Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Ethet hemorragjike marrin jetë në malishevë

 

13 qershor 1994

Fon Kol: Shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë – spastrim etnik

Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Vjenë, dënoi me forcë vazhdimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Në një deklaratë që lëshoi këto ditë Federata Ndërkombëtare e Helsinkit vlerëson se autoritetet serbe kanë ashpërsuar fushatën kundër punonjësve të institucioneve arsimore shqiptare.

Në emisionin e transmetuar të shtunën shefi i Seksionit shqiptar të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, bëri një bisedë me Kristinë fon Kolin, zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit.

Tekstin e kësaj bisede po e dhëmë në vazhdim.

“Organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut u bën thirrje autoriteteve serbe të lejojnë hapjen e të gjitha institucioneve arsimore shqiptare, nga shkollat fillore e deri te Universiteti.

Kristinë fon Kol tha se Federata Ndërkombëtare e Helsinkit është shumë e shqetësuar nga fakti se Serbia ka shtuar shtypjen e shqiptarëve. Ajo përmendi veçanërisht incidentin e 30 majit kur policia serbe vërshoi në Universitetin e Prishtinës dhe ndaloi apo arrestoi shtatë drejtues dhe profesorë të këtij Universiteti. Qindra mijëra të rinjve shqiptarë, thotë Fon Kol, u është marrë e drejta e një zhvillimi normal intelektual. Ajo thotë se autoritetet po shtojnë trysni ndaj sistemit paralel që e kanë krijuar shqiptarët.

Zonja Fon Kol i cilëson veprimet serbe kundër studentëve dhe mësuesve në shkollat dhe Universitetin, si dhe shkeljen e të drejtave të tjera të shqiptarëve si spastrim etnik, pasi shqiptarëve, thotë ajo, po u mohohen kushtet elementare të jetesës. Ajo shton se serbët synojnë që t’i detyrojnë shqiptarët të ikin nga Kosova.

Veprimtarja e të drejtave të njeriut thotë se Serbia po përfiton nga përqendrimi i vëmendjes botërore në Bosnjë për të shtuar shtypjen e shqiptarëve.

Zonja Fon Kol thotë se Federata Ndërkombëtare e Helsinkit i bëri thirrje Beogradit që të heqë dorë nga kjo politikë dhe të fillojë bisedimet me përfaqësuesit shqiptarë. Ajo thotë se bisedimet shqiptaro-serbe mund të japin rezultat vetëm nëqoftëse zhvillohen në prani të palës së tretë.

Zonja Kristinë fon Kol thotë se gjendja në Kosovë është keqësuar dukshëm pas dëbimit të vëzhguesve të huaj vitin e kaluar. Federata Ndërkombëtare e Helsinkit i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë veprimet e fundit të policisë serbe kundër studentëve dhe mësuesve shqiptarë dhe ta përfshijë çështjen e Kosovës në rendin e ditës në përpjekjet e fuqive të mëdha për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi.

Lidhur me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni zonja Fon Kol thotë se nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët në atë vend, pavarësisht nga deklaratat zyrtare, nuk janë të barabartë me maqedonasit. Por ajo shton se qëndrimi maqedonas, veçanërisht ai i intelektualëve ndaj shqiptarëve, po ndryshon dhe shumë maqedonas janë të vetëdijshëm se shqiptarët duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të jenë të barabartë me shtetasit tjerë të kësaj ish-republike jugosllave.

Zonja Fon Kol thotë se, pas një vizite kohët e fundit në Maqedoni, ajo krijoi përshtypjen se pala shqiptare nuk po u përgjigjet gjithmonë propozimeve të palës maqedonase për dialog. Ajo tha se përvoja në të kaluarën ka shkaktuar që shqiptarët të vetizolohen dhe që propozimet maqedonase t’i shikojnë si jo të sinqerta.

Megjithatë, ajo tha se shpreson se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve do të përmirësohen në të ardhmen”.

 

13 qershor 1995

Nga ethet hemorralogjike në Kosovë sivjet vdiqën 3 vetë

Prej muajit prill e deri më tash në Kosovë është shënuar një rritje e numrit të të sëmurëve nga ethet hemorralogjike. Nga ethet e minjve dhe të rriqrës janë sëmurë 8 vetë, prej të cilëve 3 kanë vdekur, shkruan gazeta “Jedinstvo”. Sipas fjalëve të dr. Komnen Tmushiqit rastet e evidentuara gjenden në komunat e Suharekës, Rahovecit, Gllogovcit dhe Klinës. Vitin e kaluar janë shënuar 19 raste nga kjo sëmundje.

Për shkak të dimrit të butë edhe sivjet ka shumë minj dhe rriqra, prandaj rekomandohet një kujdes i shtuar, sidmos tek artikujt ushqimorë, kur është fjala për minjtë dhe qëndrimi në natyrë për rriqrën.

 

13 qershor 1997

Poetët për fëmijë në mesin e shkollarëve të Malishevës

Në sallën e SHF “M. Bakija” të Carrallukës së Malishevës, dje, në kuadër të shënimit të 119-vjetorit të Kuvendit të LSH të Prizrenit, u mbajt një orë letrare, me ç’rast, krijimet e tyre, i prezentuan nxënë të kësaj shkolle fillore dhe të gjimnazit “A. Frashëri” të Malishevës. Krijimet më të mira nga radha e nxënësve ishin ato të krijueseve të reja, si Shehide dhe Kade Hotit, Vlorë Mazrrekut dhe Suzanë Paçarizit, proza e së cilës për Mirko Gashin, shkaktoi emocione të shumta.

Paraqitja e poetëve për fëmijë, si Hajro Ulçinaku, Rifat Kukaj, Ymer Elshani dhe Riza Greiçevci, në skenë, ku shumica ishin të vegjël, krijoi po ashtu çaste të kënshme për të pranishmit.

Poeti Rifat Kukaj, me këtë rast, shkollës së Carrallukës i dhuroi 10 ekzemplarë të dy librave të tij të fundit “Njëherit, prezentimi në skenë para spektatorëve të shumtë e aktivit të Teatrit të kukullave ishte një pikë interesante në vete.

 

Continue Reading

lajme

30 për qind bursë për ish-studentët e UBT-së në programet më inovative Master – regjistrohu sot!

Published

on

By

UBT po u ofron të gjithë të diplomuarve të tij një mundësi të veçantë për të vazhduar rrugëtimin akademik dhe profesional, duke përfituar 30% bursë për studimet Master në UBT.

Në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi, avancimi i vazhdueshëm profesional po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Për këtë arsye, ish-studentët e UBT-së kanë mundësinë të rikthehen në universitet për të thelluar njohuritë, fituar specializime të reja dhe zhvilluar kompetenca të avancuara, tashmë me një përfitim të veçantë prej 30% bursë.

Kjo mundësi vlen për programet Master të UBT-së, të cilat përfshijnë disa nga fushat më të kërkuara dhe inovative të tregut bashkëkohor, duke u dhënë të diplomuarve mundësinë të zgjedhin një program që përputhet me profesionin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës.

Programet Master në UBT përfshijnë:

  • Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi
  • FinTech dhe Menaxhimi i Inovacionit
  • Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri
  • Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment
  • Inxhinieri e Mekatronikës
  • Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë
  • Inxhinieri e Trafikut dhe Transportit
  • Inxhinieri e Energjisë dhe Mjedisi
  • Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor
  • E Drejta Penale
  • E Drejta Civile dhe Pronës
  • E Drejta Komerciale
  • Gjuhë, Media dhe Komunikim
  • Politika Publike dhe Menaxhim
  • Shkenca Politike
  • Studime të Sigurisë
  • Psikologji
  • Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit
  • Shëndet Publik dhe Menaxhim
  • Biokimi
  • Shkencat Paramjekësore
  • Agrikulturë dhe Mjedis
  • Shëndet dhe Aktivitet Fizik

Përmes programeve të orientuara drejt inovacionit dhe nevojave të tregut, UBT synon që studentët Master të fitojnë jo vetëm njohuri të avancuara akademike, por edhe kompetenca profesionale të aplikueshme në praktikë.

Për ish-studentët e UBT-së, kjo është mundësia për ta vazhduar aty ku e nisën – duke e kthyer përvojën universitare në një nivel të ri profesional.

Regjistrohu sot dhe përfito 30% bursë!

Continue Reading

Vendi

PDK paralajmëron veprime jashtë Kuvendit pas refuzimit të kërkesës për seancë

Published

on

By

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se refuzimi për thirrjen e seancës më 12 gusht është një model i sjelljes politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi Avni Dehari, e jo thjesht një incident procedural. Sipas saj, shkelja e afatit 30-ditor dhe shpërfillja e rregullit për vazhdimin e seancës çdo 48 orë përbëjnë zbatim selektiv të Kushtetutës dhe bllokim të mandatit të deputetëve të zgjedhur më 7 qershor.

Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që ta kthejë vendin në binarë kushtetues, duke theksuar se PDK-ja nuk kërkon pushtet apo marrëveshje partiake, por funksionalizimin e shtetit. Gjithashtu, ajo bëri me dije se PDK-ja do të dorëzojë sërish kërkesë zyrtare për seancë pas 48 orësh dhe do të jetë çdo ditë në Kuvend.

Paralelisht me punën në Kuvend, ajo paralajmëroi zhvendosjen e aktivitetit politik edhe jashtë tij, përmes bashkëbisedimeve me qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Në fund, ajo denoncoi edhe cënimin e integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së nga mbrojtja e afërt, duke njoftuar se për këtë rast do t’i drejtohen Inspektoratit Policor të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.S., i cili akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., më 6 prill 1999 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, mori pjesë në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë. Në këtë ngjarje përfshihet edhe S.T., i cili tashmë është i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale bën me dije se dërgimi i lëndës në gjykatë është hap i rëndësishëm drejt drejtësisë: “Sjellja e përgjegjësve para drejtësisë mbetet prioritet yni kryesor për të vendosur të vërtetën dhe për të sjellë lehtësim për familjarët e viktimave.”

Rasti tanimë i është kaluar Organeve të Drejtësisë për shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Etnofest përmbyll edicionin e 16-të me ndarjen e 21 çmimeve artistike

Published

on

By

Mbrëmë është mbyllur edicioni i 16-të i EtnoFest-it, ku janë ndarë çmimet për 21 performanca dhe kategori të ndryshme artistike.

Para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, publiku pati mundësinë të ndiqte performancën artistike “Echoes of Origin”, me Flaka Gorancën, e cila solli këngë të njohura shqiptare në një ndërthurje mes traditës dhe muzikës klasike.

Juria profesionale e përbërë nga Bislim Muçaj (kryetar), Artan Arifi (anëtar) dhe Agron Gerguri (anëtar), ndau çmimet në kategoritë e mëposhtme:Etnoperformanca më e mirë: “Echoes of Origin” – Flaka Goranci, për trajtimin artistik të rrënjëve, ku zëri unik dhe ndërthurja e traditës me modernen krijuan një lidhje të veçantë me kujtesën kulturore.

Etnoansambli më i mirë: “Vullkani i Istogut” – Istog, për energjinë, autenticitetin dhe ruajtjen e traditës së Istogut përmes një interpretimi të fuqishëm skenik.

Instrumentisti më i mirë: Blerim Grubi, për mjeshtërinë e lartë në interpretim dhe stilin e veçantë që i jep muzikës tradicionale.

Instrumentistja më e mirë: Lule Elezi, për teknikën e sigurt në piano dhe interpretimin e përpunuar, duke përcjellë melodinë me qartësi, finesë dhe emocion.

Kostumografia më e mirë: Ansambli “Devolli” – Korçë, për kostumet tradicionale të Korçës, të pasura me ngjyra, ornamente dhe të punuara me kujdes.

Koreografia më e mirë: Gjergj Prevazi me “Void”, për kombinimin e lëvizjes, ritmit dhe hapësirës në një koreografi të saktë dhe të fuqishme skenikisht.

Valltaret më të mira: Katerina Gogadhe dhe Chiara Xoxi, për harmoninë e rrallë skenike, sinkronizimin dhe komunikimin e natyrshëm përmes lëvizjes.

Valltari më i mirë: Vasjar Hysa me ansamblin “Afërdita” – Belsh, për ritmin e sigurt, lëvizjet e fuqishme dhe prezencën e spikatur skenike.

Këngëtarja më e mirë: Arta Jashari, për zërin me ngjyra unike, interpretimin dhe ndjeshmërinë e veçantë që përcjell këngën me origjinalitet.

Këngëtari më i mirë: Mustafë Ramaj, për vokalin e fuqishëm dhe interpretimin emocionues, të realizuar me mjeshtëri skenike.

Orkestra më e mirë: Ansambli “Dardanus” nga Tetova, për harmoninë instrumentale dhe interpretimin elegant të trashëgimisë muzikore.

Koncerti artistik më i mirë: Grupi “Tavera” – Izrael, për koncertin që solli në skenë tingujt e traditës së tyre muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.

Shfaqja më e mirë: “Pylli”, produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, për realizimin mbresëlënës skenik dhe trajtimin e thellë të emocioneve njerëzore.

Regjia më e mirë: Ilir Bokshi, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, produksion i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, për vizionin e ndërtuar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri të thellë regjisoriale.

Aktori më i mirë: Adrian Morina, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, për interpretimin bindës, emocionet e fuqishme dhe thellësinë psikologjike të rolit.

Aktorja më e mirë: Hajat Toçilla, me shfaqjen “Pylli”, për interpretimin plot emocione dhe vërtetësi që i dha personazhit.

Skenografia më e mirë: Bekim Korça, me shfaqjen “Pylli”, për konceptin pamor origjinal dhe krijimin e një universi skenik funksional e domethënës.

Çmimi për inovacion artistik: “Soloist of GOB” nga Bolonja, Itali, për trajtimin artistik dhe inovativ të motiveve të frymëzuara nga okarina e Runikut, një prej instrumenteve më të hershme të gjetura në trojet shqiptare.

Çmimi special i EtnoFest-it: Armend Baloku me performancën “Lahuta e Malcís”, për një performancë të jashtëzakonshme që përcolli fuqinë e trashëgimisë epike shqiptare dhe mbajti publikun të përfshirë.

Çmimi i karrierës: Selman Jusufi, për një karrierë mbi katër dekada, më shumë se 200 role dhe një kontribut të çmuar në skenën artistike, duke lënë gjurmë të veçanta në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Me këtë ceremoni, edicioni i 16-të i EtnoFest-it u përmbyll duke vlerësuar artistë, ansamble dhe krijues nga Kosova, Shqipëria e vende të tjera, të cilët përmes artit dhe performancës kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. /A.M/

 

Continue Reading

Të kërkuara