Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Burgu i Nishit

15 korrik 1993

Të burgosurit shqiptarë në Nish hynë në ditën e shtatë të grevës së urisë

Katërmbëdhjetë të burgosur shqiptarë, që vuajnë dënimet në burgun e Nishit, të cilët ditë më parë nga organet kompetente të këtij burgu kërkuan që t’i vuajnë dënimet në Kosovë, sot hynë në ditën e shtatë të grevës së urisë.

Prej gjithësejt katërmbëdhjetë të burgosurve, në mesin e të cilëve është edhe i dënuari shumëvjeçar, Myslim Dobruna, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë merret vesh se gjendja shëndetësore e këtyre të burgosurve shqiptarë është tejet e rëndë, ndërsa gjashtë prej tyre janë të rrahur rëndë. Bëhet e ditur se drejtoria e burgut po provon vazhdimisht që ndaj këtyre gjashtë të burgosurve ta thyejë grevën me anë të sondave nazale, mirëpo këta të burgosur, nuk pranojnë këtë mënyrë grevëthyese. Pikërisht për këtë, ata edhe gjenden në qelitë e këtij burgu. KMDLNJ gjithashtu njofton se emrat e të burgosurve të tjerë, përveç atij të Myslim Dobrunës, nuk dihen. Mirëpo, merret vesh se në grevë janë hedhur edhe të burgosurit shqiptarë të rastit të Paraçinit.

 

15 korrik 1995

U promovua monografia “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” i Hajrullah Koliqit

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, u bë promovimi i monografisë “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” e autorit dr. Hajrullah Koliqi.

Duke folur për këtë libër, recensentët dr. Bektesh Bekteshi e dr. Xhavit Ahmeti, thanë se kjo monografi është një dëshmi e fortë se kur duam të organizohemi mund të mbijetojmë, ashtu sikur mbijetoi Universiteti i Prishtinës.

Monografia, “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” e dr. Hajrullah Koliqit është libër kundër dhunës serbe, por edhe i rezistencës. Libri përmban një kronologji që nga themelimi i Universitetit të Prishtinës para 25 vitesh deri sot. Gjatë kësaj periudhe diplomuan më se 60 mijë studentë, kurse doktoruan 400 veta.

Për monografinë “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës…”, folën edhe dr.Emrush Gashi, dr. Ahmet Geca, dr. Islam Krasniqi dhe mr.Hasan Ymeri, të cilët vlerësuan punën e autorit Hajrullah Koliqi.

 

 

 

15 korrik 1997

Raport gjashtëmujor i KMDLNJ-së për dhunën e regjimit serb në Kosovë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë (organizatë e anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut – FIDH dhe IGFM në Frankfurt), tërheq vërejtjen në raportin e saj më të ri gjashtëmujorse megjithë rezolutat e shumta të OKB‑së (1992/S‑1 e datës 14 gusht

1992, 1993/7 e datës 23 shkurt 1993 dhe vendimi i saj 1992 /103 i datës 13 gusht 1992. Poashtu rezoluta 885 (1993) e datës 9 gusht 1993 e Këshillit të Sigurimit të OKB‑së, rezultat

E/Cn. 4/Sub. 2/193/L. 15 e datës 17 gusht 1993, 1994/L. 85 të datës 9 mars 1994 dhe 1995/L. 7 të datës 11 gusht 1995, rezultat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB‑së A/C. 3/49/L. 58 1994, A/49/610/Add. 3 të datës 23 dhjetor 1994 dhe A/C. 3/50/L. 43, të datës 5 dhjetor 1995, rezoluta E/CN. 4/sub. 2/1996/L. 4 e datës 14 gusht 1996, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme A/51/111 e datës 23 dhjetor 1996) dhe rezoluta e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë E/CN. 4/1997/L. 88 e datës 10 prill 1997 po vazhdon shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Si pasojë e represionit sistematik gjatë periudhës janar‑qershor të vitit 1997 KMDLNJ ka regjistruar 1925 individë që iu janë nënshtruar keqtrajtimeve të ndryshme. Kundër këtyre personave janë kryer mbi 2122 shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut.

Gjatë këtij gjysëmvjetori, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë ka regjistruar 25 raste të vdekjes: dy prej të cilët vdiqën nga torturat në stacionet e policisë; pesë shqiptarë u vranë me armë zjarri nga policia; nga kufitarët e AJ u vra një student shqiptar; gjashtë u vranë me armë zjarri në “rrethana të pasqaruara”; nga një civil serbë u therr me thikë një person; nga represioni policor dy persona bënë vetëvrasje; në “rrethana të pasqaruara” gjetën vdekjen tetë persona. Në mënyra të ndryshme gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore u plagosën 14 persona.

Në raport thuhet se fushata për mbledhjen e armëve nga shqiptarët, e intensifikuar që nga viti 1992, po përdoret vazhdimisht si pretekst për numrin më të madh të keqtrajtimeve fizike e psikike. Në këtë periudhë janë shënuar 501 raste individuale të kërkimit të armëve. Duhet theksuar se në 90% të rasteve nuk janë gjetur kurrfarë armësh, pos ndonjë arme të gjuetisë edhe ato me leje.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, KMDLNJ‑së i janë paraqitur 466 persona të arrestuar, 100 të ndaluar, kurse tortura fizike është përdorur ndaj 333 individëve. Në 54 raste gjatë rrahjeve, viktimave u janë shkaktuar lëndime të rënda trupore me shkopinj gome e druri, mjete të mprehta metalike, tyta armësh, shqelmime me këpucë etj. Psiqikisht torturohen pothuajse të gjithë shqiptarët që merren në stacionet e policisë, që ndalen arbitrarisht, ftohen në biseda informative, bastisen ose kërkohen nga policia. Nga torturat nuk janë kursyer as fëmijët, as gratë, e as pleqtë e moshës 90 vjeçare.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti KMDLNJ evidencoi 420 individë të ftuar në polici, pasaportat u janë marrë 18 personave, 3 raste të marrjes peng, nga puna u larguan dy persona, veprimtaria ekonomike u ndalua në 8 raste, u regjistruan 9 raste të uzurpimit, 5 raste të konfiskimit, 8 individëve iu ndalua të kthehen në atdhe, nga represioni policor u arratisën 14 persona, nga banesat e tyre u larguan 18 familje shqiptare dhe në vend të tyre u vendosën familje serbe.

Po në këtë periudhë brutalitetit të policisë iu nënshtruan 53 femra dhe 32 fëmijë.

Shumica nga 209 personat që u morën në të ashtuquajtura biseda informative u keqtrajtuan fizikisht, ndërkaq numri i të torturuarve psikikisht është shumë më i madh. KMDLNJ nuk ka evidencuar këtë kategori shkeljesh të të drejtave dhe lirive anëtarët e familjeve të bastisura (190) edhe pse të gjithë iu janë nënshtruar keqtrajtimit psiqik. Brutaliteti dhe sjelljet e shfrenuara të policisë gjatë bastisjeve, vandalizmi i dëshmuar i ekspeditave ndëshkuese serbe janë argumentet më bindëse të respektimit të ligjeve nga vet regjimi.

KMDLNJ ka trajtuar në këtë raport posaqërisht gjykimet dhe dënimet e shqiptarëve për motive politike. Në këtë gjashtëmujor për motive politike dhe për kundërvajtje u dënuan 60 persona. Do përmendur grupin prej 20 shqiptarëve të akuzuar si anëtarë të “Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës”. Ata janë akuzuar për kryerjen e veprës penale të “bashkimit për veprimtari armiqësore” dhe të “cenimit të tërësisë territoriale” të RFJ‑së së vetëshpallur, kurse 6‑ve prej tyre iu ngarkua vepra penale e “terrorizmit”. Të gjithë këtyre u janë shqiptuar 107 vjet burg.

Gjatë periudhës janar‑qershor të këtij viti, KMDLNJ ka evidencuar 206 raste të keqtrajtimit të veprimtarëve partiak, politikë, për të drejtave njeriut, humanitarë si dhe veprimtarë të sportit. Në të shumtën e rasteve ftohen në polici dhe merren në “bisedë informative”, kryesisht në qendrat e sigurimit shtetëror por edhe në stacionet e policisë, ku mbahen me dhjetëra orë, keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht dhe kërcënohen ta ndërprejnë aktivitetin e tyre.

Brenda gjashtëmuajve të vitit 1997 policia ndërhyri 30 herë në institucionet arsimore me ç’rast janë keqtrajtuar 89 veprimtarë arsimorë. Eleminimi i gjuhes shqipe nga administrata dhe shërbimet publike, thuaja sa ka marrë fund. Emrat e vendbanimeve, institucioneve publike, firmave, shesheve etj. , janë të shkruara në gjuhën serbe me shkrim cirilik, derisa në Serbi mund të gjenden gjithnjë e më shumë emra të shkruar me alfabetin latin. Aq më tepër rrënimi i monumenteve historike para fakulteve, shkollave, shesheve dhe zëvendësimi i tyre me emra të “heronjëve” dhe personaliteteve serbe.

Gjendje e jashëzakonshme është edhe në sferën e shëndetësisë. Institucionet kulturore e shkencore vazhdojnë të jenë të mbyllura për shqiptarët e Kosovës. Madje edhe aktivitet sportive nuk janë të lejuara për shqiptarët e Kosovës, gjatë kësaj periudhe u keqtrajtuan 12 veprimtarë të sportit.

Po ashtu kërcënimi, burgosja dhe keqtrajtimi i gazetarëve dhe pengimi i punës së mjeteve të informimit, është duke vazhduar. Po në këtë periudhë u regjistruan 13 raste të keqtrajtimit të gazetarëve.

Gjatë kësaj kohe janë shënuar 80 raste të plaçkitjeve. Duke u bazuar në të dhënat, KMDLN kërkon nga Nënkomisioni që të marrë veprime gjegjëse për të dënuar të gjitha format e torturës, trajtimet johumane, poshtëruese dhe mizore të shqiptarëve të Kosovës dhe të bëjë presion mbi qeverinë e Beogradit që t’i ndërpresë të gjitha format e diskriminimit dhe të apartheidit në Kosovë.

Në vazhdim, KMDLNJ paraqet disa të dhëna që ilustrojnë gjendjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë

* Viktimë e dhunës së organizuar shtetërore ishte Besnik Muharrem Restelica (1967), i arrestuar më 30 janar 1997, në shtëpinë e tij në Podujevë, me pretekst se është anëtar i “Ushtrisë çlirimtare të Kosovës”. Lajmin për vdekjen ia kumtuan, babait të tij, policët e stacionit të policisë në Podujevë duke i thënë se Besniku kishte bërë vetvrasje para tri ditësh. Ditën kur e nxori trupin e Besnikut nga morgu i Spitalit të Prishtinës, personeli i Spitalit, babait të tij, Muharremit, i tha se trupi i të ndjerit është sjellë në Morg më 22 shkurt 1997 në orët e mbrëmjes.

Bashkëpunëtorët e KMDLNJ e fotografuan trupin e të ndjerit në shtëpinë e tij në Podujevë dhe u vërtetuan se në trupin e Besnikut shihen shenja të lëndimeve të rënda, sidomos në këmbë, duar e gishta, kurse rreth qafës e fytit vërehen shenja të ndrydhjeve e të lëndimeve si pasojë e shtrëngimeve në fyt. Nuk ka dyshim se ndaj Besnikut janë përdorë metodat më të tmerrshme të torturës.

Një delegacion pesëantarësh i Parlamentit Evropian, i kryesuar nga Doris Pak, kryetare e delegacionit në PE për Evropen, vizitoi familjen e Besnik Restelicës. Delegacioni pa trupin e të ndjerit Restelica dhe ndër të tjera Zonja Doris Pak, tha:

“Eshtë e pabesueshme që në fund të këtij shekulli në Evropë të përdorën tortura siç janë përdorur në mesjetë”.

* Rasti i Nait Hasanit nga Randobrava e Prizerenit,i arrestuar më 28 janar, për të cilin nuk dihej asgjë prej datës 31 janar, kur ishte nxjerrë nga policia prej Spitalit të Prishtinës, qenka gjallë dhe ndodhet në paraburgim. Avokatit të tij, Fazli Balajt, Naiti i deklaroi se është keqtrajtuar rëndë fizikisht. Ndaj tij është përdorur edhe elektro‑shoku. Gjurmët e lëndimeve trupore, si pasojë e keqtrajtimit, janë evidente. Tani për tani Nait Hasani gjendet në burg dhe pritet gjykimi i tij.

Ky rast dhe rastet e tjera të paraqitura pranë KMDLNJ‑së, dëshmojnë për tortura çnjerzore dhe të vazhdueshme që aplikohen ndaj të arrestuarve shqiptarë, për çka, me kohë, janë alarmuar edhe asociacionet ndërkombëtare.

* Një dukuri shumë e rrezikshme është numri i shtuar i incidenteve të shkaktuara nga civilët serbë, veprimet e të cilëve ndihmohen ose ndiqen me indiferencë nga policia. Më 11 mars, tre civilë serbë të armatosur me revole sulmuan Rashit Ismailin, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK‑së në Lagjen e Spitalit dhe shkaktuan lëndime trupore. Në momentin kur njëri nga sulmuesit nxori revolen, Ismaili arriti të largohet falë një veture që kaloi në afërsi dhe kështu i shpëtoi më së keqes. KMDLNJ ka regjistruar 24 raste të tilla. Derisa policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve bastis, arreston, keqtrajton fizikisht e psiqikisht dhe i dënon shqiptarët, civilët serbë të armatosur me lloje të ndryshme të armëve kanë të drejtë t’i bartin ato dhe t’i përdorin, në vende publike, të vrasin e të plagosin njerëz të pafajshëm pa u frikësuar se do të dalin para gjyqit.

* Është shumë shqetësues rasti i Beri Halimit, ish i burgosur politik, aktualisht kryetar i N/KMDLNJ‑së në Dragash dhe anëtar i KMDLNJ , i arrestuar, nga inspektorët e sigurimit serb më 15. 02. 1996, i liruar më 19. 02. 1997. Nga pasojat e keqtrajtimeve fizike ai u detyrua që të kërkojë ndihmën e mjekut dhe të shtrihet në spital pasi që i kishte të lënduara të dy veshkët, thuhet mes tjerash në raportin gjashtëmujor të KMDLNJ-së për dhunën e regjimit serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

 

15 korrik 1998

 Një i vrarë e një i plagosur në Rekë të Keqe

Sulmet e forcave ushtarako-policore serbe mbi fshatrat e Rekës së Keqe nuk kanë të ndalur. Kështu mbrëmë dhe sot vazhduan granatimit mbi fshatrat Nec, Ramoc, Stubëll, Berjah, Smolicë e deri në rrethin e Junikut, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Këtyre sulmeve po u kundërvihen forcat mbrojtëse të këtyre fshatrave në bashkëpunim me UÇK-në.

Njoftohet se gjatë sulmeve të pambrëmshme të ushtrisë serbe mbi fshatin Devë, u vra Vllaznim Avdyl Jetishi (20) dhe u plagos rëndë Qerim Ibrahim Jetishi (30), që të dy nga fshati Brekoc i Gjakovës.

Trupi i pajetë i Vllaznim Jetishit u dërgua dje pasdite nga policia serbe në morgun e spitalit të Gjakovës, ndërsa spital u dërgua edhe i plagosuri Qerim I. Jetishi.

Ndërsa dje, në fshatin Babaj Bokës, me nderime u varros i riu Ali Rrustemi, i cili vdiq pasi ditë më parë u plagos nga ushtria serbe në fshatin Duzhnje. Edhe me këtë rast ushtria serbe e stacionuar në këtë fshat vëzhgoi gjatë gjithë ceremonialin e varrimit.

Sot në mëngjes në burgun hetimor të Lipjanit u dërgua koordinatorja e SHHB “Nëna Tereze”, Fatime Boshnjaku.

Inspektorët serbë kthyen dje artikujt e konfiskuar të SHHB “Nëna Terezë”, ndërsa ndaluan automjetin të cilin e konfiskuan ditë më parë së bashku me barnat.

Por, ndonëse kthyen artikujt e konfiskuar, inspektorët serbë konfiskuan në lokelat e kësaj shoqate një kontigjent të medikamenteve të Kryqit të Kuq Ndëkrombëtar, i cili u soll para disa ditësh dhe ishte i dedikuar për banorët e anës së Junikut.

Sot në Gjakovë, pronarët e dyqaneve, me urdhërin e pushtetit të instaluar serb, mallin e paktë të ekspozuar jashtë dyqaneve u detyruan të fusin në dyqane.

 

 

Deçan: Tre të vrarë e një i plagosur

Mbrëmë rreth orës 19:00 forcat ushtarako-policore serbe, filluan të granatojnë me të gjitha armët artilerike fshatrat Carrabreg i Poshtëm dhe Strellc i Epërm të komunës së Deçanit.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat serbe në Carrabreg të Poshtëm u vranë: Artan Nezir Qorraj (17) dhe Rexhë Sadik Qorraj (35), kurse u plagos Haki Ramë Qorraj (27). Ndërkaq, në Strell të Epërm u vra Enver Hasan Avdimetaj (29).

Luftimet në këto fshatra zgjatën deri në orën 22:00, ndërsa granatimi i tyre u bë në shenjë hakmarrjeje për shkak se forcat mbrojtëse shqiptare zbrapsën njësitë e këmbësorisë serbe që bënë përpjekje të depërtojnë në këto fshatra.

Si zakonisht, gjatë tërheqjes, forcat serbe dogjën shtatë shtëpi, tri në Carrabreg të Ulët dhe katër në Strellc të Epërm.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan njofton se në të njëjtën kohë pati luftime të një inteziteti më të ulët në fshatin Prejlep, ndërsa nga Suka e Biteshit u granatuan edhe fshatrat Gramaqel e Baballoq. Njoftohet se nga granatimi i mbrëmshëm i Gramaçelit u shkatërruan plotësisht shtëpitë e Musë Ndout dhe Myrtë Agajt, ndërsa dëmet më të vogla pësuan shumë shtëpi të tjera.

Ndërkohë, vëzhguesit e UÇK-së kanë njoftuar se forcat forcat policore serbe kanë plaçkitur shtëpitë e shqiptarëve në disa fshatra të kësaj komune, ndërsa disa paramilitarë serbë janë strehuar mbrëmë në Manastirin e Deçanit. Për këtë autoriteteve të Kishës Ortodokse Serbe u bëhet thirrje që të pengojnë shndërrimin e objekteve fetare në objekte të strehimit të forcave të armatosura të regjimit të Beogradit dhe të njësive paramilitare serbe. Në të kundërtën ata do të trajtohen bashkëpjesëmarrës në krimet që po ushtrohen mbi shqiptarët.

Banorët e kësaj komune shpresojnë se vizita e përfaqësuesve të misionit të huaj vëzhgues dhe të misionit të OSBE-së në Deçan dhe në rajonet tjera të përfshira në luftë do të bënte të mundur pasqyrimin e drejtë të gjendjes dhe tejkalimin e saj.

Gjithashtu, ata u bëjnë apel partive politike të Kosovës që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të bashkëveçprojnë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

 

 

U konstitua Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës e filloi mbledhjen konstituive sot në orën 12:30 në selinë e Presidencës së Republikës së Kosovës. Salla e vogël ishte stolisur më flamurin kombëtar dhe me një tufë lulesh. Në fytyrat e deputetëve, të ardhur edhe nga vise të Kosovës ku janë zhvilluar muajve të fundit luftime, shihej gëzimi dhe krenaria, për arsye se po merrnin pjesë në një ngjarje me rëndësi të madhe historike për Kosovën dhe popullin e saj.

Me hyrjen në sallë të Kryetarit të Republikës së Kosovës, deputetët duartrokitën në mënyrë frenetike. Pastaj u intonua Himni i Flamurit.

Në vazhdim, kryetari i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova e hapi mbledhjen konstitutive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Deputetja Edita Tahiri kërkoi një minut heshtje për shqiptarët e vrarë gjatë sulmeve serbe. Kurse deputeti Demë Fetaj kërkoi minut heshtjeje në nderim të të vrarëve, në mesin e të cilëve ka pasur edhe gra shtatëzëna. Deputetët mbajtën dy minuta heshtje.

Kryetari Rugova pyeti deputetët se a ishin dakord me amendamentin që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë tre nënkryetarë. Deputetët thanë se ishin dakord.

Kryetari i Republikës së Kosovës dhe i LDK-së Ibrahim Rugova tha se LDK ka propozuar që kandidat i LDK-së për kryetar të Kuvendit të jetë akademik Idriz Ajeti. Deputetët zgjodhën me aklamacion Idriz Ajetin kryetar të Kuvendit.

Në vazhdim, Ramush Mavriqi nga PSDK-ja propozoi për nënkryetar të Kuvendit Ilaz Kurteshin, PSHDK propozoi Zef Morinën, ndërsa PLK propozoi Gjergj Dedajn. Të tre nënkryetarët u zgjodhën me aklamacion.

Kryetari Rugova propozoi Fatmir Sejdiun për sekretar të Kuvendit. Deputetët votuan për propozimin.

Në orën 12:40 Kryetari i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova e dha solemnisht betimin e kryetarit të Republikës së Kosovës. Rugova tha:

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia.

Betohem”.

Betimi u shoqërua me duartrokitje frenetike të deputetëve.

Naip Zeka propozoi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në Kosovë. Deputetët kërkuan nga kryetarët e grupeve parlamentare që ta hartojnë tekstin e Deklaratës.

Në vazhdim Kuvendi verifikoi mandatin e deputetëve të Republikës së Kosovës.

Naim Jerliu dhe deputetët e pranishëm lexuan Betimin e deputetit. Në betim thuhet:

“Betohem se do të angazhohem me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Republikës së Kosovës e shpalli të mbyllur mbledhjen e sotme konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit tha vetëm një fjalë të shkurtër, përmes së cilës shprehu besimin në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme konstitutive morën pjesë 59 deputetë të LDK-së dhe 16 deputetë të partive të tjera. Në zgjedhjet e 22 marsit janë zgjedhur 118 deputetë, nga 130 sa është dashur. Në disa komuna zgjedhjet janë shtyrë për shkak të gjendjen së rëndë.

Derisa deputetët po dilnin nga ndërtesa e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, policia serbe arriti para Shoqatës me dy pizgauerë, disa vetura civile dhe një furgon për transportimin e të arrestuarve. Policët e armatosur kërkuan nga deputetët dhe gazetarët e shumtë të pranishëm që të shpërndaheshin. Policë të shumtë shkuan deri te dera e Shoqatës, ndërsa kujdestarët e ndërtesës kërkuan nga policët që të mos hynin brenda në ndërtesë.

Një polic i armatosur hyri brenda në Qendrën për Informim të Kosovës dhe pyeti se çka bëhet në këtë institucion.

Në orën 13:05 para Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës arriti Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd. Pas tij arritën edhe një numër i policëve civilë. Z. Hill hyri në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve ku gjendej një numër funksionarësh të LDK-së e të partive të tjera dhe kryetari i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova. Pas Hillit në shoqatë hynë edhe një numër i policëve në rroba civile.

Në orën 13:08 një numër i policëve u largua prej hapësirës para Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në orën 13:10 drejt shoqatës erdhën një numër qytetarësh, të shqetësuar me praninë e policisë.

Në orën 13:13 policët civilë dolën nga ndërtesa e Shoqatës, ndërsa disa prej tyre mbanin në dorë disa dosje me dokumente. Punëtori në Biroteknikë tha se ishin marrë disa dosje që mbanin datën e sotme dhe për të cilat policët pretendonin se ishin dokumente të Kuvendit. Policia serbe më pas u largua. Para shoqatës mbetën deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gazetarë e qytetarë që i uronin njëri tjetrit konsiutimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Para orës 14:00 nga ndërtesa doli Nikollas Hill, ndërsa në orën 14:00 edhe kryetari i Republikës së Kosovës. Qytetarët e deputetët e pranishëm e përshëndetën Rugovën me duatrokitje të gjatë.

Në deklaratat që i dhanë për gazetarë, deputetët e quajtën ditën e sotme si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

 

Deçan: Njoftohet për dy të vrarë

Në komunën e Deçanit sot gjendja ishte më e qetë. Shkrehje armësh kishte vetëm në Baballoç, Prejlep e Carrabreg të Poshtëm, por nuk pati viktima e dëme.

Megjithatë, njoftohet se mbrëmë, gjatë vëzhgimit të terrenit, u vra luftëtari Miftar Ali Bajraktari (46) nga Isniqi, i cili u varros në fshatin e tij.

Njoftohet gjithashtu se më 14 korrik, në afërsi të kufirit është vrarë Ramadan Ukë Hajdaraj (22) nga Strellci i Epërm.

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara