Lajmet

Ditari: lajmet kryesore që shënuan datën 17 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Foto: Henri Kisinxher)

17 maj 1993:

Henri Kisinxher: Duhet t’i kundërvihemi rrezikut të konfliktit në Kosovë

Ish-sekretari shtetëror i SHBA-ve, Henri Kisinxher, në një tekst botuar në gazetën “Uashington Post”, veç tjerash theksoi: “Në Bosnjë e Hercegovinë po zhvillohet luftë qytetare tripalëshe, në të cilën Kroacia dhe Serbia po i ndihmojnë bashkëkombasit e tyre”.

Kisinxheri vlerëson se konflikti në ish-Jugosllavi, do të merrte përmasa të rrezikshme ndërkombëtare “nëse serbët do ta sulmonin Maqedoninë ose Kosovën” dhe se këtij rreziku duhet t’i kundërvihemi “në shkallë lokale”.

Henri Kisinxheri, administratës së Klintonit, përkitazi me krizën në Bosnjë e Hercegovinë dhe më gjërë në Ballkan, i propozon:

– të sigurohet ndërprerja e luftës, nëse mundet përmes sanksioneve, kurse si mjet të fundit përdorimin e forcës, me qëllim që të ndërpritet spastrimi i mëtejshëm etnik;

– t’i iket me çdo kusht dërgimin të trupave në Bosnjë, qoftë edhe në kuadër të trupave paqësore, dhe

– të ndërpritet përhapja e luftës në Maqedoni dhe në Kosovë në saje të pranisë së NATO-s në Maqedoni.

Rreth këtij shkrimi dhe qëndrimeve të Kisinxherit, informuan edhe gazetat gjermane. Kështu e përjavshmja “Ëelt am Sonntag” i bën një vështrim krizës në Bosnjë dhe në ish-Jugosllavi në dritën e opsioneve evro-amerikane. Në këtë revistë, Henri Kisinxher shkruan: “Lufta në Bosnjë është luftë qytetare dhe kjo luftë nuk ka potenciale më që t’i tërheq dhe që t’i provokojë interesat e fuqive të mëdha. Kjo luftë do të ishte luftë e madhe nëse serbët do ta sulmonin Maqedoninë dhe Kosovën”. Në të vërtetë thekson Kisinxher, myslimanët planin Vens-Ouen e pranuan vetëm për t’i marrë në mbrojtje Amerika. Çdo përpjekje e SHBA-ve dhe e aleatëve të saj evropianë për solucionin e Bosnjës unike, qoftë edhe përmes intervenimit ushtarak, është e pasuksesshme, sepse atje po bëhet një luftë qytetare. Mund të mos duket mirë pse bashkësia ndërkombëtare këmbëngulë që grupet entike, të cilat urrehen mes veti, duhet të jetojnë në një shtet të përbashkët. Është e pabesueshme që pas gjithë atyre krimeve, shkatërrimeve dhe tmerreve që kanë ndodhë mes grupeve etnike në Bosnjë, të organizohet jeta e tyre e përbashkët. Më së miri është të pranohet ky realitet dhe të bëhet ndërrimi i kufijve, ku si bazë për vendosjen e re të kufijve do të shërbente harta e planit Vens-Ouen. Myslimanëve do të duhej t’u lejohet të formojë një shtet të vogël, ndoshta me një koridor për në det, thekson Henri Kisinxher.

 

 

17 maj 1994

 Represioni në Kosovë

Podujevë: – Dje, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi familjen e Latif Gjakës nga Mirofci. Policia mori me vete Bekim Gjakën, e keqtrajtoi në stacionin e policisë dhe kërkoi prej tij që sërish të paraqitet në polici.

Pardje, në fshatin Pollatë policia kërkoi Mehmet dhe Nimon Latifin, me pretekst të kërkimit të armëve. Meqë ata nuk gjendeshin në shtëpi, policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë në Kërpimeh.

Dje në fshatin Bradash policia bastisi shtëpinë e Hashim Hajrizit nga i cili mori një pushkë. Policia keqtrajtoi fizikisht Hashimin dhe kërkoi të dij për djemtë e tij, të cilët tash gjenden jashtë Kosovës.

Malishevë: – Dje rreth orës 13, në oborrin gjimnazit “Abdyl Frashëri” në Malishevë, derisa po luanin volejboll disa nxënës dhe arsimtarë shqiptarë, policia ndërhyri pa kurrfarë shkaku dhe rrahu disa nxënës dhe arsimtarë. Po ashtu policia rrahu edhe disa nxënës dhe arsimtarë të shkollës së mesme ekonomike “Lasgush Poradeci” të Kievës. Me këtë rast policia ua mori letërnoftimet dhjetë arsimtarëve dhe i urdhëruan që të paraqiten sot në stacionin e policisë.

Të njëjtit policë shkuan edhe në lokalet e SHBH “Nënë Trereza” në Malishevë.

Rahovec: Dje në hyrje të Rahovecit policia arrestoi mr.Ukshin Hotin, Muhamet Malësorin dhe Fehmi Hotin.

Mr.Ukshin Hoti e Muhamet Malësori ende po mbahen në arrest, ndërsa shkaku i arrestimit të tyre tash për tash nuk dihet.

Ferizaj: – Në fshatin Zaskok të Ferizajt po vazhdon represioni i policisë serbe kundër banorëve të këtij fshati, nën pretekst të dëmtimit të fidaneve të Dushan Bulatoviqit që pat ndodhur ditë më parë.

Ditëve të fundit për këtë shkak në pyetje u morën Jakup, Sylë dhe Ismail Abazi, Sylejman Jashari, Mërgim Jashari (12), Ramadan Jashari (15), Basri, Fatmir e Banush Mahalla dhe Shaqir Çerkini. Ftesa për t’u paraqitur në organet e policisë morën edhe disa banorë të tjerë shqiptarë të fshatit Zaskok.

Mitrovicë: – Dje nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës fillore

“Meto Bajraktari” në Mitrovicë drejtori serb ua ndaloi hyrjen në lokalet e kësaj shkolle. Drejtori serb (emrin e të cilit nuk arritëm të mësojmë) tha se kjo shkollë nga dita e sotme do ta mbajë emrin e Desanka Maksimoviqit.

Dje, policia serbe për herë të dytë ishte në banesën e Idriz Spahiut, në rr.”Xhon Kenedi” në Mitrovicë për të kërkuar Afrim Spahiun, ish-epror ushtarak në ish-armatën jugosllave. Bëhet me dije se Afrim Spahiu ka kohë që gjendet në botën e jashtme.

Dje, për herë të dytë policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi banesën e Sadik Gllarevës në rr.”Xhon Kenedi” në Mitrovicë. Të njëjtën ditë, në të njëjtën rrugë, nën pretekst të kërkimit të armëve policia bastisi edhe banesën e Mazllum Berishës në Mitrovicë. Pas bastisjes, policia urdhëroi Mazllum Berishën që patjetër të dorëzojë një revole dhe dy bomba dore.

Dje në tregun e Mitrovicës, policia ua mori Sefer Ukës, Vehbi Stranës, Sadri e Mustafë Hasanit e Nazif Jasharit nga një rimorkio me rërë, të cilët i urdhëroi që t’i shkarkojnë në OP “Betonjerka” në Mitrovicë.

 

 

17 maj 1995

 U shënua 50-vjetori i punës së revistës “Zëri”

Sot revista e përjavshme politike shqiptare “Zëri” shënoi 50-vjetorin e themelimit dhe të punës së saj.

Në një solemnitet rasti ku merrnin pjesë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, bashkëpunëtorë të saj dhe përfaqësues të institucioneve e partive politike të Kosovës, dhe personalitete të shquara të jetës publike, një fjalë rasti e mbajti kryeredaktori i kësaj reviste, Bardh Hamzaj.

Ai theksoi se “Zëri” me shkrimet e veta u ngrit në luftë kundër okupimit të Kosovës dhe mbrojti fillet e demokracisë pas rrënimit të monizmit komunist.

Drejtori i revistës Ali Hajdini theksoi se që nga viti 1945 “Zëri i rinisë shqiptare” (siç quhej atëherë) e deri më tash, vuri në spikamë shumë ngjarje të rëndësishme historike nga trolli i Kosovës dhe dha kontribut të çmuar edhe në botimin e publicistikës. Ai përkujtoi se deri më tash kjo redaksi botoi 36 tituj nga fusha e publicistikës dhe letërsisë shqiptare.

Redaktori i revistës, Halil Matoshi lexoi telegramet përshëndetëse për këtë jubile.

Telegrami urimi “Zërit” i dërguan dr. Ibrahim Rugova, kryetar i Republikës së Kosovës, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, dr. Bujar Bukoshi, kryetari i LD-së Malit të Zi, Mehmet Bardhi, kryeredaktori i edicioneve të “Rilindjes” dhe “Bujkut”, Avni Spahiu, kryeredaktori i revistës “Koha”, Veton Surroi.

Në të gjithë këto telegrame me fjalë të zgjedhura revistës “Zëri” i ipet mirënjohje për punën që ka bërë në prezentimin e komentimin e ngjarjeve të Kosovës prej fillimit të daljes së gazetës e deri në ditët e sotme.

Në telegramin përshëndetës të presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, pasi shprehet urimi i përzemërt për 50-vjetorin e botimit të revistës “Zëri”, thuhet se kjo revistë po shënon një jubile të rëndësishëm jo vetëm të tij, por edhe të gazetarisë shqiptare në Kosovë.

“Rrita dhe zhvillimi i revistës suaj kaloi nëpër faza të ndryshme, por ajo arriti të mbijetojë të gjitha vështirësit nëpër të cilat kaloi si revistë e përmuajshme, e përdyjavshme, për t’u bërë e përjavshme, me një fizionomi standarde politike” – thuhej në telegramin e kryetarit Rugova.

Gazetarët e “Zërit” në këto pesë vitet e fundit, pos me vështirësi e pengesa të ndryshme, u ballafaquan edhe me represionin e regjimit serb. Mirëpo, në saje të angazhimit dhe punës vetëmohuese, “Zëri” po ia del t’i mposhtë vështirësit e rënda të okupimit dhe po vazhdon të botohet si gazetë e pavarur politike dhe kulturore, thuhet në fund të telegramit të urimit që presidenti Rugova i dërgoi revistës “Zëri”.

Në këtë jubile u promovua edhe një monografi kushtuar historikut të kësaj reviste.

Gjatë takimit, u ndanë edhe shpërblimet për tesktet më të mira të botuara në revistën “Zëri”, për tregimin më të mirë të shkurtër, për fotografinë më të mirë dhe për punëtorin më të dalluar.

Maksut Shehu kryetar i jurisë për tekstet më të mira gazetareske shpërblimin e parë ia dha Halil Matoshit.

Juria për tregim të shkurtër, e kryesuar nga Mufail Limani ia dha shpërblimin e parë Ismail Sylës.

Shpërblimin për fotografi iu dha Hazir Rekës, ndërsa punëtor më i mirë u shpall Idriz Ulaj.

Këtë përvjetor të “Zërit” e përshëndeti edhe i ngarkuari me punë në ambasadën e Shqipërisë në Beograd Vili Minaroli.

Ndërkaq, në emër të mysafirëve të shumtë, këtë jubile e përshëndeti edhe dr. Zekeria Cana.

 

 

17 maj 1997

Afër Krushës së Madhe, në rrethana të pasqaruara, u vra Nasip R. Shala

Në rrugën e asfaltuar që lidh Prizrenin me Gjakovën dhe Rahovecin, në dalje të fshatit Krushë e Madhe, të cilin e përshkon kjo rrugë, parmbrëmë rreth orës 22,30 minuta, persona të paidentifikuar vranë me rafale nga armë automatike Nasip Rizah Shalën (44), nga Rogova e Hasit, baba i shtatë fëmijëve, njofton “Bujku”.

Nga plumbat e shkrehur është dëmtuar krejtësisht vetura e tij kombi e markës “Merkuri”.

Sipas anëtarëve të familjes së të ndjerit, Nasipi kishte shkuar në Prizren për të vizituar ca miq dhe në kohën kur është vrarë ai po kthehej me veturën e tij për në shtëpi. Familja e tij supozon që Nasipi të jetë përcjellë nga vrasësi ose vrasësit dhe është qëlluar disa kilometra para se të arrinte në fshatin e tij.

Banorët e Krushës së Madhe rrëfejnë për rafale automatike, krismat e të cilave ato çaste të vona kanë shqetësuar fshatin. Megjithatë, askush nuk di të thotë asgjë për vrasësit, prandaj rrethanat në të cilat u bë vrasja mbesin ende të pasqaruara, thuhet në njoftim.

 

 

17 maj 1998

Mbrëmë në fshatin Zajm të Klinës u vra Jahir Brahim Shabani

Mbrëmë në fshatin Zajm të komunës së Klinës u vra Jahir Brahim Shabani (34) nga fshati Bubël i Malishevës, njoftuan nënkëshillat për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Malishevë dhe në Klinë. Por, hollësi të tjera nuk jepen.

Një anëtar i KMLDNJ-së nga Klina bën të ditur se mbrëmë në Zajm janë dëgjuar të shtëna nga armë automatike rreth orës 22,45 minuta. Vrasja ka ndodhur nja 50 metra jashtë rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë afër shtëpive të banuara nga serbët dhe ky fakt si dhe tjetri se këtu serbët janë armatosur kanë bërë të dyshohet se mund të jetë viktimë e civilëve.

Policia sot i detyroi Maliq Morinën dhe Xhavit Drançollin nga Zajmi që ta bartin kufomën deri në fshatin Bubël. Në të kthyer, policia e rrahu Xhavitin brutalisht.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së njoftoi po ashtu se sot nga mesdita po dëgjohen të shtëna nga armë kalibrash të ndyshme në drejtim të fshatrave Dollovë, Grabanicë, Qeskovë, Bokshiq e fshatra të tjera në këtë trekëndësh, ku bashkohen Drini i Bardhë e Bistrica e Pejës. Në fshatin Grabanicë është djegur shtëpia e Rexhë Morinës.

Në atë drejtim po shkojnë përforcime të reja nga Klina. Po ashtu mbi territorin e Klinës po fluturojnë helikopterë. Qysh dje po dëgjohen granatime edhe nga drejtimi i Cerovikut dhe Gllarevës, që nuk janë aq afër Klinës.

Sot janë vërejtur edhe shumë automjete të ndihmës së shpejtë, që shkojnë në drejtim të Pejës. Mirëpo, nuk dihet nëse viktimat janë të forcave të armatosura serbe apo të mbrojtësve shqiptarë.

 

 

Tre shqiptarë të vrarë në Stapanicë të Klinës

Brahim Demush Morina (45), Ramadan Halil Morina (60) dhe Sylejman Halil Morina u vranë sot nga forcat serbe rreth mesditës në shtëpitë e oborret e veta në fshatin Stapanicë të komunës së Klinës.

Stapanica gjendet bri rrugës së asfaltuar Klinë – Kijevë. Fshati ishte sulmuar gjatë gjithë paraditës nga forca të mëdha serbe. Katër shtëpi janë djegur e shumë të tjera janë dëmtuar. Policia ka hyrë në fshat dhe ka demoluar e plaçkitur shumë shtëpi. Një numër i madh njerëzish janë larguar nga shtëpitë e veta.

Policia ka rrahur të gjithë shqiptarët që i ka zënë në fshat.

Forcat serbe kanë sulmuar sot edhe fshatin Zabërxhë. Në arat e tij kanë rënë shumë granata, por për fat nuk kanë qëlluar njerëz e shtëpi.

Continue Reading

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara