Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

14 shtator 1993

Në tregun e Skenderajt policia serbe plaçkiti mall e deviza

Dje, në Skënderaj, policia serbe ndërmori një aksion me ç’rast bllokoi të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe plaçkiti një sasi të konsiderueshme malli dhe devizash nga tregtarët dhe qytetarët në tregun e këtij qyteti.

Gjatë këtij aksioni policor u arrestuan rreth 50 veta, të cilët u dërguan në stacionin e policisë së këtij qyteti dhe aty u mbajtën rreth katër orë.

 

14 shtator 1994

Ndërhyrje e forcave serbe kundër një manifestimi kulturor në Isniq të Deçanit

Sot në fshatin Isniq të Deçanit në orën 11:30 rreth 30 policë serbë ndërhynë kundër pjesëmarrësve të një manifestimi për katërvjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Manifestimi po mbahej në një shtëpi private. Policia i mbajti pjesëmarrësit një kohë të rrethuar. Më vonë u legjitimuan të gjithë pjesëmarrësit, 35 prej të cilëve iu morën dokumentet personale ndërsa 20 të tjerë u arrestuan dhe po mbahen në stacionin e policisë në Deçan.

Në mesin e të arrestuarve, thuhet në njoftimin e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan janë edhe gjithë mysafirët nga komunat e Kosovës që merrnin pjesë në manifestim.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së Isuf. H. Ahmetajt u mor fotografia e kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova dhe një emblemë e 7 Shtatorit, ditës kur u aprovua Kushtetuta e Republikës.

Situata në Isniq dhe Deçan është e rëndë.

Në Isniq është e hapur e pamja për Violeta Kastratin – Dervishajn, e cila u vra në shtëpinë e vet nga policia serbe gjatë një ndërhyrjeje në tregun e Deçanit të enjten e kaluar.

Situata në komunën e Deçanit ka qenë kohëve të fundit shumë e tensionuar.

Incidenti tragjik i javës së kaluar ka pasuar disa konflikte të inskenuara me fajin e refugjatëve serbë në Deçan.

 

14 shtator 1995

U identifikuan tri viktima nga Kosova në barkën e përmbytur me shqiptarë në ujërat e Adriatikut

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke iu referuar Ambasadës së Shqipërisë në Romë, njofton se midis viktimave të barkës së përmbytur më 10 shtator, me të cilën transportoheshin klandestinë nga Vlora për në Itali, që konsiderohen si të humbur deri me tash janë identifikuar edhe tre qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe një person nga Mali i Zi.

Si të humbur konsiderohen, Nanije Bujani (38), Bedrije Bujani (32) dhe Naxhivan Bujani (12), të gjitha nga Gjakova dhe një person i panjohur i moshës rreth 34 vjeçare nga Titogradi.

Po ky burim bën të ditur se forcat ushtarake kanë arritur të shpëtojnë Beqir Mujën (53) nga Gjakova i cili gjendet i shtrirë në spitalin e Brindizit në Itali.

 

15 shtator 1997

Fillon gjyqi kundër ushtarit serb që vrau fëmijën Isa Berisha

Prishtinë, 15 shtator (QIK)

Të martën, më 16. 09. 1997, në gjykatën ushtarake të Nishit fillon gjykimi i ushtarit Ivica Zhivanoviq, i cili e pati vrarë fëmiun 10-vjeçar, Isa Berisha nga Hani i Elezit. Në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar: Hajrije Axhami, Ilimi Axhami, Mynir Luri dhe babai i të ndjerit, Muhamet Berisha.

Familjen e fëmijës së vrarë e përfaqëson avokati nga Prishtina, Bajram Kelmendi. Gjykimi fillon në orën 8:00.

 

14 shtator 1998

Plavë: Refugjatët kosovarë u deportuan në Shqipëri

Prishtinë, 14 shtator (QIK)

Disa mijëra refugjatë nga Kosova, të cilët nuk u lejuan të hyjnë në Plavë, u deportuan dje pasdite për në Shqipëri.

Një drejtues i Këshillit të Emergjencës në Plavë i deklaroi QIK-ut se refugjatët, 3-4 mijë e gjysmë, që u ndaluan nga ushtria disa kilometra pa hyrë në Plavë, u ngarkuan në kamionë dhe në mjekte të tjera transporti dhe u dërguan deri në vendkalimin kufitar me Shqipërinë.

Në një kontakt telefonik me Shkodrën, ky Këshill mori vesh se të deportuarit kanë arritur në Vermosh.

Ndërkohë, të bllokuar vazhdojnë të mbahen rreth 250 të ikur, të cilët janë të vendosuir në tëbana jo larg Plavës dhe të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në qytet. Organet malazeze kanë lejuar sot që atyre t’u dërgohet ushqim.

Vetëm në Plavë, deri kah fundi i javës së shkuar, janë regjistruar mbi 8500 të ikur nga Kosova, ndërkohë që në Ulqin dhe në qytete të tjera të Malit të Zi janë vendosur mijëra të ikur të tjerë.

Të shtunën qeveria e Malit të Zi ka miratur një vendim për moslejimin e hyrjes në këtë republikë të të ardhurve të rinj nga Kosova.

 

Gjendje e rëndë në komunën e Malishevës

Ndonëse nuk pati luftime, forcat e armikut të koncentruara me dhjetra tankse, ushtarë e policë, në Astrazub, Dragobil, Malishevë, Carralllukë, Banjë të Malishevës, kanë vazhduar edhe dje pasdite me të shtëna nga armë të ndryshme, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Barbaria serbe njëkohësisht po plaçkit dhe shkatërron çdo shtëpi të këtyre fshatrave dhe si pasojë po pengon çdo tentim të banorëve për t’u kthyer në shtëpi, përkatësisht në fshatrat e veta.

Tortura të ndryshme po përjetojnë edhe ata që në tentim për të kaluar rrugët e asfaltuara prej Dragobil për Gurbardh etj., siç u ndodhi 13 vetave nga Zatriqi i Rahovecit, gra e fëmijë, pastaj Jetullah Metë Paçarezi (62), Bedri Fazli Paçarezit (20) dhe Agron Paçarezi (18) nga Dragobili. Ndaj këtij të fundit madje u shti edhe me armë zjarri.

Megjithë rrezikun dhe pa kurrfarë garancioni, mijëra banorë të fshatrave Dragobil, Marali, Maxharrë, etj., po kthehen në shtëpi të tyre, ndërkohë që mijëra të tjerë shtëpitë e të cilëve tashmë u janë plaçkitur, djegur a shkatërruar nga hordhitë çetnike, edhe më tej po përballen me kushtet tepër dramatike nën qiellin e hapur me shi, pa ushqime, ilaçe e veshmbathje të mjaftueshme.

Rrezik permanent po u kanoset edhe banorëve të Tërpezës, Senikut, Llandroviqit, Ngucatit etj.

Si pasojë e pamundësisë së ndihmës së mjaftueshme të mjekut dhe pa ushqime adekuate, në Lladroc vdiq një foshnje nga Tërpeza e Ulët, në Pagarushë vdiqën dy binjake nga Opterusha e Rahovecit, ndërsa lehonat janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Poashtu ka edhe raste të vdekjes së grave e të personave të moshuar, si në Pagarushë, Guriq etj. Ndërsa, nuk dihet për fatin e Sadik Osman Morinës (60) nga Astrazubi.

Njoftohet se Shyhrete Hulaj – Gashi nga Strellci i Ulët i Deçanit gjendet në fshatin Guriç të Malishevës bashkë me dy fëmijë.

 

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara