Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Ibrahim Rugova – Toni Bler

11 qershor 1993

Klaus Kinkel: Parapengimi i luftës në Kosovë është detyrë urgjente e Perëndimit

Mjetet e informacionit në Gjermani i kushtuan vëmendje të veçantë mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkësisë Evropiane dhe të SHBA-ve në Luksemburg.

Të gjithë ministrat, të cilët u takuan në Luksemburg, e cilësuan “detyrë urgjente” nevojën e pengimit të zgjerimit të luftës në Kosovë dhe Maqedoni, theksoi Ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, njofton e përditshmja gjermane “Westfalen Blatt”.

Sipas Kinkelit, së shpejti në Kosovë do të dërgohen edhe më shumë vëzhgues, ndërsa në Bosnjë do të dërgohen mëse 20.000 ushtarë për t’i mbrojtur zonat, të cilat OKB-ja i ka shpallur si zona mbrojtëse.

Në mbledhjen e ministrave të BE-së dhe SHBA-ve, krahas apelit se lufta në Kosovë nuk guxon të përhapet, edhe një herë iu bë me dije Serbisë se heqja e sanksioneve as që është në rend dite, derisa Serbia vazhdon politikën e agresionit, thuhet në shtypin gjerman.

 

11 qershor 1994

Kosova: Apartheidi në Evropë

Gazeta e njohur e Francës “Le Figaro” e datës 9 qershor 1994, boton një artikull të autorit Emmanuel Naxara, rreth gjedjes në Kosovë me titull “Kosova: Apartheidi në Evropë”.

Më artikullin që po e botojmë në tërësi thuhet:

“Me të kthyer në klasë në shtator të vitit 1989 kuptova se çka do të bëjnë serbët në Kosovë”, tregon i indinjuar Zeqir Islami, drejtor i shkollës “Dardania” në Prishtinë. Drejtori shqiptar tregon me gisht muret që ndajnë në dysh shkollën nga kati në kat, ndërtesa më e madhe shkollore në Kosovë është ndarë metodikisht në dy pjesë të pabarabarta. Në një anë, një e treta e lokaleve që përfshijnë rreth 2.500 nxënës shqiptarë, kurse në anën tjetër, dy të tretat që përfshijnë 450 nxënës serbë.

“Drejtori i ri i pjesës serbe i ka marrë të gjitha: perdet, karrikat dhe dërrasat e zeza”, shpërthen i skandalizuar Zeqir Islami, duke bërë listën e orendive që serbët i kanë marrë nga shkolla. Kundruall zyrës së drejtorit është një korridor në të cilin rreth 50 të vegjël ndjekin me kujdes fjalët që i shkruan profesori i anglishtes mbi portën në mur.

Prej vitit 1989 një mur është ngritur ndërmjet dy komuniteteve. Në atë kohë Beogradi u ka marrë statusin e provincës autonome. Shqiptarët e Kosovës, 2 milionë banorë, rreth 90 për qind të popullsisë, kanë humbur të gjitha të drejtat, 80 për qind të punëtorëve shqiptarë janë përjashtuar nga puna, serbët i kanë mbyllur të gjitha gazetat në gjuhën shqipe.

Jeta e dy komuniteteve është ndarë. “Që nga materniteti deri në Universitet jetët tona organizohen në mënyrë paralele”, tregon një student kosovar, me emrin Nezir, “ne kemi krijuar shkollat tona, niversitetet dhe teatrot”.

Edhe vetë sëmurja i ndanë shqiptarët dhe serbët. Në Vranjevc, i riemëruar Kodra e Trimave, një nga kuartet më të varfëra të Prishtinës, njerëzit shtyhen përpara hyrjes së klinikës “Nëna Terezë”. Brenda saj janë dy pjesë të ndara. E para, një sallë e pritjes e mbushur me gra të cilat i mbajnë fëmijët e tyre në krahëror. Në të dytën, tri salla të vogla, të ndara vetëm me nga një perde të thjeshtë, në të cilat punojnë një pediatër, një gjinekolog dhe një kirurg. “Nuk kemi mundësi të operojmë, kurse njerëzit nuk duan të shkojnë në spitalet ku nuk ka mbetur asnjë mjek shqiptar”, shpjegon kirurgu.

Barërat dërgohen nga diaspora shqiptare. Ndihma financiare e cila hyn tinëz në Kosovë ndihmon për të paguar disi “rrogat” e profesorëve dhe të punëtorëve medicinalë, rreth 15 marka në muaj. Ka rreth 500 mijë refugjatë shqiptarë të Kosovës, që janë vendosur në bashkësinë evropiane dhe në Evropën qendrore. Të gjithë paguajnë nga një kontribut për mëmëdhenë.

Serbët mundohen në çdo mënyrë të ndalojnë këtë burim të solidaritetit. Prishtina është e rrethuar me njësi paramilitare serbe. Për tre vjet, 800 mijë kosovarë janë ndaluar nga policia, 580 mijë sipas autoriteteve serbe. Që nga viti 1989 ishte vendosur një orë policore për kosovarët, duke filluar nga ora 22. Kurse tensioni është rritur që kur federata e re jugosllave – Serbia e Mali i Zi – i ka përzënë në korrikun e fundit observatorët perëndimorë të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE.

 

11 qershor 1997

Disa serbë të armatosur sulmuan një qytetar shqiptar nga Vushtrria

Më 5 qershor rreth orës 21:00, në fshatin Dërvar të Vushtrrisë, pesë serbë të armatosur ndalën Enver Fekën nga Vushtrria, derisa ai po udhëtonte me kamionin e tij, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Njoftohet se serbët e armatosur, Enver Fekën e nxorën nga kamioni dhe pas fyerjeve, ata edhe e sulmuan fizikisht.

Për t’i ikur më të keqes, Enver Feka la kamionin në rrugë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

 

11 qershor 1998

Vetëm gjatë muajit maj në Gllogoc janë vrarë 14 qytetarë shqiptarë

Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, në komunën e Gllogocit nga forcat serbe janë vrarë 14 qytetarë shqiptarë i tha QIK-ut Xhemë Binaku, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Gllogoc.

Njoftohet se vetëm në fshatin Poklek, llogaritet të jenë vrarë 10 shqiptarë, janë djegur 29 shtëpi, ndërsa 10 të tjera janë demoluar. Z. Binaku njoftoi edhe për dukurinë e rrëmbimit dhe të zhdukjes së njerëzve pa gjurmë. Ai përkujtoi se dje u bënë dy muaj që kur u arrestua dr. Hafir Shala, ndërsa policia serbe ende nuk ka njoftuar asgjë për fatin e tij.

 

Në Lezhë arritën refugjatët e parë nga Kosova

Dje në qytetin e Lezhës u pritën familjet e para të refugjatëve nga Kosova, të cilët erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar dhunës dhe terrorit serb, njofton ATSH.

Sipas sekretarit të Bashkisë së Lezhës, z. Gjokë Cari numri të ardhurve përbëhet prej 29 vetash, të cilët janë strehuar në familjet lezhjane, ndërsa Bashkia ka ngritur një komision për t’i evidentuar të gjithë të ardhurit nga Kosova dhe së bashku me organet e tjera lokale i ka ndërmarrë masat për sistemimin e tyre. Njoftohet se përmes TV lokal u është bërë thirrje banorëve të rrethit të Lezhës për të kontribuar me ndihma për vëllezërit kosovarë.

 

11 qershor 1998

Gjakovë: Granatime të fshatrave gjatë natës, mbi qytet fluturojnë helikopterë

Mbrëmë rreth orës 20, forcat serbe të vendosura në Kodrën e Çabratit kanë granatuar me artileri dhe me raketa ndriçuese fsahtrat e Rekës së Keqe. Detonimet ishin të fuqishme dhe shkaktuan frikë e panikë në mesin e popullsisë. Një pjesë e familjarëve, fëmijë dhe gra u zhvendosën nga shtëpitë bri Kodrës së Çabratit dhe u strehuan në lagjet tjera të qytetit.

Granatimet vazhduan deri në ora 22,30, ndërsa rifilluan sot në orët e hershme të mëngjesit.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë ende nuk ka njoftime të sakta se cilat fshatra janë ganatuar. Në qytet ka vlerësime se granatimet e mbrëmshme kishin për qëllim të shkaktonin panik në Gjakovë e rrethinë.

Rreth orës 9, në oborrin e shtëpinë e Hamëz Avdylit në fshatin Duzhnje të Rekës së Keqe në brezin kufitar Kosovë – Shqipëri është vendosur një forcë ushtarake serbe me armatim të rëndë. Aty është vendosur një tanks, ndërsa në anën tjetër të shtëpisë janë hudhur disa bomba maskuese tymi. Njoftohet se 300 metra larg shtëpie forcat serbe kanë shtënë me artileri të rëndë në drejtim të panjohur. Këto inskenime po përcillen nga mediumet serbe. Dëshmitarët dyshojnë se në këtë mënyrë forcat serbe po inskenojnë një sulm të shqiptarëve për të arsyetuar granatimet e mëdha që kanë bërë mbrëmë e sot herët në mëngjes mbi gati të gjitha fshatrat e Rekës së Keqe.

Sot gjatë ditës kanë fluturuar mbi Gjakovë e fshatrat e brezit kufitar disa aeroplanë të ushtrisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

 

U granatua Gryka e Llapushnikut

Shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Komoran të komunës së Gllogovcit, ku është vendosur një postbllok i forcave të mëdha të policisë serbe, përveç që po plaçkiten nga policët serbë po u shërbejnë atyre edhe për vendosjen e snajperistëve.

Nga një autoblindë ushtarake, e cila është vendosur te ura për në fshatin Kishnarekë, dje është shtënë në dy vetura që supozohet të jenë të shqiptarëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogovc.

Po ky burim njofton se sot, rreth orës 9,30, nga Komorani në Gllogovc kanë ardhur tri automjete, ndërsa më vonë lëvizja e automjeteve policore në këtë relacion është shtuar.

Në orën 11,30, nga postblloku i policisë në Komoran, ka filluar granatimi i vendbanimeve në Grykën e Llapushnikut. Shkrehje armësh ka pasur edhe nga kompleksi i “Feronikelit” në Gllogovc, ku janë stacionuar forcat serbe.

 

Kryetari Rugova bisedoi me kryeministrin britanik Toni Bler

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova bisedoi sot në Londër me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler.

Në takimin e përzemërt, kryetari Rugova dhe kryeministri britanik Bler biseduan për gjendjen më të re në Kosovë dhe për mundësitë e veprimit politik me qëllim të evitimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Kosovë.

Kryetari Rugova e cilësoi gjendjen aktuale në Kosovë tepër të rëndë për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të ushtrisë e të policisë serbe. Ai theksoi se situata vazhdon të jetë dramatike në komunën e Deçanit, Pejës e Gjakovës, si dhe në fshatrat përgjatë brezit kufitar mes Kosovës e Shqipërisë, për shkak të aksioneve të egra të forcave ushtarake e policore serbe.

Kryetari Rugova theksoi se ushtria dhe policia serbe, gjatë këtyre aksioneve, vranë e plagosën shumë qytetarë të pambrojtur dhe rrënuan e dogjën vendbanime të tëra në këto komuna, përfshirë edhe vetë qytetin e Deçanit. Si pasojë e këtyre sulemeve, një pjesë e madhe e popullsisë së këtyre zonave u detyrua të shpërngulet edhe jashtë kufijve të Kosovës, tha kryetari Rugova. Ai kërkoi që Britania e Madhe dhe aleatët e saj evroamerikanë të ndërmarrin masa urgjente efikase për parandalimin e ‘spastrimit etnik’ në Kosovë si dhe një trysni të fuqishme mbi regjimin e Beogradit për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës.

Duke folur rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, kryetari Rugova përkujtoi se Kosova ishte njëra ndër tetë njësitë e barabarta të ish-federatës jugosllave. Në fazën e rrënimit të saj, edhe populli i Kosovës shfrytëzoi të drejtën e deklarimit të vullnetit politik dhe me referendum u përcaktua për Kosovën e pavarur dhe neutrale. Kryetari Rugova tha se kjo është zgjidhja më e mirë që do ta qetësonte gjithë rajonin.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler tha se gjendja në Kosovë është e papranueshme. Ai premtoi se Britania dhe aleatët e saj do të ndërmarrin masa urgjente kundër Beogradit, me qëllim të parandalimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës dhe krijimit të kushteve për zgjidhje me mjete politike e me negociata të çështjes së Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Londër, kryetari Rugova do të takohet sonte me Ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, Robin Kuk. Ministri britanik shtroi darkë për nder të kryetarit të Republikës së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Procesi në Hagë: Grupi strategjik mblidhet të shtunën, procedurat e apelit mbahen në konfidencialitet

Published

on

By

Gjashtë vjet pas dërgimit në Hagë të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet shtetërore dhe subjektet politike në Kosovë kanë intensifikuar veprimet për mbështetjen e procesit të apelit, pas vendimit me të cilin ata u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Të shtunën pritet të mbajë takimin e radhës grupi strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se punimet e këtij grupi do të zhvillohen në mënyrë të plotë konfidenciale me synim koordinimin e saktë institucional.

Konjufca konfirmoi se grupi është konstituuar gjatë javës së kaluar, ku janë përcaktuar rregullat e punës dhe është formalizuar edhe trupa punuese.

Paralelisht me këtë proces, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar një angazhim të përbashkët politik dhe institucional në mbrojtje të procesit të apelit.

Nga ana tjetër, platforma “Liria ka Emër” u është drejtuar zyrtarisht institucioneve të Bashkimit Evropian me gjashtë kërkesa specifike, përmes të cilave kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm i shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm në Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell dhe vranësira: Temperaturat sot deri në 13°C

Published

on

By

Dita e sotme parashikohet të vijë me mot me diell dhe vranësira gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa në orët në vijim vranësirat do të tërhiqen gradualisht.

Sipas njoftimit nga MeteoKosova, era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit me një shpejtësi prej 5 deri në 19 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijën nga 10 deri në 13 gradë Celsius. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

United Hospital, standard i ri në shërbimet shëndetësore në Kosovë – teknologji e avancuar dhe trajtim modern i sëmundjeve vaskulare

Published

on

By

United Hospital, tashmë një nga spitalet private më të mëdha në Kosovë, po fuqizon vazhdimisht ofertën e shërbimeve shëndetësore përmes teknologjisë së avancuar, pajisjeve moderne diagnostikuese dhe trajtimit bashkëkohor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Një ndër fushat ku ky institucion shëndetësor ofron zgjidhje të specializuara është edhe mjekësia vaskulare, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut, nga koka deri te këmbët.

Përmes ekspertizës profesionale të Dr. Halil, pacientët informohen për mundësitë moderne të trajtimit të problemeve vaskulare, duke përfshirë metodat kirurgjike të hapura, intervenimet minimale invazive dhe procedurat endovaskulare.

Në United Hospital trajtohen një sërë patologjish vaskulare, ndër të cilat:

Stenoza e arteries karotide, me rëndësi të veçantë në parandalimin e goditjes në tru.

Aneurizmat e aortës, torakale dhe abdominale.

Ngushtimet e arterieve të veshkave, pelvikut dhe gjymtyrëve të poshtme.

Sëmundjet e venave dhe variçet, përmes metodave moderne të trajtimit, përfshirë përdorimin e ngjitësit biologjik, një alternativë ndaj operacionit klasik për pacientët e përshtatshëm.

Përparësia e këtyre metodave qëndron në mundësinë e trajtimit më pak invaziv, reduktimin e shqetësimeve pas procedurës dhe rikthimin më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe metoda e aplikuar.

Me investimet në teknologji, zgjerimin e shërbimeve dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë, United Hospital synon të ofrojë standarde bashkëkohore të kujdesit mjekësor, duke krijuar më shumë mundësi për pacientët që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda Kosovës.

United Hospital – kujdes shëndetësor, teknologji dhe profesionalizëm në shërbim të shëndetit tuaj!

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë – Kosovë

Për informacione dhe konsultime, kontaktoni United Hospital. Përshtatshmëria për secilën procedurë përcaktohet pas vlerësimit nga mjeku specialist.
gazeta speciale./rajonipress/

Continue Reading

Të kërkuara