Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

11 tetor 1993

 Gjashtë veprimtarëve në Gjakovë iu caktua paraburgimi prej një muaji

Gjykatësit e instaluar serbë në Gjykatën e Qarkut në Pejë, me aktvendimin nr.84/93, caktuan paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji për 6 veprimtarë të Gjakovës. Në paraburgim gjenden: mr.Mazllom Kumnova, kryetar i Forumit Demokratik dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës; Murteza Nura, shkrimtar, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së; Shefqet Vokshi, nënkretar i Degës së Partisë Fshatare të Kosovës; ing.Naser Zeka, ish-oficer në armatën e ish-Jugosllavisë; Ruzhdi Shehu, ish-punëtor i Mbrojtjes Popullore dhe Teki Dobroshi, ish-punëtor i PTT-së. Me të njëjtin aktvendim, njoftohet se iu është caktuar paraburgimi edhe Bajram Mahmutit, Lulzim Shasivarit, dhe Ilir Bytyçit, të cilët gjenden në arrati.

Të gjithë këta akuzohen se gjoja prej vitit 1992 deri në shtator të vitit 1993, “kanë bërë vepër penale të cenimit të tërësisë territoriale të RF të Jugosllavisë nga neni 116, paragrafi 1 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”, duke iu qasur punës në formimin e organeve ilegale paraushtarake dhe formacioneve paraushtarake në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”.

11 tetor 1994

Arrestohen e dënohen drejtorët e shkollave në Mitrovicë

Dje u dërgua në vuajtjen e një dënimi prej 20 ditësh Brahim Bala, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Ai është dënuar kohë më parë nën akuzë se nuk i ka respektuar ligjet e Serbisë në arsim.

Policia serbe arrestoi sot Murteza Berishën, drejtoi i shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë.

Nuk dihet shkasi i këtij arrestimi. Dje, dy inspektorë serbë kishin shkuar në shkollën “Migjeni” dhe kishin kontrolluar të gjitha klasët, me pretekst se në hapësirën e saj ndjekin mësimin edhe nxënës të shkollës së mesme.

11 tetor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 5 tetor, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Feriz P. Ademit (52) në lagjen Bair të Mitrovicës. Meqë nuk gjeti armë, policia ia mori atij pasaportën dhe letërnjoftimin dhe e urdhëroi që më 7 tetor të paraqitet në polici.

Pas paraqitjes në polici më 7 tetor, ai është urdhëruar që të paraqitet sërish më 12 tetor.

Më 9 tetor, policia për herë të pestë ishte në shtëpinë e Sahit Mujës dhe kërkoi djalin e tij, Hasanin, i cili momentalisht ndodhet në Gjermani dhe e urdhëroi atë që brenda dy orëve të paraqitet në polici së bashku me djalin e tij. Sahiti u paraqit në polici në kohën e caktuar dhe u mbajt aty rreth dy orë. Ai ishte i detyrua të paraqitet në polici edhe më 10 tetor.

Dje, rreth orës 9.30, dy policë shqetësuan familjen e Jakup N. Fazliut na lagjen Ura e Gjakut, në kohën kur ai nuk ishte në shtëpi.

Viti: – Dje, policia serbe ia la thirrjen në shtëpinë e tij, Sadik Haxhiut që të paraqitet sot në stacionin e policisë serbe në Viti.

Ai u mor në pyetje nga inspektorët serbë nga ora 10:00 deri rreth orës 14:00, me ç’rast u pyet rreth angazhimit të tij në LDK. Inspektorët serbë u interesuan në veçanti rreth funksionimit të komisioneve të LDK-së në nivel komunal.

Vushtrri: – Më 9 tetor, komandanti i policisë serbe në Vushtrri, takoi në rrugë Daut Jasharin nga Vushtrrija, të cilin e urdhëroi që me pretekst të dorëzimit të armëve, së bashku me dy djemtë e tij, Fatmir e Fadil Jasharin të paraqiten në stacionin e policisë në Vushtrri.

Ai në polici është paraqitur vetëm, me ç’rast u rrah rëndë dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici me dy djemtë e tij. Dje në polici u paraqit Dauti së bashku me Fatmirin, ndërsa këtë të fundit e rrahën.

Dauti dhe dy djemtë e tij janë urdhëruar që edhe sot të paraqiten dhe ata ende po mbahen në polici.

 11 tetor 1997

Ismail Kadaresë iu dha çmimi “Honoris Causa”

Pardje, pikërisht në ora dhjetë, në praninë e anëtarëve të Senatit, të profesorëve universitarë të Saint-Etienit, personalitete të shquara të kulturës franceze dhe të gazetarëve të shumtë, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kakdare, iu dha çmimi i nderit, Doktor Honoris Causa. Në këtë solemnitet madhështor ishin të pranishëm edhe bashkëshortja dhe shkrimtarja, Elena Kadare, delegacioni i Universitetit të ri shqiptar të Tetovës, i kryesuar nga rektori dr. Fadil Sulejmani, prof. Murat Bejta, dr. Xhemail Xhemaili, Astrit Leka, si dhe mysafirë dhe bashkatdhetarë të shumtë nga qytete të ndryshme të Francës, por pati edhe të tillë që kishin ardhur nga Zvicra.

Atmosferën edhe më madhështore e bëri pjesëmarrja dhe paraqitja e ansamblit kombëtar “Shota” nga Prishtina, i cili herë pas herë u paraqit me këngë dhe valle burimore shqiptare.

Lidhur me veprën letrare e artistike të shkrimtarit me famë botërore, kandidat për Çmimin Nobël, Ismail Kadare, në fillim foli profesori i letërsisë në Universitetin e Saint-Etiene, Aleksandër Zotos, i cili veçoi se Kadare është shkrimtar i përmasave botërore. Kadare në veprën e tij gërsheton rrethana shoqërore, historike e politike gjatë shekujve.

E ka për nder Universiteti i Saint-Etiene që sot i ndan çmimin e nderit Doktor Honoris Causa shkrimtarit shqiptar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, tha në fillim të fjalës së tij rektori i Universitetit Saint-Etiene. Ky shkrimtar dhe humanist i madh në veprën e tij paraqet në mënyrë artistike fatin e popullit të tij të lashtë prej antikës e deri në ditët e sotme.

Pas referimit të rektorit, në foltore doli shkrimtari Ismail Kadare, së bashku me rektorin Mris Venësan, dhe në një atmosferë solemne e me duartrokitje të gjata të të pranishmëve, mori çmimin e nderit, Honoris Causa. Të theksojmë, me të njëjtin çmim, nga Universiteti Paris 8, vitin e kaluar, më 16 dhjetor, u nderua edhe kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ismail Kadare tha se këtë titull e shikoj si një vlerësim për popullin tim. Dëshiroj t’ju kujtoj – tha Kadare, se vetëm disa ditë më parë studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës u keqtrajtuan vetëm pse kërkuan të futen në objektet e tyre universitare, nga të cilat u dëbuan para shtatë vjetëve. Këtë mirënjohje e vlerësoj si shenjë kurajimi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, u shpreh ai.

Manifestimet kulturore treditore në Saint-Etien vazhdojnë nesër me programin artistik të ansamblit “Shota’, i cili do të paraqitet para publikut shqiptaro-francez, njofton “Bujku”.

11 tetor 1998

 Malishevë: 83 shqiptarë të vrarë gjatë aksioneve të muajve të fundit të forcave serbe

Gjatë ofensivave të forcave të ushtrisë e policisë serbe muajve të fundit në fshatrat e Malishevës, janë vrarë së paku 83 shqiptarë, përfshirë këtu 8 fëmijë të mitur e 13 femra, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Gjatë këtyre muajve forcat serbe kanë plagosur 73 shqiptarë, prej tyre 31 femra dhe 20 fëmijë e të mitur, ndërsa të zhdukur konsiderohen 17 shqiptarë e 5 familje të tëra.

Po ashtu forcat serbe gjatë kësaj kohe i kanë zhvarrosur edhe 8 kufoma të shqiptarëve, nga të cilat 4 nuk dihet ku janë dërguar.

Që nga 28 korriku e deri në fund të shtatorit, forcat serbe kanë plaçkitur, djegë e shkatërruar 23 fshatra shqiptare, pastaj 1 mulli në Banjë shumë hambarë e grunaja, 9 objekte shkollore, 2 ambulanca, 3 xhami dhe shumë objekte zejtare.

Ofensivat serbe për pasojë patën edhe zhvendosjen e mijëra familjeve shqiptare. Për mungesë të kushteve elementare për jetë nën qiellin e hapur kanë vdekur së paku 23 fëmijë dhe 17 gra e pleq.

Agresori serb gjatë këtyre muajve ka vrarë edhe mijëra krerë bagëti.

 Foto: Ismail Kadare

Continue Reading

Lajmet

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite dënojnë sulmet e rebelëve Houthi ndaj aeroportit të Riadit

Published

on

By

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite – të njohura si grupi R4 – kanë dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme të rebelëve Houthi të Jemenit ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Riadit, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm për sigurinë rajonale.

Sipas autoriteteve saudite, një sulm i ri i kryer të dielën ka lënë një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, vetëm një ditë pasi një goditje tjetër nga Houthit shkaktoi 13 viktima dhe mbi 300 të lënduar.

Përmes një deklaratë të përbashkët, katër fuqitë rajonale shprehën solidaritetin e tyre me Riadin dhe konfirmuan mbështetjen për të gjitha masat mbrojtëse që Arabia Saudite do të ndërmarrë. Ato bënë përgjegjës grupin Houthi për pasojat mbi paqen ndërkombëtare dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve.

Zotimi për mbrojtje vjen në kuadër të marrëveshjes ushtarake të nënshkruar në gusht mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, e cila parashikon reagim të përbashkët ushtarak dhe vendosje të shpejtë të forcave mbrojtëse në rast sulmi ndaj ndonjërës prej palëve. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Punëtorët e NPB-së protestojnë para Supremes, kërkojnë pagat dhe trajtimin e lëndës

Published

on

By

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar të hënën para Gjykatës Supreme në Prishtinë, duke kërkuar përshpejtimin e trajtimit të lëndës së tyre gjyqësore, vonesa e së cilës i ka lënë pa paga.

Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, vonesat në vendimmarrjen e gjyqësorit po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra familjeve, ndonëse stafi ka vazhduar të kryejë detyrat e punës dhe t’u ofrojë shërbime qytetarëve.

Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, theksoi se kërkesa e tyre kryesore është mosvonesa e drejtësisë.

“Jemi këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe familje që presin një përgjigje. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, por kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, sepse në mes është jeta e familjeve tona”.

Prebreza u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me urgjencë, duke ngritur pyetjen se sa gjatë duhet të presin punëtorët për të marrë pagat që u takojnë me ligj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së shpreh gatishmëri për bashkëpunim me presidenten Shiroka-Pula

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas një takimi zyrtar të zhvilluar me përfaqësues të këtij misioni diplomatik.

Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada amerikane konfirmoi përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës në realizimin e objektivave strategjike.

“Ambasada amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Halil Bashota merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për ekokritikën në Londër

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Halil Bashota ka prezantuar punimin e tij shkencor dhe ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Konferencën Ndërkombëtare për Ekokritikën dhe Studimet Letrare, të organizuar nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR), në Birkbeck, University of London, në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Punimi i profesorit Bashota trajtoi ekopoetikën dhe modernizmin përmes veprave të poetit amerikan William Carlos Williams, me fokus të veçantë në poezitë “Asphodel” dhe “The Red Wheelbarrow”. Përmes kësaj analize, ai shqyrtoi mënyrën se si poezia e Williams-it ndërton marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe natyrës, trajton botën natyrore dhe nxjerr në pah rëndësinë ekologjike të përditshmërisë.

Konferenca e cila u organizua nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR) në Birkbeck, University of London, shërbeu si një platformë për dialog ndërdisiplinor dhe diskutime mbi mënyrat se si letërsia, kultura dhe studimet mjedisore ndihmojnë në kuptimin e marrëdhënies së njeriut me natyrën dhe sfidat ekologjike bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara