Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 16 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter

 

16 qershor 1993

Dr. Sali Berisha: Kosova duhet të vihet nën kontrollin e OKB-së

Presidenti i Shqipërisë, dr.Sali Berisha diskutoi dje në Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut, që po mbahet në Vjenë. Diskutimin e tij e transmetuan të gjitha agjencitë e njohura të botës, radiostacionet dhe gazetat e shumta.

Agjencia Rojter, në një raport nga Vjena, thotë se Berisha “dje në konferencën për të drejtat e njeriut u angazhua që Kosova të vihet nën përkujdesjen e Kombeve të Bashkuara”.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të kësaj Konference, Berisha “dënoi okupimin total të Kosovës” dhe koncentrimin e madh të ushtrisë serbe në një rajon, ku shqiptarët përbëjnë 95 për qind të popullsisë, shkruan Rojter.

“E konsiderojmë urgjente dhe tepër të rëndësishme vendosjen e Kosovës nën kontrollin e OKB-së dhe shpalljen e Kosovës si zonë neutrale”, theksoi Berisha.

Informatë për diskutimin e dr.Sali Berishës, transmetoi edhe stacioni televiziv “Franc 2”. Pasi përmend kërkesën e Berishës për vendosjen e Kosovës nën mbikqyrjen e OKB-së, ky stacion televiziv thekson se Berisha “tërhoqi vërejtjen për masakrin në Bosnjë dhe rrezikun që konflikti të zgjerohet në Maqedoni e Kosovë. Ai po ashtu tërhoqi vërejtjen kundër projektit për Serbinë e Madhe të presidentit Milosheviq”, transmeton ky stacion televiziv francez.

 

16 qershor 1994

Transformimi pronësor në Kosovë – plaçkitje kolonialiste

Në një artikull të gjatë me titull “Rezistencë plaçkitjes koloniale”, “Borba” e sotme trajton të ashtuquajturin transformim të ndërmarrjeve të ndryshme në Kosovë që në fakt është plaçkitje klasike koloniale. Politikanët dhe ekonomistët shqiptarë këtë e kishin konstatuar qëmoti.

Që në fillim të këtij teksti, thuhet se nën firmën e këtij transformimi disa padronë serbë nga viset e ndryshme të Serbisë i blenë më se 50 për qind të aksioneve dhe në këtë mënyrë i plaçkiten makinat dhe nga Kosova i dërguan në Serbinë qendrore. Duke parë se janë plaçkitur, shkruan kjo gazetë, tash po kërkojnë dezintegrimin nga firmat serbe. Bile, pushteti lokal, siç thuhet në këtë artikull, në disa komuna të Kosovës po kërkon që të vërë kontroìlin mbi ekonominë dhe të vendosë për ndërrimin e drejtorëve të ndërmarrjeve.

Mirëpo, ministri pa portofol në qeverinë e Serbisë, i angazhuar për Kosovën, të cilin tash e quajnë edhe një llojë guvernatori, Vjekosllav Shosheviq, u kërcënua se nuk guxon të ketë arbitraritet në shkëputjen e kontratave të lidhura dhe i akuzoi drejtorët për arbitraritet dhe mostolerancë.

Gazeta akuzon keqpërdorimet e këshillave drejtuese, të cilat në Kosovë u emëruan nga njëfarë Fondi për zhvillimin e Serbisë. Për këto këshilla drejtuese thuhet se kanë marrë vendime për dezintegrim. Si shembull përmendet “Malizhgani”, i cili është integruar me Kombinatin Bujqësor të Beogradit, e tash don të shkëputet nga kjo ndërmarrje beogradase.

Po ashtu në këtë artikull zihet në gojë “Koshtana” e Vranjes.Drejtori i Kombinatit të lëkurë-këpucëve të Pejës, Arsenije Izgareviq, thotë se “Koshtana” nga “varfëria jonë mori atë që nuk është dashur ta merrte, vetëm e vetëm pse nuk desha të jem iniciator i trasformimit të pasuksesshëm. Organizata jonë nuk pajtohet se transformimi ishte i suksesshëm. Atë duhet urgjentisht ta suprimojmë. Nëse ne duhet të jemi viktimë e dikujt, që ne të krijojmë bazën e lëndës së parë për ta, kurse ata ta marrin yndyrën, këtë me siguri nuk do ta lejojmë dhe të gjithë do të ngritemi kundër transformimit të tillë”, thotë Izgareviq.

Ai përmenmd faktin se si me blerjen e 51 për qind të vlerës së Kombinatit, Vranja udhëheq me pasurinë e këtij kombinati. Këtu nuk ka ekonomi, thotë ai.

Trasnformimi i këtillë menjëherë duhet të shkëputet, konstaton ky drejtor serb.

 

16 qershor 1995

Xhimi Karter: Në rast konflikti në Kosovë do të ishte e paevitueshme ndërhyrja ushtarake

Ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter, theksoi pardje në një dëshmi para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit Amerikan se në rast të bartjes së konfliktit në Kosovë, intervenimi ushtarak do të ishte i domosdoshëm, njoftoi Ruder Finn nga Uashingtoni.

“Do të ishte e paevitueshme që si vend udhëheqës i NATO-s (fjala është për SHBA-të, QIK) të ndërhyjmë drejtpërsëdrejti ushtarakisht, po qe se konflikti përhapet në Kosovë dhe në Maqedoni”, theksoi ish-Presidenti amerikan.

Para të njëjtit Komitet, ish-komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, gjenerali Xhon Galvin u deklarua kundër heqjes së embargos së armëve ndaj Bosnjës, sepse, në të kundërtën, “luftimet do të përhapeshin në rajone të tjera, si në Maqedoni e në Kosovë”.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Uilliem Peri, ka tërhequr vërejtjen dy herë gjatë javës së fundit për mundësinë e përhapjes së konfliktit në Kosovë dhe ka deklaruar se në një rast të tillë do të cenoheshin interesat vitale amerikane.

 

16 qershor 1997

Revista e specializuar e NATO-s “Bota atlantike” mbi problemin e Kosovës

Revista e specializuar e Aleancës Veriatlantike për trajtimin e temave strategjike e titulluar “Bota atlantike”, në dy numrat e saj të fundit i ka kushtuar problemit të Kosovës një dosje të plotë. Lidhur me këtë, seksioni i Dojçe-Veles në shqipe e solli përmbledhjen e tyre.

Megjithëse përgjithësisht në mjediset e Aleancës Verialantike, si quhet ndryshe NATO-ja, çështja e Kosovës shpeshherë është anashkaluar, ndoshta për të mos i krijuar vetes edhe një telashe më shumë. Analistët dhe ekspertët e NATO-s janë të vetëdijshëm mbi rrezikun potencial që paraqet ende problemi i pazgjidhur i Kosovës, rajon ky i populluar me mbi 2 milionë shqiptarë.

Në parathënien e numrit të shkurtit të titulluar “Kosova pas marrëveshjes së Dejtonit një ese e së ardhmes së saj politike’, autori Briner, drejtor i sektorit të informacionit dhe shtypit, si dhe zëvendësbotues i revistës “Bota atlantike”, pohon se Perëndimi nuk duhet ta lërë pas dore situatën e qëndrueshme, por gjithashtu edhe eksplozive të Kosovës. Jo vetëm se i duhet gjetur zgjidhje këtij problemi, por është e domosdoshme që të shmanget një luftë tjetër në Ballkan, këtë duhet zgjidhur sa më parë shkruan analisti belg.

Problemi i Kosovës i ka rrënjët në ndarjen e padrejtë që iu bë popullit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, që i zhvilloi punimet më 13 maj të vitit 1913 në Londër, kur Shqipërisë iu mor me dhunë Kosova, Çamëria dhe Manastiri, pohon ai në revistën atlantike.

Qetësia e sipërfaqshme që po mbretëron sot në Kosovë nuk është një garanci e mjaftueshme për të ardhmen. Për qetësinë e sotme duhet t’i jemi mirënjohës politikës paqësore të dr. Ibrahim Rugovës. Por, politika e tij po gjen mbështetje në rryma të tjera, që kanë filluar të dalin në sipërfaqe. “Për mua”, shkruan analisti belg, “zgjidhja më e pranueshme e problemit të Kosovës duhet gjetur te shembujt analogë në Zvicër e në Belgjikë”.

Pra, në krijimin e Republikës së Kosovës me të njëjtin status si Serbia e Mali i Zi në një konfederatë jugosllave. Është e qartë se si serbët edhe shqiptarët diçka fitojnë dhe diçka humbasin nga pretendimet e tyre. Mirëpo, komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se status-kuoja nuk mund të vazhdojë në pafundësi.

Kjo zgjidhje bëhet më e pranueshme kur dihet se, si amerikanët ashtu edhe evropianët kanë përsëritur disa herë me radhë se janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve.

Pothuajse, të njëjtën mendim e ka edhe përfaqësuesi i organizatës ndërkombëtare “Paks Kristi”, zoti Franklin Devrize, i cili në studimin e publikuar po në të njëjtën revistë gjatë muajit të kaluar të titulluar “Sa e komplikuar është çështja kosovare”, shkruan, ndër të tjera, se dalja në skenë vitin e kaluar e “ushtrisë çlirimtare të Kosovës” po i bën për vete ato shtresa që janë të pakënaqshme me politikën e gjertanishme të Rugovës dhe po kërkojnë rrugë të tjera për të dalë nga status-kuoja e tanishme.

Kosova shkruan, ndër të tjera, studiuesi Flaman, nuk mund të konsiderohet si çështje e brendshme e Serbisë, po ashtu si dhe ndryshimi i kufijve nuk mund të pranohet nga fuqitë e mëdha. Andaj, brenda këtyre dy limiteve duhet kërkuar zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Të dy studimet rreth problemit të Kosovës janë të mbushura me informacione, referenca, fakte historike e kulturore, si dhe një material për të kuptuar edhe qëndrimin real të faktorit ndërkombëtar ndaj këtij problemi, që është me rëndësi jo vetëm për shqiptarët, por edhe për stabilitetin e mbarë Ballkanit, thuhet në shkrimin e transmetuar në gazetën e sotme “Bujku”.

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara