Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 16 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Al Gor

16 gusht 1993

Vizita e një grupi amerikanësh në Kosovë dhe kundërthëniet rreth tij në mjetet serbe të informimit

Mjetet serbe të informimit, dje dhe sot bëjnë me dije se të shtunën në Kosovë, në një vizitë private, qëndroi një grup amerikanësh, të cilët vizituan Prishtinën, Pejën, Deçanin dhe Prizrenin.

Agjencia serbe “Tanjug”, sipas gazetës së sotme “Borba”, thotë se ky ishte delegacion i Këshillit për politikë dhe marrëdhënie me jashtë i Kongresit Amerikan. Po këtë prezentim këtij grupi ia bëri edhe Televizioni i Beogradit, i cili lajmin për këtë vizitë jo vetëm që e dha në emisionet qendrore të lajmeve, por e nxori si ngjarje pothuaj të dorës së parë. Gazeta serbe e Prishtinës “Jedinstvo”, ndërkaq, thotë se fjala është për një “delegacion biznismenësh dhe intelektualësh amerikanë”, të cilët Kosovën dhe Krainat serbe i vizituan me iniciativën e biznesmenit amerikan Brus Ralford, kurse udhëtimin e organizoi Kisha pravosllave serbe.

Në mjetet serbe të informimit, ka edhe kundërthënie të tjera rreth kësaj vizite. Agjencia serbe “Tanjug”, nuk përmend asnjë emër nga ky delegacion amerikan, kurse gazeta “Jedinstvo” kritikon filialën e SPS-it në Kosovë pse nuk i lejoi mjetet e informimit t’i prezentojnë anëtarët e këtij delegacioni. Kjo gazetë citon Zhivorad Igiçin të ketë thënë se “kjo vizitë është jozyrtare dhe se për të nuk do të shkruhet në gazeta”.

Këto dhe kundërthënie të tjera rreth këtij delegacioni amerikan, lënë të dyshohet se fjala është për një vizitë krejtësisht të aranzhuar, të cilën zyrtarët serbë të instaluar në Kosovë, deshën ta përdorin në funksion të politikës aktuale serbe. Mirëpo, gjykuar sipas asaj çfarë thanë anëtarët e këtij delegacioni, duket se kjo ishte një provë e dështuar.

Gazeta “Jedinstvo”, shkruan se “mysafirët, duke dashur t’ua bëjnë me dije nikoçirëve arsyet e qëndrimit në Kosovë, theksuan se kjo krahinë tash gjendet në qendër të vëmendjes të opinionit të jashtëm dhe se në Amerikë, mbisundon frika se mos do të shpërthejë konflikti në Kosovë, e kjo do të kërkonte praninë e trupave të huaj në këtë krahinë”. Kjo gazetë, po ashtu thekson se “atyre në mënyrë të veçantë u interesoi sistemi i arsimit dhe pyetën a po e mbajnë arsimin shqiptarët edhe pas bojkotimit dhe se cili është kualiteti i arsimimit të fëmijëve”.

Anëtari i këtij delegacioni, Brus Rallston, siç shkruan “Jedinstvo”, tha se “pa propagandë cilësore nuk do të ketë rezultate të njëmendëta për serbët”. Anëtarja tjetër e këtij delegacioni, Ana Paviqeviç-Harkins, theksoi se “situata në Amerikë nuk u shkon për shtati serbëve, duke ilustruar këtë me faktin se që në shkollat e mesme nxënësit mësojnë se serbët janë fashistë dhe nacistë dhe se fëmijët serbë në shkollat amerikane i pyesin se a do të luftonin ata kundër serbëve të këtillë në Ballkan”, shkruan “Jedinstvo”.

“Mysafirët nga SHBA-të, nuk qenë të kënaqur me materialin dëshmues që iu ofrua atyre rreth të vërtetës në këto hapësira”, konstaton gazeta serbe “Jedinstvo”.

 

16 gusht 1994

 l Gor: Rugova do të ftohet në Uashington

Çikago, 15 gusht. Më 15 gusht në Çikago Ramazan Bekteshi, kryetar i Degës së LDK-së dhe koordinator i degëve të LDK për Amerikë dhe Kanada Ramazan Bekteshi dhe Miron Hyseni, sekretar, patën një takim shumë të përzemërt me nënpresidentin amerikan Al Gore.

Takimi u mbajt në një shtëpi private të industrialistit dhe arqitektit të njohur Lew Manilow, ku ishin ftuar rreth 60 vetë – miq të ngushtë të Partisë Demokratike të Illinois dhe funksionarë të lartë të shtetit.

Delegacioni shqiptar me nënpresidentin e njoftoi kryetari i Partisë Demokratike të Illinois dhe senator shteti, Gary Lapaille.

Al Gore parashtroi pyetjen se kend e përfaqëson delegacioni –  Shqipërinë apo Kosovën, – iu tha se delegacioni përfaqëson Kosovën. Dega e LDK-së në Çikago njofton se nënpresidenti Al Gor tha:

“Më vjen shumë mirë që Kosova ka përfaqësues edhe në Illinois dhe se bashkëpunoni me PD të Illinois. E kam takuar presidentin Rugova në Uashington (National Breakfast Prayer) dhe jam i fascinuar. Rugova është një figurë e paqes dhe simbol i frenimit të një lufte ballkanike. Ai është njeri i mrekullueshëm!

Pyetjes, se a mendoni që dr.Rugova duhet të ftohet në Uashington, nënpresidenti amerikan iu përgjigj:  “Gjithsesi, në një të ardhme të afërt”.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a do të përhapet lufta në Kosovë, nënpresidenti amerikan tha: “Serbisë i është bërë me dije vija kritike ku s’do të tolerohet”.

Pas takimit, për nder të nënpresidentit u shtrua darkë.

16 gusht 1995

Në shtypshkronjën e uzurpuar të “Rilindjes” punësohen refugjatët serbë nga Kroacia

E ashtuquajtura ndërmarrje gazetare botuese “Panorama”, një ndërmarrje fantome, e cila u krijua pas pushtimit të shtypshkronjës së “Rilindjes” dhe ndalimit të gazetës “Rilindja” dhe dëbimit nga lokalet e saj të ndërmarrjes së revistave dhe të edicionit, ka vendosur që t’i punësojë të gjithë punëtorët grafikë serbë të ikur nga Kroacia. Në një njoftim të Tanjugut thuhet se drejtori i kësaj ndërmarrje fantome, Jordan Ristiq tha se do t’i pranojë edhe të gjithë gazetarët praktikantë dhe ata me stazh më të gjatë pa kurrfarë procedure, për të krijuar marrëdhënie të rregullt pune.

 

16 gusht 1997

Kryetari Rugova u takua me sekretaren amerikane të Shtetit Medlin Ollbrajt

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dje pasdite u takua në Uashington me sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Robert Gelbard, përfaqësues i posaçëm i presidentit Klinton dhe i sekretares Ollbrajt për zbatimin e marrëveshjeve të Dejtonit, Toni Uejn, ushtrues i detyrës së sekretarit për çështje evropiane e zyrtarë të tjerë në Stejt Departament.

Në takimin e përzemërt e miqësor u bisedua gjerësisht për gjendjen në Kosovë dhe për mundësitë e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës.

Sekretarja e Shtetit Medlin Ollbrajt vlerësoi lart rolin e madh të kryetarit Rugova dhe të politikës së tij paqësore në rajon. Politika e dr. Ibrahim Rugovës për lirinë dhe për demokracinë e Kosovës meriton admirimin e thellë dhe përkrahjen amerikane, tha ajo.

Kryetari Rugova falënderoi zonjën Medlin Ollbrajt për preokupimin dhe për angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për çështjen e Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e madhe që ka prania amerikane në Kosovë përmes Zyrës në Prishtinë, hapja e së cilës ishte një ngjarje historike për Kosovën.

Gjendja në Kosovë, tha kryetari Rugova, ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndë e represive, sidomos tash, në valën e gjykimeve të montuara politike të regjimit serb kundër shqiptarëve pas vrasjeve të pasqaruara në Kosovë. Kryetari i Kosovës theksoi edhe me këtë rast se me gjithë gjendjen e rëndë, populli i Kosovës është i vendosur që lirinë dhe pavarësinë e vet ta realizojë me mjete paqësore dhe politike. Kosova e pavarur dhe neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, është zgjidhja më e mirë, në mbështetje të vullnetit të shprehur politik të popullit të Kosovës. Kjo zgjidhje do t’i hapte rrugë stabilizimit afatgjatë të rajonit të Ballkanit, nënvizoi kryetari Rugova.

Pasi çmoi rëndësinë që ka mbajtja e “murit të jashtëm” të sanksioneve ndaj Beogradit deri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kryetari Rugova kërkoi nga administrata amerikane që të angazhohet për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe që SHBA-të të marrin rolin udhëheqës në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Populli i Kosovës ushqen shpresa të mëdha nga përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vendi i lirisë dhe i demokracisë, theksoi dr. Rugova.

Sekretarja e Shtetit Medlin Ollbrajt tha se SHBA-të do të vazhdojnë presionin mbi Beogradin. Pa zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës nuk ka kthim të Beogradit në organizmat ndërkombëtarë financiarë e politikë, theksoi ajo. Uashingtoni i kushton vëmendje shumë të madhe çështjes së Kosovës, tha shefja e diplomacisë amerikane, duke e siguruar kryetarin Rugova se Kosova vazhdon të jetë në ‘mendjen dhe në zemrën’ e Presidentit Klinton dhe të Administratës amerikane.

Pas takimit, kryetari Rugova dhe zonja Medlin Ollbrajt dhanë deklarata para një numri të madh gazetarësh e fotoreporterësh të tubuar në Stejt Departament.

 

16 gusht 1998

Në pritat e forcave serbe ndërmjet Kosovës e Malit të Zi janë plagosur 2 dhe janë arrestuar 5 shqiptarë nga komuna e Deçanit

Banorët e fshatrave të komunës së Deçanit e të Pejës që janë përfshirë në ofensivën e forcave ushtarake e policore serbe janë vënë nën një rrethim të hekurt. Shumë prej tyre që kanë provuar të dalin nga ky rrethim kanë rënë në prita të forcave serbe.

Burimet e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi njoftojnë se, natën ndërmjet të martës e të mërkures, një grup prej 25 shqiptarësh nga komuna e Deçanit që ishin nisur maleve në drejtim të Rozhajës kanë rënë në pritat e forcave serbe, në bjeshkët ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.

Idriz Imeri dhe Ali Zuki nga Isniqi, të cilët kanë arritur në Rozhajë, kanë bërë të ditur se forcat serbe kanë plagosur 2 dhe kanë arrestuar 5 prej tyre, ndërsa nuk dijnë për fatin e të tjerëve, sepse prita është organizuar gjatë natës dhe grupi është shpërndarë maleve duke u përpjekur që t’u shpëtojë masakrave.

Këta dëshmitarë kanë bërë të ditur se në këtë pritë janë arrestuar: Bujar Mehmeti, Xhavit Haklaj dhe tre shqiptarë të tjerë, emrat e të cilëve nuk dihen, ndërsa të plagosurit: Mustafë Imeri e Bashkim Balaj, të dy nga Isniqi, kanë arritur të kalojnë në Shqipëri.

Sipas tyre, në grupin prej 25 vetësh gjendeshin edhe Bujar Mehmeti, Xhavit Haklaj e Nezir Islamaj nga Isniqi, Mentor Mushkolaj nga Gramaçeli dhe një kushëri i tij, Riza Berisha nga Pozhari bashkë me një djalë dhe me një nip, ndërsa të tjerët ishin nga Deçani, Baballoqi, Rastavica e Carrabregu.

Nga Rozhaja bëhet e ditur se vetëm gjatë dy ditëve të fundit në këtë komunë kanë arritur rreth 1000 shqiptarë, kryesisht nga fshatrat e komunës së Deçanit e të Pejës, të cilat janë përfshirë në ofensivën e forcave ushtarake e policore serbe.

Burimet e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi në Rozhajë bëjnë të ditur se në bjeshkët ndërmjet Kosovës e Malit të Zi janë vënë prita të shumta nga forcat serbe, prandaj tërheqin vërejtjen për rrezikun që u kanoset atyre që mësyjnë në këtë drejtim.

 

Një i vrarë e dy të plagosur të paidentifikur në Grazhdanik të Prizrenit

Mbrëmë rreth orës 23, në afërsi të Kishës katolike në fshatin Grazhdanik u dëgjuan për rreth gjysmë ore të shtëna nga të gjitha llojet e armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Sipas dëshmitarëve okularë, në momentin kur po kalonte një veturë e tipit Audi, në të u shti me armë. Dyshohet se me këtë rast është vrarë një person, ndërsa janë plagosur dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet, por dyshohet se janë nga rrethi i Prizrenit.

Sot në mëngjes, një ekspeditë policore shkoi në fshatin Nashec dhe bastisi dhe demoloi shtëpitë e Murtezan dhe Adem Thaçit. Pasi nuk gjeti asgjë, polici arrestoi Murtezan dhe Jemin Thaçin, ndërsa kërkoi edhe Ramadan Thaçin, i cili është pronar i veturës në të cilën u shti mbrëmë në afërsi të kishës së Grazhdanikut.

Policia u thanë anëtarëve të familjes së nëse Ramadani deri nesër nuk paraqitet në polici dhe nëse nuk i dorëzon armët, do të pësojë e tërë familja.

 

Continue Reading

Lajmet

Trump është një histori e mbaruar, këta janë tre skenarët që e presin Amerikën dhe botën

Published

on

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës

 

Edhe pse Donald Trump ka ende pak më shumë se dy vjet të mbetura në mandatin e tij si president, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan debakël, kanë hapur çështjen e trashëgimisë së tij politike, të ardhmen e Partisë Republikane dhe drejtimin që SHBA mund të merr pas largimit të tij.

Në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor, republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, dhe demokratët arritën fitore në shtetet federale që kishin qenë fortesa republikane për dekada.

Për republikanët, por edhe për Amerikën dhe pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme afatgjatë është se çfarë do të ndodhë pas largimit të Trump. Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës.

Ndryshe nga republikanët tradicionalë, të cilët mbështesnin tregtinë e lirë, aleancat e forta ndërkombëtare dhe lidershipin amerikan në botë, Trump iu drejtua proteksionizmit dhe politikave që shpesh vinin në pikëpyetje marrëdhëniet e mëparshme ndërkombëtare.

Sa shumë ka ndryshuar politika amerikane tregohet nga një video nga fushata presidenciale e vitit 2008, e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale për vite me radhë. Në të, kandidati republikan John McCain mbron kundërshtarin demokrat Barack Obama nga sulmet e mbështetësve të tij.

Hulumtimi tregon gjithashtu se sa larg janë larguar ideologjikisht të dy partitë. Sipas një analize të Gallup, pjesa e republikanëve që e konsiderojnë veten konservatorë është rritur nga 58 për qind në vitin 1994 në një rekord prej 77 për qind në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, pjesa e republikanëve të moderuar ka rënë nga 33 në vetëm 18 për qind.

Gallup arrin në përfundimin se polarizimi ideologjik i partive amerikane ka arritur nivelin e tij më të lartë në të paktën tri dekada. Ky proces filloi shumë kohë para mbërritjes së Trump në skenën politike, por ngritja e tij e ka thelluar më tej atë.

Një mundësi është që Partia Republikane të vazhdojë politikat e Trump edhe pas largimit të tij. Një kurs i tillë do të nënkuptonte vazhdimin e politikave kufizuese të imigracionit, proteksionizmin ekonomik dhe mosbesimin ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Kjo është diskutuar brenda partisë për muaj të tërë. Në shtator, zyrtarët republikanë dhe analistët konservatorë vlerësuan se partia nuk ka gjasa të kthehet thjesht në politikat e Ronald Reagan. Pyetja kryesore është se sa radikal do të ishte një Trumpizëm i tillë.

Ndërsa disa republikanë mund të përpiqen të zbusin aspektet më të diskutueshme të politikave të Trump, të tjerët mund të nxjerrin përfundimin krejt të kundërt nga humbja zgjedhore.

Analisti politik Thomas Gift pranë Kolegjit Universitar Londër, në një analizë të publikuar në faqen e internetit të London School of Economics, paralajmëron për mundësinë që disa republikanë të arrijnë në përfundimin se Trump nuk ishte mjaftueshëm radikal. Ndër pasardhësit e mundshëm që mund të tërheqin votues të tillë, ai përmend sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.

Ndarjet brenda lëvizjes MAGA nuk janë aq të thjeshta. Ndër avokatët e Trumpizmit të linjës së ashpër, ka edhe ata që kundërshtojnë ndërhyrjet ushtarake amerikane. Njëri prej tyre është Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Trump, i cili mbështet një politikë të fortë nacionaliste dhe proteksioniste, por është fuqimisht kundër një lufte kundër Iranit.

Përveç Bannon, ky krah i lëvizjes MAGA përfshin edhe komentatorin konservator Tucker Carlson, i cili mbështet një politikë “Amerika e Para”, por kundërshton ndërhyrjet ushtarake amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili kritikoi hapur luftën kundër Iranit pas humbjes së republikanëve, ka filluar të pozicionohet në këtë drejtim.

“Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi Vance në rrjetin social X. Duke vepruar kështu, ai u distancua publikisht nga vendimi i Trump për të sulmuar Iranin, megjithëse si zëvendëspresident më parë kishte mbrojtur operacionin ushtarak amerikan.

Pas zgjedhjeve, Vance veçoi katër kërkesa nga votuesit e pakënaqur të Trump: një fund të luftës, ulja e kostos së jetesës, kthimi në politikën “Amerika e Para” dhe ndryshimi i marrëdhënies së Amerikës me Izraelin. Analiza e tij u mbështet edhe nga Donald Trump Jr., gjë që tregon se mendime të tilla kanë mbështetje edhe në një pjesë të rrethit më të ngushtë politik të Trump.

Një mundësi e tretë është që pas largimit të Trump, republikanët të përpiqen të rivendosin konservatorizmin tradicional që ka karakterizuar partinë për dekada.

Megjithatë, një kthim te republikanizmi i vjetër do të ishte kompleks sepse Trump ka ndryshuar thellësisht bazën e partisë gjatë dekadës së fundit.

Për pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme është nëse largimi i Trump do të thotë gjithashtu një kthim në politikën e jashtme amerikane të parashikueshme. Përgjigja nuk është e thjeshtë sepse disa procese, mbi të gjitha distancimi gradual amerikan nga Evropa dhe rivaliteti gjithnjë e më i theksuar me Kinën, po zhvilloheshin edhe para se ai të vinte në pushtet.

Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme për Evropën. Edhe kthimi i republikanëve më tradicionalë ose fitorja e demokratëve nuk do të thotë domosdo rivendosjen e rolit amerikan siç e njihte kontinenti para Trump.  Kjo nuk do të thotë që qëndrimi ndaj Rusisë do të mbetet i njëjtë. Kongresi Demokratik mund të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Moskës.

Marrëdhëniet me Kinën nuk do të ndryshojnë domosdo ndjeshëm. Kundërshtimi i ndikimit në rritje ekonomik dhe ushtarak të Kinës është një nga fushat e pakta të politikës amerikane për të cilën ka një marrëveshje të gjerë ndërpartiake.

Megjithatë, ekziston një problem tjetër. Trump mbetet president deri në janar 2029, dhe një humbje politike nuk do të thotë domosdo se ai do të udhëheqë një politikë të jashtme më të moderuar gjatë mandatit të mbetur.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Lajmet

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Lajmet

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara