e z.Adem Demaqit dhe shkrimtarit palestinez Izat al Chazzani, zgjuan interesim të posaçëm.

 

23 shtator 1995

Fushatë bastisjesh e arrestimesh të veprimtarëve e gazetarëve në Ferizaj

Më 22 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, një ekspeditë policore prej rreth 20 policësh serbë të stacionit të policisë në Ferizaj, bastisi shtëpitë e Haki Brahës, ish-gazetar i TVP-së, tash koordinator i Trupës së shoqatave sindikale të Ferizajt, Rexhep Rifatit, gazetar i “Bujkut” dhe Shefqet Maliqit, veprimtar sindikal, njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Gjatë bastisjes policia u soll me vandalizëm duke shqetësuar anëtarët e familjeve dhe fëmijët e këtyre veprimtarëve.

Në shtëpinë e Hakiut policia mori një makinë shkrimi, materiale të revistës “Zgjimi” si dhe tërë dokumentacionin nga veprimtaria e Trupit koordiues të SP të Ferizajt.

Pas bastisjes, policia mori me vete Haki Brahën, të cilin rreth shtatë orë e pyetën mbi veprimtarinë e Trupit sindikal dhe rreth daljes së revistës “Zgjimi”.

  1. Braha i deklaroi “Bujkut” se inspektorët iu kërcënuan atij se në rast që vazhdon “të punojë për Kosovën dhe Shqipërinë etnike, duhet të shkojë në Shqipëri”.

Ndërsa shtëpinë e Rexhep Rifatit, policia e bastisi me pretekst se po ëkrkonte armë prej tij. Mirëpo pas bastisjes policia mori gjëra personale të Rexhepit dhe familjes së tij, si dhe një grumbull aparatesh të dedikuara për qëllime të gazetarisë: 4 makina shkrimi automatike dhe gjysmëautomatike, një telefaks dhe një telefon, 4 fotoaparate, një numër videokasetash dhe kasetash, notesin e shënimeve gazetareske, dëftesat e vajzave të tij, katrvizita, si dhe 100 DM.

Gazeta “Bujku” njofton se gjatë marrjes në pyetje, gazetari Rexhep Rifati u keqtrajtua fizikisht për shkak të shkrimeve të tij gazetareske.

Ditëve të fundit është shtuar shumë represioni kundër gazetarëve shqiptarë në Kosovë.

Policia e inspektorët e sigurimit serb po bëjnë presion mbi gazetarët, me qëllim që ata të heqin dorë nga veprimtartia e tyre.

Ndërsa bastisjet e ndjekjet e tyre me pretekst të kërkimit të armëve janë përpjekje e tyre për të mshehur motivin e qëllimin e vërtetë të represionit.

 

23 shtator 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Prishtinë, 23 shtator (QIK)

Ferizaj: Më 18 shtator u mor në të ashtuquajturën bisedë informative, Fadil Maloku nga fshati Kosinë, anëtar i Kryesisë së Nëndegës XVIII të LDK-së në Ferizaj. Inspektorët serbë e pyetën atë për aktivitetin e LDK-së, si dhe për marrëdhëniet midis LDK-së dhe PPK-së.

Prishtinë: Më 19 shtator, tre policë serbë të postkomandës së Lluzhanit ishin në shtëpinë e Ramadan Salihut në Bellopojë të Podujevës me ç’rast kërkuan nipin e tij Fitimin (1971), i cili tash katër vjet gjendet në botën e jashtme.

Fitim Salihu është dezertor i ish-armatës jugosllave. Policia serbe deri më tash e ka kërkuar gjashtë herë në banesën e tij në Prishtinë.

Pejë: – Sot, në stacionin e policisë serbe në Pejë, për herë të katërt u mor në të ashtuquajturën bisedë informative Haxhi Ibërdemaj, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Nabërxhan të Pejës. Z. Ibërdemaj u pyet për aktivistët e Nëndegës së LDK-së, për zgjedhjet në LDK, për protestat e studentëve të UP-së, për KKF-në, Komisionin për Informim dhe në veçanti edhe për shpërthimet ende të pasqaruara që ndodhën ditëve të fundit në stacionet e policisë serbe në Kosovë.

Mitrovicë: – Djem dy policë shkuan në lagjen “Ura e gjakut” në Mitrovicës në shtëpin e Çerkin Pecit. Policët kërkuan djalin e tij, Avniun (23) i cili gjendet në Gjermani. Policët ia lanë thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë.

 

23 shtator 1998

Vushtrri: Granatohen Bivolaku, Strofci, Zhilivoda e Beçuku

Forcat serbe vazhdojnë edhe sot granatimin e fshatrave të komunës së Vushtrrisë.

KI i Degës së LDK-së në këtë qytet bën me dije se në mëngjes ka filluar granatimi i fshatrave Bivolak, Strofc, Zhilivodë e Beçuk.

Në Vushtrri sot në orën 6.50 forcat serbe defiluan qendrës së qytetit, ndërkohë që gjendja në tërë komunën e Vushtrrisë vazhdon të jetë e rëndë për shkak të sulmeve e pranisë tepër të madhe të forcave serbe.

Mbrëmë vonë, në Vushtrri janë dëgjuar breshëri armësh.

I njëjti burim bën me dije se dje, duke u larguar nga shtëpia e tij, vdiq Tafil Azemi (42) nga Novolani i Vushtrrisë. Ai ishte operuar në spitalin e Mitrovicës, prej ku u lirua pardje, porse në gjendje ende të keqe shëndetësore dhe nuk arriti të përballojë udhëtimin me traktor dhe largimin nga shtëpia.

 

Gllogoc: Granatohen Baica, Verboci e Dobrosheci

Fshatrat Baicë, Verboc e Dobroshec të komunës së Gllogocit po granatohen edhe sot nga forcat serbe.

KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njofton se forcat serbe, veç që granatojnë, edhe po ua fusin flakën shtëpive në Baicë.

Ndërkohë, gjatë ofensivës së djeshme janë djegur fshatrat Gllavotin, Çikatovë, Tëstenik e Verboc.

Kryetari i KI të Degës së LDK-së në Gllogoc, Xhemë Binaku, i gjetur me tërë familjen nën qiellin e hapur, njoftoi sot se dje forcat serbe ia kanë djegur shtëpinë dhe gjithë ç’ka pasur.

 

Obiliq: Forcat serbe kanë plagosur së paku 9 civilë shqiptarë

Gjatë ofensivës së djeshme të forcave të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë në disa fshatra të komunën e Obiliqit, janë plagosur së paku 8 civilë shqiptarë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Obiliq.

Bëhet e ditur se forcat serbe kanë plagosur Emine Shaljanin (75), Abdullah Shaljanin (40), Habibe Shaljanin (37), Fikrije Shaljanin (15), Ramadan Shaljanin (15), Avni Shaljanin (16) dhe Amir Shaljanin (14).

I njëjti burim bën të ditur se është plagosur edhe një grua në lagjen Kelmendi të Sibocit, emri i të cilës ende nuk dihet, por dyshohet se në këto fshatra ka edhe disa civilë të plagosur shqiptarë.

Bëhet e ditur se këmbësoria serbe ka hyrë në fshatrat Lajthishtë, Sibovc e Hamidi dhe po i plaçkitë e pastaj po i djeg të gjitha shtëpitë shqiptare.

 

Në malet e Çiçavicës po qëndrojnë mbi 10 mijë civilë shqiptarë

Që dje në orët e hershme të mëngjesit, mbi 10 mijë civilë shqiptarë po qëndrojnë në malet e Çiçavicës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Obiliq.

I njëjti burim bën të ditur se gjendja e tyre shëndetësore po keqësohet, pasi ata nuk kanë ushqime, veshmbathje e gjësende të tjera elementare për jetë.

Dega e LDK-së në Obiliq bën apel te shoqatat humanitare ndërkombëtare, që t’i vijnë në ndihmë popullatës së zhvendosur të kësaj ane.

 

Tre të vrarë në Oshlan të Vushtrrisë

Gjatë sulmit të ndërmarrë dje kundër fshatrave të Vushtrrisë, që pati për pasojë djegien e shumë shtëpive, forcat serbe kanë vrarë edhe tre shqiptarë.

KI i Degës së LDK-së në Vushtrri, duke iu referuar shënimeve të Nënkëshillit të KMDLNJ-së në Mitrovicë, njofton se në fshatin Oshlan janë vrarë Sheremet Bajrush Sheremeti (42), Rrahim Mehmeti (60) dhe një i ri, emri i të cilit nuk është bëtrë i ditur.

Njëkohësisht, bëhet e ditur se në mesin e popullatës civile ka shumë të plagosur.

 

 

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

Lajmet

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara