Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 qershor 1993-1998?
Published
5 months agoon
By
UBTNewsNë rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Më 21 qershor 1998, nëpër Novi Pazar (në foto) kanë kaluar tre autobusë me shqiptarë të zënë rob
21 qershor 1993
Në Prishtinë policia serbe plaçkiti disa qytetarë në tregun e veturave
Dje, rreth orës 13.30, në tregun e veturave në Prishtinë, një grup policësh serbë plaçkiti një sasi të konsiderueshme malli me vlerë prej afro 3.000 markash gjermane nga disa qytetarë shqiptarë. Nga plaçkitja e policisë serbe më së keqi pësuan qytetarët, Sadri Llapashtica, Xhafer Latifi, Ibrahim Berisha, Jakup Aliu etj., të gjithë nga Prishtina.
Përveç plaçkitjes, Jakup Aliu edhe u rrah brutalisht.
21 qershor 1994
Represioni në Kosovë
Podujevë: – Më 18 qershor rreth orës 18:00, në rrugën e fshatit Bellopojë, një ekspeditë e policisë takoi imamin e xhamisë së këtij fshati, Beqir Llumnicën, të cilin pasi e legjitimoi e detyroi me dhunë që t’i dërgojë deri te shtëpia e Mustafë Malokut. Policia, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Mustafë Malokut, tek i cili nuk u gjet asgjë. Pas bastisjes, ai u dërgua në qendrën e sigurimit në Prishtinë, ku u keqtrajtua fizikisht deri në orën 22:00, sa u mbajt në polici. Pas rrahjes, policia shkoi sërish me Mustafën në fshatin Bellopojë për të bastisur shtëpinë e tij, ndërsa një grup tjetër policësh në orët e vona të natës legjitimoi shumë kalimtarë të rastit në fshatin Bellopojë. Njoftohet se gjatë bastisjes së dytë, policia shkaktoi dëme të mëdha materiale, me ç’rast theu e demoloi shumë orendi.
Mustafë Maloku ende po mbahet në arrest.
Kamenicë: – Dje, policia mori në pyetje korrespodentin e “Bujkut” nga Kamenica, Daut Maliqin. Daut Maliqin e mori në pyetje kuislingu shqiptar Naser Shevelli, i cili iu kërcënua për publikimin e emrit të tij dhe të inspektorëve të tjerë serbë në mjetet e informimit.
Njoftohet se dje u mor në pyetje edhe Refik Kryeziu, delegat i Odës Ekonomike të Kosovës nga Kamenica. Inspektorët serbë kërkonin nga Refik Kryeziu emrat e delegatëve të Odës Ekonomike të Kosovës.
Viti: – Më 14 qershor, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Ramadan Nezirit (60) në fshatin Dëbollde të Vitisë. Njoftohet se policia në prani të anëtarëve të familjes torturoi brutalisht Ramadan Nezirin.
Dje, rreth orës 3:00 të mëngjesit, policia bastisi shtëpinë e Ruzhdi Shabanit (70) në Sadovinë i Jerlive të Vitisë. Policia në fillim kërkoi Bislim Shabanin, i cili arriti të ikë nga shtëpia, ndërsa më vonë policia mori me vete bashkëshorten e tij Ajne Shabanin, e cila në polici u mbajt deri rreth orës 13:00.
Ferizaj: – Më 14 qershor, policia ishte në shtëpinë e Murat Shabanit në Manastirc, tek i cili konfiskuan një pushkë gjuetie me leje.
Më 15 qershor, policia kërkoi dy herë në shtëpinë e tij, Florim Veliun në Ferizaj. Meqë Florim Veliu nuk gjendej në shtëpi, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë në Ferizaj.
Më 17 qershor rreth orës 8:00, policia mori në shtëpinë e tij, Arif Hashanin nga Ferizaj, nga i cili para pak ditësh morën një automatik. Arif Hashani u dërgua në Burgun e Qarkut në Prishtinë.
Dje, policia mori në pyetje Nijazi Sahitin nga Komogllava e Ferizajt. Inspektorët serbë e morën në pyetje nën pretekst se ai merret me kontrabandë armësh, si dhe u interesuan të dinë rreth kushëririt të tij, Nysret Sahitit, i cili gjendet në Shqipëri nga viti 1982.
Vushtrri: – Dje rreth orës 9:00, policia e postkomandës së Prilluzhës, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Isuf Zabelit në Lumëmadh të Vushtrrisë. Policët nga Isuf Zabeli kërkuan që të dorëzojë një pushkjë dhe një revole. Më pas policët e morën me vete djalin e Isufit, Ilaz Zabelin, i cili u rrah brutalisht në postkomandën e Prilluzhës. Ilaz Zabeli u lirua me
kusht që të lajmërohet sërish në dorën 13:00.
Istog: – Më 18 qershor organet e sigurimit serb bashkë me policinë financiare bastisën shtëpinë e Tush Lekë Gegajt, kryetar i SHBH “Nëna Terezë” për Istog dhe depon e Shoqatës, e cila është e legalizuar, punëtorët gjegjësisht oplicët u sollën në mënyrë të vrazhdë kundër familjes, duke i sharë dhe fyer. Më pas policët bastisën shtëpinë e vëllait të Tushit, Tunë Gegajt. Ky objekt dhe shtëpia e tiju bastisën sivjet për herë të gjashtë.
Më 21 qershor në organet e sigurimit serb në Istog qëndroi i arrestuar kryetari i Shoqatës bëmirëse “Nëna Terezë”, Tush Lekë Gegaj nga Gjyrakoci për t’i kontrolluar dokumentacionin e materialit që gjendet në depo e i legalizuar nga vet organet komunale, me pretekst të pengimit të aktivitetit.
Sot u lirua në orën 12, pasi kinse punëtorët financiarë dhe të organeve të punëve të brendshme konstatuan se çdo gjë ishte në rregul.
21 qershor 1995
Procesi në Prishtinë, S. Çitaku tha se u mor në pyetje mbi 60 herë
Në seancën e djeshme të procesit të montuar politik kundër 72 ish-policëve të Kosovës, që po zhvillohet në Prishtinë, filloi marrja në pyetje e të akuzuarve, nga i ashtuquajturi “grupi i Mitrovicës”. Fjalën e tyre mbrojtëse dje e paraqitën Selim Çitaku, Zejnullah Shala, Enver Maxhuni, Afrim Olloni dhe Jonuz Loshaj, të cilët, në këtë proces të montuar gjyqësor, akuzohen se gjoja , në kuadër të “ministrisë së punëve të brendshme të Republikës së Kosovës”, kanë vepruar në territorin e Mitrovicës.
Edhe këta të akuzuar, sikur edhe ta akuzuarit tjerë që paraqitën mbrojtjen e tyre deri tash, i mohuan në tërësi veprimet inkriminuese që u vihen për barrë sipas aktakuzës dhe shpjeguan se janë marrë vetëm me aktivitet sindikal dhe me kurrfarë aktiviteti tjetër.
Gjithashtu ata mohuan deklaratat që i kanë dhënë në hetuesi dhe para gjyqtares hetuese dhe shpjeguan se të gjitha pohimet e tyre janë rezultat i dhunës së shfrenuar që është përdorur kundër tyre.
I akuzuari Selim Çitaku, rrëfeu se është marrë në pyetje më shumë se 60 herë, madje edhe më 25 prill, d.m.th., edhe pas ngritjes së aktakuzës e cila mban datën e 7 prillit. Ai rrëfeu se është mbajtur rreth 100 ditë në vetmi, për dhunën e madhe fizike që është ushtruar kundër tij dhe për kërcënimet e vazhdueshme. Ndër të tjera, atij i janë kërcënuar se do t’ia rrjepin djalin para syve të tij nëse nuk i pranon veprimet që i vihen barrë. Rezultat i kësaj dhune, tha ai në vazhdim, është pranimi që unë bëra në hetuesi.
Në vazhdim ai e mohoi tërësisht deklaratën e tij të mëhershme dhe hodhi poshtë në tërësi aktakuzën.
Edhe të akuzuarit e tjerë rrëfyen për format e dhunës dhe kërcënimeve që janë përdorur kundër tyre. Zejnullah Shalën, inspektorët e kanë kërcënuar se nuk guxon të angazhojë avokat dhe nuk guxon të mbrohet në heshtje. Gjithashtu atë e kërcënuan se nuk guxon as para gjyqtraes hetuese e as në procesin gjyqësor të ndryshojë deklaratën e dhënë në hetuesi. Gjatë marrjes në pyetje para gjyqtares hetuese, e cila në një moment u shpreh se është e lodhur, punën e saj vazhdoi ta kryejë prokurori, fakt ky që paraqet shkelje të rëndë të dispozitave të procedurës penale.
Avokati, dr. Bardhyl Çaushi, në një moment reagoi me këto fjalë: Nga e gjithë kjo që u tha në këtë gjykatore të improvizuar, del se kemi të bëjmë me një proces të pazakonshëm dhe të inskenuar. Kërkoj nga gjykatësi Dragolub Zdravkoviq të veprojë si profesionist, të mos bjerë në grackat e politikës së ditës, të gjykojë drejtë e të ndaj drejtësinë sipas provave e fakteve juridike. Sa i përket “rastit penal”, vazhdoi ky avokat, nuk ka prova se të akuzuarit i paskan kryer veprimet inkriminuese sipas neneve 136 e 116 të ligjit penal serb.
Edhe dje u bë fjalë për rastin e të akuzuarit Bajram Jakaj, i cili, pasi deshi të bëjë vetëvrasje në burgun e Prishtinës, u dërgua në spitalin e burgut “CZ” në Beograd. Kryetari i kolegjit informoi se ai ende gjindet në Beograd dhe gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet!
Pas mbarimit të seancës së djeshme, nga ora 15:00 deri në orën 17:00, në gjykatoren e improvizuar, anëtarët e familjeve të ta akuzuarve, biseduan me të afërmit e tyre. Bisedat kaluan në stilin e pyetjeve të zakonshme për shëndetin dhe me porosinë “mos u mërzit…”.
Në seancën e sotme, mrojtjen e tyre do ta paraqesin Hamit Peci, Abdullah Doroci, Shefqet Budakova, Murat Sahiti, Afrim Karaxha, etj.
21 qershor 1997
“Amnesti International”: Shqiptarët e Kosovës edhe më tej torturohen
Tortura dhe keqtrajtimi nga policia qenë shumë të përhapura, shumica e viktimave qenë shqiptarët etnikë në krahinën e Kosovës. Të paktën dy vetë vdiqën si rezultat i torturave nga plicia dhe vdekja e dy të tjerëve duket se ka lidhje me rrahjet e policisë. Rreth 60 të burgosurve të ndërgjegjës, shqiptarë etnikë, mbesin edhe më tutje në burg: disa mbase të burgosur të ndërgjegjës. Të paktën pesë njerëz janë dënuar me vdekje. Nuk ka njoftime për ekzekutime.
Kështu është përmbledhur raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare “Amnesti International” që merret me mbrojtjen e të drejtave të burgosurve politikë. Në raportin për “RFJ”-në, sa i përket Kosovës, Amnesti Interneshënell thekson se liderët politikë të shqiptarëve etnikë vazhdojnë të apelojnë për pavarësinë me mjete paqësore. Ndërkaq, kur flitet për sjelljen e pushtetit, në raport thuhet se reagimet qenë në formë të arrestimeve, keqtrajtimeve, rrahjeve. Në raport është përmendur rasti i arrestimit të Osman Ramës, Besim Ramës dhe Avni Nurës, i pari i liruar pas gjashtë ditësh arrestimi e i arrestuar prapë pas katër ditësh dhe torturuar për gjashtë ditë rresht. Besim Rama dhe Avni Nura qenë mbajtur në arrest të fshehtë pa u dhënë komunikata për më shumë se dy javë, para se të silleshin para gjyqtarit hetues, duke shkelur ligjin shtetëror, i cili lejon maksimumin e arrestimit deri në tri ditë.
Në këtë raport më tutje thuhet se gjatë tërë vitit ka pasur pothuajse përditë raportime për incidentet, të cilat nuk lidhen me sulmet e armatosura, e në të cilat policia ka torturuar, ka rrahur dhe ka keqtrajtuar shqiptarë etnikë. Inicidentet ndodhën gjatë bastisjesve për armë nëpër shtëpitë, e viktima qenë edhe të moshuarit, femrat dhe fëmijët. Arsimtarët të cilët ligjërojnë nëpër shkolla private qenë në shënjestër. Të paktën në dy raste të arrestimeve dukej se tortura kishte shkaktuar në mënyrë diretke, apo i kishte kontribuar vdekjes së viktimave. Arsimtari Feriz Blakçori, kishte vdekur më 10 dhjetor në spital e fletëlëshimi ia atribuonte vdekjen dëmtimeve në kokë dhe në trup. Arsimtarët janë dënuar gjithashtu edhe për shkak të organizimit të ligjëratave jashtë sistemit shkollor zyrtar dhe për shkak të zhvillimit të ndeshjeve sportive pa leje. Kështu, Pal Krasniqi u burgos për shkak të dënimit me burg nga gjyqi me arsyetim se ka mbajtur mbledhje të degës së sindikatës së arsimit.
Amnesti Interneshënell thuhet në raport për vitin 1996, apeloi te pushteti që të bëhen hetime të paanshme dhe të pavarura, në të gjitha rastet e deklarimeve për “zhdukje”, torturë, keqtrajim dhe ka kërkuar nga kryerësit e këtyre shkeljeve që të vihen para gjyqit. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të burgosurve të ndërgjegjës dhe për të burgosurit e tjerë politikë të kenë gjykime korrekte, thuhet mes tjerash në këtë raport të AI.
21 qershor 1998
Dje në fshatin Smolicë të Gjakovës u vra Valon Musa Kurti
Dje nga granatimet e ushtrisë serbe në fshatin Smolicë të Gjakovës u vra Valon Musa Kurti, i cili edhe u varros po në këtë fshat.
Po ashtu bëhet e ditur se sot rreth orës 12,00 një kamion i policisë i cili vinte nga fshatrat e Rekës së Keqe ishte i mbushur përplot me teknikë dhe aparate të tjera shtëpiake, që supozohet se janë plaçkitur nga shtëpitë e boshatisura të këtyre fshatrave.
Rreth orës 13,00 një ekspeditë policore rrethuan shtëpinë e Hysen Haxhisë, aktivist i Forumit Rinor të LDK-së në Gjakovë. Preteksti i bastisjes ende nuk dihet, por bëhet e ditur se më këtë rast është maltretuar fizikisht nëna e tij 65 vjeçare.
Mbrëmë rreth orës 21,00 kanë filluar granatimet nga Reka e Keqe, prej Sukës dhe nga ana e Gllogjanit. Po kështu sot aty-këtu dëgjohen të shtëna, njofton KI i Degës së LDK në Gjakovë.
Kanë mbetur pa u varrosur edhe së paku 40 të vrarë
Nga numri i përgjithshëm i pesonave të vdekur që janë identifikuar, kanë mbetur të pavarrosur 40 persona. Ndër të vrarët janë 15 femra, 27 pleq të moshës mbi 65 vjeç dhe 8 janë fëmijë të moshës nën 15 vjeç.
Në fshatrat e regjionit të Vokshit, Carrabregut të Epërm dhe Deçanit është i pamundshëm depërtimi, prandaj dyshohet se mund të ketë varreza masive e të vrarë të tjerë të pavarrosur, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan.
Tre autobusë me shqiptarë të zënë rob kanë shkuar në drejtim të Rashkës
Sot rreth orës 11:00 nëpër Novi Pazar kanë kaluar tre autobusë me shqiptarë të zënë rob, të përcjellë nga automjetet e policisë, të cilët kanë ardhur ngre drejtimi i Ribariqit dhe kanë shkuar në drejtim të Rashkës.
Shërbimi për Informim i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut në Novi pazar njofton se robërit shqiptarë kishin lëndime të dukshme nëpër fytyrë e kokë dhe se kur po kalonin nëpër qytet ngritnin duart e lidhur me pranga që të bënin me dije se ishin robër.
Kolona e autobusëve dhe automjeteve të policisë është ndalur për pak kohë në hyrje të Novi Pazarit, afër një pompe të benzinës, për shkak të një defekti në njërin prej autobusëve. Gjatë kësaj kohe policët e armatosur me armë automatike kanë penguar qytetarët që t’i qasen autobusit.
Kjo ka shkaktuar revoltë ndër banorët e Novi Pazarit, si dhe shqetësim për zhvillimet e mëtejshme të situatës, thuhet në njoftimin e këtij shërbimi.
You may like
Vendi
United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi
Published
5 hours agoon
November 13, 2026
Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.
Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës
Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.
Shërbimet përfshijnë:
Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.
Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.
Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.
Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.
Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës
Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.
United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.
Kontakti për termine dhe informata:
UNITED HOSPITAL
046 60 70 70
M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë
United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/
Vendi
Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme
Published
9 hours agoon
November 13, 2026By
UBT News
Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.
Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.
“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.
Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.
Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.
/A.K/
lajme
UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Published
9 hours agoon
November 13, 2026By
UBTNews
UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.
Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”
Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.
“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”
Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?
Published
10 hours agoon
November 13, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
13 nëntor 1992
“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë
Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.
13 nëntor 1993
Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.
Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.
13 nëntor 1995
Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë
Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.
Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.
13 nëntor 1996
Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi
Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.
Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.
13 nëntor 1997
Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë
Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.
13 nëntor 1998
Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë
Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:
– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.
I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:
– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.
Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:
– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.
I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:
– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.
Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:
– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.
United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi
Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme
UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?
AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte
PDK propozon rezolutë për mungesën e barnave onkologjike, nuk votohet për mungesë kuorumi
Dogana zbulon 150 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë
Samiti i NATO-s në Tiranë nuk do të mbahet në vitin 2027
IQMT gjobit me 9 mijë euro tri kompani postare dhe ndëshkon tregtarët e paregjistruar online
Të kërkuara
-
Vendi2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
-
Vendi1 month agoVotohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen
-
Lajmet1 month ago15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026
-
Lajmet2 months agoUBT në IOFOS 2026: Profesoresha Miranda Sejdiu Abazi prezanton hulumtimin në Portugali