Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

22 gusht 1994

U gjetën kufomat e dy fëmijëve shqiptarë në Suedi

Lajmi për gjetjen e kufomave të fëmijëve të cilët u zhdukën më 29 janar të vitit 1994 në strehimoren e Valdemarshvikut të Suedisë, i tronditi thellë bashkatdhetarët tanë në Suedi. Fëmijët Merlinda Gashi (6) dhe Jeton Gashi (10) të shtunën u gjetën 2 kilometra larg strehimores. Në kohën kur u zhdukën këta fëmijë, policia, qytetarët si dhe bashkatdhetarët tanë që gjenden në Valdemarshvik, gjurmuan pas fëmijëve të cilët në mënyrë misterioze u zhdukën pasditen e 29 janarit të këtij viti, plotë katër ditë e katër net. Mjete e informimit suedez me informimet e shpeshta i dhanë rëndësi kësaj ngjarjeje tragjike. Disa ditë pas zhdukjes së fëmijëve, televizioni dhe radio suedeze bënë me dije se në policinë rajonale të Valdemarshvikut, u lajmërua një zë femre i cili tha se fëmijët gjendeshin ke ajo dhe se babai i fëmijëve i vizitonte fëmijët dy herë në javë. Pas këtij lajmi rodhi edhe një lajm se policia i akuzon prindërit se fshehjen e fëmijëve e kishin planifikuar vetë, për çka iu ishte tërhequr vërejtja se mund të përgjigjen para ligjit. Me këtë rast u tha se policia dyshon se fëmijët gjendeshin ke një i afërm i tyre në Zvicër (lajm i TV Suedez).

Të shtunën, pas lajmit të hidhur për gjetjen e kufomave të fëmijëve, u mbajt një konferencë për shtyp me përfaqësuesin e policisë rajonale, i cili në mes të tjerash tha se fëmijët ishin gjetur të zbathur dhe të zhveshur, e kjo është shenjë se ata kanë ngrirë nga të ftohtit. Sepse njeriu nga i ftohti i madh filloka të zhvishet – tha përfaqësuesi i policisë së atjeshme. Gjithashtu u tha se fëmijët u gjetën 500 metra më larg nga kufiri i gjurmimit i cili ishte 1.500 metra. Supozohet gjithashtu se fëmijët kanë ndërruar jetë disa ditë pas zhdukjes dhe se nuk janë konstatuar lëndime trupore.

 

22 gusht 1995

Shantazhe e kërcënime ndaj refugjatëve serbë në qendrën “Boro e Ramizi” të Prishtinës

Deri më tash në qendrën sportive “Boro e Ramizi” në Prishtinë, u vendosën mbi 480 refugjatë serbë nga Kroacia.

Nga burimet e sigurta merret vesh se gjendja shpirtërore e këtyre refugjatëve është tejet e rëndë, sepse regjimi serb po manipulon me tragjedinë e tyre. Këtyre refugjatëve organet serbe u thanë se ata do të vendosen në Nish, mirëpo i mashtruan dhe me një tren të blinduar u sollën në Prishtinë dhe me dhunë policore u vendosën në hallën sportive “Boro e Ramizi”.

Dëshmitarët thonë se këta refugjatë assesi nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Informacionet flasin se ata qe shtatë ditë në një mënyrë po mbahen peng nga afër 40 punëtorë të sigurimit të objektit. Ndaj tyre po bëhet edhe shantazh se nga këtu mund të dalin vetëm nëse nënshkruajnë një formular të veçantë me të cilin garantojnë se do të mbesin në Kosovë!

Siç po shihet, regjimi serb i mashtroi këta refugjatë me premtimet se gjoja do t’i vendosë në Nish.

Nën anën tjetër, ata kanë probleme të mëdha edhe rreth sigurimit të ushqimit, përkundër zhurmës së madhe dhe “solidaritetit gjithëserb”, siç thuhej, me vëllezërit e tyre nga Kraina.

Organet serbe “zgjidhën” problemin e sigurimit të ushqimit për refugjatët, duke i plaçkitur firmat shqiptare të vendosura pikërisht në qendrën sportive, ku janë të vendosur edhe vetë refugjatët serbë.

 

22 gusht 1997

Tiranë: U plagos gazetari Mujë Buçpapaj

Gazetari i Rilindjes Demokratike, Mujë Buçpapaj u plagos parmbrëmë, në kohën kur po po shëtiste me familjen e tij në afërsi të Shkollës së Baletit, nga një breshëri plumbash, një prej të cilëve e goditi në pjesën e sipërme të këmbës, duke përshkuar atë, njofton “Bujku”.

Plumbi ka mbetur në këmbën tjetër ndërsa gjendja e tij pas ndërhyrjes së shpejtë mjekësore është jashtë rrezikut. Sipas dëshmitarëve okularë dhe gruas së tij, plumbat kanë ardhur nga një makinë ‘Tipo” blu që dyshohet se ishte me targa policie. Ndërkohë vetë policia është në kundërshtim me këtë variant dhe thotë se plagosja e gazetarit ka ndodhur për shkak të një shkëmbimi armësh midis dy grupeve. Ora ka qenë 18. 40 mbasdite dhe thuhet se rruga ishte e mbushur plot me njerëz. Në fillim ka pasur një breshëri automatiku dhe më pas dy të shtëna të veçuara, njëra prej të cilave dyshohet se ka pasur objekt gazetarin, të cilin edhe e ka goditur. Gazeta e djeshme ku punon gazetari akuzonte për një krim politik ndaj Buçpapës, ndërsa hidhte poshtë variantet e policisë. Plumbi ka qenë i një pistolete speciale të llojit 7. 62 mm. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ndërsa janë bllokuar kryqëzimet dhe është ushtruar kontroll i rreptë mbi makinat që qarkullonin.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Genc Pollo, deklaroi dje në një konferencë shtypi se plagosja e gazetarit të “RD”, Mujë Buçpapaj është krim politik dhe i organizuar nga instancat e larta shtetërore. Ai tha se PD disponon fakte të shumta dhe dëshmi që implikojnë policinë në plagosjen e gazetarit dhe për këtë ai tregoi përpara njerëzve të medias dëshmitë e gruas së Buçpapajt si dhe të disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.

Të gjitha këto dëshmi flisnin për një makinë policie nga kanë ardhur plumbat. Disa prej tyre thonë se makina e policisë kishte civilë brenda, ndërsa Pollo, tha se është e mundur që të jenë aktivizuar njerëz të bandave që kanë penetruar kohët e fundit në policinë shqiptare.

 

22 gusht 1998

Podujevë: Të shtëna në afërsi të stacionit të policisë në Lluzhan

Sot, nga ora 6 deri në orën 6. 15 në afërsi të stacionit të policisë serbe në Lluzhan u dëgjuan të shtëna armësh, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Nuk ka njoftime për pretekstin e këtyre të shtënave, por bëhet me dije se polcia ka arrestuar Mehdi Bicin, shtëpia e të cilit ndodhet në afërsi të këtij stacioni.

I njëjti burim bën me dije se sot në ora 12. 30 forcat policore serbe bllokuan tregun e qytezës dhe plaçkitën një sasi të konsiderueshme të mallit. Po ashtu, policët legjitimuan të gjithë qytetarët që u gjetën në treg.

Njoftohet gjithashtu se parmbrëmë rreth orës 21. 30 në vendin e quajtur Kisha e Sallabajës janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët kanë parë një veturë të tipit niva që ka vëzhguar terrenin.

 

U gjet dhe u varros trupi i pajetë i Miradije Tahirit nga Radisheva

Pardje në fshatin Radishevë, u gjet dhe u varros Miradije Tahiri (44), e cila u masakrua nga forcat serbe më 23 korrik të këtij viti, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Të përkujtojmë se që nga 23 korriku, e ndjera Miradije Tahiri konsiderohej e zhdukur.

Njoftohet se trupi i pajetë i të ndjerës është gjetur më 20 gusht, në afërsi të pusit në oborrin e shtëpisë së saj nga Hajriz e Mursel Tahiri, të cilët kishin dalë në fshat për t’i parë dëmet e shkaktuara nga agresori serb.

Trupi i pajetë i të ndjerës është gjetur i masakruar.

Të përkujtojmë se Radisheva ka qenë nën kontroll të forcave ushtarake e paramilitare serbe deri më 20 gusht të këtij viti, me ç’rast të njëjta forca kanë masakruar edhe 12 shqiptarë të tjerë nga Radisheva e Kotorri.

 

Në fshatin Isniq qëndroi sot një delegacion i diplomatëve amerikanë e gjermanë

Një delegacion i diplomatëve amerikanë e gjermanë vizitoi sot pasdite fshatin Isniq.

Si njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan, ata u takuan me përfaqësues të kësaj zone dhe u informuan për çështje të ndryshme.

Deçan: Edhe 7 vetë në listën e të zhdukurve

Numri i banorëve të Deçanit e të rrethinës që konsiderohen të zhdukur po shtohet përditë. Mësohet se familjet e të afërmit e tyre nuk dijnë asgjë për fatin e vëllezërve: Fazli, Fahredin e Faruk Mirovci nga Juniku, Avdullah Çakaj nga Grabovci, Nuredin Mustafaj nga Mazniku, Binak Sylaj nga Kodralia dhe Valon Sokol Shala nga Loxha.

 Foto: Qyteti Valdemarshvik, Suedi

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

lajme

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

lajme

Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.

Continue Reading

Lajmet

Kurti takohet me kancelarin federal të Austrisë, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik

Published

on

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker.

Përmes, një psotimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

“Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Në Vjenë u takuam vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, ndërsa këtë mëngjes në Shën Stefan në detin Adriatik biseda me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, u përqendrua në prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Biseduam për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti.

Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Nga Ekonomia Online

 

Continue Reading

Të kërkuara