Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Rexhep Bislimi vdiq nga torturat e organeve serbe

22 korrik 1994

“The New York Times”: Së paku 30% të popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë

Gazeta e njohur “The New York Times” botoi këto ditë një artikull për gjendjen në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë. Shkrimin e vet me titull “Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni veçsa ndez sherrin” autori Roxher Koen (Roger Cohen) e nis me konstatimin: “Në rivalitetet etnike në ish-Jugosllavi mbretëron një rregull e thjeshtë: sa më shumë njerëz që një grup etnik deklaron t’i ketë, aq më të mëdha do të jenë pretendimet për tokë dhe pushtet”.

Pasi e ilustron konstatimin me Bosnjë-Hercegovinën dhe rrezikun për luftë që bartin shifrat nga regjistrimet e popullsisë (“Maqedonia është vend me potencial që luftën e Bosnjës ta bëjë të duket veçse nxemje”), autori vë re se loja e numrave etnikë ka kohë që është egërsuar në Maqedoni: “Shqiptarët etnikë, që simbas regjistrimit të vitit 1991 përbënin 21 përqind të popullsisë, pohojnë se përfaqësojnë 40 përqind të nja dy milionë banorëve. Serbët, hiç më shumë se 4.000 simbas regjistrimit të fundit, thonë se ata në të vërtetë janë 400.000, apo rreth 20 përqind të popullatës. Maqedonët sllavë, që thonë se rrjedhin nga sllavët që janë vendosur këtu në shekullin e shtatë apo të tetë, ngulin këmbë se përbëjnë më shumë se 60 përqind të popullsisë – një pamundësi matematike po qe se pohimet e tjera janë fare të sakta. E ku janë pastaj pohimet e turqve, vllehëve, grekëve, bullgarëve, magjupëve, etj.”.

Gazeta amerikane citon fjalët e Zherar Kalotit, një statistikan francez që është angazhuar në punë të regjistrimit të ri në Maqedoni: “Po qe se u besoni vlerësime të popujve të ndryshëm, popullsia e Maqedonisë do të ishte disa herë më e madhe se që është në të vërtetë”.

Rrethanat në vetë Maqedoninë dhe pozita e saj në mes fqinjësh armiqësorë, simbas analitikëve që “New York Times” nuk i përmend me emër, përbëjnë recetën për një luftë të përgjithshme ballkanike. Regjistrimin e popullsisë në ish-Republikën jugosllave të 0Maqedonisë autori i shkrimit e sheh si përpjekje të vendeve perëndimore për ta parandaluar shpërbërjen e kësaj republike. Mirëpo, 2.5 milionë dollarët e akorduar nga Unioni Evropian dhe Këshilli i Evropës për regjistrimin e paradokohshëm të popullsisë, simbas gazetës amerikane, nuk ndihmuan të zgjidhin grindjet. “I menduar si ndihmë për zgjidhje të grindjeve, regjistrimi në të vërtetë i ka ndezur ato. Shqiptarët dhe maqedonasit janë të zemëruar keq në mes veti në lidhje me këtë regjistrim, një parti e ndikuar nga Bullgaria ka thënë se regjistrimi qe i parregullt, dhe qeveria e Maqedonisë ka zemëruar ekspertët perëndimorë duke i pasë akuzuar ata se janë përzier në punët e tyre dhe se kanë qenë të njëanshëm”, shkruan “The New York Times”, dhe citon fjalët e një diplomati perëndimor: “Regjistrimi i popullsisë nuk do të përmbushë atë që duhej ta bënte. Ai nuk do të konstatojë shifrat njëherë e mirë”.

Gazeta pastaj përshkruan situatën në Tetovë, qendër etnike shqiptare, ku mbretëron “zemërim i ngjashëm me atë në Kosovë”. Bashkësia shqiptare që tani është e bindur se rezultatet do të jenë thellësisht të shtrembëruara, transmeton gazeta disponimin e shqiptarëve në Maqedoni, bashkë me fjalët e Menduh Thaçit (‘nënkryetar i krahut radikal të forcës kryesore politike shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik’): “Regjistrimin e popullsisë e politizoi qeveria maqedone dhe ka krijuar veçse konfuzion. Përfaqësimi i shqiptarëve në komitetet për regjistrim ishte vetëm 12.8%, ndonëse ne jemi rreth 40% e popullsisë. Dikush do të dënohet për këtë, sepse Perëndimi nuk paguan mbi 2 milionë dollarë për një akt manipulimi”.

As në krahun e moderuar të PPD-së, që merr pjesë në koalicionin qeveritar në ish-Reublikën jugosllave, pakënaqësia nuk është më e vogël, vë re gazeta amerikane, dhe citon fjalët e Mersim Pollozhanit: “Ne tashmë jemi të bindur se ky regjistrim i popullsisë as nuk do të jetë i drejtë, as i saktë”.

Pasi që transmeton parashikimin e një ministri maqedon se regjistrimi do të konstatojë se shqiptarët nuk bëjnë më shumë se 20% të popullsisë së Maqedonisë, “The New York Times” nxjerr vlerësimet e diplomatëve perëndimorë: “Diplomatët perëndimorë besojnë se shqiptarët në të vërtetë përbëjnë së paku 30% të popullsisë dhe se çfarëdo rezultati nën këtë shifër do të çojë drejt atij që njëri syresh e quajti ‘shpërthim i zemërimit'”.

Kryeministri maqedon, Branko Cërvenkovski, citohet të ketë thënë në një intervistë të veçantë, se “serbët do të dëshprohen keq me rezultatet e këtij regjistrimi”.

Gazeta amerikane vë re se rezultatet e regjistrimit kanë rëndësi shumë të madhe për shqiptarët, që “që zemërohen kur i quajnë pakicë kombëtare, dhe kërkojnë të studiojnë në gjuhën shqipe në dy universitetet e Maqedonisë. Ata kërkojnë përfaqësim më të madh në administratë, ushtri dhe organe gjyqësore dhe duan ose vetadministrim të kufizuar, ose autonomi të plotë”.

Për sa i përket për vetë ligjit për regjistrim të popullsisë nw ish-republikën jugosllave, gazeta shpalos qëndrimin e vëzhguesve perëndimorë. Simbas tyre, ligji është larg së qeni i përkryer. Ministri maqedon Ivanov i damkosi para disa ditësh këta vëzhgues, duke i akuzuar se “u kanë dhënë këshilla partive ekstremiste; aluzioni ka të bëjë ashiqare me disa grupe shqiptare”. Zoti Kalo (Calot), statistikani freng, dhe njëri prej 50 ekspertëve që mbikëqyrën regjistrimin, ilustroi për gazetën amerikane disa nga problemet, duke përmendur nenin 30 të ligjit për regjistrim. Në fjalinë e parë thuhet se “do të emërohet një regjistrues për secilën njësi regjistrimi”. ” ‘Kjo duket gjë e thjeshtë'”, tha zoti Kalo, por në të vërtetë doli sikur ajo nënkuptonte se regjistruesi duhej të ishte maqedon sllav. Në disa rrethana, regjistrues nga nacionalitetet e tjera u emëruan si shtesë. Por kishte mungesë simetrie në disa vende dhe zemërim ndër minoritete”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e “New York Times”-it.

 

 22 korrik 1995

Veprimtarët e funksionarët komunalë të Gjilanit mbahen tash katër muaj në paraburgim

Beqir Hoxha, Ibrahim Morina, Ukshin Zajmi, Bejtullah Ismaili, Rexhep Hamiti, Milaim Zeqiri, Halim Halimi e Raif Sylejmani, po mbahen në paraburgim në Gjilan nga 29 marsi i këtij viti.

Edhe Gjyqi Suprem i Serbisë refuzoi këto ditë ankesën e mbrojtësve kundër vendimit të gjykatës serbe në Gjilan për vazdimin e paraburgimit.

Këta veprimtarë në Gjilan janë akuzuar për gjoja formimin e “Shoqatës së Eprorëve Ushtarakë Rezevë me qëllim të formimit të formacioneve paramilitare në komunë, si dhe hartimit të planit të vetëmbrojtjes dhe të mbrojtjes territoriale”.

Avokatët Shemsedin Piraj e Faredin Ymeri i thanë gazetës “Bujku” se zvarritja e procedurës bëhet me qëllim që të akuzuarit të mbahen sa më gjatë në paraburgim.

Avokati Isa Mustafa, që mbron Rexhep Hamitin, 65-vjeç, ish-delegat i ish-Kuvendit Federativ dhe punëtor shoqëror e politik në komunë, tha se nuk ekzistojnë arsye ligjore për vazhdimin e paraburgimit, ngase nuk ekziston rreziku që të akuzuarit mund të arratisen apo se mbrojtja e tyre nga “liria” mund të shkaktojë shqetësim te qytetarët.

 

22 korrik 1997

Gjenevë: Një i ri shqiptar u vra pas vjedhjes në aeroport

Azilkërkuesi 19 vjeçar nga Kosova, identiteti i të cilit nuk dihet, vdiq pasi që në të shtiu polici, pas një vjedhjeje që ndodhi në aeroportin e Gjenevës, me ç’rast u vodhën disa mijëra dollarë, njofton “Koha ditore”.

Incidenti ndodhi në parkingun nëntokësor të terminalit ndërkombëtar Cointrin pak minuta pas orës shtatë në mëngjes, tha zëdhënësi Jacques Volary në një konferencë për gazetarë.

Ai tha se polici ksihte shkuar në parking pasi që një çantë zyrtare ishte rrëmbyer nga duart e një udhëtari arab – i cili më vonë tha se ksithe disa mijëra dollarë – vetëm pak kohë pasi që ai kishte arritur në aeroport me taksi për të zënë fluturimin.

“Polici pa tre persona me çantën e tij dhe i thirri ata që të dorëzohen”, tha Volery, “por njëri prej tyre u duk se nxorri një gjësend të zi nga beli dhe e drejtoi nga polici”.

Polici me atë rast hapi zjarr, duke e goditur personin në gjoks, përderisa, dy të tjerët ikën, me siguri së bashku me të hollat në çantë, e cila më vonë u gjet e zbrazët. Personi i plagosur vdiq menjëherë pasi që u dërgua në spital. Volery nuk e identifikoi njeriun e vdekur. Ai tha se ky person ishte paraqitur për azil në shkurt pasi që kishte arritur në Zvicër në janar, por personi në fjalë po priste depërtimin, për shkak se edhe më parë kishte qenë i burgosur nga policia për shkak të lidhjeve me vjedhjet që kishin ndodhur në aeroporte.

Sipas fjalëve të zëdhënësit, në vendin e ngjarjes nuk u gjet kurrfarë arme. Pasagjeri arab, i cili gjithashtu nuk u identifikua, lajmëroi për paratë e tij të humbura.

Volery tha se ka pasur edhe raste të tjera të vjedhjeve këtë vit në aeroportin Cointrin, njërin nga dy aeroportet kryesore ndërkombëtare zvicerane.

Vetëm këtë vit, në këtë aeroport kanë ndodhur 246 vjedhje të bagazhit, prej të cilave 188 ishin çanta.

 

22 korrik 1998

Dyshohet për qindra të vrarë e të plagosur në Rahovec

Dëshmitarët kanë treguar se kanë parë njerëz të varur nëpër shtylla elektrike. Disa të tjerë janë lidhur në dy autoblinda dhe janë tërhequr. Ka njerëz të masakruar, me gjymtyrë të prera e me sy të nxjerrë. Thuhet se disa njerëz janë nxjerrë nga shtëpitë në oborr dhe pastaj janë detyruar të shtrihen mbi kashtë, ndërsa pjesëtarët e forcave serbe pasi u kanë vënë edhe për mbi kashtë, kanë hedhur benzinë dhe u kanë dhënë zjarrin

Një drejtues i Degës së LDK-së në Rahovec, i cili arriti t’i afrohej të hënën qytetit të vet, i tha QIK-ut se në rrugë prej Prishtine, kishte takuar në Malishevë grupe njerëzish, sidomos gra, fëmijë, e pleq, por edhe burra e të rinj nga Rahoveci.

Ai përkujtoi se sulmi i forcave serbe dhe pastaj përleshjet në qytet filluan të premten. Atë pasdreke, afër vendit të quajtur Te Rrasat, ishte gjetur një trup i pajetë. Në drejtim të këtij vendi u nisën ushtarë dhe policë. Me atë rast filluan të shtënat, të cilët u zgjeruan me të shpejtë në gjithë qytetin.

Forcave shqiptare u shkuan në ndihmë pjesëtarë të UÇK-së nga anë të tjera. Policia serbe ishte tërhequr. Të shtënat atë natë kishin vazhduar deri rreth orës 01 pas mesnatës.

Të shtunën herët në mëngjes, në orën 05, vazhduan përleshjet. Forcave serbe u kishin arritur përforcime të shumta. Pjesëtarë të njësive speciale ishin sjellë në pika të caktuara të qytetit edhe me helikopterë. Me të arritur forcat speciale serbe filluan të shtënat.

Të shtunën qyteti ishte përplot njerëz. Askush nuk ishte evakuuar nga qyteti. Njerëzit gjendeshin në mëngjes në shtëpitë e veta. Me shtimin e intensitetit të sulmeve, njerëzit filluan të kërkojnë mundësi për t’u larguar nga shtëpitë. Mirëpo në rrugë e sipër, forcat serbe filluan të shtijnë mbi ta.

Në mëngjesin e të shtunës filluan granatimet edhe nga ana e Rogovës, nga Landovica dhe nga ana e Gjakovës. U qëlluan dhe u shkatërruan shumë shtëpi.

Rreth orës 17:00, forca të reja serbe ishin nisur drejt Rahovecit. Në rrugë e sipër ato shkatërruan mbi 80% të shtëpive në fshatin Carrallukë.

Drejt Rahovecit pastaj shkuan forca të mëdha serbe të policisë e të ushtrisë dhe forca paramilitare, me autoblinda, me tankse e me topa.

Forcat vetëmbrojtëse kanë qëndruar derisa ka arritur në qytet ushtria. Pastaj forcat serbe kanë shkatërruar çdo gjë para vetes. Popullsia ka filluar të tërhiqet, mirëpo por me vonesë. Forcat serbe vranë e masakruan këdo që gjetën në qytet. Ata dogjën shumë shtëpi. Hynë nëpër lagje dhe pastaj nëpër të gjitha shtëpitë, duke thyer dyert. Janë marrë të gjithë njerëzit që kishin mbetur brenda nëpër shtëpi e strehimore. Shumë prej njerëzve që janë zënë, janë vrarë e masakruar dhe pastaj shtëpitë janë djegë me benzinë dhe me bomba.

Sipas dëshmitarëve në pika të ndryshme të qytetit, mund të thuhet se rreth 80 për qind e qytetit është shkatërruar.

Drejtuesi i LDK-së në Rahovec thotë se numri i të vrarëve është shumë i madh. Numri i të vrarëve që është përmendur në mjetet e informimit ka të bëjë vetëm me ata të vrarë që janë identiifkuar.

Mirëpo të vrarë të paidentifikuar ka nëpër rrugë, nëpër shtëpi, nëpër vreshta e nëpër livadhe. Shumë njerëz janë vrarë duke ikur. Disa prej atyre që kanë shpëtuar kanë thënë se kanë ikur nëpër trupa të vrarëve. As nuk kanë mundur t’i identifikojnë, e as t’i tërheqin. Në mesin e të vrarëve ka gra shtatzëna, fëmijë, të rinj, burra, pleq.

Dëshmitarët kanë treguar se kanë parë njerëz të varur nëpër shtylla elektrike. Disa të tjerë janë lidhur në dy autoblinda dhe janë tërhequr. Ka njerëz të masakruar, me gjymtyrë të prera e me sy të nxjerrë. Thuhet se disa njerëz janë nxjerrë nga shtëpitë në oborr dhe pastaj janë detyruar të shtrihen mbi kashtë, ndërsa pjesëtarët e forcave serbe pasi u kanë vënë edhe për mbi kashtë, kanë hedhur benzinë dhe u kanë dhënë zjarrin.

Njerëzit që kanë mundur të ikin, janë strehuar në komunën e Malishevës, në disa fshatra të Rahovecit dhe në fshatrat e komunave të tjera përreth. Vetëm në komunën e Malishevës janë strehuar rreth 13 mijë veta.

Supozohet se në qytet kanë mbetur nja 5. 000-6. 000 qytetarë, në një gjendje të pasigurisë së plotë.

Drejtuesi i Degës së LDK-së supozon se në qytet janë disa qindra të vrarë dhe qindra të plagosur. Të plagosurve nuk mund t’u ofrohet kurrfarë ndihme.

Ka informacione gjithashtu për shumë të arrestuar. Ata janë dërguar me kamiona të ndryshëm në drejtim të Prizrenit. Në një kamion të policisë ishin 40 ose 41 veta, të gjithë meshkuj. Në një kamion tjetër, që thuhet se ka qenë i ndërmarrjes “Progres” ishin 37 meshkuj dhe femra. Ata transportoheshin me duar të lidhura. Në kamionit e tretë gjithashtu kishte plot të arrestuar, gra dhe burra. Ndërsa në Prizren janë dërguar trupat e 12 shqiptarëve të vrarë.

Në qytet janë dëgjuar edhe dje të shtëna. Mirëpo nuk mund të thuhet asgjë se për çka është fjala. Më parë bëhet fjalë për sulme të pjesëtarëve të forcave serbe kundër njerëzve që kanë mbetur brenda, duke pritur se do t’u ndihmojë ndokush për të shpëtuar jetën.

Drejtuesi i Degës së LDK-së në Rahovec tha se kishte parë disa njerëz që mbërritën në Malishevë me një kamion dhe një motokultivator. Ata kishin bërë rrugë të gjatë e me plot rreziqe derisa ishin larguar nga qyteti. Ata kishin rrëfyer për masakrën e bërë nga forcat serbe në çdo shtëpi të lagjes së tyre. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë tmerrin që e kishin përjetuar dhe parë ata.

Dëshmitarë të tjerë kanë thënë se një grup prej 400-500 vetash ka hyrë në teqen e Sheh Myhedinit në qytet dhe kanë kërkuar ndihmë. Gjatë natës ata kanë dalë nga teqja me qëllim që të largoheshin nga qyteti, mirëpo pas disa metrash atyre u kishte dalë përballë një autoblindë. Pjesëtarët e forcave serbe kishin shtënë në ajër dhe kishin kërkuar nga njerëzit që të shtriheshin për toke. Në ndërkohë, aty kishin shkuar edhe dy autoblinda. Prej aty arriti të ikte vetëm një qytetar, i cili ka thënë se ka dëgjuar të shtëna armësh, britma dhe lemerinë e njerëzve, për të cilët nuk di se çfarë ka ndodhur. Nëse forcat serbe kanë shtënë në atë masë, aty ka ndodhur një masakër e vërtetë.

Drejtuesi i Degës së LDK-së bën apel që të hapet një korridor për në qytet, në mënyrë që të ndërpritet sulmi i forcave serbe dhe që të tërhiqen nga qyteti të plagosurit që kanë mbetur gjallë.

 

Rexhep Bislimi vdiq nga torturat e organeve serbe

Mbrëmë në Klinikën Kirurgjike të spitalit të Prishtinës, nga pasojat e torturave të organet e sigurimit serb, vdiq Rexhep Bislimi (32) nga Ferizaj, baba i tre fëmijëve.

I ndjeri ishte ishte arrestuar më 6 korrik. Në Klinikën Kirugjike të spitalit të Prishtinës ishte sjellë në gjendje kome, pas torturave çnjerëzore që ishin ushtruar ndaj tij në organet e sigurimit serb.

Varrimi i Rexhep Bislimit bëhet nesër, më 23 korrik, në varrezat e qytetit në Ferizaj, njofton Kosimioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.

 

 

Continue Reading

Vendi

Edhe sonte protestë në Prishtinë, dita e tetë

Published

on

Protestat në Prishtinë do të vazhdojnë edhe sonte, duke shënuar ditën e tetë radhazi.

Qytetarët pritet të mblidhen në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protestat kanë nisur pas vendimit të 16 shtatorit dhe kanë vazhduar çdo ditë në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Vendimi i Kushtetueses: Zgjedhja e Qeverisë është kushtetuese, Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa ka përcaktuar afate strikte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në vendimin e marrë me vota unanime më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e ekzekutivit është kryer në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimit.

Pavarësisht legjitimimit të Qeverisë, Gjykata vërejti se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit të paraparë 30-ditor (Neni 66, paragrafi 1), gjë që automatikisht ka vënë në lëvizje afatet kushtetuese për postin vakant të Presidentit.

Lidhur me këtë proces sovran, Kushtetuesja ka caktuar një datë të prerë për përmbylljen e tij:

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, nënvizon Gjykata në pikën VI.

Gjithashtu, aktgjykimi i obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës. Kërkesa e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë në ditën e publikimit zyrtar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje evropiane në boks

Published

on

By

Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar duke siguruar medalje në Kampionatin Evropian të Boksit.

Në ndeshjen çerekfinale të kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku dominoi tërësisht përballjen ndaj boksieres nga Holanda, Maud van der Toorn, duke e mposhtur me rezultatin e pastër 5:0 me vendim të njëpërfshishëm të gjyqtarëve.

Me këtë fitore, boksierja kosovare ka siguruar të paktën medaljen e bronztë evropiane, ndërsa synon ngjitjen në majën e podiumit.Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me garuesen që përfaqëson Serbinë, rusen Kristina Kuluhova. Kjo do të jetë një përballje e njohur për kosovaren, e cila e kishte mposhtur Kuluhovën në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

 

Continue Reading

Të kërkuara