Lajmet

Ditari: lajmet kryesore që shënuan datën 18 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

18 maj 1993

Dymbëdhjetëshja Evropiane kërkon kthimin e gjendjes së para 1989-it në Kosovë

“Bi-Bi-Si”, seksioni në gjuhën shqipe, pas takimit të kryeministrit Bukoshi me z. Van Den Bruk, bisedoi me zëdhënësin e V.D.Brukut, z. Vekter. Radio “Bi-Bi-Si-së”, ai midis tjerash i deklaroi: “Zoti Bukoshi, kërkoi këtë takim dhe Z. Bruk, ishte i lumtur për këtë takim. Van Den Bruku, është i ngarkuar me marrdhëniet politike, duke përfshirë edhe mardhëniet me ish-Jugosllavinë. Në pyetjen se cila është pozita politike e Bashkësisë Evropiane ndaj Kosovës, z. Vekter tha: Ju e dini prej kohësh se Dymbëdhjetëshja Evropiane ka deklaruar se ne duam restaurimin e statuskuos, që do të thotë, restaurimin e gjendjes së para vitit 1989.

Sa u përket mekanizmave që duhen përdorur për vendosjen e një gjendjeje të këtillë, z. Vektor tha se këtë ende duhet studiuar, por kryesorja është se duhet të sigurohet që gjendja të mos keqësohet edhe më tutje, nga aspekti i të drejtave të njeriut. Andaj ne do të përdorim masa të mjaftueshme presioni ndaj Serbisë, që të sigurohet që të drejtat e njeriut të përfillen. Kemi shpresë se mund të evitohet zgjerimi luftës së Bosnjës.E dimë se çështja e Kosovës, kërkon një shpejtësi trajtimi dhe Dymbëdhjetëshja Evropiane, sa herë që flet rreth ish-Jugosllavisë, deklarohet edhe rreth Kosovës, për shkak të gjendjes së vështirë që mbretëron atje, tha veç tjerash zëdhënësi i Van Den Brukut, z. Veler, Radio “Bi-Bi-Si-së”, seksioni në gjuhën shqipe.

 

 18 maj 1994

Represioni në Kosovë

Vushtrri: – Dje, rreth orës 12, policia serbe bastisi familjen e Tahir Tahirit, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Stanoc i Poshtëm. Pasi që i përmenduri nuk gjendej në shtëpi, iu la ftesa që të paraqitet në polici të nesërmen.

Sot në mëngjes, me pretekst të kërkimit të armëve, u bastis shtëpia e Hajzer Bejkut në fshatin Dërvar. Njoftohet se nuk u gjet kurrëfarë arme, ndërsa Hajzeri u mor në polici dhe u mbajt rreth dy orë. Ai u lirua, por iu urdhërua që të lajmërohet në polici më 20 maj.

Dje në fshatin Ceceli policia kërkoi armë në shtëpinë e Murat Perçukut (62). Atij iu la thirrja për t’u paraqitur në polici. Njoftohet se ai ishte paraqitur sot në stacionin e policisë, por pas kërcënimeve se ose do ta dorëzojë një pushkë automatike ose do t’ia marrin shpirtin, ai është liruar por policia e ka urdhëruar që të paraqitet sërish në polici.

Fushë–Kosovë: – Pardje rreth orës 13 policia, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Basri Peçanit në Fushë-Kosovë. Policia mori me vete Basriun dhe djalin e tij Hysniun, të cilët në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë u mbajtën rreth 4 orë dhe u rrahën rëndë.

Deçan: Dje rreth orës 16, me pretekst të kërkimit të armëve, u bastisën në Voksh familjet e Maxhun, Shaban dhe Selman Hadërgjonajt. Policia shkaktoi panikë në ato familje dhe mori me vete të birin e Maxhunit, Mehmetin, të cilin e rrahu në stacionin e policisë. Ai i dërmuar nga rrahjet u lirua në orën 02, kur policia e hodhi në rrugë. Në shtëpinë e Selmanit, babait të dëshmorit Sali Hadërgjonajt, policia shkeu fotografinë e të vrarit, ndërsa nënës iu kërcënuan se njësoj si Salihun do t’ia vrasin edhe djalin tjetër. Kurse Mehmetit e Shabanit me të birin Ramën dhe Binak Xh.Mazrekajt iu kanë lënë thirrjet për t’u paraqitur në stacionin e policisë.

Para dy ditësh në Voksh, me pretekst të kërkimit të armëve, u bastisën edhe familjet e Dylë dhe Xhafer Mazrekajt.

Në fshatin Sllup u bastis shtëpia e Adem Tahirit.

Në këtë fshat policia mori në rrugë dhe rrahu aty e pastaj e dërgoi në stacionin e policisë në Deçan Demë Lokajn, kryetar i Aktivit të LDK-së. Zoti Lokaj është keqtrajtuar gjatë disa orëve. Mitrovicë: – Në stacionin e policisë në Stantërg, sot me pretekst të kërkimit të armëve u dërguan Rrahim dhe Rasim Haxha nga fshati Maxherë.

 

18 maj 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Ferizaj: – Më 11 maj, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve i mori në stacionin e policisë Emin Musliun (72), Abdullah Jahirin dhe Beqir e Gani Qerimin nga fshati Slivovë i Ferizajt. Ata pasi u morën në pyetje u urdhëruan që të paraqiten në polici edhe më 13 maj.

Më 8 maj, rreth orës 12:00, tre policë serbë ishin në shtëpinë e Bahri Shemsedinit, mësues në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj.

Ai u mor në pyetje rreth çështjes së sportit.

Hamëz Muhadini, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së XIX të LDK-së në Ferizaj është urdhëruar para do kohësh që të paraqitet çdo ditë në stacionin e policisë në Ferizaj.

Ai po merret në pyetje me pretekst të dorëzimit të armëve.

Më 15 maj, policia nën pretekst të armës, thirri që të paraqitet në polici Ismail Osmanin nga fshati Gackë.

Në të njëjtin fshat, me të njëjtin pretekst policia thirri që të paraqiten në polici edhe Rizah e Sabri Hasanin dhe Mejdi Musliun (65).

Më 16 maj, dy policë ndërhynë në lokalet e shkollës fillore “Naim Frashëri” në fshatin Zaskok të Ferizajt dhe morën Fatmir Sejdiun, arsimtar i kësaj shkolle. Shkaku i marrjes së tij në polici, nuk dihet.

Vushtrri: – Më 16 maj, policia serbe mori në pyetje Halil Mulakun, kryetar i Shoqatës për kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur. Ai u pyet edhe rreth Këshillit komunal për Financim etj.

Obiliq:– Më 15 maj rreth orës 10:00, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve mori në pyetje Avdi e Ibrahim Thaçin, Azem Hotin, Hasan Bublicën e Ismet Krasniqin nga fshati Sibovc i Obiliqit. Ata u urdhëruan që të paraqiten në polici sërish më 16 maj.

Dje rreth orës 12:00, policia serbe thirri që të paraqiten në stacionin e policisë në Obiliq edhe vëllezërit Sali, Hasan e Raif Krasniqi si dhe Feriz, Ramadan dhe Ismet Thaçin nga i njëjti fshat. Ata u urdhëruan që të paraqitet sërish sot në orën 8:00 në stacionin e policisë në Obiliq.

Policia i urdhëroi që të paraqiten për sot në polici Ibrahim Thaçin e Azem Hotin.

Më 15 e 16 maj nën pretekst të kërkimit të armëve u thirr që të paraqitet në polici Ramiz Thaçi nga fshati Plemetin i Obiliqit. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish sot në polici.

Policia serbe armë kërkoi edhe nga kalimtarët e rastit siç ndodhi me Ramiz e Haxhi Krasniqin nga Sibovci i Obiliqit.

 

19 maj 1997

 Nisi në Prishtinë procesi kundër 18 shqiptarëve

Prishtinë, 19 maj (QIK)

Në gjykatën e instaluar serbe të qarkut në Prishtinë, sot filloi gjykimi kundër 18 shqiptarëve të akuzuar si anëtarë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Vlerësohet se fushata e arrestimeve në janar të këtij viti dhe procesi që filloi sot paraqesin përpjekjen e regjimit serb për të mbajtur situatën e tensionuar në Kosovë dhe përpjekjet e Beogradit për të inkriminuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për pavarësi.

Të akuzuar në procesin e montuar që filloi sot janë: Avni Klinaku, Mujë Prekupi, Liburn Aliu, Dylber Beka, Gani Baliu, Nebi Tahiri, Shaban Beka, Hajzer Bejtullahu, Enver Dugolli, Emin Sallahu, Shukrie Rexha, Naser Tahiri, Dulah Sallahu, Ragip Berisha, Burhan Hasani dhe Majlinda Sinani, ndërsa dy të akuzuar të tjerë, Fatmir Humolli e Agim Kuleta do të gjykohen në mungesë.

Prokuror në këtë “rast penal” është Jovica Jovanoviq, ndërsa të akuzuarit do të dalin para trupit gjykues të të pestëve, që do ta kryesojë gjykatësi Dragolub Zdravkoviq, i njohur si gjykatës që udhëhoqi procesin kundër të akuzuarve të fajësuar se formuan Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, procesin gjyqësor kundër ish-policëve shqiptarë në Pejë, si gjykatës i deleguar dhe në Prishtinë kundër 72-ish policëve shqiptarë.

Gjashtë të akuzuarit e parë, Avni Klinaku, Mujë Prekupi, Liburn Aliu, Agim Kuleta, Dylber Beka e Fatmir Humolli, pos që akuzohen për veprat penale “bashkim për vepimtari amiqësore”, “cënimi i tërësisë territoriale”, të sanksionuara sipas neneve 136 e 116 të ligjit penal të “federatës” serbo-malazeze, ngarkohen edhe për “terrorizëm” sipas nenit 125 të po këtij ligji.

Ndërkaq, të akuzuarit tjerë, kush për paragafin e parë e kush me të dytin, akuzohen se kanë shkelur nenin 136 e 116.

Të pandehurit janë paraburgosur që nga 26 janari i këtij viti dhe kanë kaluar nëpër ferrin serb duke u marrë në pyetje herë nga gjykatësja hetuse Danica Marinkoviq e herë nga inspektorët e të ashtuquajturit sigurim shtetëror serb.

Kundër të akuzuarve u përdor tortura më mizore si në kohën e inkuzicionit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit ngarkohen se nga dhjetori i vitit 1992 e deri në ditën e paraburgosjes kanë formuar “bandën” për të rrezikuar “integritetin territorial të RFJ-së” dhe të shkëputjes së Kosovës e vendeve të tjera me shqiptarë për të formuar “shtetin e veçantë” dhe për t’ia bashkangjitur Shqipërisë.

Veprimtaria e këtyre të pandehurve, thuhet në aktakuzë, është një vazhdimësi e procesit të 19 të pandehurve, të fajësuar në po këtë gjyq gjatë vitit 1994. Veç tjerash, ata akuzohen se kanë botuar dhe shpërndarë revistën “Çlirimi”, se kanë siguruar armatim, revole, pushkë automatike, pushkëmitraloz, një sasi të konsiderueshme të municionit, bomba dore etj. Ngarkohen se kanë hartuar skica të ndryshme, “incizimet” e shtëpive të shëndetit (në Prishtinë e Vushtrri), planet ndërtimore të ndërtesave, të armatës serbe dhe të stacioneve policore në Prishtinë. Në kontekst të kësaj, akuzohen edhe për “akte terroriste”, planifikimin për të “likuiduar pjesëtarët e MPB të Serbisë” etj.

 

18 maj 1998

Forcat serbe sulmojnë Çitakun e Padalishtën

Që nga ora 9 e ditës së sotme forcat serbe kanë nisur një sulm kundër fshatrave Çitak e Padalishtë të Skënderajt.

Burime të LDK-së në Llaushë njoftuan se gjendja në këto fshatra është mjaft e rëndë dhe se forcat serbe po shtijnë nga armët në njerëzit e pafajshëm e të paarmatosur.

Deri tash dihet se është plagosur Hysen Çitaku, rreth 60 vjeç dhe atij i është ofruar ndihma mjekësore.

Druhet se mund të ketë edhe të plagosur të tjerë.

Njoftohet se forcat serbe kanë shtirë gjatë natës edhe në drejtim të fshatit Llaushë.

 

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Vendi

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara