Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Vlorë, 1997

13 gusht 1993

Një helikopter serb shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë

Agjencitë e huaja dje bënë me dije se zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë lëshoi një kumtesë lidhur me shkeljen ajrore të Shqipërisë nga ana e një helikopteri të armatës serbo-malazeze në afërsi të Shkodrës.

Në këtë kumtesë thuhet:

“Ky helikopter hyri 10 kilometra në thellësi të territorit shqiptar në zonën e Shkodrës, duke fluturuar në një lartësi prej 300 metrash. Gjatë ditës së djeshme kur ndodhi kjo shkelje, aeroplanët ushtarakë shqiptarë bllokuan helikopterin dhe e detyruan që të largohej menjëherë nga territori shqiptar. Këtë informatë e dhanë sot të gjitha agjencitë botërore, duke theksuar fjalët e përfaqësuesit të armatës shqiptare se kjo shkelje e hapësirës ajrore shqiptare është një provokim i rëndë, në vargun e provokimeve të ndryshme në kufi dhe kjo tregon se Beogradi është i interesuar të provokojë konflikte mes dy shteteve. Në këtë kumtesë njëkohësisht i tërhiqet vërejtja Beogradit që të mos vazhdojë me këtë taktikë, ndërsa opinionit botëror i bëhet thirrje që sa më parë të ndërpresë këto qëllime tashmë të njohura agresive të Beogradit”.

 

 

13 gusht 1994

Kosova edhe sot pa gazetë në gjuhën shqipe

Gazeta e vetme e përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë Bujku sot nuk u botua.

Shkaset e mosbotimit të numrit të sotëm të gazetës reviale nuk dihen, pasi deri më tash redaksia nuk ka dhënë ndonjë njoftim.

Në ish-shtypshkronjën e Rilindjes, tash me emrin Graçanica shtypet edhe gazeta e përditshme serbe Jedinstvo, e cila edhe sot doli në shitje normalisht.

 

13 gusht 1997

Policia shqiptare në aksion për kapjen e kriminelëve në Vlorë

Krimineli i njohur me emrin Zan Çaushi, nuk ndodhet më në Shqipëri. Forcat speciale filluan të hënën një operacion në shkallë të gjerë në Vlorë, nën drejtimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Sokol Bare, thekson në një njoftim nga Shqipëria “Bujku” i sotëm.

Burime policore thanë se trupat speciale të përforcuara me 5 autoblinda, në bashkëpunim me policinë vendëse, kanë kryer arrestime dhe ndalime personash të kërkuar, të cilët janë nisur

menjëherë për në Tiranë me helikopter të Ministrisë së Brendshme. Çfarë ka ndodhur, si u bë e mundur që forcat speciale të kapin për vesh tre nga bashkëpunëtorët kryesorë të bandës së tij, pikërisht Afrim Romi 26 vjeç i njohur me pseudonimin Luçiano, Gjikë Gërdhyuli 30 vjeç dhe Kastriot Gërdhuli 25 vjeç, të bien në duart e forcave speciale dhe Zanit nuk i gjenden gjurmët.

E vërteta është se tri viktimat “ranë” në duart e policisë me dëshirën e tyre. Sipas marrëveshjes së bërë më parë, ata do të shërbenin si ndërmjetës në bisedimet për normalizimin e gjendjes në Vlorë. Zv. ministri Bare me të cilin ata do të takoheshin, i arrestoi ata sapo i shtrinë dorën dhe sipas burimeve nga rajoni i policisë nr. 3, viktimat kanë ardhur në gjendje kome në Tiranë për të mos dëshmuar dot as mënyrën se si janë kapur.

Ndërkohë televizioni reklamon kapjen e bashkëpunëtorëve, sipas skenarit të porositur. Por, ku iku Zani, ai që mbronte Cekën e Gjinushin kur shkonte në Vlorë, ai që shoqëronte, madje, edhe Prodin? “Enigmën ia zbuloi gazetës “Albania” e motra e Zanit. Mjaftoi një telefonatë dhe ajo përgjigjet:

“Ai, xhaxhai e shiti atë tek Nano për 500 mijë dollarë. Ai ka ikur”.

Ç’kish ndodhur, kush ishte xhaxhai që e kishte shitur.

Xhaxhai i Zanit për dy ditë rresht është takuar në hotel “Rogner” me kokat e qeverisë. Ai kishte pasur dy ditë bisedime me Nanon dhe Cekën, ku ishte rënë dakord për kushtet. . . Përndryshe. . .

Kishte mbi dhjetë ditë që krimineli i Vlorës Zan Çaushi, i liruar pas dënimit me burgim të përjetshëm në Greqi, i kish kërkuar Nanos 500 mijë dollarë dhe 20 viza për shokët e tij. Përndryshe, ai do t’i dorëzonte kasetat me bisedimet e tyre me Berishën.

Dhe Nano e pagoi. . .

Zani nuk ishte më, ai kish ikur për në Korfuz, ai me tetë trima dhe me tetë viza përtej oqeanit tok me 500 mijë dollarët.

Ndërkohë alarmi kalon kufijtë shqiptarë. Media greke reagoi menjëherë ndaj deklaratës së ashpër të Ministrisë së Brendshme, duke mbrojtur bashkëpunëtorët e Zanit të arrestuar. Sipas disa stacioneve televizive greke, Afrim Romi nuk është kriminel i dënuar me 101 vjet në Greqi, dhe se i cilësoi ata si “luftëtarë antiberishë”. Reagimi i shtypit grek dhe sidomos atij shtypi që është afër qeverisë greke, shton dyshimet për marrëveshjen e Zanit, jo më me zyrtarët e Tiranës, por dhe me diplomatë që do të sigurojnë edhe më tej jetën e tij, thuhet në njoftim.

 

 

13 gusht 1998

Shkrehje armësh të një intensiteti më të ulët në Rekë të Keqe e në Junik

Sot në fshatrat e Rekës së Keqe dhe në Junik kanë vazhduar shkrehjet e armëve, por të një intensiteti më të ulët, krahasuar me ditët e kaluara, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Në njoftim thuhet se dje pasdite, deri në orët e mbrëmjes ka vazhduar me intensitet të fuqishëm ofensiva serbe në fshatrat e Gjakovës, si në Hereq, Dobrigjë e Firajë, ndërsa front kryesor i kësaj ofansive ishin gjithnjë fshatrat e Deçanit.

Njoftohet se në këto fshatra, në orët e mbrëmjes dhe gjatë ditës së sotme shihet tym e flakë. Sipas intensitetit të luftës, nuk përjashtohet mundësia e viktimave të shumta dhe dëmeve materiale e luftarake si nga forcat serbe, ashtu edhe nga forcat shqiptare.

Mbi qytetin e Gjakovës dhe në drejtim të kësaj zone të luftës, dje dhe mbrëmë, forcat serbe kanë operuar edhe me helikopterë.

Bëhet e ditur se në orët e mbrëmjes, kolona të motorizuara dhe paramilitare serbe kanë defiluar në qytetin e Gjakovës, duke i ekspozuar si trofe të luftës uniformat dhe emblemat e UÇK-së, por edhe duke i fshehur shumë të vrarë nga radhët e tyre. Të njëjta forca i provokuan kalimtarët shqiptarë me të shtëna armësh, sharje dhe çjerrje, sjellje kjo karakteristike e histerisë nacionaliste serbe, e cila mbështetej me ovacione nga popullata serbe.

Si pasojë e ofensivës serbe, mbi 30 fshatra shqiptare të komunës së Gjakovës janë zbrazur nga banorët, ndërsa një numër i konsiderueshëm i këtyre fshatrave është shndërruar në tokë të djegur.

Gjendja humanitare është keqësuar së tepërmi. Përveç urisë, tashmë kanë filluar të ëkrcënojnë edhe me epidemi të ndryshme.

Gjendjen në qytet e kanë tensionuar së tepërmi edhe informatat se në Kodrën e Çabratit, ditët e fundit njësitë xheniere të ushtrisë serbe janë duke punuar vazhdimisht dhe gjatë netëve kamionët ushtarakë serbë po bartin material të ndryshëm në lokacionin e kësaj kodre mbi qytetin e Gjakovës.

 

Continue Reading

Vendi

Kroos mbështet Ronaldon për refuzimin e ndeshjes lamtumirëse: Një legjendë meriton respekt, Portugalia duhet t’i jetë mirënjohëse

Published

on

By

Ish-mesfushori i njohur gjerman, Toni Kroos, ka dalë hapur në mbështetje të Cristiano Ronaldos pas vendimit të kyçit portugez për të refuzuar një ndeshje lamtumirëse të propozuar nga Federata e Futbollit e Portugalisë.

Kroos ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nga rrethi i kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa nga bashkëlojtarët.

“Jam i lumtur me vendimin e Cristiano Ronaldos. Sinqerisht, pas gjithçkaje që ka arritur për Portugalinë, nuk mendoj se ai i detyrohet dikujt një ndeshje lamtumirëse. Ajo që më zhgënjen është se si dikush që i ka dhënë kaq shumë vendit të tij mund të përfundojë duke u ndier i parespektuar nga njerëzit që duhet ta vlerësojnë”, deklaroi Kroos.

Gjermani nënvizoi se sakrificat dhe arritjet historike të Ronaldos me përfaqësuesen portugeze, duke rikujtuar trofetë e fituar dhe ndikimin e tij te brezat e rinj.

“Cristiano ka bërë sakrifica gjatë karrierës së tij, ka thyer rekorde dhe e ka udhëhequr Portugalinë në momente të vështira. Nuk mund t’i fshish të gjitha ato kontribute për shkak të një mosmarrëveshjeje apo sepse disa njerëz në dhomat e zhveshjes nuk e shohin më në të njëjtën mënyrë. Ajo që e kam të vështirë ta kuptoj është qëndrimi i disa njerëzve rreth kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa lojtarë. Respekti nuk duhet të varet kurrë nga fakti nëse je titullar apo qëndron në stol”, shtoi tutje ai.

Sipas Kroos, refuzimi i ceremonisë festive është një mesazh i fuqishëm nga ana e sulmuesit portugez.

“Mendoj se refuzimi i ndeshjes lamtumirëse dërgon një mesazh të fuqishëm. Cristiano nuk ka nevojë për një ceremoni nga njerëzit që e kanë bërë të ndihet i padëshiruar. Po të isha në vendin e tij, ndoshta do të merrja të njëjtin vendim. Portugalia duhet të jetë mirënjohëse për gjithçkaje që ai ka bërë, në vend që ta bëjë të ndihet sikur duhet të lutet për t’iu njohur meritat”, përmbylli Kroos. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Stërvitje e përbashkët në Prevallë: FSK-ja dhe Ushtria e Shqipërisë forcojnë kapacitetet për kërkim-shpëtim malor

Published

on

By

Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë realizuar një stërvitje të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor.

Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stërvitja është zhvilluar në Prevallë të Prizrenit.

Sipas ministrit Nufi, ky aktivitet shërbeu për shkëmbimin e përvojave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të avancuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë evakuimin e personave të dëmtuar në terrene të vështira malore.

“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka shkruar Nufi në rrjetin social Facebook. /E.A/

 

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

6 nëntor 1992

Shqiptarët trajtohen si “skllevër”

Revista franceze “Le monde diplomatique” pardje botoi një analizë të gjerë të procesev historike dhe aktuale në hapësirën e ishJugosllavisë. Një vëmendje të veçantë në këtë analizë autorja Ketrin Lutard ia kushton Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ndër të tjera autorja thekson:  Qysh prej kohësh gjendja vlerësohet si shkatërruese dhe udhëheqësi i komunitetit shqiptar Ibrahim Rugova, pohon se bashkatdhetarët e tij janë trajtuar “si skllevër”. Represioni vazhdon të rritet. Kështu, sipas gazetës zyrtare të 25 korrikut 1992, Parlamenti serb i Beogradit vendosi të pezullojë drejtorët shqiptarë të uzinave Planinka, Rilindja, Ringos Ciglana, Buduqnost, Sutjeska, Energoinvest, Sharr dhe Proleter, të gjitha të vendosura në Kosovë, dhe për t’i zëvendësuar me serbë apo malazezë.

 

6 nëntor 1993

Spastrimet etnike serbe – në tekstet shkollore franceze e gjermane

Prej këtij viti shkollor në Francë dhe në Gjermani, janë paraqitur tekstet shkollore dhe materialet didaktike ku gjoja “në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar janë paraqitur disa pjesë nga historia serbe, Serbisë e Jugosllavisë,” shkruan “Politika” e sotme.

Përse janë zemëruar aq shumë në të ashtuquajturën ministri federale të arsimit dhe të kulturës ndaj këtyre teksteve dhe përse ambasadës së tyre në Paris iu urdhërua të kërkojë procedurë gjyqësore për ndalimin e librit të historisë për klasën e katërt të gjimnazit? Për çka është fjala në të vërtetë?

Në librin e historisë në kaptinën “Kthimi i nacionalizmit”, siç thotë gazeta, shkruan: “Qëllimi ishte që të krijohet Serbia e madhe nëpërmjet ‘spastrimit etnik’ të territoreve ku gjenden serbët. Me terror dëbohet popullsia tjetër”.

Në kaptinën ku shpjegohen terminet nga libri, për spastrimin etnik shkruan se kjo “është teori të cilën e kanë krijuar anëtarët e Akademisë së shkencave në Beograd dhe nënkupton homogjenizimin etnik të territoreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë të banuar me serbë, të cilat duhet me anë të terrorit mbi popullsinë tjetër të realizojnë aneksimin definitiv të atyre territoreve nga ana e Serbisë”.

Përmbajtje të ngjashme, sipas gazetës, gjenden edhe në materialin didaktiko-informativ, që gjendet në programin shkollor në Gjermani.

 

6 nëntor 1995

U përkujtua ngjarja tragjike e Bit Pazarit

Me rastin e ngjarjeve të 6 e 7 nëntorit të vitit 1992, kur në Bit Pazar të Shkupit humbën jetën tragjikisht Sylejman Memishi, Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Viktorija Geshovska, në lokalet e bashkësisë okale, që mban emrin e kësaj date tragjike “6 Nëntori” në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor për këtë ngjarje të hidhur në jetën pluraliste të Maqedonisë.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, qytetarë dhe personalitete të jetës politike dhe publike, në mesin e të cilëve edhe deputeti i kësaj njësie zgjedhore Mevlan Tahiri.

Lidhur me këtë rast tragjik u nënvizua se edhe pas tri vjetësh nuk u zbuluan vrasësit e viktimave të pafajshme, të cilat padyshim u vranë nga policia maqedonase në pragun e shtëpive të tyre.

Pasi Komisioni parlamentar, i themeluar për hulumtimin e këtij rasti, nuk dha përgjegje për autorët e krimit në Bit Pazar, në këtë mbledhje u theksua se familjet e të vrarëve duhet të ngrisin aktpadi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

 

6 nëntor 1996

Bill Klinton u rizgjodh president i SHBA-ve

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA, presidenti i tanishëm amerikan Bill Klinton u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat katërvjeçar.

Ambasada amerikane në Beograd na përcolli njoftimin e agjencisë gazetare amerikane UPI ku thuhej se Klintoni triumfoi mbi rivalin e tij kryesor Bob Dol. Sipas këtij njoftimi Klinton fitoi me 50 kundrejt 42 për qind të votave, sa fitoi kundërshtari i tij republikan, ndërsa kandidati tjetër Ros Perot fitoi fare pak vota.

Pas Frenklin Ruzveltit, Bill Klinton është presidenti i dytë amerikan nga radhët e demokratëve që triumfoi për të dytën herë në postin e presidentit të SHBA-ve.

 

6 nëntor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Obiliq: – Dje, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në familjen e Ferat Mjekiqit (65) në Graboc të Epërm.

Njoftohet se Ferati është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq, së bashku me djalin e tij Nasuf Mjekiqin, kryetar i Aktivit të LDK-së në Graboc të Epërm.

Ferat Mjekiqi para gjashtë muajve ka dorëzuar një armë dhe për këtë ai ka edhe vërtetimin për armën e dorëzuar.

Po ashtu mbrëmë rreth orës 17:00, dy policë serbë ndërhynë në një mbledhje të një Aktivi të LDK-së në Obiliq. Bëhet e ditur se policët serbë kanë legjitimuar të pranishmit. Disa aktivistëve u janë marrë edhe shënimet personale.

Istog: – Më 31 tetor, dy inspektorë të sigurimit serb të stacionit të policisë në Pejë, bastisën familjen e Ali S. Mahajt në Dubovë të Vogël. Njoftohet se inspektorët serbë kërkuan djalin e tij Naim Mahajn (24), të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes, inspektorët serbë thyen e demoluan shumë orendi.

Sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grup huliganësh serbë i përbërë prej rreth 15 vetash, sulmuan pa kurrfarë shkaku Arben Boletinin, nxënës i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog. Gjatë kohës sa Arbeni është keqtrajtuar, huliganët serbë e kanë kërcënuar atë se “kurrë nuk do të mësoni në shkollën shqipe, ndërsa atë kërkojeni në Shqipëri!”.

 

6 nëntor 1998

Suharekë: Të shtëna midis Samadraxhës e Opterushës – flitet edhe për të vrarë e të plagosur

Gjendja në komunën e Suharekës edhe më tej vazhdon të jetë shumë e tensionuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Sot rreth orës 12:00, në mes të fshatrave Samadraxhë e Opterushë janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët okularë kanë theksuar se ka të vrarë e të plagosur.

Ndërkaq dje, policia serbe është vendosur në lagjen Luboci në Grejçec. Policët serbë ia hoqën kulmin një shtëpie të këtij fshati dhe materialin e dërguan në një vend tjetër. Të njëjtit policë rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë në drejtim të Grejçecit.

Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe edhe më tej po qëndrojnë në fshatrat Duhël, Grejçec, Mohlan e Reshtan, ndërsa forcat e ushtrisë serbe edhe më tej janë të stacionuara në Qafë të Duhlës dhe në malet e Biraçit mbi Suharekë.

 

Continue Reading

Të kërkuara