Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 18 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 18 shtator 1993

Arrestime dhe bastisje anembanë Kosovës

Dje, në Kaçanik rreth orës 6 të mëngjesit, policia serbe bastisi shtëpinë e Berat Luzhës, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe aktivist i LDK-së dhe i Forumit Demokratik. Pas bastisjes së shtëpisë së tij, policët serbë arrestuan Beratin, i cili në stacionin e policisë në Kaçanik qëndroi deri në orën 14.

KMDLNJ nga Kaçaniku gjithashtu njofton se dje në Kaçanik u arrestuan të gjithë aktivistët e Qeverisë komunale, emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë.

Komisioni për Informim i LDK-së së Kamenicës njofton se policia serbe edhe më tej është duke vazhduar represionin ndaj familjes së Zeqir Berishës nga Kamenica. Gati dy muaj, familja e Zeqir Berishës i është nështruar një represioni ta paparë nga ana e policisë serbe, i cili është i detyruar që çdo ditë prej orës 8 deri në orën 15 të qëndrojë në stacionin e policisë në Kamenicë. Gjatë marrjes në pyetje, inspektorët serbë po e detyrojnë Zeqirin që me çdo kusht t’i dorëzojë djemtë dhe vajzat e tij në organet e policisë në një afat sa më të shkurtër.

Siç kemi informuar edhe më parë, policia serbe ditë më parë i pat bastisur e keqtrajtuar edhe vëllezërit e Zeqirit.

Pardje, rreth orës 6 të mëngjesit, në fshatin Muçivërc të Kamenicës, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e vëllezërve Refik dhe Rabit Thaçit. Pas bastisjes, policia serbe arrestoi vëllezërit Thaçi dhe i dërgoi në stacionin e policisë dhe kërkoi nga ata emrat e bashkëfshatarëve të tyre që gjoja kanë armë.

Vëllezërit Thaçi u liruan të njëjtën ditë në orët e vona të mbrëmjes.

Pardje, rreth orës 3 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe me pretekst të kërkimit të armëve bastisi tri familje në fshatin Shkabaj. Në fillim u bastis familja e Nexhmi Sejdiut. Pasi policët nuk gjetën asgjë, arrestuan djalin e Nexhmiut, Bahri Sejdiun, i cili është student i rregullt në Tripoli të Libisë.

Më pas u bastis edhe familja e Abdullah Osmanit. Pas bastisjes, policët arrestuan Abdullahun dhe djalin e tij Rabitin. Policia serbe në këtë fshat bastisi edhe familjen e Dulah Sallahut.

Të arrestuarit u mbajtën një kohë të gjatë në stacionin e policisë tek të cilët inspektorët serbë ushtruan trysni për bashkëpunim.

Dje, në Gllogovc, derisa ishte duke e marrë letërnjoftimin në stacionin e policisë, policët serbë arrestuan të riun Bedri Gashin nga Llapushniku i Gllogovcit. Më pas rreth orës 16, policët serbë së bashku me Bedriun shkuan në familjen e tij për ta bastisur nën pretekstin e kërkimit të armëve.

Bedri Gashi u mor prapë në stacionin e policisë në Gllogovc dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë.

Ndërsa në fshatin Velikarekë të Podujevës, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi familjet e Qazim Musës, Ferat Kastratit, Musë Kastratit dhe Jetullah Hasanit. Policia rrahu në praninë e familjes Qazim Musën, veprimtar i pajtimit të gjaqeve.

Gjatë këtij aksioni, në të cilin morën pjesë 60 policë, janë arrestuar shumë persona.

 

 

18 shtator 1995

Në fshatrat e Ferizajit ndërtohen disa vendbanime për kolonët serbë

Ferizaj: Administratorët serbë të komunës së Ferizajit për kolonët serbë kanë caktuar 500 hektarë tokë nga 2000 hektarë sa disponon i ashtuquajturi “sektor shoqëror”. Tashmë janë janë hartuar planet e lokacioneve për ndërtimin e disa kolonive serbe në fshatrat Babushi Serb, Kosinë, Nerodimë e Poshtme dhe në Tankosiq. Sipas një administratori serb në fshatrat e përmendura do të ndërtohen nga 60 objekte për kolonët serbë.

Poashtu sipas njoftimeve të shtypit serb thuhet se në fshatrat e komunës së Ferizajit janë evidentuar 25 shtëpi të zbrazta, të cilat duhet t’u jipen kolonëve serbë nga Kroacia. Nuk thuhet se të kujt janë ato shtëpi, të serbëve apo të shqiptarëve.

Mitrovicë: Që nga 15 gushti, kur në Mitrovicë arritën kolonët e parë serbë nga Kroacia e deri sot, në këtë komuna janë vendosur rreth 700 kolonë serbë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Këta kolonë janë vendosur në hotelin “Adriatik”, në motelin në dalje të Mitrovicës buzë magjistralës së Ibrit, në disa banesa në Tunelin e parë, në barakat e ndërmarrjes së Shkupit “Vatrostolna” në fshatin Rekë, në barakat e NN “Kosova” të Vushtrrisë në fshatin Suhadoll, në barakat në rrugën e Kollashinit, ku më parë ka qenë bashkësia e arsimit, në hotelin numër 3 në Zveçan dhe në disa shtëpi të serbëve, në fshatin Shipol në dy shtëpi të serbëve, në shkolën fillore në Frashër të Madh, në çerdhen e fëmijëve në lagjen “Bair”, në çerdhen e fëmijëve në lagjen “Kodra e xehëtarëve”, në disa baraka në lagjen e “Ibrit”, në stacionin e vjetër të policisë në Stantërg, në disa banesa të ish-minatorëve, në po këtë lokalitet, në banesën e policit i cili ende punon në Stantërg, Binak Çunit, në dy ndërtesa të kooperativës bujqësore “23 Nëntori”, në banesat e ish-punëtorëve të NN “Kosova” të Vushtrrisë, në shtëpitë e verimit të shqiptarëve në fshatrat: Uglar, Varag dhe Koleshin, të cilat gjinden afër pendës së Gazivodës dhe në barakat të cilat gjenden afër fabrikës së akumullatorëve.

Në këtë njoftim më tutje thuhet se një numër i kolonëve janë punësuar në ndërmarrjen “Des”, në fabrikën e bukës “Zhitopromet”, në minierën e Stantërgut dhe në mullirin e “Zhitoprometit” në Skenderaj.

Vlen të theksohet se disa kolonë kanë ikur dhe janë kthyer në Serbi, por, pas disa përpjekjeve të kolonëve të tjerë për të ikur, ata tash ruhen nga policia serbe, thuhet në fund të këtij njoftimi.

 

18 shtator 1997

Rufi Osmanit – 13 vjet e 8 muaj burg

Prishtinë, 18 shtator (QIK)

Trupi gjykues i të treve, i kryesuar nga gjykatësja Jelena Kemeri, dje në Gjykatën Themelore të Gostivarit, në prani të të akuzuarëve Rufi Osmani, prefekt i komunës së Gostivarit, dhe Refik Dauti, kryesues i Këshillit të kësaj komune, të përfaqësuesit të aktakuzës, zëvendësprokurorit Borivoje Gjinovski dhe mbrojtësit sipas detyrës zyrtare, avokati Lupço Lazarevski, por edhe të të afërmve të të akuzuarve si dhe përfaqësuesve të shumtë të mediave të vendit e të jashtme, shpalli aktgjykimin e kësaj lënde dhe bëri të ditur se prefekti i Gostivarit, Rufi Osmani, dhe kryesuesi i Këshillit të kësaj komune, Refik Dauti, shpallen fajtorë – i pari për tri vepra penale – “nxitje të urrejtjes nacionale, fetare e racore. . . “, “organizim të rezistencës. . . ” dhe për “moszbatimin e vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. . . “, të cilin e dënoi me vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 13 vjet e 8 muaj burg. Po ashtu edhe Refik Dauti u shpall fajtor për veprën penale “moszbatim të vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. . . “, për çka iu shqiptua dënimi me 3 vjet burg. Refik Dauti mbrohet në liri, thuhet në njoftim të botuar sot në gazetën “Bujku”.

Dënimi drakonik ka zgjuar reagime të shumta të partive politike në Maqedoni dhe në Kosovë.

18 shtator 1998

Podujevë: Në Dobratin forcat serbe kanë vrarë Maksut Rekaliun

Mbrëmë forcat serbe u tërhoqën nga pozicioni në afërsi të fshatit Dobratin. – Rreth 50 tanke janë vendosur në fshatin Obrançë. – Nuk dihet asgjë për të riun Haki Rekaliu (35), i cili ishte i plagosur, si dhe për fatin e Xhafet Ajvazit. – Sot në Podujevë u arrestuan Isuf Berisha, nënkryetar i KKNE dhe Faik Jashari, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Batllavë

Gjendja në komunën e Podujevës vazhdon edhe më tej të jetë shumë e rëndë.

KI i Degës së LDK-së në Podujevë njofton se mbrëmë rreth orës 18 filloi tërheqja e njësive ushtarako-policore të vendosura para tre ditësh në mes të fshatrave Dobratin, Lepajë dhe Bajçinë. Dëshmitarët të cilët kishin arritur të hyjnë në fshatin Dobratin pas tërheqjes së forcave ushtarake e policore thonë se fshati është tërësisht i shkretuar. Njëkohësisht konfirmohet vrasja e Maksut Rekaliut (64), i cili ishte vrarë tek vendi i quajtur Kroi i Boshnjakëve.

Deri tash nuk dihet asgjë për të riun Haki Rekaliu (35), i cili ishte i plagosur, si dhe për fatin e Xhafet Ajvazit.

Dëshmitarët të cilët ishin në Dobratin thonë se janë plaçkitur mbi 70 për qind të shtëpive, ndërsa të djegura janë mbi 20 sosh. Nëpër rrugët e fshatit shihen vetura të plaçkitura dhe të djegura, ndërsa nuk është kursyer as xhamia e fshatit e cila është demoluar dhe në hyrje janë shënuar simbole çetnike me 4S.

Ndër të maltretuarit në fshatin Dobratin më së rëndi është Halit Dabinofci i moshës 67-vjeçare.

Ndërsa në fashtin Bajçinë, përkatësisht në lagjen e Lepajëve, ka shumë shtëpi të plaçkitura, ndërsa është djegur oda e Fehmi Rekaliut dhe ushqimi i kafshëve të tij.

Po mbrëmë, rreth orës 22, 50 tanke janë vendosur në fshatin Obrançë. Supozohet se ato kanë ardhur ng drejtimi i Prishtinës. Si pasojë e ardhjes së forcave serbe, banorët e Llapashticës kanë vazhduar zhvendosjen me intensitet të shtuar. Në orët e hershme të mëngjesit në qytet u panë familje të shumta që barteshin tek të afërmit apo edhe shkojnë në drejtim të Prishtinës, pasi që rruga në orët e para është e hapur.

Gjendja në vetë qytetin e Podujevës vazhdon të mbetet e nderë. Shitore të pakta dhe disa lokale hoteliere janë hapur, megjithëse lëvizjet e njerëzve janë të pakta.

Nga fshatrat ku policia serbe ka dhënë ultimatum 24-orësh për dorëzimin e armëve, njoftohemi se gati tërësisht është zhvendosur popullata e fshatrave, pos ndonjë plaku ose familjari që kanë mbetur t’i ruajnë shtëpitë dhe të kujdesen për bagëtitë.

Mësohet gjithashtu se gjendja e njerëzve të cilët nuk kanë mundur të ikin nga fshatrat e përfshira në luftë, por kanë mbetur maleve përreth është tejet e rëndë. Ata nuk kanë ushqime, kurse shiu që filloi mbrëmë ka vështirësuar edhe më tej gjendjen e tyre.

Apelohet edhe një herë tek organizatat humanitare e sidomos tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që të vizitojë ato rajone dhe të shpëtojë jetët e fëmijëve dhe grave.

Sot, rreth orës 12, derisa po bisedonin me vëzhguesit amerikanë para zyrës së Këshillit Komunal të Emergjencës, policia serbe arrestoi Isuf Berishën, nënkryetar i këtij këshilli, si dhe Faik Jasharin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Batllavë. Ata janë dërguar në stacionin e policisë në Podujevë dhe derisa po njoftojmë ende nuk janë liruar.

Nga deklarata e Shaip Abdullahut nga Podujeva mësojmë se dje rreth orës 11, para postës së qytetit, paramilitarët serbë e kanë ndalur dhe e kanë rrahur si dhe ia kanë plaçkitur 300 DM, thuhet në njoftim.

 

Mitrovicë: Forcat serbe dogjën 17 fshatra shqiptare në Shalë të Bajgorës

Gjatë granatimeve në tri ditët e fundit të forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe në fshatrat e Shalës së Bajgorës dogjën 17 fshatra shqiptare të këtij rajoni, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Bëhet e ditur se forcat serbe në Stantërg kanë djegur e rrënuar 140 shtëpi shqiptare, në Trepçali 18, në Melenicë 85, në Bare 124, në Vidishiq 82, në Reshan 66, në Maxherë 31, në Tërstenë 54, në Mazhiq 46, në Zjaqë 11, në Zabërxhë 25, në Kutllofc 32, në Kovaçicë 27, në Bajgorë 145, në Kaçanoll 59, në Selac 40 dhe në fshatin Dedi 27 shtëpi shqiptare.

I njëjti burim bën të ditur se gjatë ekspeditave të tyre ndëshkuese, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë vrarë edhe shumë krerë bagëti, ndërsa mijëra banorë të kësaj popullate po jetojnë nën qiellin e hapur në malet e Shalës së Bajgorës pa ushqime, barna e gjësende të tjera më elementare.

Gjendja më e rëndë në këtë hapësirë po paraqitet te foshnjat dhe gratë shtatzëna.

 

Në Dobratin të Podujevës u gjet i masakruar Fetah Behrami

Prishtinë, 18 shtator (QIK) – Sot, pas largimit të forcave ushtarake serbe dhe depërtimit në Dobratin të disa banorëve dhe veprimtarëve të Degës së LDK-së në Podujevë, u mësua edhe për një viktimë shqiptare të sulmit serb.

Në Dobratin u gjet i masakruar Fetah Behrami (54) nga fshati Kaçanoll i Shalës së Bajgorës.

Njëkohësisht, u bë e ditur se nuk dihet për fatin e Beqir Xhafer Lepajës dhe Rrahim Kadri Lepajës, të dy nga fshati Lepajë.

 

Continue Reading

Vendi

Kuvendi mblidhet sot për seancë, në rend dite tri projektligje dhe raporti i Auditorit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 12:00 do te nis seancën plenare, ku sipas njoftimit të Kuvendit në rendin e ditës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.

Deputetët fillimisht do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të këtyre komisioneve për Legjislaturën XI.

Në këtë seancë është paraparë gjithashtu edhe shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, ndërsa më pas do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

RENDI I DITËS

  1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  3. Pyetjet parlamentare,
  4. Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare,
  5. Miratimi i Fushëveprimit të komisioneve parlamentare për Legjislaturën XI.
  6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-021 për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave,
  7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-019 për Regjistrimin e bujqësisë,
  8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-022 për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë,
  9. Shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara