Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Jeta në male, 1998/1999

11 gusht 1993

 Valë e shtuar e represionit serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë

Dje, në Prizren, policia serbe prej orës 10.30 deri në ora 11.55, bastisi familjet e prof.Masar Shportës, i cili gjendet në paraburgim nga 7 gushti, të Safet Dorambarit, veprimtar i Sindikatës së Pavarur dhe të Agron Shportës, përkthyes nga anglishtja i Misionit të KSBE-së në Prizren.

Gjithashtu nga Prizreni merret vesh se asnjëri nga veprimtarët, të cilët më parë janë arrestuar nga policia serbe, siç janë Selajdin Braha, Skënder Berisha, Kadri Kryeziu, Behajdin Hallaqi, Masar Shporta dhe Sylejman Sylejmani, nuk janë liruar. Disa nga të arrestuarit, si Masar Shporta, Agron Shporta dhe Selajdin Braha, ishin në kontakt të vazhdueshëm me Misionin e KSBE-së në Prizren, prandaj dyshohet me të drejtë se policia i bastisi dhe i arrestoi këta persona, pikërisht për shkak të këtij bashkëpunimi.

Merret vesh se ndaj Skënder Berishës ka filluar procedura penale.

Gjithashtu dje rreth orës 9 në Prizren, policia serbe arrestoi mjekun e ambulancës popullore “Humanisti I”, Arsim Çavdarbashën.

Vlen të theksohet se ambulanca popullore “Humanisti I” në Prizren ofronte shërbime mjekësore dhe barna gratis për rastet sociale.

Sot, rreth orës 12, policia serbe rrethoi familjet e Hasan, Xhevat, Imer e Shahin Jasharit dhe Sadik Prekoragjës në fshatin Batllavë të Podujevës. Policia bllokoi këto familje dhe u kërcënua se ose duhet t’i dorëzojnë të gjitha armët, ose policia do t’i bastisë ato. Deri në orën 14, këto familje po mbahen të bllokuara.

Gjithashtu sot rreth orës 11, në zyrën e LDK-së në Prizren, erdhën organet e sigurimit shtetëror të policisë serbe dhe kërkuan Qazim Kabashin. Me këtë rast policët legjitimuan kujdestarët që ishin në lokalet e Degës së LDK-së në Prizren.

Represioni policor mbi veprimtarët e LDK-së u shtri edhe në komunën e Lipjanit. Sot në fshatin Poturovc të Lipjanit u bastis shtëpia e Heset Sahitit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Lipjan. Heseti prej dje gjendet në arrest në organet e policisë serbe.

Në këtë bastisje morën pjesë 16 policë dhe civilë serbë, të cilët demoluan dhe thyen mobilet si dhe gjësende të tjera në këtë shtëpi. Pas bastisjes, policia arrestoi edhe vëllain e Hesetit, Daut Sahitin (1974). Edhe Dauti po mbahet në arrest, për gjoja ikjen nga obligimi ushtarak.

Siç njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri, dje u bastis sërish familja e Islam Pllanës nga fshati Shtitaricë i Vushtrrisë. Policia arrestoi të birin e Islamit, Hasim Pllanën, me ç’rast u gjet një revole dhe një pushkë. Hasimi u lirua, por me kusht që të paraqitet sot në organet policore serbe.

Gjithashtu nga Vushtrria merret vesh se Ramadan Pllana, anëtar i Kryesisë së LDK-së Dega në Vushtrri dhe ish i burgosur politik, vazhdon të mbahet në paraburgim në Mitrovicë.

Komisioni për Informim i LDK-së nga Suhareka bën të ditur se sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Bllacë të Suharekës u bastisën tri familje shqiptare nga një ekspeditë prej afro 50 policësh serbë, të cilët gjatë bastisjes bënë rrëmujë në familjet e tyre. U bastis familja e Deli Sukës, të cilit iu arrestuan dy djemtë, Nazmiun (23) dhe Fehmiun (21); ata u dërguan në organet e policisë në Suharekë. Fehmi Sukën policia serbe e rrahu deri në alivanosje në prani të anëtarëve të familjes. Policia konfiskoi një sasi të konsiderueshme librash. Ajo bastisi edhe familjen e Ferat Sukës (70), i cili u rrah në prani të anëtarëve të familjes dhe pastaj u arrestua. Pas bastisjes, është hetuar se mungon një medaljon dhe një zingjir ari, me vlerë prej 1.500 markash gjermane. Policia serbe në këtë fshat bastisi edhe familjen e Milaim Sukës (55), të cilin e arrestuan së bashku me të birin, Fatmirin.

Në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, rreth orës 6 të mëngjesit, u bastis familja e Shefket R.Bashës. Sipas Komisionit për Informim të LDK-së së Suharekës, Shefketi u arrestua për shkak se ishte mysafir në familjen e Fehim Sukës nga Bllaca.

Dje, rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Ramadan Bajrakliut, me ç’rast kërkoi vajzën e tij, Sevdien, e cila nuk gjendej në shtëpi.

Anëtarëve të kësaj familjeje policët i thanë se Sevdie Bajrakliu duhej të lajmërohej sa më parë në stacionin e policisë në Ferizaj.

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjet e vëllezërve Enver dhe Musli Paçarrizi në Dragobil të Malishevës. Merret vesh se para se policët të fillonin bastisjen, shtinë disa herë me rafale automatikësh.

Pas kësaj bastisjeje, e njëjta ekspeditë ndërmori edhe një aksion të ri ndaj pronarëve të lokaleve zejtare dhe dilerëve të devizave në Malishevë. Policët thyen lokalin e Halil Kryeziut nga Pagarusha, pastaj bastisën dyqanet e Enver Paçarrizit, Faton e Mustafë Krasniqit, të Sali Kryeziut, si dhe të Muhamet e Idriz Zogajt, ndërsa në lokalin e Behxhet Bytyçit, përveç bastisjes, policia kontrolloi të gjithë qytetarët që gjendeshin në lokalin e tij.

 

 11 gusht 1994

Represioni në Kosovë

Gjilan: – Pardje prej orës 9:00 deri rreth orës 12:00, inspektorët serbë morën në pyetje, Mexhid Canin, aktivist i LDK-së në fshatin Llashticë të Gjilanit. Inspektorët serbë nga Mexhid Cani u interesuan të dinë rreth aktivitetit të LDK-së. Atij i thanë se nëse nuk i dorëzon armët kundër tij do të përdoret dhuna.

Dje në fshatin Stanishor, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Xhemail Ahmetit. Meqë policia nuk gjeti asgjë, ata shkuan edhe tek axha i tij, Hysen Ahmeti nga i cili po ashtu kërkuan armë. Policia iu kërcënua Hysen Ahmetit se nëse nuk dorëzon armën, do t’i mirret pasaporta.

Hysen Ahmeti u urdhërua që për shkak të marrjes së pasaportës, në polici të paraqitet më 1 shtator.

Vlenë të theksohet se Hysen Ahmeti punon përkohësisht në Gjermani tash 25 vjet.

Viti: – Pardje, policia serbe rrethoi dhe bastisi gjashtë familje në Remnik të Vitisë. Njoftohet se policia serbe e stacionit të policisë së Ferizajt, gjatë bastisjes u soll me vandalizëm, me ç’rast keqtrajtuan kryefamiljarët.

Pas bastisjes, policia mori me vete Pajush Pajazitin, Isak Hajdarin, i cili dorëzoi një revole, Xhavit Sejdiun, i cili po ashtu dorëzoi një revole, Sabit Rexhepin, Enver Aliun, i cili dorëzoi një automatik, dhe Ali Aliun, i cili po ashtu dorëzoi një revole.

Enver Aliu u ndal në polici, ndërsa personat tjerë u liruan me kusht që të paraqiten sërish në polici.

Skënderaj: – Dje, policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, rreth katër orë mori në pyetje dhe e keqtrajtoi fizikisht Xheladin Abdullahun nga fshati Açarevë i Skënderajt. Në fillim, policia nga Xheladin Abdullahu kërkoi një automatik, ndërsa më vonë policia nga ai kërkoi që të dorëzojë një revole.

Vlenë të theksohet se Xheladin Abdullahu prej datës 26 deri më 29 korrik të këtij viti, nën pretekst të kërkimit të armëve qe keqtrajtuar brutalisht në polici, ndaj të  cilit qe përdorur edhe elektroshoku. Gjatë kësaj kohe, policia pat keqtrajtuar edhe babain e tij, Hajdin Abdullahun.

 

 11 gusht 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Ferizaj: – Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policia mori në shtëpinë e tij Ruzhdi Bytyçin (1968) nga fshati Mirosalë i Ferizajt. Në stacionin e policisë në Ferizaj ai u keqtrajtua fizikisht deri sa u alivanos. Ai është liruar me kërcënimin se do të mirret prapë në polici.

Mitrovicë: – Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të një revolje, tre policë ishin në shtëpinë e Shukri Sh. Begut (46) në fshatin Vllahi të Shalës dhe e urdhëruan atë që të nesërmen të paraqitet në stacionin e policisë në Stantërg. Më 10 gusht ai u mbajt rreth tri orë në polici dhe u keqtrajtua fizikisht.

Të njëjtit policë shkuan edhe në shtëpinë e Sokol R. Miftarit në të njëjtin fshat dhe kërkuan prej tij të dorëzojë një revole dhe një pushkë. Edhe ai të nesërmen, në stacionin e policisë në Stantërg u mbajt rreth tri orë. Ai është liruar, por policia ka kërkuar prej tij të paraqitet në polici sa herë që ta thërrasin.

Në të njëjtin fshat, policët ishin edhe në shtëpitë e Halim I. Kurtit (43) dhe Pajazit B. Feratit (60) dhe prej tyre kërkuan të dinë se ku gjenden disa bashkëfshatarë të tyre.

Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policët bastisën shtëpinë e Bujar M. Mujës (26) në lagjen Tavnik të Mitrovicës. Një pushkë dhe një revole, të cilat i kërkonte policia, babai i Bujarit, i ndjeri Muja, i kishte dorëzuar para tri vitesh.

Viti: – Më 9 gusht, tre policë të stacionit të policisë në Viti, shkuan në shtëpinë e Jakup Sahitit në fshatin Gjylekar, i cili ndodhet përkohësisht në botën e jashtme dhe nga bashkëshortja e tij morën një revole. Një armë policët e morën edhe në shtëpinë e Ilmi Sahitit, ndërsa kërkuan edhe Reshat e Ismet Sahitin, të cilët ndodhen në punë në botën e jashtme.

Malishevë: – Më 8 gusht, policia serbe e postkomandës së Kijevës, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjet e vëllezërve Adem e Feriz B.Krasniqi në fshatin Drenoc të Malishevës. Policia kërkoi edhe vëllain e tyre, Zenun Krasniqin i cili është i punësuar përkohësisht në botën e jashtme. Adem e Feriz B.Krasniqi në postkomandën e Kijevës u maltretuan psikikisht.

 

11 gusht 1997

U bllokua kontrabanda drejt Malit të Zi

Burimet policore shqiptare, të cilave u referohet AFP, bëjnë të ditur se ka filluar një luftë kundër kriminalitetit dhe bandave në gati gjithë Shqipërinë. Po këto burime policore thonë se gjatë javës së kaluar në mbarë Shqipërinë u vranë 45 veta ose 15 më pak se një javë më parë. Sa i përket luftës kundër kontrabandës, sipas këtyre burimeve, dje janë bllokuar 20 kamionë me cigare kontrabandë që vinin nga Greqia, ndërsa është bllokuar edhe pjesa kufitare në Malin e Zi për të penguar kalimin e mallit të kontrabanduar si dhe një sasi e madhe e hekurinave për në shkritoren e Nikshiqit.

Me vendim të ministrit Ceka, është krijuar edhe një drejtorat, i cili do t’i mbrojë të huajt të cilët vijnë të investojnë në Shqipëri.

 

11 gusht 1998

Pesë të vrarë u dërguan mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës

Burimet e lDK-së nga Gjakova njoftuan mbrëmë vonë se në morgun e spitalit janë dërguar trupat e pajetë të pesë shqiptarëve të vrarë.

Thuhej se gjatë ditës së djeshme kanë qarkulluar shpesh veturat e ndihmës së shpejtë dhe helikopteri, çka nënkupton se kishte të vrarë edhe në mesin e pjesëtarëve të forcave serbe.

 

Pas ofensivës së forcave serbe në Drenicë, dihet për së paku 13 të vrarë

Gjatë ofensivës së forcave serbe në Drenicë janë vrarë Sami Xhemajl Veliqi (16) nga Polaci, Elmi Veli Kadiru (51) nga Likoci, me të meta psiqike, Sokol Gashi (60) nga Rezalla, Havë Zabeli nga Rezalla, plakë e paralizuar, një plakë me emrin Rabë nga Llusha, plakë, e mbytur në Rezallë të Re, ku u varros mbrëmë, shtatë ditë pas vrasjes, Zekë Durmishi (52) nga Rakinica dhe Dibran Idrizi (70) Kopiliq i Ulët, njofton NMDLNJ në SKënderaj.

Sipas dëshmitarëve në familjen e Jakup Gecit në Llaushë të vrarë janë nëna e tij, motra, një mikateshë me vajzën nga Vitaku që ishin mysafirë.

Po ky burim bën të ditur se janë edhe dy trupa të pajetë, njëri te Lutanët e Turiqecit, i pa identifikuar dhe i pavarrosur, ndërsa tjetri në Rakinicë, gjithashtu i paidentifikuar dhe i pavarrosur.

Të humbur, që dyshohet se i ka marrë policia, janë: Sadri Tafë Geci (67) nga Llausha, Sami Rrahim Geci (25) nga Llausha, Mustafë Hazir Geci (28) nga Llausha.

Bëhet e ditur se gjendja sot në Drenicë është e qetë dhe nuk ka të shtëna. Policia është tërhequr nga shumë pozicione si nga Likoci, Makërmali, Rezalla. Ka infomracione se ajo është tërhequr edhe nga kryqi i rrugëve në Rakinicë, prej ku ditëve të fundit është granatuar tërë Drenica.

 

Gllogoc: Rreth 20 mijë shqiptarë po qëndrojnë nën qiellin e hapur

Edhe më tej po vazhdon gjendje e rëndë dhe dramatike në komunën e Gllogocit, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Bëhet e ditur se në Grykën e Vuçakut dhe të Tërdecit janë vendosur mijëra banorë, të cilët nga dhuna serbe ia kanë braktisur vatrat e tyre.

Njoftohet se vetëm në fshatrat Negroc, Vuçak, Tërdec e Abri e Epërme, janë vendosur afro 20 mijë banorë shqiptarë që kanë braktisur vatrat e tyre. Ata janë strehuar pjesërisht në shtëpitë shqiptare, ndërsa shumica e tyre po qëndron edhe më tej nën qiellin e hapur. Në këto fshatra të Drenicës ka edhe shumë banorë të zhvendosur nga fshatrat e komunës së Klinës, si nga fshati Gllarevë, Stapanicë, Rigjevë, Mleçan, Kijevë, Balinc, Jellovc, Kërnicë, Jashanicë, Ujmir, Dobërdol, Siçevë, Shtaricë, Cerovik dhe fshatra të tjerë.

Në këtë hapësirë ku po qëndrojnë banorët e zhvendosur shqiptarë, nga vatrat e tyre po ndjehet një nevojë për artikuj elementar ushqimorë e ilaçe, ndërsa situata në çdo çast po bëhet alarmante.

Njoftohet se banorët shqiptarë të Drenicës që nuk janë prekur drejtpërdrejtë nga lufta, po i ndihmojnë të ardhurit me gjithçka që kanë duke ndarë madje edhe kafshatën e fundit.

Bëhet e ditur se sot që nga orët e hershme të mëngjesit, nga objekti i “Ferronikelit” po del një numër i konsiderueshëm i forcave serbe, të cilat me mjete të motorizuara po shkojnë për të luftuar në drejtime të ndryshme.

Edhe sot ka patur të shtëna me armë në drejtim të fshatrave Sankoc e Fushticë, ndërsa në qytezën e Gllogocit policët serbë kanë paralajmëruar se do të kthehen me shërbime administrative në këtë komunë.

 

 

Continue Reading

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara