Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Në Prizren u sollën 12 trupa të pajetë, 5 të plagosur dhe 240 të arrestuar

 21 korrik 1993

“Le Courrier”: Taktika e serbëve është që ta shkatërrojnë gradualisht popullin shqiptar

Gazeta zvicerane “Le Courrier”, sjell një artikull me titull “Delegacioni i Gjenevës që kishte shkuar në Shkup u kthye i shqetësuar”, në të cilin bënë fjalë për iniciativën për binjakëzimin e Prishtinës me Gjenevën.

Brenda pesë ditësh, delegacioni nga Gjeneva, siç shkruan kjo gazetë, takoi përfaqësues të forcave politike dhe të komuniteteve kombëtare nga Kosova. Kësaj radhe gazeta e sipërshënuar sjell bisedën me Elizabet Rës Dekrein, deputete në Këshillin e Madh të Partisë Socialiste dhe Kristof Soliosin, koordinator i projektit për Kuvendin Evropian të Qytetarëve.

Kristof Solios, në deklaratën dhënë kësaj gazete, thotë: “Shqetësimi i shqiptarëve për sa i përket shpërthimit të shpejtë të një konflikti të hapur në Krahinë, ishte i madh. Por, ata kanë hpresa të mëdha lidhur me një prani ndërkombëtare në Prishtinë, për të dëshmuar lidhur me gjendjen e tyre. Ata mbështeten shumë në ndihmat humanitare dhe sidomos te qëllimi për të dalë nga izolimi, që u është bërë atyre në planin ndërkombëtar”.

Pasi konstaton se grupet që i takuam janë pak a shumë të hapur për dialog ndëretnik dhe ndërfetar, Kristof Solios, thotë: “Të bindësh njerëz të revoltuar për të qëndruar të qetë, ky është një problem për organizatat shqiptare, udhëheqësit e të cilave kanë zgjedhur në mënyrë të qartë që të mos provokojnë. Për të dalë nga izolimi, ata kanë vendosur të mbështeten në kontaktet ndërkombëtare. Kjo politikë, ka sjellë frytet e saj. Evolucioni i organizatave joqeveritare evropiane është premtues, kurse ai i organizatave qeveritare është më pak i pranishëm”.

Elizabet Rës Dekrei, konstaton se “aktiviteti ndërkombëtar i shqetëson serbët. Shqiptarët kanë frikë çdo ditë se nuk do të mund të dalin më nga krahina e tyre, kurse të huajt nuk do të mund të hyjnë më atje. Shqiptarët ngulmojnë që në Kosovë, të dërgohen delegacione para shpërthimit të luftës, pasi kam përshtypjen se Evropa nuk e njeh si duhet Kosovën”.

Elizabet Rës Dekrei, është e mendimit se “taktika e serbëve është ta shkatërrojnë gradualisht popullin shqiptar”.

 

21 korrik 1994

Prof. dr. Ejup Statovci u rizgjodh rektor i UP-së

Dje në Prishtinë u mbajt mbledhja konstituive e Senatit të Universitetit të Prishtinës.

Kryetar i Senatit u zgjodh prof. Fetah Jagxhiu, ndërsa nënkryetar prof. dr. Mensur Raifi.

Senati pastaj njëzëri zgjodhi sërish rektor të Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovcin.

Në këtë mbledhje Senati bëri gjithashtu edhe vërtetimin e zgjedhjes së shumicës së dekanëve dhe të drejtorëve të shkollave të larta të Universitetit të Prishtinës, njoftoi Rektorati i UP-së.

 

 

21 korrik 1995

U ngrit aktakuza kundër “Grupit të Kaçanikut”

Kohë më parë në Prishtinë u ngrit aktakuza kundër 13 të pandehurve, udhëheqësve të pushtetit lokal, përfaqësuesve të degës së LDK-së të Kaçanikut dhe të tjerëve, tre prej të cilëve gjenden në arrati, njoftuan avokatët Fazli Balaj e mr. Hysni Bytyçi.

Për veprimet inkriminuese sipas neneve 136 e 116 të ligjit penal serb akuzohen: Hebib Shehu, kryetar i Degës së LDK-së, Osman Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Komunës, Qamil Ilazi, Mitalip Jezerci dhe Ilaz Loku, që të tre ish-punëtorë të MPP të KK-së, Maksut Hoxha, kryetar i qeverisë komunale, Ibush Vishi, nënkryetar i degës së LDK-së, Xhevat Bela, ish-referent i MPP-së, Raif Dema, kryetar i këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Naser Kuka, kryetar i nëndegës së LDK-së dhe ish-kryetar i KMDLNJ-së në Kaçanik, Idriz Krasniqi, elektricist, Xhemail Metallarai, teknik i Makinerisë dhe Sami Vishi, student i Fakultetit të Bujqësisë, njofton “Bujku”.

Në aktakuzën e ngritur kundër tyre thuhet ndër të tjera se të pandehurit paskan formuar Shtabin e Mbrojtjes territoriale për komunën e Kaçanikut. Theksohet se ata paskan vepruar sipas instruksioneve të Anton Kolajt, anëtar i kryesisë së LDK-së, Hajzer Hajzerajt, etj.

Tre të pandehur, Naser Kuka, Idriz Krasniqi e Ilaz Loku “gjenden në arrati”, Sami Vishi është paraburgosur më 19 maj, ndërsa të pandehurit tjerë janë paraburgosur më 11 prill.

Avokatët F. Balaj e H. Bytyçi njoftuan se ndaj klientëve të tyre, gjatë fazës së hetuesisë është përdorur torturë e egër dhe se ata po mbahen në burgun e Gjilanit.

Në një nga aktvendimet thuhet se paraburgimi kundër të pandehurve vazhdon deri më 5 gusht të këtij viti, ndërsa gjykimi për këtë rast penal pritet të fillojë në shtator të këtij viti, thuhet mes tjerash në njoftim.

 

 21 korrik 1997

Policia speciale u tërhoq nga rrugët e qyteteve shqiptare në Maqedoninë Perëndimore

Pas “stuhisë” policore më 9 korrik në komunën e Tetovës dhe të Gostivarit, mbrëmë në rrugët kryesore Gostivar – Tetovë – Shkup u vërejtën kolonat e njësive të specializuara të policisë të MPB që largoheshin pas dhjetë ditë qëndrimi në qytetet me shqiptarë të Maqedonisë Perëndimore. Dje nuk u vërejtën më pjesëtarët e kësaj policie në të dy krahët e rrugës që shpie për në ndërtesën e Kuvendit komunal të Tetovës, as autoblinda dhe as automjetet e tjera që qëndronin para objektit. Kjo rrugë edhe dje dukej e shkretë dhe pa frekuencë të zakonshme. Këto forca nuk u vërejtën as në udhëkryqet e tjera të qytetit, njofton “Bujku”.

Tetovarët tashmë marrin frymë më lirshëm. Ata nuk i pret legjitimimi i jashtëzakonshëm në shumë pjesë të qytetit dhe fitohet përshtypja se më e keqja ka kaluar. Përkundër kësaj, tetovarët dhe gostivarasit, sikundër edhe banorët shqiptarë të komunave të reja në Maqedoninë Perëndimore nuk do të mund ta harrojnë aq shpejt dhunën e pushtetit maqedonas mbi ta, dhunë kjo që do të lërë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.

Ngjarjet e korrikut në Tetovë, Gostivar e më gjerë kanë lënë vragë të rënda jo vetëm në zemrat e tyre, por edhe mbi trupin e shumë shqiptarëve, të cilët nuk u kursyen nga kërbaçi policor jo pse kishin bërë ndonjë faj, por vetëm pse ishin shqiptarë. U maltretuan, u rrahën dhe u plagosën shumë veta. Për policinë kjo nuk mjaftonte, por ngriti ndaj tyre edhe procedurë gjyqësore, që dënimi të jetë i plotë. Sepse vetëm tre të vrarë për një “ngjarje” kaq të madhe për policinë, për “ushtrimin” e forcave të saj ishin pak. Mbetën, pra plagët, personat e arrestuar nëpër burgje dhe gjykimet e montuara politike.

 

21 korrik 1998

Shumë të vrarë, të plagosur, të arrestuar e të humbur në Rahovec

Sipas informatës së Halit Shalës, sekretar i Bashkësisë Islame në Rahovec, më 20 korrik në Rahovec mbretëronte gjendje terrori. Nëpër rrugë vërehej një numër tejet i madh i të vrarëve dhe i të masakruarve. Vetëm në Teqen e Sheh Mihidinit në Rahovec janë parë gra, pleq e fëmijë, të cilët kishin kërkuar aty strehim, mirëpo ishin të masakruar me metoda më barbare.

Në qendër të qytetit dhe rrugët tjera shiheshin njerëz të lidhur nëpër shtylla elektrike dhe një numër i madh i qytetarëve të masakruar.

Te vendi i quajtur “Tumba” ishte masakruar profesori Haxhi Sharku dhe Ali Percaj, si dhe gjashtë trupa tjerë të cilët janë të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk dihet.

Nëpër rrugët e Rahovecit vërehen të vrarë e shoqja e Ramadan Abaz Ibres (56), Ramadan Abaz Ibra (58), Bula Abaz Ibra (22), Emsale Shala (27), Abdullah Bugari (37), Kadri Cena (43), Sakip Bugari (50), e shoqja e Hysen Bugarit (58), Hasan Shtavica, profesor, profesorët Faik Sylka e Xhemajli Ramqaj.

Te vendi “Bllata” te liqeni gjenden kufomat e pesë personave të paidentifikuar.

Janë djegë shtëpitë e Xhemajli Mustafës, Gani Jahajt, Hidajte Haxhijahajt, Jusuf Haxhijahajt, Sakip Shehut, Selami Osajt, Latif Mustafës, Hidajte Kasapit, Xhemajli Kadirit, Dervish Lamajt, Xhelal Jupajt, Sali Ramës, Hasan Demës, Haxhi Topallit, Idriz Bytyçit, Ramiz Bytyçit, Sali Shalës, Bashkim Tarës, Qerim Cenës, Hassan Xheminhazerit, Xhemajl Canzibës, ndërtesa pranë postës, hoteli “Park”, moteli dhe pompa e benzinës “Haxhijaha”.

Janë plagosur Shani Sylka (imam i xhamisë), Luan Vuçiterna, Vllaznim Canziba, ndërsa janë zënë robër: Merita Mustafa (25), me foshnjën 2-muajshe, Ali Mustafa (35), Liridon Mustafa (3 vjeç), Veton Mustafa (7), Satkie Mustafa (23), Muharrem Mustafa (42), Vezire Mustafa (35), Xhemile Mustafa (75), Muhidin Mustafa (65), Iliaz Shala (55), Xhemajli Iska me familje, Maliq Kerali me familje, Nait (Sali) Musa me djalin, Abaz Mullauka (42), Rasim Vuçitërna (68), Xhevdet Vuçitërna me dy djem e me gruan, Faredin Merxha (56), Mejreme Merxha (52), Hidajete Merxha me vajzën, Ali Shala me tetë anëtarë të familjes, Mejdin Qemajli (47), Muharrem (37) dhe Bekim (mbiemri nuk dihet) (35) me anëtarët e familjes.

Persona të humbur konsiderohen: Hadi Sokoli (32), Hivzi Shehu (30), Sabit Shehu (26), Sedat Shehu (27), Esat Shehu (20), me familje, Gani Haxhijaha (35), Nijazi Mullauka (68), Nijazi Rama (me dhjetë anëtarë të familjes), Jonuz Jupa (me familje), Muhamet Kolari (me pesë anëtarë të familjes), Hanife Kollari (70), Ilir Hasku (me dy anëtarë të familjes), Osman Mullaabazi me familje (68), Jonuz Jupa (me familje), Muhamet Sulejmani, Eqrem Derguti me grua, Bademe Draga (70), Nesim Shala me familje, Ramadan Dina me familje, Fahredin Dina me familje, Latif Veliu me familje, Qerim Cena (32), Shefqet Derguti (52) me të shoqen, Sadik Derguti (32), Muzair Mjezini, Fatime Kasapi, Qazim Kasapi, Lirie Kasapi, Sanie Kasapi, me dy djem e një vajzë (Bekimi, Burimi dhe Leoreta).

Mbrëmë në Prizren policia serbe ka sjellë nga Rahoveci shqiptarë të arrestuar në dy kamionë. Gratë dhe fëmijët janë liruar, ndërsa meshkujt janë mbajtur në arrest.

Sot më 21. 07. 1998, në ora 7,00 të mëngjesit është sjellë edhe një kamion me 20 të rinjë të arrestuar. Në orën 10,00 një kamion “Tam”, me targa të policisë ka bartur civilë shqiptarë nga stacioni i policisë në Rahovec për në Prizren. Numri i tyre dueht të jetë 30- 40.

Po sot në ora 11,30 me kamion të firmës “Progres” u sollën edhe 31 të arrestuar, të gjithë të lidhur, nga rrethinat e Rahovecit.

Në mesin e të arrestuarve kishte edhe të plagosur. Të gjithë janë vendosur në ndërtesën e zjarrëfikësve (në sallë) që ndodhet ngjitas me stacionin e policisë në Prizren.

 

Mbrëmë dhe sot në Prizren u sollën 12 trupa të pajetë, 5 të plagosur dhe 240 të arrestuar

Burimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Prizren njoftojnë se në morgun e spitalit të qytetit janë sjellë mbrëmë 12 kufoma, tash për tash të paidentifikuara. Po mbrëmë, rreth orës 20:00, në spitalin e Prizrenit janë sjellë për shërim edhe pesë shqiptarë të plagosur. Jemin (Halit) Hondozi (1974) e Albanore (Vehbi) Hoxha (1981) janë plagosur me plumba, kurse Samere Nurshaba (1991), Abdullah Nurshaba (1994) dhe Rexhep Nurshaba (1953) janë plagosur nga copat e granatave.

Sipas këtyre burimeve, rreth 200 shqiptarë civilë, të cilët janë sjellë me një kamion nga Rahoveci, janë dërguar mbrëmë në burgun e këtij qyteti, kurse sot, në orën 10,40, në këtë burg janë sjellë edhe 38 shqiptarë të tjerë. Dëshmitarët okularë kanë treguar se gratë, fëmijët dhe pleqtë janë zbritur nga automjetet dhe janë futur në lokalet e burgut, ndërsa të rinjtë dhe burrat janë dërguar në stacionin e policisë.

Ndërkaq Komisioni për Informim i Nëndegës së LDK-së në Lutogllavë, ka njoftuar se mbrëmë, prej orës 20:30 e deri në orën 23:00, një serb i këtij fshati ka provokuar fqinjët e tij shqiptarë, duke shtënë me automatik.

Ndërkohë, njoftohet se snajperistët e vendosur rreth postbllokut të policisë në Landovicë kanë vëzhguar terrenin përreth ne të gjitha drejtimet.

Njoftimet nga Prizreni flasin për një gjendje shumë të tensionuar në Prizren e rrethinë, të shkaktuar pas sulmeve të forcave serbe në disa vendbanime të kësaj komune dhe në komunën e Rahovecit.

 

Dëshmi e një të arrestuari në Rahovec: Në qytet ka shumë të vrarë, ndërsa çdo e treta shtëpi është shkatërruar dhe djegur

Forcat serbe liruan sot në Prizren grupe të arrestuarëve gjatë dy ditëve të fundit në Rahovec. Sot janë liruar dy grupe me nga dhjetë persona.

Një i liruar sot i tha QIK-ut se dhjetëra shqiptarë, gra e fëmijë ishin arrestuar dje nëpër shtëpitë dhe strehimoret e qytetit. Ishin arrestuar burra, gra e fëmijë. Ata ishin transportuar me kamionë deri në Prizren. Dëshmitari që deshi të mbetej anonim tha se ishte arrestuar dje në orën 13:00 në një strehimore. Në mesin e të arrestuarëve kishte edhe gra me fëmijë të porsalindur. Në Prizren kishin arritur në orën 18:00. Ai tha se shumicën e të arrestuarëve i kishin ndalur në një hapësirë në Prizren, ndërsa nëntë vetë, në mesin e tyre edhe një aktivist të LDK-së me mbiemrnin Kasapi, i kishin dërguar në drejtim të panjohur.

Ai tha se të gjithë të arrestuarit ishin lënë pa ujë e pa bukë dhe ishin marrë në pyetje gjatë gjithë natës. Nga gjendja e rëndë, lodhja e frika, shumicës së të arrestuarëve u kishte rënë të fikët.

Dëshmitari tha se në qytet dje kishin mbetur gra e fëmijë, ndërsa burrat janë larguar nga qyteti. Nga Rahoveci është dërguar në Prizren sot një kamion me të arrestuar të rinj.

Dëshmitari tha se qytetarët e Rahovecit nuk kishin guxuar të dilnin tri ditë nga shtëpitë e veta. Ai tha se kishte parë të sulmonin edhe ushtarë serbë me fytyra të ngjyrosura dhe me shami të zeza.

Sipas dëshmitarit, në qytet ka shumë të vrarë, ndërsa çdo e treta shtëpi është shkatërruar dhe djegur.

 

 

Continue Reading

Vendi

Edhe sonte protestë në Prishtinë, dita e tetë

Published

on

Protestat në Prishtinë do të vazhdojnë edhe sonte, duke shënuar ditën e tetë radhazi.

Qytetarët pritet të mblidhen në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protestat kanë nisur pas vendimit të 16 shtatorit dhe kanë vazhduar çdo ditë në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Vendimi i Kushtetueses: Zgjedhja e Qeverisë është kushtetuese, Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa ka përcaktuar afate strikte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në vendimin e marrë me vota unanime më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e ekzekutivit është kryer në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimit.

Pavarësisht legjitimimit të Qeverisë, Gjykata vërejti se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit të paraparë 30-ditor (Neni 66, paragrafi 1), gjë që automatikisht ka vënë në lëvizje afatet kushtetuese për postin vakant të Presidentit.

Lidhur me këtë proces sovran, Kushtetuesja ka caktuar një datë të prerë për përmbylljen e tij:

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, nënvizon Gjykata në pikën VI.

Gjithashtu, aktgjykimi i obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës. Kërkesa e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë në ditën e publikimit zyrtar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje evropiane në boks

Published

on

By

Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar duke siguruar medalje në Kampionatin Evropian të Boksit.

Në ndeshjen çerekfinale të kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku dominoi tërësisht përballjen ndaj boksieres nga Holanda, Maud van der Toorn, duke e mposhtur me rezultatin e pastër 5:0 me vendim të njëpërfshishëm të gjyqtarëve.

Me këtë fitore, boksierja kosovare ka siguruar të paktën medaljen e bronztë evropiane, ndërsa synon ngjitjen në majën e podiumit.Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me garuesen që përfaqëson Serbinë, rusen Kristina Kuluhova. Kjo do të jetë një përballje e njohur për kosovaren, e cila e kishte mposhtur Kuluhovën në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

 

Continue Reading

Të kërkuara